Albspirit

Media/News/Publishing

Al Bano Karrisi: Tani jam 24 karat shqiptar 

 

albano-carrisi

Gjeniu i këngës italiane Al Bano Karrisi, merr nënshtetësinë nga Presidenti Bujar Nishani. Këngëtari: Më prisni, do të jap koncert në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë

Nga Zenepe Luka

Që prej datës 10 qershor, këngëtari italian, Al Bano Karrisi, është edhe shqiptar. Pas kërkesës që bëri shoqata kulturore “Al Bano Karrisi” me rastin e 20 -vjetorit të shoqatës dhe përgatitjes së dosjes sipas ligjit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëherësh edhe fans i këngës së Al Banos, më 10 qershor ka nxjerrë dekretin, ndërsa më 15 qershor, u botua në gazetën zyrtare. Shoqata ka marrë shumë urime nga fansat, ndërsa në bisedën e gjatë me këngëtarin, që ndodhej në Celino San Marko, përveç të tjerash , Al Bano është shprehur.

“Faleminderit Presidentit të Republikës së Shqipërisë, që aprovoi kërkesën e shoqatës dhe dëshirën time, për të marrë nënshtetësinë shqiptare. Tani e them me plot gojën, se jam shqiptar 24 karat”,- tha ai në një prononcim për “Koha Jonë”.

Kërkesa dhe dashamirësia e Presidencës

E menjëhershme ka qenë përgjigja e institucionit të Presidencës ndaj kërkesës së dërguar nga shoqata Kulturore “Al Bano Karrisi”, për t’i dhënë nënshtetësinë shqiptare këngëtarit me rastin e 20- vjetorit të shoqatës. Juristja e institucionit na bëri me dije procedurën që duhej ndjekur sipas ligjit. Bashkë me miken e përbashkët, pianisten e famshme Aksinja Xhoja, na u desh të bënim vizitën e radhës në shtëpinë e Al Banos në Celino. Si gjithmonë trapeze e mbushur plot dhe disa shishe verë “Felicita”. Nuk ishte e vështirë plotësoheshin dokumentet që vareshin nga Al Bano, ndërsa e ndjemë veten ngushtë, kur i kërkuam të firmosur nga policia dokumentin, që në Shqipëri përkthehet dëshmia e penalitetit. “Do të plotësojmë çdo kërkesë, që mbështetet në ligjin shqiptar, pas kësaj unë do të kem pasaportë shqiptare dhe jo vetëm duhet të njihem, por edhe t’i zbatoj pikë për pikë ato”,- e kaloi këtë çast të sikletshëm Al Bano.

Koncert në Sheshin “Nënë Tereza”

Al Bano Karrisi do të japë së shpejti një koncert të madh në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Ai i është përgjigjur ftesës së shoqatës “Al Bano Karrisi”, të japë me grupin e tij 150 minuta koncert live dhe për të realizuar me sukses këtë event. Shoqata bashkëpunoi me Televizionin Publik Shqiptar, i cili do ketë ekskluzivitetin e koncertit, si dhe të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, që do t’i akordojë këngëtarit “Çelësin e Tiranës”. Shoqata i bëri kërkesë edhe Këshillit Bashkiak në Vlorë, për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”, pasi edhe regjistrimi i tij si shtetas shqiptar do të bëhet në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, ku është edhe selia e shoqatës kulturore me emrin e tij. Al Bano është një emër i dashur për publikun shqiptar. Ai është i pari këngëtar perëndimor që dha një koncert në Shqipëri, kur ende nuk kishte rënë komunizmi.

Koncertet dhe vizitat e Al Banos në Shqipëri

– Vizitën e parë këngëtari italian e ka bërë në vjeshtë të vitit 1985, së bashku me prindërit e tij, me insistimin e të atit, Don Karmelo, që në prag të verbimit, kërkoi të shihte për herë të fundit vendin e shqiponjave, për të cilin ruante kujtimet më të bukura, kur kishte qenë ushtar.

– Për herë të dytë këngëtari erdhi më 17 shtator 1989, për të dhënë koncert në stadiumin “Qemal Stafa” dhe Pallatin e Kongreseve. Ishte i pari këngëtar perëndimor që këndoi ende pa rënë regjimi në Shqipëri.

– Herën e tretë, i ftuar nga shoqata kulturore, që ka emrin e tij, më 7 nëntor të vitit 2004, dha koncert në Pallatin e Kongreseve.

– Për herë të katërt, Al Bano erdhi në Vlorë më 1 maj të vitit 2008, ku bashkë me fansat e tij, festoi 65- vjetorin e lindjes.

– 8 qershori i vitit 2009, shënon ardhjen e pestë të këngëtarit në Shqipëri. Presidenti i Republikës prof. Bamir Topi i akordoi këngëtarit të famshëm medaljen“Nënë Tereza”.

– Në shtator 2009 dha koncert në Teatrin e Operës dhe Baletit, me rastin e 20- vjetorit të dhënies së koncertit të parë në Shqipëri. U promovua edhe libri biografik i këngëtarit “Kjo është jeta ime” përkthyer në gjuhën shqipe.

Çfarë ka thënë Al Bano për Shqipërinë:

-“Dashurinë për popullin shqiptar dhe për atë tokë, ma ka mëkuar im atë, Don Karmelo,qysh kur isha fëmijë. Kur u rrita mësova më shumë, për kulturën e këtij populli të lashtë. Erdha në Shqipëri në momentin e përshtatshëm, kur regjimi po binte dhe pritja e publikut, ishte mahnitëse.

-Nuk e kisha menduar dhe ndjehem kaq i prekur. Kam shumë miq në Shqipëri, ndjehem si në shtëpinë time. Vlerësoj bregdetin shqiptar, kam një dashuri të veçantë për Vlorën, ku dua të vij të pushoj rrethuar nga fansat e mijë. Dëshiroj të ngjitem edhe në Llogara, një perlë e natyrës.

-Vlora, Shqipëria prej kohesh janë në zemrën time. Këtij vendi i uroj begati e përparim,pasi jam i lidhur shpirtërisht me atë popull të lashtë, me të cilin na ndan vetëm deti.

-Pasi iu dorëzua medalja “Nënë Tereza”, Al Bano, u shpreh: “Për mua është një eveniment shumë i rëndësishëm i jetës sime dekorimi me urdhrin e lartë “Nënë Tereza” nga Presidenti shqiptar Bamir Topi. Të meritosh këtë titull të shenjtë, duhet të mbruhesh me virtytet e kësaj nëne të madhe të Botës, duhet të përcjellësh mirësinë, humanizmin, dashurinë njerëzore, dhimbjen dhe të vihesh në shërbim të njerëzimit. Unë kam shumë medalje dhe disqe ari, që i kam fituar gjatë karrierës sime, por medalja “Nënë Tereza”, rri gjithë kohën mbi zemrën time”.

Please follow and like us: