Albspirit

Media/News/Publishing

FemArt, një festival për të drejtat e gruas

 

Hapja e festivalit FemArt për të katërtin vit, në Prishtinë, shënon një tjetër hap të rëndësishëm në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen në rajon e e që lidhen me të Drejtat e Njeriut, në këtë rast, të gruas. Ky aktivitet këtë vit u zhvillua në disa qendra kulture si në Teatrin Kombëtar, në Teatrin Oda, në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës dhe në Galerinë e Fakultetit të Arteve, në Prishtinë.

Pjesëmarrësit këtë vit ishin nga fusha të ndryshme, kryesisht nga Teatri, Letërsia, Muzika, Art-Performancë, Slam Poezi, Filma-Dokumentarë etj. Në epiqendër të artit sjellë nga artistë si: Zana Hoxha Krasniqi (Drejtoreshë Artistike e Festivalit), Nita Luci, Jelena Memet, Artan Sadiku, Doruntina Basha, Fitore Berisha etj, ishte figura e gruas e sjellë nga një perspektivë tjetër; origjinale dhe njerëzore.

Një element që spikati në këtë aktivitet, tashmë të përvitshëm, ishin edhe panelet e diskutimit mbi tema të ndryshme që solidarizohen me kauzën e gruas në shoqëri; tema si: “Regjia dhe Mizogjinia”, “Trupi im, Zgjedhja ime”, Gratë dhe Prona” etj. Festivali FemArt edhe këtë vit, u shoqërua me koncerte nga artistë shqiptarë dhe të huaj të cilët performuan muzikën e tyre përgjatë ditëve të FemArt.

Pjesëmarrja e artistes shqiptare Rina Kaçinari së bashku me bateristin nga Austria Jörg Mikula në ditën e katërt të festivalit, në ambjentet e Bibliotekës Kombëtare, ishte një tjetër veçanti.

“Jam e lumtur që jam me një publik që ndjej se e kupton muzikën time.” u shpreh ajo gjatë performancës së këngëve, që dukeshin si një ndërthurje mes jazz-it dhe folkut.

Këngëtarja Christine Salem ishte surpriza e FemArt këtë vit. Ajo debutoi në një koncert quajtur “Larg pa Lo Kor” së bashku me muzikantët: Harry Perigone, David Abrousse dhe Sebastian Martel, në një zhanër të rrallë si Maloya (muzikë tradicionale nga ishujt Reunion).

Dita e fundit e festivalit u mbyll me diskutime të tjera dhe gjithashtu me një panel të veçantë të quajtur “Burrat dhe Feminizmi”, me shfaqje teatrore si edhe me ndarjen e çmimeve FemArt.

 

Please follow and like us: