Albspirit

Media/News/Publishing

Si guxon Greqia zyrtare të flasë me këtë gjuhë!?

Nga Blendi Fevziu

Nga Blendi Fevziu/ Si guxon Greqia zyrtare të flasë me këtë gjuhë!?

Ka një qëndrim gjithnjë regresiv, të vjetër dhe tejet demode të politikës greke ndaj Shqipërisë. Një qëndrim që nuk ndryshon as kur klasa politike greke transformohet dhe as kur parrullat për një politikë moderne tentojnë të dominojnë në Athinë. Pak rëndësi ka nëse në pushtet është Panadreu plak apo Papandreu i ri; është Samaras apo Venizellos, apo akoma më keq, Kryeministri i ri dhe me qasje më moderne dhe mëndje hapur sic është komëntuar, Cipras. E përbashkëta e të gjithëve është një politikë thuajse proteksioniste dhe një qëndrim i hapur racist ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Dje, në kongresin e PBDNJ – së, një parti gjithnjë e moderuar në Shqipëri dhe me kontribut në zhvillimin 25 vjecar të demokracisë, ai që ka ndezur gjakrat ka qenë këshilltari i Kryeministrit Cipras dhe i dërguari special në këtë event politik. Në vend që të promovonte bashkëjetesën dhe parimet e demokracisë, këshilltari në fjalë i është turrur PDIU – së dhe komunitetit Cam, duke përdorur ndaj tyre një llogjikë që do ta kishte zili Stalini dhe Hitleri bashkë. Një mëndësi totalitare, refraktare, raciste dhe banale. Ai është shprehur se camët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve dhe si të tillë, është i cuditur që trashëgimtarët e tyre janë pjesë e koalicionit qeverisës në Shqipëri?! Nuk mund të gjesh një deklaratë më të cmendur, më idiote dhë më mediokre se sa kjo. Nuk i hyj fare debatit historik, por disa parimeve që janë të qarta dhe të aplikuara prej vitesh.

E para fajësia kolektive ekziston vetëm në regjimet diktatoriale, madje ato më ekstremet. Hitleri bëri përgjegjës hebrejt; Stalini bëri përgjegjës Cecenët, Sadam Hyseini kurdët. Vetëm diktatoret dhe paranojakët mund ta shndrrojnë fajësinë e disa personave në fajësi racore. Pikërisht prej kësaj filozofie kanë lindur masakrat dhe spastrimet më të mëdha etnike të globit. Dhe fajësia kolektive e pretenduar e këshilltarit grek ndaj camëve nuk dallon fare nga këto mendësi.

E dyta, trashëgimia e fëjësisë dhe shikimi me një prizëm të pandryshueshëm të gjërave është një ndër elementët më të këqinj të regjimeve totalitare të majta. Dmth, të bësh përgjegjës djalin, nipin apo stërnipin për gjyshin kjo është thjeshtë një mendësi e huazuar nga Stalini dhe regjimet komuniste. Të besosh se stërnipi është i keq sepse stërgjyshi i tij ka bërë një veprim që sipas këshilltarit është i dënueshëm, 70 vjet më parë, kjo është cmënduri. Me këtë llogjikë Gjermania nuk duhet të ishte në BE sepse gjyshi i Merkelit mund te ketë qenë ushtar i Hitlerit dhe Italia po ashtu duhej të shihej si armike sepse stërgjyshi i Renzit mund të kete qenë një besnik i Musolinit. Me këtë vështrim, historia do ishte e pandryshueshme dhe të këqinjtë do mbeteshin të këqinj përjetë. Kjo nuk ka lidhje as me dialektikën materialiste, por vec me një mendësi ekstremiste të majtë, shartuar me racizëm, peng i së cilës është me sa duket këshilltari i Cipras.

E treta, asnjë njeri politik fqinjë, nuk mund të percaktojë dhe të tregojë se me cilën forcë politike duhet dhe nuk duhet të bëjnë koalicion partitë shqiptare. Ky është një lloj proteksionizmi i pashpjegueshëm dhe një megallomani e patolerushme. Shqipëria ka vendimmarrjen e saj politike dhe Greqisë i mbetet te jetë e kënaqur ose jo me të. Dy vendet duhet të punojnë për një bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, por jo t’i diktojnë vendimmarrjen njëri tjetrit. Do ishte po kaq e papranueshme që Shqipëria politike, t’i kujtonte Greqisë vërtitjen me brekë nëpër këmbë nëpër financat botërore, borxhet e pakthyera dhe nivelin fals te jetesës ngritur falë ndihmave të Gjermanisë dhe BE, që këshilltari i Ciprasit i i quan nazistë, dhe jo falë punës së tyre.

Dhe së fundmi, është fare e papranueshme që Kryeministri i vendit dhe kryetar i PS Edi Rama dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD Edi Paloka, qëndruan në sallë pa reaguar. Minimumi ishte dalja nga salla dhe më e mira, do ishte t’i tregonin zotërisë në fjalë se me stilet politike të paraluftës së dytë botërore, nuk mund të trazojë një politikë, që me gjithë difektet e saj, është më e hapur dhe më e emancipuar se sa ajo greke sot! Vetë Kryeministri Cipras dhe PBDNJ duhet të dëshmojnë se ky ka qenë një qëndrim dhe opinion personal dhe jo një qëndrim i strukturuar politik. Në të kundërt, ky do të përbënte një skandal real në marrëdhëniet mes dy vendeve!

Please follow and like us: