Albspirit

Media/News/Publishing

FJALA E BUKUR SHQIP – NJË IKONË NË NEW YORK

1 Roland-gjoza-e1446868965262
Nga Xhevair LLESHI/*
 Meraku im më i madh ishte se do takoheshim në Prishtinë, do ishim përballë njëri-tjetrit për herë të parë, ndonëse unë pothuaj e njihja. Dhe së largu e dallova menjëherë: i gjatë, flokët kaçurrele, biond, një prej atyre që fati i ka shënjuar ndryshe. Dhe u përqafuam me sy. E qeshura e tij e konfirmoi që, pa kurrfarë frike, mund të ishim miq. Ai do të merrte çmimin «Shkrimtar i vitit». Kishte ardhur enkas. Dhe mua më dalin para syve skenat e ndërtuara prej tij, kudo që ka qenë e ka bërë emër, kudo ku ka krijuar dhe veprat e tij kanë ardhur me drithërimë për t’u futur si fllad te njerëzit. Tani, thotë jam me «leje» krijimtarie të përjetshme në New York. Vetëm krijoj. Dy romane në vit, përmbledhje me poezitë më të mira, ese pa fund, shënime rreth artit, vetëm shkruaj shqip në folenë time në New York. Jam me fat që shkruaj. 
Kisha njohur fizikisht Roland Gjozën, gati në një moshë. Nuk isha personazh i eseve të tij dhe nuk kisha menduar ndonjëherë se do të qe ai një personazh imi. Në New York, thotë, ka edhe të tjerë shkrimtar me emër, një prej tyre është edhe poeti Petraq Risto, kurse në Amerikë janë një plejadë shkrimtarësh. Dhe e përfshiu e qeshura. Krijova përshtypjen se ishte njeri i heshtur dhe se e shfaqte hapur që vuante prej brengës së krijimit. U kishte shpëtuar për mrekulli mjaft sfidave, porse i duhet të vizatojë tipa e karaktere në mënyrën më të bryllët dhe me gjetje të jashtëzakonshme. Koha, nesër, ato portrete artistësh, bashkëmoshatarësh dhe mjaft të tjerë ka për t’i ngritur në lartësi të epërme. Sepse thjesht fjalët shqip të Roland Gjozës gdhenden. 
Edhe po të isha në New York kam frikë se do ta shihja rrallë, pasi ai, po edhe unë, do të gjenim mundësinë vetëm për të shkruar. Këto vetëburgosje, tipike prej shkrimtarësh, do ta linin pa mëngjese, pa mbrëmje të ndezura e pse jo edhe shpirtërore. Dhe të mendosh që kudo nuk shitet libri shqip, veç majave. Edhe Roland Gjoza është një majë, ka stil të shkruari që është vetëm i tiji, i ëmbël, plot nerv, i ëndshëm, pa ndonjë frymë lodhjeje dhe ankthi, i menjëhershëm, herë-herë shpërthyes, i kredhur totalisht në subjektin e tij, në kërkimin e fjalës shqip që bënte majë me forcë, elegancën dhe magjinë e saj. Si askush tjetër. Ai, Rolandi, di të shkruajë. Është profesioni që e ka rrëmbyer dhe e mban fort, nuk e lëshon. Ky njeri duket se ka lindur nën këtë yll dhe i përket kësaj race. Deri në frymën e fundit. 
Jo, thotë, nuk jam pjesë e jetës publike. Domethënë nuk jam mbrëmjeve në televizion, as përditë në gazeta e revista, por çdo gjë që nxjerr nga shpirti dhe duart e mia, përveç romaneve, e hedh në rrjetet sociale, në facebook dhe atje më lexojnë, ndonjë gazetë i merr mendimet e mia dhe i publikon. Më lexojnë, e kuptoj, e ndiej, e provoj me një përjetim të thellë që më lexojnë. Dhe befas ndihem i plotësuar. Por, sigurisht kaq nuk mjafton, e di. E di dhe e ndiej. Libri si libër që nuk shkon deri te lexuesi, apo lexuesi që nuk i afrohet më librit, pasi i ka xhepat me pranga. Ndoshta dhe prandaj shfrytëzon facebook-un. Po, jam aktiv dhe nuk i përtohem asgjëje. Kam shumë, pafundësisht shumë për të thënë dhe kjo gjendje nuk më tensionon po edhe nuk më lë asnjëherë të qetë, më brengos, më dhuron batuta, më mban në krahë, më nxit, më kërkon e më cyt drejt një ndjenje që vjen vetiu dhe s’mendon fare se ku mund të jem e ç’mund të bëj, pastaj më pëshpërit me zë të ëmbël fjalë dashurie madje shoqëruar edhe me përqafime. Në këto intimitete bëhej më simpatik se kurrë. Ky njeri, krijova përshtypjen, ka shumë punë me veten, nuk i ndahet asgjë e vetja, që e ndjek (jo e përndjek!) kudo që të jetë. 
Jo, filmat dhe skenarët e televizionit, nuk janë më pjesë e krijimtarisë. Artistët tashmë janë personazhet e tij. Sigurisht ajo kohë krijuese do të mbahet mend gjatë dhe në shpirtin e Roland Gjozës përjetohen thellë, paralajmërojnë vepra të tjera, risjellin në skenën virtuale artistë të talentuar, pse jo edhe duke i marrë në mbrojtje. Roland Gjoza tundohet shpesh për të ngritur lart vlera të jashtëzakonshme, çaste vërtet të rrezikshme, duke përhitur ndodhi të mrekullueshme, gjuhën e rrallë poetike, një këndvështrim të ri ku cenohen tabu të paprekshme. Rolandi vijon të qëndrojë duke thelluar pikëvështrimin e tij estetik. Ai nuk ngutet kurrë, por vijon të shkruajë shpejt, të shkrijë talentin që ia ka dhuruar Zoti, duke e mbajtur kurdoherë buzën në gaz, në prehrin e dashurisë së grabitur, pas çdo rrethimi të brendshëm, që i prek natyrshëm vetëdijen, po kurrsesi nënvetëdijen, e cila mbretëron. Nënvetëdija komandon një shkrimtar, kështu duhet të jetë, kurse te Rolandi ajo mbretëron me tërë kapacitetin që ka. Lexojeni këtë shkrimtar dhe do ta kuptoni se këtu nuk ka asnjë presje zmadhim. Po ta vësh re hollë fytyra e tij me tipare të theksuara dhe që të bëjnë përshtypje, shpreh një pakënaqësi të këndshme që nuk e urdhëron dot pasi i buron vetvetiu, madje edhe një mërzi e çuditshme prej shkrimtari. Edhe sikur ta shohësh për herë parë me siguri do t’i japësh vetëm zhgunin e shkrimtarit, mendimtarinë e hollë të poetit. Sikur do të ketë një shpërthim, ashtu ngjan. Dhe në të vërtetë vullkani i tij shpërthen! 
Kur hyn në të thella gati i çahet balli. Tregimet e tij, poezitë, romanet, novelat, esetë e mahnitshme, japin vlerë dhe ngrenë lart personazhin e tij të këndshëm. Kushdo mund ta njoh aty veten, duke vlerësuar një përgjithësim të mrekullueshëm. Rrallëkush mund ta përjetojë një vlerë të tillë. Në krijimtarinë e tij nuk gjen një lajthitje (edhe sikur të jetë presje!). S’është fjala se ka shumë dëborë, mendime të holla, dashuri të njëmendët, të kthjellët, të ngrohtë e të thjeshtë, duke shprehur gjithmonë një sinqeritet të rrallë. Si rrallë kush prej racës së shkrimtarëve e poetëve Landi luan me planin e dytë, si në film, ku shprehja e dashurisë kthehet në një domethënie të madhe, nuk krijon asnjëherë rënie të lirë, pa u fshehur kurrë thellësive të nënvetëdijes, aty ku rubini i shpirtit gatuan vlera të pallogaritshme. A ka këtu ndonjë vlerë të jashtëzakonshme? A është një gjë e vështirë për t’u përballuar? A fshihet ndonjë element i dytë, i padukshëm? A bëjnë majë nyjat dramatike të jetës së përditshme, mjerimi i llahtarshëm i popullit, rrudhosja hyjnore e hallit të brendshëm shpirtëror? A rritet ajsbergu i tij i vetëdijes qytetare? A ka skru­pulozitet në fijet e holla të asaj që end? A është aq lakonik sa duhet? Apo bën elipsin e zakonshëm, ritualin e jetës ndryshe? A ka ndonjë teknikë të përveçuar e të rilin­dur? A vuloset gjithçka prej temperamentit të tij, të karakterit aq këmbëngulës, apo shfaqet vetëm thelbi i një kulture të shquar që, megjithatë, mbetet thelbi i tij i pashmangshëm? Mijëra pyetje të përmbytin…
Liria e krijuesit dhe liria krijuese, këto janë dy majat e një mali të lartë të çdo shkrimtari të vërtetë. Heroi pozitiv apo negativ, mbretërimi ideologjik, politika amatoreske dhe e shthurur, ngjarjet e mëdha që krijojnë terrenin e duhur, talenti i madh, paradokset e ububushme, njerëzorja, thjeshtësia, pjekuria artistike, seksualiteti i magjishëm, bukuria fizike dhe shpirtërore, ligësia, raportet intime, lidhjet dashurore dhe mrekullitë që e bëjnë shpirtin të thukët, kriminaliteti dhe egërsia që e shoqëron… Kjo pronë madhështore (paraja është gjithnjë jashtë kësaj legjende!) nuk prapset kurrë para se të shfaqet, s’ngutet asnjëherë veç që vjen plot zell për të dalë në krye. Nënvetëdija e tij kthehet vetiu në një laborator të madh e të fuqishëm, duke paralajmëruar, si në rastin e Zogjtë e Hiçkokut me esetë e magjishme, me të cilat nuk i ikën askujt, as nuk fshihet dhe as mëkaton. S’ka tek Roland Gjoza gjendje absurdi, që tek e fundit nuk se do të ishte jashtë psikologjisë së artistit të vërtetë, as edhe vetëmjaftueshmëri, por kërkesë për të përcaktuar masën e domosdoshme. Kjo krijimtari është një strukturë e pastër personaliteti, plot ngrohtësi dhe tërheqje. Magneti krijues i Rolandit bëhet shpesh mahnitës, duke perceptuar lartësi të pakapshme, pa hyrë kurrë në gropa të thella, pa notuar në këneta, në llum. Pena e tij shndrit prej figurës, nuk shkapetet në vështrime të ngurta e nuk mbetet rob i shkëmbinjve të thepisur, por që vijon të ngjitet rrugëve të vështira e të pjerrëta pa bërë kurrë Sizifin artistik, nuk e kërkon me stërmundim dhe as me mundim të zakonshëm një gjetje të çfarëdoshme e të mistershme, duke u kujdesur për një inter­pretim krejt njerëzor të tiparit, pa frustrimin e njohur estetik, kurdoherë i pëlqyer e gjithëherët i qartë, pa fraktura dramatike në plojën e mahnitshme të krijimit. Dhe këtë mundësi ia krijon talenti i madh, që i bëjnë pastaj librat e tij buzëhollë, emocionues, plot zhdërvjelltësi të skajshme, tërë energji dhe që bie në sy në çdo rast. 
Roland Gjoza, i adhuruar prej meje po edhe prej shumë e shumë lexuesve të tjerë, hyn në detajet e jetës jo prej nostalgjisë, po prej nevojës bindëse, duke sjellë kurdoherë mesazhe të fuqishme dhe vlera të ndritshme estetike. Po të hyja në botën e tij (që shpaloset me kthjelltësi bindëse në veprat e botuara gjithandej!) do të vlerësoja pa pikën e dyshimit energjinë e tij të pashtershme. Një fuqi e lartë shpërthyese! Por gjithnjë njerëzor, i afërt, një i mun­guar që kthehet pas shumë kohësh (edhe pse ka qenë aty, pranë teje në të gjitha format!) që troket me një dhimbje të madhe në familjen tonë të përbashkët, që di ta shkundë kohën e tij duke ndërhyrë jo me njohjen e dikurshme në botën shqiptare, për të vizatuar me një ndjenjë të ngrohtë e me një gjuhë të figurshme si askush, pa u leqendisur për famë e madhështi, por ama i vetëdijshëm që ka qenë dhe mbetet i munguar për shtrirjen e gjerë të leximit. Tek popujt e vegjël për këtë kujdeset vetëm qeveria dhe shteti si ekzistencë infrastrukture! Ja, kjo është! 
Talentin ia ka falur Zoti i madh, arratinë ia ka dashur vetëdija brenda guaskës së pavetëdijes… E në këto përsiatje mirëfilli ai adhurohet. Përjetë qofsh i tillë, Landi, me shpirtin llagar! Ç’është kjo ndjenjë dashurie që shfaqet kaq papritur? A bën përpjekje për t’i zgjuar ndjenjat e thella te personazhet e tij, që vërtetësisht janë botë e nëndheshme e shkrimtarit, gjak i tretur në dejet e tokës dhe në fijet e holla të shpirtit ku ai bën një filigran llahtarisht të hijshëm? Po nuhatja mistike ku rri fshehur? A e rrëmon thellësirën e shpirtit? A e shfaq me bujë plleshmërinë energjike e plot shpërthim, duke u mbështetur në një qetësi të etur? A është e mundur të shfaqej ndryshe dashuria e tij për njeriun? Një talent i thukët, që pa u frikësuar mund ta quash Sfinks enigmatik, i pamposhtur dhe i mbrojtur nga yjet e tij, së pari nga ylli i shkrimtarit. Sepse ti e lexon dhe mbetesh rob i tij. Zbret si një Urillá i kredhur mes bubullimave plot vetëtima dhe ulet në tokë me një xiglim të veçantë…  
E ndiej se një ditë do t’i afrohem dhe do t’i them se kam shkruar një roman të ri: Viti 381. Atë vit kur midis Tomorit, Devollit dhe Vjosës ra baltë e nuk ra shi dhe njerëzit, bagëtitë, pemët, lyshtra e sipërme e tokës u mbulua me baltën e qiellit; edhe shkëmbinjtë, edhe fushat, brinjat, por jo shpirti. Shpirtrat u ngjitën në qiell dhe si engjëjt e llahtarisur për atë gjamë mbrojtën një qytet të paktën, një kështjellë, për ta strehuar aty të mirën. Dhe pak më vonë aty do të vinte Pulcheria, t’i vinte emrin e ri. Ai, jam i sigurt, do ta pranojë dhe thjesht do të thotë se s’mund t’i shkruante dot historitë e vjetra. Dhe unë mbetem bosh, duke dashur të depërtoj në mendimin e tij që ndërhyn menjëherë, duke më thënë se kjo e shqetëson, megjithatë. Nuk do ta kuptoja dot, sepse ai ndien të nevojshme të thellohet në të dukshmen e zakonshme dhe aty, pikërisht aty, fijet e padukshme krijojnë një gjallëri të mrekullueshme. Janë padukshmëria e asaj që e zotëron bukur dhe me art të madh. Edhe kur e zakonshmja të zë sytë, ai hyn në kthina e labirinte të vetvetishme për të ngritur lart produktin e mirëfilltë letrar. I kërkova që të flisnim njëherë tjetër, pse jo, por Landit i pëlqen t’i rrëmojë skutat e shpirtit, dhe gjithmonë të shikon me një mëdyshje të mënjanuar. Për të romantika e jetës përbën një fill poetik, një njeri të dytë, tjetër, të fshehur, plot begati në pjesën e të mirës njerëzore që jepet e s’të diktohet, i pamposhtur, enigmatik, ngadhënjyes dhe që as këtë nuk e fsheh dot. Ai kurrë nuk mbyllet  në vetvete, jo si dukje dhe i kredhur në shkrimin e tij, por si kthjelltësi shpirtërore. Mund të  mos i thuash gjë, mund të mos ia ngresh  lart vlerën e asaj që ke lexuar, por përbrenda të gërryen mendimi për ta kumtuar diku tjetër dhe thua me vete se s’mund t’i mbaj përbrenda kaq shumë kohë ato që i duhen thënë një tjetri, i cili ka qenë me ty gjatë gjithë leximit? 
Po. Më duhet të them hapur se prozën apo poezinë e Roland Gjozës nuk e kisha shijuar kaq thellë sa tani, në vitet kur do t’më duhej të botoja pjesë të veprës së tij. Kam mbetur pa frymë. Si tek askush tjetër. Një prozë e mrekullueshme. Gjen aty një dramacitet të rrallë, të thellë, një psikologji që të rrëmben e të magjeps, që të ngulitet në mendje, të tërheq në një botë ku mbretëron fjala shqip, e bukur, e magjishme, e freskët, e tjetërsuar në një laborator krijues të tharmë. Mos harroni ka vite që kjo fjalë e mrekullueshme shqipe gatuhet në mes të New York-ut, ku gëlojnë miliona dhe shpirti shqiptar është aty, duke kumtuar lavdishëm se veprës do t’ia ndieni krismën kur ai të mos jetë, sepse dikur ata që qeverisin, do të kujtohen për shpirtin e një populli të vogël. Njerëzit e krijuar nga Roland Gjoza, të zakonshëm apo të jashtëzakonshëm, jetojnë një epokë me ty, s’kanë të hanë e ndoshta s’kanë as ç’të veshin, ashtu si shumëkush realisht në këtë jetën tonë të përditshme, që dashurojnë po aq vrullshëm dhe vrasin po me atë padridhshmëri qerpiku si dhe shumë të tjerë, që vjedhin dhe shkojnë drejt të papriturës me besnikërinë e kujtdo që nuk shohin dot përtej hundës së tyre, që shkojnë në mort, që kujtojnë të vdekurin, që shëtisin krahë për krahë me gratë e famshme duke e tretur vështrimin larg, që i ruhen qëndrimit të fshehur, ulin sytë dhe meditojnë… Mendimi është thelbi i veprës së Roland Gjozës. Personazhet e tij mendojnë. Po, kjo e vërtetë tronditëse e mban gjallë prozën dhe poezinë e tij, që përcillet natyrshëm dhe ngrohtë. Mendimi i shprehur nuk mund të denatyrohet tani e tej. Është thjesht e pamundur edhe pse jemi gjuhë dhe vend i vogël. E gjej të nevojshme të bërtas fort, përmes kësaj fjale që shkruaj: Dhëntë Zoti që ky njeri të shkruajë, të shkruajë, të shkruajë… Energjia e tij mos shteroftë kurrë. 
Po ku qëndron thelbi i asaj që peshon kundër fatit? Them se kjo ka të bëjë edhe me fatin e çdo shkrimtari shqiptar. Se veprën letrare nuk e merr asnjëherë në duar agjenti letrar. Se në vendin e tij të origjinës, në gjuhën e tij të mëmës nuk ka botues, se edhe ata që hiqen si të tillë merren me një tregti të vogël sa për t’u mbajtur gjallë me libra, se ushqejnë iluzionin e botimit të librave, se nxitin ata që shkarrashkruajnë, duke treguar sheshit se ne, duke qenë sa një fshat apo qytet, dimë t’i bëjmë të gjitha dhe për atë, produktin e vërtetë letrar, askush nuk mendon, as qeveria, as shteti, as ekonomia, as vetë ai që shkruan. Se shëmtia e rrallë fshihet pas çdo skute ku ka shtypshkronjë dhe ku për pak lekë mund të shtypësh romane, novela, përmbledhje me poezi, poema të mëdha që shkojnë edhe mijëra faqe, se letërsia, miqtë e mi, duke mos pasur «bursë» s’ka pengesë që nuk i kapërcen. Dhe ligji askënd nuk e ndalon, por ja që ngre lart brengën e shkrimtarit, të Landit e të shumë të tjerëve. Prandaj dhe leximi ka humbur. A duhet ta sitë apo ta shoshitë dikush letërsinë? E pra, këtë e bën «bursa» letrare, kritika. Por kritikët kanë vdekur. Lërini këto, thotë Landi, duke mos e humbur buzëqeshjen e tij magjepsëse, lërini të shkruajnë e të jetojnë. Edhe ata përjetojnë magjinë e tyre. Nesër as shkarrashkrimi i tyre, as edhe nami e nishani s’do të ketë mbetur. Sigurisht. Vepra letrare nuk humbet kurrë, ndonëse do t’i jetë dashur të jetojë e tronditur. A humbi letërsia e Rilindjes sonë Kombëtare? Kurrë. Edhe më lart do ngrihet. Pastaj një qeveri serioze i vjen në ndihmë letërsisë, si kërkesë utilitare e mbrojtjes së ekzistencës kombëtare, e mbron, e nxit, e ble dhe ua jep njerëzve, por jo të tregohet aq surrogato sa të monopolizojë blerje me Partneritet Publik Privat  (PPP). S’funksonon kështu. Përndryshe bursa e vlerave, sido që e pa ngritur nga shteti, është gjallë. Unë këtë e shoh edhe këtu ku jetoj, në këtë univers vlerash të larta, për të fituar një jetë tjetër me dimensione të mëdha edhe për gjuhën time shqipe… 
Roland Gjoza gdhend gjuhën shqipe në New York, në folezën e tij, stukon dramën njerëzore, u jep njerëzve të tij pamje të menduar, i largon me plot bindje nga apatia dhe mërzia e malultë, krijon portretet e tij të veçantë e që nuk ngjajnë me askënd, që nuk struken, as vetmohen me pahir, që i rrallojnë daljet publike të tronditura me trandjen se mos e përcjellin frikën tek të tjerët. Ai Padyshim është kurdoherë i gatshëm për t’i dhënë përgjigje flakë për flakë asaj që i zbulon dashuria e madhe edhe pa dalë ende në dritën e diellit mjerimi i llahtarshëm që përmbyt kudo Shqipërinë e tij. «Si s’u bëmë dot një herë! More, një herë të vetme! Diktatura mjaftoi vetëm të na hapte sytë si popull me anë të shkollimit, sado anadollak që dukej. Ëndrra është shuar tani. Shpresën e mbajnë dhëmbët e çatajtë e politikës që kanë pushtet…» E mua këtej kjo më dhemb shumë. Sepse dua që veprat e shkrimtarëve tanë të njohur, plot karaktere e dramë, të përpiqemi t’i shpëtojmë duke dhënë një mundësi për botimin e tyre. A do ta arrijmë dot? Rolandi qesh me një hir që ia përmbyt tiparet. Dhe s’ndodh gjë. Fjala ime nuk pati jehonë. E megjithatë ai pret. Sidoqoftë, unë do të jem bashkë me të, për t’u dhënë jehonë fjalëve të bryllëta që i gdhend atje në New York-un e largët dhe të mbuluar me dashuri… 
Të nderoj shumë, miku im, ikonë e fjalës së bukur shqip.
Please follow and like us: