Albspirit

Media/News/Publishing

Kapiteni i “përjetshëm” i kombëtares që realizoi ëndrrën e madhe shqiptare

cana-de-biasi

Largimi nga kombëtarja shqiptare e Lorik Canës pas më shumë se një dekade ka bërë që kapiteni i ri i kuqezinjve te jetë i veçantë për të arritur standardet e vëna nga vetë ai. Me 92 ndeshje të zhvilluara me kombëtaren dhe udhëheqjen e saj drejt Kampionatit Evropian, Cana ka shkruar emrin e tij në historinë e futbollit shqiptar.

Rreth 13 vite më parë, kombëtarja shqiptare luante ndaj asaj zvicerane në Gjenevë të Zvicrës. Për herë të parë në këtë takim, në një stadium të mbushur për gjysmë me shqiptarë, debutonte një futbollist shqiptar i cili ishte rritur vetëm 63 kilometra larg Gjenevës, në Lozanë.

I lindur në Prishtinë, që në moshën 7-vjeçare, Loriku u shpërngul me familjen e tij drejt Zvicrës, pas problemeve politike të shfaqura gjatë asaj kohe në Kosovë.

Vetëm 19-vjeçar, Lorik Cana i biri i ish-futbollistit të njohur të Prishtinës së madhe të viteve 80’, Agimit nga Gjakova, mori besimin e trajnerit Hans-Peter Brigel i cili e inkuadroi në lojë me fillimin e pjesës së dytë në takimin ndaj zviceranëve.

Ai zhvilloi 45 minutat e tij të parë duke rënë në sy për shpirtin luftarak e maturinë në lojë. Shqipëria e humbi ndeshjen, por të gjithë thonin se ajo fitoi kapitenin e saj të ardhshëm.

shqip

Që nga ajo kohë ai u bë i pazëvendësueshëm në kombëtaren shqiptare. Që prej asaj kohë futbollisti i talentuar i PSG-së, ëndërronte të bëhej kapiten i Shqipërisë e ta dërgonte atë në ndonjë ngjarje të madhe të futbollit, siç është botërori apo evropiani.

Kush do ta mendonte se pas asaj ndeshje, ai do bëhej edhe futbollisti me më së shumti ndeshje në kombëtaren shqiptare, plot 92 të tilla – me një gol të shënuar, dhe do ta realizonte ëndrrën e tij, dërgimin e Shqipërisë në Kampionat Evropian.

Derisa karriera e tij me klube shkonte në rritje, kombëtarja shqiptare kalonte në probleme në organizim dhe formimin e një skuadre që mund të aspironte kualifikimin në Kampionat Botëror apo Evropian. Në vitin 2009, djaloshi i lindur në Prishtinë, realizoi një ëndërr të tij, që ishte transferimi tek klubi i tij i preferuar, Marseille.

Ngjashëm sikurse në kombëtaren shqiptare, ai arriti të bëhej kapiten i skuadrës së madhe franceze, duke u kthyer në një idhull të tifozëve marsejezë dhe arritur të luante në Ligën e Kampionëve. Një kulm për futbollistët shqiptar, që pak kush e kishte arritur.

Shumë trajnerë u ndërruan në kombëtaren shqiptare, edhe futbollistët erdhën e shkuan për 13 vite me radhë por ai mbeti si kapiten, edhe kur anija luhatej shumë e nuk kishte shumë “luftëtarë”, ai nuk e braktisi kurrë atë.

Ndërkohë, pas 13 vitesh vuajtje, gëzim, pasion, ankth, emocion dhe lumturim, Lorik Cana ka vendosur që ta lë kombëtaren shqiptare, pasi sipas tij, tani është momenti i duhur për ta bërë këtë. Ndeshja me Rumaninë në evropian, ishte e fundit për kapitenin kuqezi.

“Nuk e kam zyrtarizuar, por do e bëj shumë shpejt, sepse vjen një moment kur njeriu e ndjen se atë që kishte për të bërë, e ka bërë dhe besoj se çdo gjë e ka limitin e vet”, ka deklaruar Cana, duke kujtuar se Shqipëria tashmë ka kaluar në një nivel të lartë të futbollit dhe se do t’ia dalë edhe pa të.

cana

Lorik Cana nuk është vetëm një sportist, rrugëtimi i tij me kombëtaren shqiptare është frymëzim për shumë kë dhe shembull për fëmijët shqiptarë. Ai nuk u dorëzua kurrë për të arritur atë që dëshironte dhe përkundër realitetit që shpeshherë ia ndalte edhe ëndrrat.

“Ti do të mbetesh gjithmonë kapiteni që njësoj si në ditë të mira ashtu dhe ato të këqija, ishe forca e madhe e shembullit, përkushtimit total për fanellën kuq e zi dhe fuqia tërheqëse drejt fanellës kuq e zi për të tjerë më të rinj, të talentuar që në vend të Gjermanisë, Zvicrës, Suedisë zgjodhën Shqipërinë. Gjithmonë krenar për ty Lorik”, thoshte kryeministri shqiptar Edi Rama, pas kthimit të kombëtares shqiptare nga Franca.

Lorik Cana do të mbetet kapiteni i “përjetshëm” i kombëtares shqiptare, ai që ndryshoi mentalitetin e skuadrës kuqezi dhe arriti ta thyente akullin e dërgimit të Shqipërisë në një ngjarje të madhe sportive, siç është Kampionati Evropian. /Insajderi.com

Please follow and like us: