Albspirit

Media/News/Publishing

Bekim Fehmiu, vizita e shkurtër në Shqipëri

 

Ceremonia

Bekim Fehmiu, aktori i njohur shqiptar, është kujtuar dje përmes një aktiviteti në Akademinë e Filmit “Marubi”. Në këtë aktivitet, u shfaq filmi “Bekim Fehmiu në Shqipëri”, një kronikë mbi vizitën e tij në Shqipëri në vitin 1972 dhe më pas u prezantua edhe monografia: “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”, shkruar nga gazetari e përkthyesi Fahri Musliu, që ka qenë edhe miku i aktorit të madh. Musliu ka punuar për një kohë të gjatë në Beograd si korrespondent për gazetat në Kosovë. Pjesëmarrësit sollën kujtime dhe vlerësuan figurën dhe trashëgiminë e lënë prej tij. Bekim Fehmiu do të mbahet mend gjatë për role të larmishme në filma si: “Mbledhësit e puplave”, “Aventurierët”, “Dezertori”, “Java e zezë”, “E dashura ime Libera”, “Salon Kiti”, “Leja për vrasje”, “Xhinxhis Kan”, “Protesta”, “Edukata speciale” etj., por pa harruar shkëlqimin në rolin e Uliksit te seriali i famshëm “Odiseja”. Përmes këtij libri na rrëfehet se si aktori ia doli si yll kinemaje të fitonte dashurinë e miliona spektatorëve, të cilët sigurisht panë te personazhi i tij diçka që kishte kuptim për të gjithë, diçka që shkon përtej caqeve të tërheqjes vetjake ose të artit vetjak. “Karriera e Bekim Fehmiut, shkruan Marko Kostiq, është përshkrimi i drejtë i karakterit shqiptar, i atij që kur njëherë arrin rezultatin e dëshiruar, i ofron shkëlqimin reflektues edhe serbëve, jugosllavëve, romakëve dhe amerikanëve”. Bekim Fehmiu është i vetmi aktor që në Perëndim ka xhiruar mbi 20 vjet, duke thyer “perden e hekurt”, thuhet në këtë libër. “Jam i lumtur që mbas 30 vjetëve gjendem në Shkodër, në qytetin ku kam kaluar vitet e para të fëmijërisë sime, rrënjët kishin qenë të thella dhe të pashpërngulta”, shkruan Fehmiu në kujtime mbi vizitën në Shkodër në vitin 1972.

Please follow and like us: