Albspirit

Media/News/Publishing

AA: Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri, suksese të shumta në sferat e jetës shoqërore

 Debutimi i kombëtares së Shqipërisë në futboll në Kampionatin Evropian EURO 2016, ku shënoi edhe fitoren e parë historike në garën e madhe kontinentale paraqet njërin nga sukseset e shumta të shqiptarëve në mijëvjeçarin e ri, thuhet në një shkrim redaksional të agjencisë zyrtare turke të lajmeve,  Anadolu Agency (AA).
Më poshtë vijon shkrimi i plotë i AA-së:

SHQIPËRIA SUKSESE TË MËDHA BRENDA NJË PERIUDHE TË SHKURTËR

Një nga arritjet më të rëndësishme të shqiptarëve në mileniumin e ri padyshim se është edhe anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën Veriatlantike (NATO) ftesa për të cilën erdhi në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, pas përpjekjeve disavjeçare, kur vendi i ishte bashkuar Këshillit të Bashkëpunimit të Aleancës dhe kishte hyrë në programin e partneritetit për paqe.

Më 7 prill të vitit 2009 për herë të parë flamuri shqiptar u ngrit përkrah 27 flamujve të tjerë të vendeve anëtare në selinë e NATO-s ne Bruksel. Një vit më vonë, në vitin 2010 shqiptarët do të shënojnë një tjetër fitore në rrafshin ndërkombëtar, pasi Bashkimi Evropian vendosi liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë duke u dhënë mundësinë atyre të lëvizin lirshëm në vëndet e zonës Schengen nga mesi i dhjetorit.

Më 11 tetor të vitit 2015 kombëtarja e Shqipërisë në futboll shkroi historinë pasi fitorja 3-0 ndaj Armenisë i mundësoi pjesëmarrjen e parë në historinë e një kompeticioni të formatit të lartë, atë të Evropianit i cili po zhvillohet në Francë, ku Shqipëria pati një paraqitje tejet dinjitoze dhe për të kaluar në fazën tjetër i duhet një mrekulli nga rezultatet e ndeshjeve të tjera që zhvillohen sot.

Megjithatë, edhe nëse kombëtarja e Shqipërisë nuk kualifikohet në fazën tjetër suksesi i kombëtares nuk zbehet pasi futbollistët shqiptarë dëshmuan lojë cilësore dhe heroike. Padyshim se fitorja ndaj Rumanisë paraqet një të tillë.

Shqipëria nga izolimi në të cilin ishte zhytur deri në vitet ’90, tashmë është shndërruar në një faktor stabiliteti dhe ka lëvizur përpara në shumë aspekte, të cilat premtojnë të ardhme më të mirë për qytetarët shqiptarë.

KOSOVA, NGA ÇLIRIMI DERI TEK PAVARËSIA DHE ANËTARËSIMI NË ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE

Mijëvjeçari i ri e gjeti Kosovën të sapoçliruar nga regjimi i Slobodan Milosheviçit, të cilës i parapriu kryengritja e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fushata ajrore e forcave të NATO-s të cilat për disa muaj radhazi bombarduan pozicionet ushtarake dhe policore të regjimit serb në Kosovë, për të vendosur më vonë një protektorat të drejtuar nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Më datën 17 shkurt të vitit 2008 Parlamenti i Kosovës shpalli pavarsinë duke e bërë Kosovën shtetin më të ri në Evropë, një rrugëtim i cili zgjat edhe në ditët e sotme duke synuar njohjet të cilat do t’i mundësojnë Kosovës edhe vendin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Data 3 majit 2016 është një tjetër datë historike për shqiptarët, pasi në këtë datë në kongresin e Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) që u mbajt në Budapest të Hungarisë, Kosova pranohet në UEFA, vendim ky që hapi dyert për pranim edhe në Federëtën Botërore të Futbollit (FIFA) 10 ditë më vonë, më 13 maj.

Këto njohje i mundësojnë përfaqësueses dhe klubeve kosovare gara ndërkomëbtare, ndërsa gara e parë është përfshirja e Kosovës në eliminatoret për Botërorin Rusi 2018 të cilat nisin në vjeshtë.

Vetëm një ditë më vonë Kosova shënon një tjetër të arritur në planin politik pasi më 4 maj 2016 Komisioneri Evropian për Migrimin, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë Dhimitris Avramopoulos, njoftoi se Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Ai ka theksuar se Kosovës deri në fund të procedurës për heqjen e vizave i mbetet të ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe të forcojë luftën kundër korrupsionit.

POZITA E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI PAS VITIT 2001

Në vitin 2001, shqiptarët e Maqedonisë të pakënaqur nga statusi i tyre politik dhe shoqëror në shtet nisën kryengritjen e armatosur të cilës i priu Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Përshkallëzimi i konfliktit dhe përleshjet e armatosura mes UÇK-së dhe formacioneve ushtarake dhe policore të shtetit të Maqedonisë detyruan komunitetin ndërkombëtar të ndërhyjë dhe falë kësaj konflikti nuk mori përmasa të mëdha, ndërsa përfundoi me nënshkrimin e Marëveshjes së Ohrit, më 13 gusht të vitit 2001.

Përfshirja e kësaj marrëveshjeje në Kushtetutë garantonte një status të ri politik dhe shoqëror për shqiptarët e këtushëm që ishte një synim i kahmotshëm i gjeneratave të tëra. Marrëveshja e Ohrit solli decentralizimin me anë të të cilit shqiptarët e Maqedonisë tani kanë kryetar të tyre në komunat të cilat shtrihen në vertikalen nga Likova deri në Strugë.

Gjithashtu, marrëveshja hapi dyert për përfshirjen e shqiptarëve në administratën shtetërore, prania e të cilëve më parë mund të numërohej në gishta, legalizimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT), me çka shqiptarët fituan mësim sipëror në gjuhë amtare, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë për çdo ditë e më shumë përfshiheshin në instancat më të larta në polici dhe ushtri.

Arritjet e shqiptarëve në mijëvjeçarin e ri nuk përfundojnë me kaq, shqiptarët kanë korrur suksese të tjera edhe në sferat e ndryshme të jetës shoqërore.

Please follow and like us: