Albspirit

Media/News/Publishing

NYT: Tolerancën fetare në Kosovë po e prish Arabia, e jo karikaturistët

Kolumnisti i “The New York Times”, Nicholas Kristof, ka publikuar në gazetën e fuqishme amerikane një shkrim mbi përhapjen e ekstremizmit fetar në vendet ku tradicionalisht popullsia e tyre i përket në shumicë besimit islam, por që ishin shumë tolerantë

Kristof ka qenë në Kosovë, gjegjësisht në Pejë, prej ku ka realizuar një shkrim në lidhje me financimet që po i bën Arabia Saudite ndaj ekstremizmit fetar.

Më poshtë shkrimi i plotë i përkthyer nga Koha.net:

Së pari, një kuiz tre-pjesësh:

Cili shtet islamik e konsideron si hero kombëtar një të krishterë të shekullit të 15-të që i luftoi pushtuesit myslimanë?

Cili shtet islamik është aq pro-amerikan sa që ka një statujë të Bill Clintonit dhe një butik me rroba femrash me emrin “Hillary” në Bulevardin Bill Clinton?

Nga cili shtet islamik kanë shkuar më shumë qytetarë për kokë banori për të luftuar jashtë vendit për Shtetin Islamik sesa në çdo vend tjetër në Evropë?

Përgjigja ndaj secilës prej këtyre pyetjeve është Kosova, në juglindje të Evropës – ku edhe qëndron një tregim paralajmërues. Kurdo që ndodh ndonjë sulm terrorist nga ekstremistët myslimanë, armiqtë tanë i shohim si Shteti Islamik apo Al Qaeda. Por ndoshta duhet parë edhe “miqtë” tanë, si Arabia Saudite.

Për dekada të tëra, Arabia Saudite ka financuar në mënyrë të pakujdesshme dhe ka promovuar një version Vehabi të ashpër e jo-tolerant të islamit nëpër botë në atë mënyrë që, sipas të gjitha parashikimeve, po prodhon terroristë. Dhe nuk ka shembull më të mirë të kësaj pakujdesie të Arabisë Saudite se në Ballkan

Kosova dhe Shqipëria kanë qenë modele të përmbajtjes dhe tolerancës fetare, dhe, siç e vërteton edhe statuja e Clintonit, kosovarët nderojnë SHBA-të dhe Britaninë për evitimin e një gjenocidi të mundshëm nga serbët më 1999 (ka edhe shumë të rinj kosovarë që mbajnë emrin Tony Blair!). Megjithatë Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit Persik kanë derdhur para në shtetin e ri gjatë 17 vjetëve të fundit dhe kanë ushqyer ekstremizmin fetar në një tokë ku ka pasur fare pak.

Përfundimi është se, sipas Qeverisë së Kosovës, 300 kosovarë kanë udhëtuar për të luftuar në Siri e Irak, kryesisht për t’iu bashkuar Shtetit Islamik. Siç e ka theksuar edhe kolegia ime Carlotta Gall në një artikull për zanafillën e radikalizimit këtu, paratë saudite kanë transformuar një shoqëri dikur tolerante në një tubacion për xhihadistët.

Në këtë vijë, vitin e kaluar, qeveria u detyrua të ndalte përkohësisht furnizimin me ujë në kryeqytet nga frika e një aksioni të organizuar nga Shteti Islamik për helmimin e ujit.

“Arabia Saudite po e shkatërron islamin”, ka thënë Zuhdi Hajzeri, një imam në xhaminë 430 vjeçare në Pejë, më tha me dhembshuri. Hajzeri është besimtar i stilit tradicional dhe tolerant në Kosovë – ai është i fundit në listën e gjatë të imamëve në familjen e tij – dhe ka thënë se si rezultat i kësaj, ka pranuar aq shumë kërcënime nga ekstremistët sa që më s’po mundet as t’i numëroj.

Hajzeri dhe të moderuarit tjerë u janë kundërpërgjigjur me një ueb-faqe, Foltash.com, e cila kritikon interpretimin e ashpër Vehabi të islamit. Por ata thonë se po mposhten nga paratë e shumta që po vijnë nga Arabi Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini që po përkrahin variante të ashpra të islamit përmes publikimeve, videove dhe materialeve tjera të prapambetura.

“Sauditët e kanë ndryshuar rrënjësisht islamin këtu me paratë e tyre”, ka thënë Visar Duriqi, ish-imam në Kosovë që u bë gazetar që shkruan për ndikimet e ekstremizmit. Duriqi e përmend veten si një shembull: ai thotë se i ishte shpëlarë truri dhe kishte qenë në një faze të ekstremizmit ku bënte thirrje për vënien e ligjit të Sheriatit dhe arsyetonte dhunën. Tani ato pikëpamje e tmerrojnë atë.

Ky nuk është problem vetëm i Kosovës, por është problem global. Për herë të parë, ndikimin e dëmshëm saudit e kam parë në Pakistan, ku sistemi i shkollave publike është i tmerrshëm dhe sauditët mbushnin këtë boshllëk duke financuar medrese të versionit të ashpër të islamit që tërhiqnin studentë për studime pa pagesë, ushqime pa pagesë dhe bursa të plota për studime jashtë vendit për studentët më të mirë.

Ngjashëm, edhe në vendet tradicionalisht të moderuara e paqësore, si Mali, Burkina Faso e Niger në Afrikën Perëndimore, kam parë medrese të tilla të financuara nga jashtë që promovonin interpretimin radikal të islamit. Në Ballkan, Bosnja është në veçanti e prekur nga mbështetja e Gjirit Persik për ekstremistët.

Nuk dua të ekzagjeroj. Kam parë më pak shami në udhëtimin tim përmes Maqedonisë, Kosovës e Shqipërisë sesa që shoh në qytetin e New Yorkut, dhe çdo xhihadist do t’i shkulte flokët nëse do të shihte femra me koka e kraharorë të zbuluar, lëre më me pantallona të shkurtër.

Ende ka shtylla të ndjenjës pro-amerikane dhe ekumenizmit (në mesin e shqiptarëve myslimanë, Nënë Tereza nderohet shumë). Për më tepër, pas një sërë arrestimesh të imamëve radikalë në Kosovë dhe Shqipëri, situata mund të jetë stabilizuar, dhe xhihadistët me sa duket nuk po shkojnë më në Siri nga këto vende.

Por bota duhet të bisedojë më ashpër me Arabinë Saudite për rolin e saj. Nuk është se me vetëdije po e përhap këtë kërdi – më shumë këtë po e bën nga pakujdesia; ajo ka bërë disa përparime të përpikta në luftimin e financimit të ekstremizmit, por me hapa shumë të ngadalshëm.

Është veçanërisht dëshpëruese se shumica e fondeve ekstremiste me sa duket vijnë nga shoqatat bamirëse: një nga aspektet më të admirueshme të Islamit është theksi ndaj bamirësisë, por, megjithatë, në vende si Arabia Saudite, këto para nuk orientohen për të luftuar keq-ushqyerjen apo vdekshmërinë e foshnjave, por për t’ua shpëlarë trurin fëmijëve dhe për të mbjell konflikte në vende të varfra e të paqëndrueshme.

E pyeta imamin Hajzeri nëse brengoset për kërcënimet e jashtme ndaj islamit, sikurse karikaturisti danez që kishte përqeshur Profetin Muhamed. “Karikaturistët munden vetëm të na i lëndojnë ndjenjat”, foli ai si ndër hundë. “Por ta dëmtojnë reputacionin e islamit? Nuk janë duke e bërë këtë karikaturistët. Këtë po e bën Arabia Saudite”. 

Please follow and like us: