Albspirit

Media/News/Publishing

Acarohen marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, helikopterët fuluturojnë në kufi

Acarohen marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, helikopterët fuluturojnë në kufi

(E plotësuar) – Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme ka reaguar pas përplasjes në Këshillin Bashkiak të Himarës dhe reagimit zyrtar të PBDNJ dhe Greqisë. MPJ thekson se kjo është ndërhyrje e padrejtë e Greqisë në punët e brendshme të vendit tonë.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, shpreh keqardhjen që Greqia fqinje kërkon të instrumentalizojë aktet e padenja të kryera dje nga disa individë në Himarë, duke synuar të përfshijë në to çështje të respektimit të të drejtave të minoritet grek në Shqipëri.

Rasti në fjalë po trajtohet nga organet kompetente shqiptare. Në këtë kontekst, reagimi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë përbën ndërhyrje të përsëritur në punët e brendshme të shtetit shqiptar dhe bie ndesh me angazhimin e Greqisë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

Është e papranueshme që, apriori dhe çdo herë, të nxiten dhe legjitimohen pretendime paternaliste mbi Himarën. Si historia ashtu dhe e tashmja dëshmojnë qartazi se nuk ekziston kurrfarë baze për të reklamuar Himarën si hapësirë minoritare.

Përpjekjet e vazhdueshme për të instrumentalizuar çdo pakënaqësi individuale ose kolektive, synojnë shtrembërimin e realitetit të bashkëjetesës së shkëlqyer midis popullsisë shqiptare dhe minoritetit grek, i cili gëzon të drejta të plota, në baze të legjislacionit vendas, si dhe normave dhe konventave ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Një ditë më parë mediat kanë njoftuar se ushtria greke ka shtuar prezencën e saj në kufirin jugor të Shqipërisë pas 15 Qershorit. Një helikopter UH-1H Huey po kryen fluturime periodike në fshatrat kufitarë me Shqipërinë dhe siç raporton parapolitika.gr gjatë këtyre fluturimeve personeli ushtarak ka kryer takime edhe me banorë të zonave kufitare.

Shtabi i Përgjithshëm ka sqaruar se patrullimet nga ajri bëhen për të rritur ndjenjën e sigurisë te banorët e fshatrave në kufi me Shqipërinë dhe se misioni i monitorimit do të vazhdojë përgjatë gjithë periudhës së verës.

Patrullimet nga ajri janë një nga 4 masat e ndërmarra nga ushtria greke për rritjen e sigurisë në kufirin greko-shqiptar. Po ashtu postat kufitare janë shtuar me personal të ri që sapo ka kryer betimin ushtarak. Në kuadër të këtyre masave janë programuar stërvitje ushtarake çdo 2 muaj në zonat kufitare me Shqipërinë. Rritja e prezencës ushtarake greke në kufi me Shqipërinë vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë në pikën më të mirë dhe tensioni është shtuar dukshëm me riaktivizimin e çështjes çame nga pala shqiptare.

Ministria e Jashtme: Greqia ndërhyrje të vazhdueshme në punët e brendshme

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrisë së Jashtme greke, për incidentin e ditës së djeshme në Himarë në këshillin bashkiak. Sipas ministrisë ky reagimi përbën ndërhyrje të vazhdueshme në punët e brendshme të shtetit shqiptar dhe sipas deklaratës, reagimi bie ndesh me angazhimin e Greqisë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

“Është e papranueshme që, apriori dhe çdo herë, të nxiten dhe legjitimohen pretendime paternaliste mbi Himarën. Si historia ashtu dhe e tashmja dëshmojnë qartazi se nuk ekziston kurrfarë baze për të reklamuar Himarën si hapësirë minoritare”, thuhet në reagim e ministrisë.

Në deklaratën e saj ministria thekson se përpjekjet e vazhdueshme për të instrumentalizuar çdo pakënaqësi individuale ose kolektive, synojnë shtrembërimin e realitetit të bashkëjetesës së shkëlqyer midis popullsisë shqiptare dhe minoritetit grek.

Ky incident u interpretua nga Athina si një cenim i të drejtave të minoritetit.

Please follow and like us: