Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë do të ndodhë në të kaluarën

Vuk Drashkoviq

E kaluara e vërtetë, rrënqethëse, e cila na ka ndodhur, duhet të zhduket.

 

E di se nuk do të ketë të ardhme, por nuk e di se çfarë do të ndodh me të kaluarën. Me gjasë, në të kaluarën, atë të vonën, atë të të nëntëdhjetave, nuk kemi jetuar, prandaj as nuk kemi parë dhe as nuk kemi mbajtur mend. Në të kaluarën tonë të re, e cila na kërcënon dhe na paralajmëron, në skenën e përgjakshme të krimeve më të tmerrshme, të qindra mijëra të vdekurve e të gjymtuarve, të miliona të zhvdosurve e të dëbuarve, Serbët do të jenë vetëm viktima e të martirizuar.

Në këtë të kaluarën e re, do ta fitojmë një Jasenovac të ri. Tribunalin e Hagës, patriarkun tonë që përgjon në mënyrë të krishterë e profetike të kaluarën që po e krijojmë tani. Askush prej serbëve që kanë gjykuar atje nuk ka fshehur kurrfarë të lige ose mëkati. Ata janë dënuar vetëm sepse ishin Serbë!

Në të kaluarën e re, Serbët nuk do ta sulmojnë askënd, as në Kroaci, as në Bosnë, as në Kosovë. Askënd nuk do ta vrasin e as nuk do ta dëbojnë dhe akademikët, peshkopët, shkrimtarët dhe mediet serbe nuk do të mbjelllin urrejtje dhe çmenduri. Serbët do të sulmoheen gjithkkah dhe gjithkund vetëm do të mbrohen nga ustashët, nga muxhahedinët, nga ballistët, nga Evropa dhe nga Amerika.

E kaluara e vërtetë e rrënqethëse që na ka ndodhur duhet të zhduket. Tanket e stolisura me lule që nisen nga Beogradi për në Kroaci. Kampet e përqendrimit në BeH. Bombardimi katërvjeçar i Sarajevës. Masakra e Srebrenicës. Dëbimi nga Kosova i qindra mijëra shqiptarëve. Varrezat sekrete të civilëve shqiptarë në poligonet e policisë në Beograd dhe në lumenjt e në liqenet e Serbisë. Beretat e Kuqe. Akrepat. Tigrat. Likuidimi i serbëve që kanë njollosur krimet dhe kriminelët…

Mbi të gjithë ata që mbajnë mend çka ka ndodhur dhe si ka ndodhur ushtrohet lobotomi korale. Duhet të harrojnë. Serbët nuk janë gjermanë që të turpërohen për të këqijat që ua kanë shkaktuar  të tjerëve dhe vetes së tyre. Le të turpërohen ata të tjerët, vetëm ata i kanë duart e përgjakura. Themel i së kaluarës sonë të re do të jenë gënjeshtrat dhe vetëmashtrimi. Asgjë s’bën të jetë siç ka qenë, sepse ajo pasqyrë na shfaq me fytyrën e shfytyruar nga lebroza, por duhet të jetë çfarë dëshirojmë të jetë.

Bill Klintoni duhet të jetë fajtor për Srebrenicën. Muslimanët duhet të bombardojnë serbët në Sarajevë. Shqiptarët, në regji të amerikanëve, duhet ta braktisin Kosovën. Gjykata e Hagës duhet të vazhdojë krimet ndaj Serbëve, atyre më të mirëve dhe, natyrisht, të pafajshmëve.

Nuk do të ketë dhe nuk bën të ketë kurrfarë fajëjsia për regjimin, për shërbimet sekrete dhe për aparatin e urrejtjes, për vdekjen e Slobodan Millosheviqit, i cili për shumicën e opinionit publik tashmë është rehabilituar, për autorët kulminantë të apokalipsës së të nëntëdhjetave. Në të kaluarën tonë të re patriotike, atyre do t’u ngrihen përmendore, kurse disa prej tyre edhe do të shpallen shenjëtorë.

 

(Vuk Drashkoviq, kryetar i partisë Srpski Pokret Obnove – SPO, tani parti opozitare në Serbi, ka qenë pjesë e koalicionit qeverisës me Partinë Socialiste të Serbisë të Sllobodan Millosheviqit. Në vitet ’90, e ka përkrahur idenë për “Serbinë e Madhe”  dhe i ka përkrahur formacionet ushtarake e paraushtarake serbe në Kroaci, Bosnë e Hercegovinë dhe Kosovë. Por, më vonë, është paraqitur si politikan i moderuar dhe është distancuar nga krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit. Tani angazhohet për njohjen e realitetit të ri në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe për përmirësimin e marrëdhënieve të Serbisë me vendet fqinje, përfshirë edhe Kosovën, si edhe me Evropën dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky shkrim autorial i tij është botuar në gazetën beogradase “Danas”, të martën, më 29 qershor 2016)

Please follow and like us: