Albspirit

Media/News/Publishing

John Kerry dhe Angelina Jolie në një darkë iftari në Virgjinia

Shefi i diplomacisë amerikane, John Kerry dhe aktorja e famshme amerikane, Angelina Jolie, morën pjesë në një darkë iftari të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Rajonit Dulles (ADAMS), në Virgjinia, me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve.

 

SHBA – John Kerry dhe Angelina Jolie në një darkë iftari në Virgjinia

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe përfaqësuesja e posaçme e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Angelina Jolie, morën pjesë në një darkë iftari të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Rajonit Dulles (ADAMS), në Virgjinia, me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve.

Duke e nisur fjalimin e tij me përshëndetjen islame “es-selamu alejkum”, pra, “paqja qoftë mbi ju”, Kerry rikujtoi se bota myslimane po feston muajin e bekuar të Ramazanit dhe theksoi se po të mblidheshin të gjithë refugjatët në një vend do të formonin shtetin e 22-të më të populluar në botë.

Kreu i diplomacisë amerikane reagoi ashpër ndaj opinioneve kinse refugjatët e pranuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë elementë kërcënues për sigurinë e vendit duke u shprehur me këto fjalë: “As që mund të bëhet fjalë që këta refugjatë, të cilët janë pranuar në SHBA pasi janë mbajtur nën mbikëqyrje për një kohë të caktuar, të jenë ndonjë element kërcënues për vendin tonë.”

John Kerry tërhoqi vëmendjen ndër të tjera se klasifikimi i njerëzve sipas vendlindjes apo besimit fetar nuk përputhet me vlerat, mbi të cilët janë themeluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Fabrikimi i gjuhës së urrejtjes është në interes të grupeve terroriste. Urrejtja ndaj myslimanëve dhe vendosja e tyre në shënjestër të retorikës urryese vepron në interes të grupeve terroriste. Ka përpjekje të fuqishme për të krijuar idenë dhe klimën e një lufte ndërmjet SHBA dhe islamit, gjë që s’është aspak e drejtë. Nuk ka ndonjë vend tjetër si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku myslimanët të mund të jetojnë të lirë”, përfundoi ai.

Ndërsa Angelina Jolie vuri në pah se njerëzit lindin të barabartë dhe të gjithë gëzojnë të drejta të barabarta.

“Të mendosh që disa njerëz janë më të vyer sesa të tjerët nuk u ka hije vendeve demokratike”, u shpreh aktorja e famshme amerikane.

Pjesëmarrës në këtë darkë iftari, ku ezanin e akshamit e këndoi një ushtar mysliman i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishin edhe përfaqësues të besimeve të ndryshme.

Please follow and like us: