Albspirit

Media/News/Publishing

Maria Magdalena, Ungjilli i mëkatares dhe festa e Shënjtes

“Gruaja e Birit të Zotit është Miriami nga Magdala. Mësuesi e donte Miriamin më shumë se dishepujt e tij. Shpesh ai e puthte në buzë. Dishepujt  e shikonin se ai e dashuronte Miriamin dhe i thanë: “Përse e do më shumë sesa ne të gjithë?…

Luan Rama

Nga Ungjilli i Filipit, apokrif.
 

S’ka pak kohë që një dekret i Vatikanit u nxor për të kremtuar ditën e Shenjtes, Maria Madalena, ithtares së flaktë që e dashuronte aq shumë Jezusin. Dekreti i Vatikanit shkruante se data e 22 korrikut do të hyjë tashmë në kalendarin roman të festave të Vatikanit dhe se “kjo bëhet në një kohë kur kisha po reflekton gjithnjë e më shumë për dinjitetin e gruas; se shenjtja Mari e “donte shumë Krishtin dhe se Krishti e donte jashtëzakonisht atë”; se “ajo shihet si një model i gruas në shërbim të Kishës”. Ky dekret na rikthen në një refleksion të shumhershëm rreth mëkatares Maria Magdalenës dhe historisë së saj. Çfarë dimë ne për të?
Ky personazh i botës kristiane, që përmes shekujve ka ngacmuar aq shumë fantazinë e letrarëve dhe artistëve, vazhdon të jetë një personazh kontradiktash e “betejash” historike, veçanërisht midis Vatikanit dhe atyre historianëve që kur ndeshen me fakte të reja të historisë së vjetër, duan t’u japin atyre vlerën që kanë, edhe pse doktrinat e kanë vulosur në një farë forme fatin e tyre.
Maria Magdalena është padyshim një personazh tërheqës dhe ndoshta po aq tërheqës sa dhe fytyrat plot hir të një Isabelle Adjani apo Juliette Binoche që e kanë interpretuar atë. Duke udhëtuar në Izrael, në brigjet e liqenit të Tiberiadës, (Genesaret), rreth të cilit ndodhen shumë vende historike që lidhen me lindjen e Krishterimit, qyteza e vjetër Magdala, më ka rikujtuar menjëherë imazhet e Maria Magdalenës që kemi parë në filmat e realizuar vitet e fundit, dhe jo vetëm në atë të Martin Skorcezes në bazë të romanit të shkrimtarit grek Kazanzaqi, Tundimi i fundit i Krishtit, apo filmi tjetër po amerikan Pasioni i Jezu Krishtit i Mel Gibson, por dhe një nga filmat e këtyre viteve të fundit me aktoren franceze, Juliette Binoche, i cili ka trajtën e një hetimi rreth asaj çka ndodhur dymijë vjet më parë. Vallë çka ndodhur vërtet? Kush ishte kjo grua që do të hynte aq shumë në kujtesën e njerëzimit të erës sonë?
Pikërisht kur je në Magdala, çdo turist mendon menjëherë rreth asaj figure që ka mbetur si një nga figurat më simpatike të gjenezës kristiane. Magdala në hebraisht do të thotë “e mrekullueshme” dhe po kështu quhej dhe kështjella e dikurshme, (sot në rrënoja), që siç na thoshte një ciceron, dikur quhej Magdalum. Peizazhi është gjithnjë i gjelbër dhe i paqtë, ku në një qiell blu nderen ca re të bardha. Që andej rruga ngjitet drejt Nazareth-it, ku është ende ajo shpellë e vogël në kishën e Virgjëreshës Mari, nënës së Jezusit. Tregimet dhe legjendat thonë se Maria e Magdala, apo Maria Magdalena siç do të quhej ajo më vonë, kaloi këtu një rini plot qejfe, por me shfaqjen e Jezusit në ato anë, ajo i kërkoi profetit të ri hebre t’i largonte demonët që kishte në shpirt. Jezusi ia hoqi, dhe ajo iu përkushtua atij dhe e ndoqi në rrugën e tij, nëpër Galile e Jerusalem, gjer në ditën kur ai do të kryqëzohej. Në tregimet biblike kujtohet gjithnjë se pas varrimit të Jezusit, ku ishte dhe Maria Magdalena bashkë me nënën e tij Virgjëreshën Maria, ajo u kthye në shtëpi. Të nesërmen, meqë ishte e shtunë, “sabbat”, dhe sipas ligjit hebraik nuk punohej, ajo shkoi për te varri i Krishtit ditën e parë të javës, që t’i parfumoste trupin që do të balsamosej. Por kur shkoi atje, vuri re se guri i varrit, pranë kopshtit, ishte hequr. Ajo filloi të qante dhe e tronditur u kthye të dilte nga shpella kur papritmas, vështroi para saj vetë Jezusin, i cili i tha:
– “Grua, pse qan dhe kë kërkon?
Një çast ajo kujtoi se ishte kopshtari fqinj dhe i tha:
– “Nëse je ti ai që e ke hequr trupin, më thuaj se ku e ke vendosur që të mund ta marr”.
Por ai i tha vetëm një fjalë: “Mari!”
Duke njohur vetë Shpëtimtarin, ajo i thirri:
– “Im zot!” – dhe iu hodh në këmbë ta pushtonte.
– “Mos më prek,- i tha menjëherë Jezusi, – sepse ende nuk jam ngjitur tek im Atë, por shko dhe gjej vëllezërit e mi dhe thuaj se do të iki tek Ati dhe Zoti im, sepse ai është gjithashtu Ati dhe Zoti i tyre…
Kështu Maria Magdalena vajti te dishepujt e Jezusit dhe u tha: “Pashë Zotin dhe ja se ç’më tha!”
Shumë historianë mendojnë se pas kryqëzimit të Krishtit, Maria Magdalena ndoqi Virgjëreshën Maria dhe Shën Gjonin për në Efez, ku kishte një komunitet të organizuar kristianësh dhe ku më vonë edhe vdiqën. Të tjerë studiues pohojnë se ajo shkoi bashkë me të vëllain e saj, Lazar, dhe të motrën Marta, duke iu drejtuar jugut të Francës. Me të zbarkuar diku pranë Marsejës, në vendin që më pas do të merrte emrin Saints Maries-de-la-Mer, (Shënjtet Mari të Detit), thuhet se ajo kishte filluar të predikonte për misionin e Jezusit në turmat e njerëzve dhe pastaj ishte mbyllur në një shpellë në Saint-Baume, duke pritur ikjen në botën e përtejme. Legjenda thotë se që andej, (në Saint-Pilon), ajo ngrihej në qiell përmes engjëjve që të takonte burrin hyjnor. Disa kronistë mesjetarë, ndër të cilët dhe historiani Joinville, i kohës së Louis IX, (Shën Louis, vdekur në 1271), shkruajnë për transferimin e eshtrave të saj nga Saint-Maximin, apo Aix-en-Provence, në kishën e madhe të Vezeley-it, në një kodrinë të lartë e të gjelbëruar të Bourgogne-s. Por sidoqoftë jo pak historianë dhe specialistë të doktrinës kristiane kanë pyetur: Si ishte e mundur që pas kryqëzimit të Krishtit, nga krerët e kishës së re nuk u fol më për Marinë? Çfarë kishte ndodhur? Disa historianë kanë shkruar rreth krijimit të dy grupeve ithtarësh në ato vite pas kryqëzimit të Jezusit: atyre rreth apostullit Pjetër, i cili mori përsipër vazhdimin e veprës së Jezusit dhe grupit të ithtarëve të Maria Magdalenës. Dhe nga kjo kundërvënie, duket se ishte Maria ajo që e humbi “betejën”. Por megjithatë, ungjijtë e mëpasshëm, veçanërisht ata gnostikë nuk e harruan figurën e saj. Ç’kishte ndodhur vërtetë midis asaj dhe Jezusit?

Ungjilli i mëkatares

Ungjilli  i Maria Magdalenës bën pjesë ndër ungjijtë dhe dokumentet e vjetra biblike të gjetura në vitin 1945 në shkretëtirën e Egjiptit të Sipërm, përgjatë Nilit, në Jabal al-Tarif dhe që më pas, për nga pasuria e dokumenteve dhe ekzistencën e tij diku pranë e një manastiri të vjetër kristian, do të quhej “Biblioteka e Nag Hammadit”. Ai është i shkruar në gjuhën kopte, gjuhë e kishave dhe manastireve të para kristiane në Egjipt, (ato vareshin nga qendra kristiane e famshme e Aleksandrisë), gjuhë që vjen nga fjala “qibt”, e cila është një kontraksion i fjalës së vjetër greke Aigupos, pra Egjipt. Atëherë ungjijtë(Lajm i Mirë) kopjoheshin nga murgjit, dhe ky ungjill si shkrim i përket shekullit të V, edhe pse origjinali i tij ishte i shekullit të II, pra rreth vitit 150 të erës sonë. Meqë në shekullin IV, u vendos përafërsisht se cilët do të ishin ungjijtë e doktrinës kristiane, zyrtarë, këta ungjij gnostikë u groposën, u dogjën, u asgjësuan ose dhe kur ishin të fshehur nuk u kopjuan më nga murgjit në “scriptoria”-t e tyre, nga frika e reprezaljeve. Ky ungjill që vinte nga zona e Achmin, ishte blerë në Kajro dhe ishte futur në Departamentin e Egjiptianologjisë në Muzeun e Berlinit, nën kujdesin e profesorit gjerman Carl Schmidt.
Ungjilli i Maria Magdalenës, i shkruar mbi papirus u gjet me fletë që i mungonin (faqet 1 deri në 6 dhe faqet 11 deri në 14). Çdo fletë përmban 21, 22 ose 23 rreshta. Deshifrimi i këtij ungjilli padyshim ishte i vështirë për faktin e këtyre mungesave, që shpesh specialisti i fushës duhet të imagjinojë për t’i interpretuar dhe për t’i dhënë koherencë gjithë tekstit. Megjithatë, Maria, (apo Myriam, siç quhej atëherë në hebraisht), shfaqet në këtë ungjill si një e afërt e Jezusit, një “konfidente” e tij, pasi Jezusi i thotë asaj gjëra që nuk ua thotë të tjerëve, apostujve të afërt të tij. Ja pse mjaft studiues të historisë së Kristianizmit kanë parë në të hipotezën se ajo mund të ishte dhe gruaja e tij. Por a ishte në të vërtetë? Në ungjijtë kanonikë, që përbëjnë thelbin e doktrinës kristiane që nga shekulli i IV, kur u vendosën tekstet themelore të Testamentit të Ri, ajo përmendet si dëshmitarja e parë në Ringjalljen e Krishtit (Christos, që vinte si përkthim nga fjala hebraike Messiah, Mesia.)
Në Ungjillin e Markut dhe në Ungjillin e Mateut, këta dy apostuj flasin për lotët dhe ankthin e saj, por asnjëherë nuk hidhen idetë e ndonjë lidhjeje më të afërt me Jezusin. Madje, ajo është parë gjithnjë si mëkatarja e çliruar nga 7 demonët e këqij nga shpëtimtari Jezus dhe që më pas e ndoqi Shpëtimtarin dhe që në darkën e fariseut Simon në Galile; se ishte ajo që i parfumosi kokën me parfum të shtrenjtë për të cilin na u ankua dhe Juda (në tekste të tjera ajo i lau këmbët dhe ia fshiu me flokët e saj). Në ungjijtë e tjerë, Maria përmendet kur zbulon varrin bosh të Krishtit, e shoqëruar me gra të tjera, pasi ato do të shkonin t’i bënin shërbime trupit të tij. Nga ana tjetër, Marku dhe Luka, dy nga besnikët e Jezusë, shkruajnë se “Maria Magdalena e ka shoqëruar Jezusin në udhën e tij në Galile e madje ajo e kishte ndihmuar me para”. Por në Ungjillin e Tomës, shkruhet diçka akoma më interesante, që tregon për lidhjen Jezu-Mari: “Simon Pjetri u tha atyre: Të largohet Maria nga ne, sepse gratë nuk janë të denja për jetën!” Por Jezusi tha: “Unë do ta mbaj që ta kthej atë në mashkull, që edhe ajo të bëhet një shpirt i gjallë, pasi çdo grua që bëhet burrë do të futet në mbretërinë e engjëjve”. Sigurisht, në shpjegimin mistik shpirti atëherë ishte i lidhur gjithnjë me seksin mashkull dhe se në “Ungjillin e Tomës” bëhet fjalë më shumë për një “bashkim shpirtrash”, por a ishte vetëm kështu? Përse Jezusi nguli këmbë ta merrte me vete në botën e përtejme, gjë të cilën nuk e bëri për dikë tjetër?…
Ungjilli i Maria Magdalenës ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë, mësojmë se pas Ringjalljes, Jezusi u tha apostujve që të përhapin ungjillin dhe pasi i bekon ata, ai largohet. Ikja e tij (në këtë ungjill) i trishton apostujt, por Maria i ngushëllon ata dhe i nxit të mendojnë për ato çka u tha ai. Meqë Jezusi ishte takuar veçmas me Marien, apostulli Pjetër i kërkon asaj t’u tregojë se çfarë i kishte thënë Jezusi. Në pjesën e dytë, ajo u tregon për ëndrrën që kishte parë. Pastaj Pjetri dhe Andrea i bëjnë pyetje dyshuese në lidhje me ëndrrën. Apostujt fillojnë të dyshojnë dhe janë të pakënaqur. Nga fundi i tekstit dhe i bisedës mes apostujve, apostulli Levi, u thotë apostujve të tjerë se “Jezusi e donte Marien më shumë sesa ne”.
Padyshim që ky ungjill, si shumë ungjij të tjerë apokrifë, kryesisht gnostikë, e tregon historinë në mënyrë të lirshme, pa qenë i detyruar të censurohet nga dikush, në një kohë kur korrente të ndryshme brenda Kristianizmit ishin tolerante ndaj njëra-tjetrës, pasi armiku i tyre ishte kryesisht persekutimi romak, por dhe grindjet me hebrenjtë. Sigurisht, këtë ungjill nuk e ka shkruar Maria Magdalena, edhe pse quhet kështu që në fillim të këtij dorëshkrimi. Ai është i shkruar nga një skrib që ne nuk e njohim, padyshim një murg anonim, siç ndodhte zakonisht në atë kohë, kur ungjijtë merrnin emrin e njërit apo tjetrit apostull. Padyshim çështja themelore që diskutohet nga historianët është: A ishte Maria Magdalena e dashura apo gruaja e Jezusit?…

Maria në Ungjillin e Filipit

Bashkë me Ungjillin e Maria Magdalenës, në “Bibliotekën e Nag Hammadi”-it ishte dheUngjilli i Filipit, i cili bën pjesë në kodikët gnostikë dhe ishte ndër kodikët më të plotë të dorëshkrimeve të gjetura nga fellahët egjiptianë. Profesori dhe specialisti francez, Jean-Yves Leloup, në librin e tij L’Evangile de Philippe, na jep të plotë tekstin e këtij ungjilli për ta vlerësuar çdokush se çfarë është shkruar në të. I përbërë nga 150 fletë, ky ungjill apokrif, (që nuk është kanonik, pra i pranuar nga Kisha Kristiane), është në një format papirusi prej 28,3 cm me 28 cm, si dhe me një tekst të shkruar në një gjerësi 12,5 cm. Leloup thekson se ky ungjill, është një dëshmi e jetës dhe e mësimeve të Krishtit në atë kohë. “Ky ungjill na lejon të zbulojmë tek Ai një figurë tepër njerëzore dhe të lirshëm ndaj burrave dhe grave.”
Siç dihet, Filipi ishte një nga apostujt e afërt të Jezusit. Emri Filip në greqishten e vjetër do të thoshte “ai që do kuajt”, dhe ky apostull përhapi krishterimin në zonën rreth Detit të Zi, gjersa më në fund u martirizua dhe u kryqëzua në Hieropolis, siç na e dëshmon këtë fakt vetë Eusebe i Cesaresë, (port që në kohën e Çesarit quhej Ptolemeis) dhe që ishte kronisti i parë i historisë së Krishterimit, duke shkruar një histori me shumë vëllime. Që në faqe të parë të këtij ungjilli të vështirë e mistik, shkruhet:

“Në fillim YHWH(Jahve – Zoti) krijoi njeriun në imazhin e tij
Burrin dhe gruan Ai krijoi.”
 
Ajo që bie në sy në këtë ungjill është se lidhur me raportet e Jezusit dhe të Maria Magdalenës, ky ungjill shkon shumë larg. Në ungjill shkruhet në mënyrë direkte se “Myriam për të ishte një motër, një nënë dhe grua, (koinonos)”. Në faqen 65 të këtij ungjilli mund të lexosh gjithashtu: “Gruaja e Birit të Zotit është Myriami nga Magdala. Mësuesi e donte Myriamin më shumë se dishepujt e tij. Shpesh ai e puthte në buzë. Dishepujt  e shikonin se ai e dashuronte Myriamin dhe i thanë: “Përse e do më shumë sesa ne të gjithë? Dhe Mësonjësi u përgjigj: “Përse të mos ju dua më shumë se atë?… Po kështu në këtë ungjill shkruhet: “Ishin tre veta që ecnin me Zotin: nëna e tij, Maria, motra e saj dhe Magdalena, ajo që quhej koinonos. Motra, nëna dhe gruaja (koinonos) e tij, secila prej tyre ishte Mari, (pra quhej Maria)”. Edhe pse profesori amerikan Bart D. Ehrman në librin e tij E vërteta dhe trillimi në librin Kodi Da Vinci, i referohet gjatë Ungjillit të Filipit, dhe ai e vë në dyshim përkthimin e fjalës koinonos, duke tentuar t’i japë kuptimin e një “bashkëpunëtoreje të afërt”, ndryshe nga specialistë të tjerë që në rrënjën e kësaj fjale sipas gjuhës së asaj kohe, kuptohej raporti i lidhjes seksuale. Por sidoqoftë, për pasazhin ku thuhet se “Jezusi e puthte atë në buzë”, Bart D. Ehrman nuk ka ç’të thotë. Madje dhe një fragment tjetër i këtij ungjilli është problematik, pikërisht në një faqe ku papirusesh të grisura dhe kjo e bën të vështirë interpretimin e tij. Por kushdo mund të gjykojë rreth këtij pasazhi:
“E shoqja (vend i grisur i papirusit) Maria Magdala (grisur) më shumë (grisur) dishepuj (grisur) e puthi atë (grisur) në (grisur)…”
Me sa duket specialistët mendojnë se Jezu ka qenë diku dhe ka puthur Marien, por se ku ka ndodhur kjo dhe në ç’rrethanë, kjo gjë nuk shpjegohet nga teksti konkret.
Sidoqoftë bëhet fjalë gjithnjë për një hipotezë, por disa pikëtakime të tilla, në disa ungjij të shekujve II dhe III pas erës sonë, hedhin për diskutim një variant tjetër të marrëdhënieve të Jezusit me Maria Magdalenën. Sigurisht, Dan Brown në librin e tij sensacional Kodi Da Vinçi, edhe pse mundohet të tregojë histori përmes një pene historiani, ky libër nuk përbën një libër historik, madje shpesh ai është me pasaktësi të mëdha dhe elementare, duke spekuluar rreth marrëdhënieve Jezus-Mari dhe Parësisë së Sionit. Por sidoqoftë, edhe ai i referohet kësaj marrëdhënieje, duke u mbështetur pikërisht në zbulimin e këtyre ungjijve gnostikë: Ungjilli i Marie Magdalenës dhe Ungjilli i Filipit. Për këtë lidhje të veçantë, Dan Brown në fakt është mbështetur te një roman tjetër i botuar para tij, Gjaku i shenjtë Graal, ku përshkruhet historia e Maria Magdalenës që kishte një fëmijë me Jezusin.
Kjo histori, ka qenë e përhapur veçanërisht në Europën Perëndimore. Madje në libra të ndryshëm historikë i referohen kësaj legjende të ikjes së Marie Magdalenës nga Jerusalemi pas kryqëzimit të Krishtit, bashkë me fëmijën e saj, vajzën Sarah, të cilën e lindi më pas. Por kushdo mund të pyesë: a kishin ndonjë interes të veçantë këta skribë, shkronjës dhe hartues ungjijsh, (që i bëjnë himn Jezusit dhe misionit të tij që në shekullin e II dhe të III), të flasin nga ana tjetër për një marrëdhënie burrë-grua? Sigurisht që jo. Por sidoqoftë në një mjegull dymijëvjeçare është e vështirë të thuash me bindje se çka ndodhur realisht dhe si?
Pyetje kryesore mbetet gjithnjë: a ishte i martuar Jezusi?
Disa specialistë perëndimorë, kryesisht francezë, pohojnë se ai duhej të ishte martuar ose të paktën të ketë qenë i fejuar, pasi sipas zakonit hebraik, “një hebre që nuk martohej bënte një krim”. Akoma më shumë që ai ishte një rabin, (RaBBi), që predikonte në sinagogë, dhe ligji hebraik thoshte se nuk mund të predikonte në sinagogë një rabin i pamartuar. Vetë ungjijtë thonë se Jezusi predikonte nëpër sinagoga. Lidhur me gjendjen e tij, nëse ishte i lidhur me një grua apo jo, në mënyrë të tërthortë e shkruan dhe vetë Shën Gjoni në ungjillin e tij, përmes një historie që i ndodh Jezusit. Dhe ja si ndodh: “Tri ditë më vonë kishte një dasmë në Kana të Galileut. Nëna e Jezusit ishte atje. Dhe Jezusi ishte ftuar. Meqë vera mbaroi në tavolinë, nëna i tha Jezusit: “S’ka më verë”. Ai tha:“Grua, çfarë ka midis teje dhe meje? Ora ime ende s’ka ardhur!” Pastaj nëna e tij u tha atyre që shërbenin: “Bëni si ju thotë ai”. Por aty ishin gjashtë vazo të mëdha që shërbenin për purifikimin e hebrenjve. Jezusi tha: “Mbushini këto me ujë”. Dhe ata i mbushën gjer në grykë. “Çojini tek ata që drejtojnë tavolinat”. Dhe ata i çuan. Ai që shërbente, e provoi ujin dhe pikasi se ishte shndërruar në verë, pa e ditur se nga vinte kjo verë, ndërkohë që ata që e sollën e dinin. Ai i thirri burrit që martohej dhe i tha: “Çdo njeri shërben në fillim verën e mirë dhe pastaj kur të tjerët pihen, shërben atë të rëndomtën. Ndërsa ti ke po atë verë gjithnjë”… Kjo që ndodhi në Kana të Galileut ishte mrekullia e parë që bëri Jezusi”.

Fati i Ungjijve apokrifë

Ungjilli i Maria Magdalenës bën pjesë në ungjijtë apokrifë, të cilat kisha kristiane i ka lënë jashtë që në kohën kur ajo u organizua si një kishë e vërtetë. Në ekzistencën e ungjijve gnostikë një shpjegim na e jep dhe vetë historia. Siç u përmend më parë edhe rreth Ungjillit të Judës, në shekujt II dhe III të erës sonë kishte një liri të madhe mendimi. Pas shkrimeve të para të Shën Palit rreth Jezusë dhe përhapjes së misionit të tij për shpëtimin e Njerëzimit, u shkruan ungjijtë e Markut, Mateut, Lukës dhe Gjonit e më pas Ungjilli i Pjetrit, Ungjilli i Tomës, Ungjilli i Filipit etj., ashtu siç do të shkruhej dhe Ungjilli i Maria Magdalenës. Pas Romës, një qendër e fuqishme e Kristianizmit ishte Aleksandria si dhe Antioche, në brigjet e Detit Mesdhe. Por Roma dhe Aleksandria ishin në konkurrencë me njëra-tjetrën dhe Aleksandria si të thuash ishte qendra e gnostikëve. Sidoqoftë, të gjithë këta ungjij të shkruar, me pak ndryshime, i bënin jehonë jetës së Krishtit dhe veprave të tij. Misioni i tij është gjithnjë shpëtimtar dhe ai i sakrificës për dashurinë njerëzore. Por një ngjarje e madhe bëri që feja e re kristiane të merrte një drejtim tjetër: ardhja në fuqi e perandorit Konstantin.
Atëherë ekzistonin dy perandori të ndara: njëra në Perëndim, ajo e Romës dhe tjetra në Lindje, ajo e Kostandinopojës. Por kur dy perandorët, Konstantini dhe Maksiminiani i Romës hynë në luftë dhe kur Konstantini marshonte drejt Romës, atje në urën e Milvianit mbi lumin Tiber, atij iu shfaq një shenjë e mbinatyrshme dhe pastaj shenja e Kryqit. Pikërisht në këtë moment ai tha: ”Me këtë shenjë unë do të sundoj!” Shenja e kryqit i ishte shfaqur bashkë me dy germa: X dhe P. Ai thirri këshilltarët e tij dhe i pyeti ata se çfarë donin të thoshin ato shenja. Dhe ata i thanë se ato ishin shenjat e emrit të Jezu Krishtit. Atëherë ai vendosi që ta bëjë Krishterimin fe të perandorisë së tij. Por që të bëhej kjo duhej krijuar doktrina kristiane.
Në fillim të shekullit të IV, në Aleksandri jetonte një mësues me famë dhe mjaft popullor që quhej Arius. Ai u përpoq ta zgjidhte problemin e identitetit të Jezusit me tezën se vetëm ai ishte Ati Zot. Një nga kundërshtarët e Ariusit ishte një dhjak i ri i kishës së Aleksandrisë i quajtur Athanas. Pikërisht ai do të fitonte në këtë betejë doktrine. “Athanasi dhe bashkëfetarët e tij, – siç shkruan dhe Bart D. Ehrman, – ngulmonin në përcaktimin paradoksal të kushtit të Jezusit si hyjni, por që ishte ende njeri. Por ai ishte nga i njëjti thelb si Ati Zot. Kjo dhe çoi në doktrinën e Trinisë ku janë tre individë që përbëjnë Zotin, të barabartë. Perëndia është një dhe shfaqet në tre individë.”
Në atë kohë ishte ende dyshimi që Jezusi, Zoti ynë, ishte dhe njeri dhe Zot, hyjni, siç shkruante dhe martiri kristian Ignatiusi (Lindur në vitin 110) i Antioche-s, në Letrën drejtuar efesianëve”, (“Jezusi është një mjek prej mishi e fryme, i lindur dhe i palindur, Perëndia, dora vetë, fillimisht i vuajtur dhe më vonë përtej vuajtjes”). Në vitin 325, perandori Konstantin urdhëroi mbledhjen e koncilit të Nikesë, (Nice), pranë Nocomedie-s, ku ishte rezidenca e tij, në një kohë kur Konstantini kishte vendosur pushtetin dhe mbi Perandorinë romake. Aty Jezusi u cilësua Zoti i vërtetë dhe ata peshkopë që nuk pranuan ta firmosnin dokumentin final, u shkishëruan. Ky koncil që mblodhi qindra peshkopë të ardhur nga qendrat e kishave kristiane, (edhe pse në grindje me njëra-tjetrën), në vija të përgjithshme përcaktoi tekstet zyrtare të kishës kristiane, duke lënë jashtë ungjijtë apokrifë që e tregonin Jezunë si shumë “njeri”. Ky do të ishte dhe fati i Ungjillit të Magdalenës, i cili s’do të përmendej më dhe do të humbte në errësirën shekullore, edhe pse imazhi i Maria Magdalenës në Mesjetë, pati adhurues të mëdhenj në të gjithë Europën. Sot, ky ungjill na jep një imazh të ri rreth Jezusit dhe jetës së tij, por për doktrinarët e Krishterimit të sotëm, përbën padyshim një lloj blasfemi. Historianët le të gjykojnë.

Please follow and like us: