Albspirit

Media/News/Publishing

Shenjtërimi i Nënës Terezë, moment krenarie për shqiptarët

1 Ipeshkv Gjergji Mustafa

-Qeveria e Kosovës do të financojë koncertin i cili do të mbahet në Vatikan, më vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë/

PRISHTINË, 24 Qershor 2016/ Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryeministri Mustafa, vlerësoi rolin dhe kontributin e Ipeshkvisë në progresin që po arrihet në Kosovë. Kryeministri Mustafa foli edhe për rëndësinë që ka për Kosovën ky vit, duke iu referuar faktit se është viti i shenjtërimit të Nënës Terezë, simbolit global të humanizmit dhe dashurisë ndërnjerëzore. “Kosova dhe shqiptarët kanë një arsye më shumë që të ndjehen krenarë në këtë vit me shumë suksese. Shenjtërimi i Nënës Terezë është një përjetim i veçantë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi”, tha kryeministri Mustafa.Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa bëri të ditur se Qeveria e Kosovës do të financojë koncertin i cili do të mbahet në Vatikan, më vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë. Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, shprehu mirënjohje të posaçme për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa për shpalljen kohë më parë të vitit 2016 Vit të Nënës Terezë dhe për mbështetjen e koncertit për nder të shenjtërimit të saj.Ipeshkvi Gjergji, po ashtu, tha se shenjtërimi i Nënës Terezë është një ngjarje e rëndësisë së veçantë për Kosovën dhe tërë shqiptarët.

Please follow and like us: