Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: I pasur apo i varfër?

I pasur apo i varfër?

Para do kohe, investitori dhe lëvruesi i njohur kosovar i historisë, Sabri Maxhuni-Novosella, më dërgoi një variant ende të papërfunduar të librit të tij “Karl Topia, Hasan Prishtina, Adem Jashari”, shoqëruar me një parathënie të Ahmet Morinës. Libri do të dërgohet së shpejti në shtyp, më shkruante Sabriu dhe, miqësisht, kërkonte ndonjë mendim prej meje.

Edhe pse brendia e veprës së tij më të fundit nuk është objekt i këtij shkrimi, e shoh me vend të nënvizoj fare shkurt mesazhin që na vjen, përmes faktesh të reja dhe një këndvështrimi të ri historik, lidhur me të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen e Çështjes sonë Kombëtare, ende të pazgjidhur. Siç shihet nga titulli, Maxhuni u referohet tri periudhave tepër domethënëse të historisë sonë, duke evokuar tri figura emblematike të secilës prej tyre: periudhës së mesjetës para skënderbejane; periudhës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e sotëm (e ashtuquajtura Shqipëri Londineze) dhe asaj të luftës për çlirimin përfundimtar të Kosovës, të cilën Maxhunit ia ka ënda ta quajë Shqipëria Atlantike. Duke e përshëndetur paraprakisht mikun tim për kontributin që ka dhënë dhe po vazhdon të japë në formulimin e historisë sonë kombëtare, po kaloj drejtpërdrejt në qëllimin e këtij shkrimi, pa hyrë në detaje të tjera, të cilat do të jenë padyshim objekt diskutimi i historianëve.

S’e kisha përfunduar ende së lexuar dorëshkrimin, kur përmes gazetës InfoPress (Kosova) ndesha në një replikë të Sabri Maxhunit, drejtuar njërit prej zëdhënësve të Partisë për Vetëvendosje. Nuk do të kisha reaguar me këtë shkrim, ngase s’ma ka ënda të përzihem në marrëdhëniet e tij me një parti tashmë të njohur të Kosovës, por më tërhoqën vëmendjen dhe më ngacmuan dy momente të deklaratës së zëdhënësit, të cilën Sabriu e ka cituar të plotë në replikën e vet: “Sabri Novosella jeton me të kaluarën në kujtimet e tij”, momenti i parë, dhe “Prof. B.Ç. është vrarë nga shovinistët serbë. Sabri Novosella sot është gjallë dhe i pasur (në terma ekonomikë, por jo shpirtërorë)”, momenti i dytë.

A duhet jetuar me të kaluarën?

Që të akuzosh dikë se “jeton me të kaluarën”, mua më duket e pakuptimtë. Nëse Sabriu është sulmuar për ca të vërteta që ka thënë në librin me kujtime: “Rezistenca kosovare mes dy zjarresh”, atëherë e pakuptimta rritet në progresion matematik. E kaluara nuk mund t’i mohohet askujt. Madje as e sotmja, as e ardhmja, sepse asnjëra syresh nuk do të ekzistonte pa të kaluarën, qoftë si nocion filozofik, qoftë si perceptim i historisë. Lidhjen mes syresh mund ta këputësh, aq sa mund të këputësh lidhjen e një breznie nga tjetra.

Në këtë këndvështrim, çdokush që ka se ç’të thotë nga e kaluara, s’ka përse të mos e thotë. Çdokujt i lind e drejta ta thotë të vërtetën haptas edhe kur ajo miklon, edhe kur lëndon ndonjëherë, për fat të keq. Veçanërisht për Sabri Maxhunin kjo e drejtë shndërrohet në obligim, me qenë se ai është një ndër veprimtarët e gjallë, madje ndër më të spikaturi e rezistencës kosovare të viteve ’60 – ’70 – ‘80, i cili e vazhdoi veprimtarinë e vet edhe në mërgim, duke kaluar përmes “Shtetit Amë”, Shqipërisë, që vuante asohere nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Përndryshe, nëse të vërtetat ndrydhen për njërën ose për tjetrën arsye, ka rrezik që dukuri negative të së shkuarës, të përsëriten në të sotmen e në të ardhmen.

Në vitin 2012 (maj, nëse s’gaboj) u organizua në Vushtri promovimi i librit me 20 autorë nga Shqipëria dhe Kosova “Që historia shqiptare të mos mbesë në kurthin serbo-sllav”, kushtuar tri veprave të Sabri Maxhunit. I ftuar në atë veprimtari, në kumtesën time “Të vërteta historike thënë troç”, jam përqendruar kryesisht te “Rezistenca Kosovare mes dy zjarresh”. Pa dashur të përsëris vetveten, por thjesht që të vë në dukje idenë se e kaluara duhet kujtuar e rikujtuar sa herë të jetë nevoja, po sjell një fragment nga libri:

“Një mbrëmje, duke luajtur domino me një oficer të Sigurimit, lexova në kutinë e dominove ‘Sami Dërmaku – Gjilan’.
– Çka është kjo Gjilan? – më pyeti oficeri.

– Një lloj marmelate që ua bëjnë bukën fëmijëve në mëngjes, – iu përgjigja”.

Nga kjo e vërtetë e thënë troç, kanë ç’ të mësojnë të rinjtë e të dyja anëve të kufirit shqiptaro-shqiptar, i cili nuk dihet kur do të fshihet nga harta e Ballkanit. Ta dinë ata (të rinjtë) me çfarë kuadro mbahej regjimi i Enver Hoxhës, të cilin e kishin fort për zemër edhe ca të gabuar nga Kosova që e adhuronin Shqipërinë jo si diktaturë, por si referencë atdhedashurie, si vendi që do t’i shpëtonte nga pushtimi jugosllav. Po, prej kujt prisnin shpëtim?

Kosovën ia fali Jugosllavisë vetë Enver Hoxha, që ta mbyllte pastaj kufirin me tela me gjemba e t’i ndante përjetësisht vëllezërit e një gjaku, ndërkohë që ata të cilët ruanin vijën kufitare, ishin aq injorantë, sa nuk dinin se matanë saj gjendej gjysma tjetër e Kombit, flitej shqip dhe se atje gjallonte një qytet me emrin Gjilan.
Atëherë, pse të mos thuhet kjo e vërtetë ose plot të tjera si kjo? Apo sepse nuk i pëlqen ndokujt që Sabri Maxhuni – Novosella të jetojë me të kaluarën? Ato (të vërtetat) duhen thënë e stërthënë, madje me zë të lartë. Aq më tepër nga një njeri me kontribute të pamohueshme për Çështjen Kosovare, në veçanti, e për atë Kombëtare, në tërësi, mbi të cilin rëndojnë vite të tëra burgimesh, nga Peja, në Nish e në Goli Otok.

Çka është Sabriu, i pasur apo i varfër?

E them plot gojën: i pasur, ashtu siç pohon vetë në replikën e tij. Unë do të shtoja jo vetëm “në terma ekonomikë”, por edhe në ata “shpirtërorë”, në daç.

Se sa i pasur është “në terma ekonomikë”, flasin investimet e tij në Shqipëri dhe, veçanërisht, në Kosovën e pasluftës. Mjaft të përmend Qendrën për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim “Nëna Naile” në Kllokot. Nuk di të them sa milionë euro janë investuar në atë mrekulli me tri objekte hotelerie shtatë-tetëkatëshe të fjalës së fundit, me restorante, vende çlodhjeje, bibliotekë; me mjedise për hidroterapi, fizioterapi, elektroterapi, termoterapi, fototerapi, sonoterapi, magnetoterapi, etj.; me një ekip të përzgjedhur mjekësor dhe me personel shërbimi të mrekullueshëm. Dhje të gjitha këto, për secilin objekt hotelerie veçmas. Nuk di të them gjithashtu as se sa ka investuar Sabriu në fermën e vet disa kilometra më tej, nga e cila furnizohen restorantet e pastiçeritë e Qendrës Mjekësore me produkte të freskëta.

Ç’ e keqe i ka ardhur Kosovës nga investime të tilla marramendëse, falë të cilave janë hapur qindra vendeve pune për banorët e Kllokotit, të rrethinave e gjetkë, deri në Ferizaj, Lipjan, Gjilan e Prishtinë? Po Shqipërisë, i vjen ndonjë e keqe nga ky investitor i suksesshëm? Po Çështjes sonë Kombëtare? Duke investuar në të dyja e anët e kufirit shqiptaro-shqiptar i njëjti investitor shqiptar, kam bindjen se po shtron disa nga kilometrat e parë të një paraleleje me Rrugën e Kombit, asaj të lidhjes ekonomike mes dy vendeve tona, pavarësisht marrëdhënieve ndërshtetërore. Nëse edhe në anën tjetër do të ketë nisma të tilla atdhetare, njësimi ynë shpirtëror, i cili e ka zanafillën qysh në pikënisjen tonë shqiptare, do gjejë premisa të padiskutueshme për sa më shumë arterie ku të lëvrijë gjaku i ekonomisë mbarëkombëtare, do të afrojë pa një pa dy edhe ora e bekuar e heqjes së vijës kufitare, e bashkimit tonë fizik në një shtet të vetëm, të njësuar.

Por Sabri Maxhuni – Novosella është po kaq i pasur, në mos edhe më shumë, në “terma shpirtërorë”. Mjaft t’u hedhësh një sy çmimeve që ka aplikuar për një ditë qëndrimi e shërbimi në Qendrën “Nëna Naile” dhe bindesh për këtë. Edhe më shumë bindesh kur bisedon me pacientët, sidomos me pensionistët, të cilët nuk i kanë mundësitë ekonomike të kërkojnë rehabilitim ose shërim në qendra të tjera. Mirënjohja dhe falënderimet e të gjithë atyre që i shoqërojnë përkrahu atje dhe largohen me këmbët e veta, janë tashmë të njohura. Shtoj se te “Nëna Naile”, familjarët e dëshmorëve të luftës janë të mirëpritur në çdo kohë dhe pa pagesë.

Sabriu nuk i ka harruar shokët e tij të rezistencës kundër Jugosllavisë. Te “Nëna Naile” do të gjesh përherë ndonjë syresh ose familjarë të tyre të ftuar si miq. E kam dëgjuar me veshët e mi tek i lutej bashkëluftëtarit të rezistencës Refat Jashari të rinte edhe një javë më shumë, sepse, siç thotë mikpritësi për t’u hequr miqve silketin, “kurat në llixha duhet të zgjasin 21 ditë”. “Kur miqtë e mi vijnë këtu, vendosin vetë. Kur shkojnë, vendos unë, – buzëqesh Sabriu”. Burri me plis dhe me “mustak” që i zgjateshin deri përfund mjekrës, e këqyrte me dashamirësi, por atje, në Prekaz e prisnin punë të tjera. E priste kujtimi i familjarëve dhe i gjithë martirëve të tjerë që ranë në luftë për liri.

Këto do të ishin vetëm pak aspekte të “pasurisë shpirtërore” të Sabri Maxhunit. Projektet e tij të lavdërueshme për të rehabilituar historikisht figura madhore të historisë sonë Kombëtare, janë me të vërtet për t’u adhuruar, po të mendosh se qeveritarët e të dyja shteteve tona, me sa duket, s’ dëgjojnë aspak nga ai vesh. Në Kosovë, bash në Prishtinë, Sabriu ka ngritur me shpenzimet e tij dy shtatore të bashkëluftëtarëve të vet, të Metush Krasniqit dhe të Isa Kastratit, që të dy veprimtarë të papërkulur dhe heronj të rezistencës. Në Shqipëri ka kërkuar leje që, po me shpenzimet e veta, të rehabilitojë shtëpinë e At Gjergj Fishtës, në Zadrimë, dhe ta shndërrojë atë në një Muze Kombëtar. Kam shkruar për këtë nismë të Maxhunit që në tetor të vitit 2014, madje e kam shoqëruar shkrimin me projektet arkitekturore përkatëse, por për shkak të zvarritjeve burokratike të shtetit shqiptar, ende nuk e ka marrë lejen e ndërtimit. Absurdi politik, ndoshta edhe interesa okulte të ndokujt, vazhdojnë të mbijetojnë, duke marrë përmasa antikombëtare. Megjithatë, Sabriu e ka vendosur tashmë bustin e poetit të madh kombëtar, bash atje, në Zadrimë, dhe mu përpara shtëpisë gati të rrënuar.

Siç thashë më sipër, pa dashur të hyj në debatet e Sabri Maxhunit me VV, dëshiroj të pyes: a është i pasur ai “në terma shpirtërorë” apo i varfër? A ndihet mirë Kosova që është i pasur (në të dyja “termat”)? Pa dyshim, që po, përderisa pasuria e tij është njëherësh edhe e Kosovës.

Nisur së këndejmi, s’ më mbetet tjetër veç të citoj një fragment nga parathënia e librit “Karl Topia, Hasan Prishtina, Adem Jashari”. Teksa përvijon profilin e një intelektuali, çka i shkon përshtat plotësisht atij të Sabri Maxhunit – Novosella, zoti Morina shkruan: “Intelektual i mirëfilltë për mua është ai individ, i cili në radhë të parë angazhohet për familje, për një grup të caktuar njerëzish, për një shtresê të caktuar të shoqërisë dhe, ajo çka është thelbësorja e krejt kësaj, kur ky individ me tërë qenien e tij angazhohet në luftë për të mirën e popullit të vet dhe atdheun e vet, pavarësisht sakrificave e rreziqeve që mund t’i dalin përpara”.

Please follow and like us: