Albspirit

Media/News/Publishing

“Lufta” SHBA-Rusi për Maqedoninë!

Fillon “lufta” SHBA-Rusi për Maqedoninë!

Partia ruse në pushtet “Rusia e Bashkuar” ka apeluar për rezistencë kundër “revolucioneve me ngjyra” në Maqedoni dhe në vendet tjera të Ballkanit duke pohuar se SHBA-të qëndrojnë pas tyre. Sipas Sergej Zheleznak, funksionar i lartë i kësaj partie dhe zëvendës kryetar i Dumës, Moska ka protestuar kundër këtyre metodave që sipas tij, involvojnë skenarë të dhunshëm.

“Është e qartë se protestat aktuale në Beograd nën simbolin e patës së verdhë, në të cilat përfaqësues të SHBA-ve morën pjesë si ‘vëzhgues’, bashkë me protestat në Banja Llukë dhe në Maqedoni përmbajnë karakteristika të operacioneve të udhëhequra nga forca të huaja që të destabilizohet situata në Ballkan”, ka deklaruar Zheleznak.

Moska me propozim konkret kundër organizatave joqeveritare

Këtë deklaratë ai e ka dhënë gjatë kongresit të kësaj partie në Moskë, ku morën pjesë edhe parti nga pesë vende ballkanike, respektivisht nga Maqedonia, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, me të cilat Moska dëshiron të ndërtojë “union neutral ballkanik”, me të cilin do të zhvillojë raporte politike, ekonomike dhe në sferën e sigurisë dhe do të krijojë rend të ri në rajon.

Tema kryesore për të cilën është biseduar në kongres me përfaqësuesit e këtyre partive, ka qenë rreziku nga përhapja e “revolucioneve me ngjyra” me qëllim të ndryshimit pa dhunë të regjimeve, përmes destabilizimit të situatës socio-politike në Maqedoni dhe Serbi. Me këtë rast, Zheleznak ka ofruar përvojat ruse për përballje të suksesshme me tentime të ngjashme tek ata, duke përmendur para së gjithash një mori ligjesh të miratuara me të cilat vendoset regjim special (ndalesë) për shoqatat joqeveritare që shfrytëzojnë fonde të huaja.

“Ajo që u nevojitet është konsolidimi urgjent i forcave të shëndosha sociale në bazë të ideve dhe vlerave që e bashkojnë kombin dhe e distancojnë nga tentimet për imponim të zgjidhjeve të papranueshme nga jashtë”, ka deklaruar Zheleznak.

Tentime të tilla për ndarje të organizatave të shëndosha nga organizatat e sëmura joqeveritare dhe akuza për përzierje nga jashtë për ndryshimin e pushtetit, gjatë kohë janë prezente në retorikën politike në Maqedoni.

Siç dihet, në këtë takim ka marrë pjesë edhe partneri qeveritar i VMRO-së dhe BDI-së, Ivan Stoilkoviq, kryetar i Partisë Popullore Serbe në Maqedoni.

Në deklaratën e nënshkruar me këtë rast, thuhet se nënshkruesit do t’i mbrojnë vlerat humanitare dhe të krishtera, që vetvetiu është shkak për konflikte të brendshme në baza etnike, shkruan “Utrinski Vesnik”.

Krijimi i vendeve sovrane neutrale, siç qëndron në deklaratën e partisë Rusia e bashkuar është vetëm fillim i një procesi të ri për vendosjen e lidhjeve më të thella të këtyre vendeve me Rusinë. Vokabulari i kësaj deklarate, sipas portalit serb B-92, është kopje e vokabularit të periudhës sovjetike dhe edhe pse partitë kryesore në Maqedoni nuk e nënshkruan këtë deklaratë, ajo është nënshkruar nga një partner i koalicionit qeverisës. Dy partitë më të mëdha të këtij koalicioni zyrtarisht angazhohen për politikë tjetër, mirëpo deri tani nuk janë distancuar nga nënshkrimi i partnerit të tyre, Ivan Stoilkoviq.

Baily: Të respektohet e drejta dhe institucionet demokratike

Nga ana tjetër ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, duke folur për marrëdhëniet dypalëshe ka referuar për ndihmën të cilën e ofron ShBA dhe se qëllimi është që Maqedonia ti plotësojë planet e saj për integrimet euroatlantike.

“Në KB, të bashkuar me 173 kombe e kemi nënshkruar Marrëveshjen historike të Parisit për luftë kundër ndryshimeve klimatike, ndërsa këtu në Shkup kemi punuar ti ndihmojmë Maqedonisë të përparojë në rrugën drejt NATO dhe BE.

“Pjesë e ndihmës tonë ka qenë edhe ndihma për përgatitjen dhe stërvitjen e Armatës me qëllim të përafrimit me standardet e NATO”, ka thënë Baily në fjalimin e tij.

Ai edhe njëherë ka shfrytëzuar rastin që ta ftojë Maqedoninë që ta tejkalojë krizën politike, ta respektojë të drejtën dhe institucionet demokratike dhe ta zbatojë Marrëveshjen e Përzhinës.

“Pika e fundit ka mbizotëruar në lajmet e vendit, por të gjithë e dimë se Maqedonia është më tepër se vetë titujt në gazeta. Maqedonia është populli i saj, trashëgimia, bukuritë natyrore nga Sharri e deri te Liqeni i Dojranit, Ohrit dhe Prespës e deri te malet e Osogovës”, ka përfunduar Baily.

Please follow and like us: