Në këto 10-15 vitet e fundit, në vendin tonë janë botuar mbi 20 libra, me rreth 6000 faqe nga autorë shqiptarë, të cilët kanë si objekt çështjen e origjinës së tejlashtë të banorëve të trojeve tona, e njohur tradicionalisht si çështja pellazgjike.

Në këto 10-15 vitet e fundit, në vendin tonë janë botuar mbi 20 libra, me rreth 6000 faqe nga autorë shqiptarë, të cilët kanë si objekt çështjen e origjinës së tejlashtë të banorëve të trojeve tona, e njohur tradicionalisht si çështja pellazgjike.

LISTA E BOTIMEVE
Më poshtë po rendisim listën e librave sipas vitit të botimit:

 

  1. Ilir Cenollari, Profecitë e Zotit të Tomorrit, Tiranë, 2004, f.204;
  2. Dhimitër Pilika, Pellazgët, origjina jonë e përbashkët, Tiranë 2005, f.448;
  3. Eva Brinja, Antikiteti, Tiranë 2005, f.405;
  4. Arsim Spahiu, Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër, Tiranë 2006 f.399;
  5. Arsim Spahiu, Maqedonasit e vjetër dhe arkeologjia e tyre, Tiranë 2013, f.215;
  6. Arsim Spahiu, Orakulli i Dodonës dhe epirotët, Tiranë 2008, v.I, f.224;
  7. Luftulla Peza, Liljana Peza, Dritë e re mbi pellazgët dhe gjuhën e tyre, Tiranë 2009, f.151;
  8. Luftulla Peza, Liljana Peza. Dritë e re mbi pellazgët dhe gjuhën e tyre, Tiranë 2009, f.138;Arsim Spahiu, Mbi 2011, f.247;
  9. Elena Kocaqi, Roli Pellazgor- ilir në krijimin e kombeve dhe gjuhëve Europiane, Tiranë 2007, f.255;
  10. Eleni Kocaqi, Albanët, shqiptarët me famë botërore, Tiranë 2012, f. 225;
  11. Mathieu Aref, Shqipëria, odiseja e pabesueshme e një populli parahelenik, Tiranë 2007, f.561;
  12. Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët, Greqia ose zgjidhja e një enigme, Tiranë 2008, f.602; A
  13. Ali Eltari (Lapi), Pellazgët – krijues të qytetërimit botëror, Tiranë 2008, f. 298;
  14. Naim Laçaj, Pellazgët folën. Etnogjeneza e shqiptarëve, Tiranë 2008, f.155;
  15. Sulejman Mato, Vështrim mbi lashtësinë e gjuhës shqipe, Tiranë 2008, f.170;
  16. Sulejman Mato, Vështrim mbi lashtësinë e gjuhës shqipe, Tiranë 2015, f.199.
  17. Muharrem Abazaj, Kodi i gjuhës Pellazgo-shqipe, Tiranë, 2011, f.157;
  18. Muharrem Abazaj, Pellazgët folën dhe shkruan shqip, Tiranë 2013, f.425;
  19. Konferenca I-rë Mbi Qytetërimin Pellazg (Përmbledhje e kumtimeve), Tiranë, 21- 22 tetor 2011, f.60;
  20. Bajram Doka, Ilirët, trakasit dhe frigjiasit, Tiranë 2012, f.95;
  21. Margaret K. Nilo, E vërteta, Tiranë 2012, f.598;
  22. Aqif Sali Tafa, Dritësimi i historisë – Pellazgët paraardhësit tanë të lashtë, Tiranë 2013, f.422;                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                      

Në këto kushte të reja, kthimi në vëmendjen e disa intelektualëve me studime e botimin e disa veprave, është i natyrshëm dhe i pranueshëm. Ata i kanë hyrë një pune të vëllimshme për të rishqyrtuar tema, sipas tyre të harruara, që janë ngritur shumë kohë më parë nga studiuesit romantikë të shekullit XIX, si edhe nga gjuhëtarë, historianë e arkeologë të shekullit të kaluar. Shqetësimi i tyre, ka të bëjë me probleme të rëndësishme të historisë së lashtë të Shqipërisë, të cilat kërkojnë të ndriçohen e të plotësohen me të dhëna të reja dhe për më tepër, çka është kryesore të bazohen në studime e kërkime ndërdisiplinare, në përputhje me nivelin e kërkimeve të sotme në arkeologjinë prehistorike dhe të bashkërenditura me arritjet e studimeve në gjuhësinë indoeuropiane. Në këtë këndvështrim do të parashtrojmë disa konstatime e mangësi kryesore të botimeve në gjuhën shqipe, të bëra në dekadën e fundit.

MANGESITE
Konkretisht po ndalemi në disa nga çështjet e mangësitë më kryesore, të karakterit metodik e shkencor, që vihen re pothuajse në të gjitha librat e cituara. Karakteristikë e përbashkët për të gjithë autorët e këtyre botimeve është se ata nisen nga të dhënat e autorëve antikë, kryesisht mbi të dhënat gjuhësore që ofron onomastika antike dhe përpiqen t’i zbërthejnë e t’i shpjegojnë ato, duke i krahasuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me shqipen moderne, me fjalë të tjera, mbeturinat e një gjuhe shumë të lashtë mesdhetare paraprake (pellazgjishtes) me gjuhën e sotme shqipe dhe rrjedhimisht me pasardhësit e tyre shqiptarët, pa marrë parasysh e analizuar etapën e ndërmjetme historike, atë ilire dhe arbërore, të cilat kanë shërbyer si hallka lidhëse dhe urë kalimi.

Lidhur me këtë është e nevojshme të kujtojmë se në kronologjinë relative është përcaktuar e pranuar se pellazgët ose (paragrekët, parailirët, paratrakët) kanë jetuar para mijëvjeçarit të tretë p.e. sonë. Për ilirët e pasardhësit e tyre, në trajtimin e problemeve gjuhësore dhe etnike, duhet të kemi parasysh periudhat kryesore të zhvillimit historik, të cilat po i citoj:

-Paleoilirët, (Ilirët e hershëm) koha e bronzit – mijëvjeçari i tretë p. e. sonë deri në shek. XI p. e. sonë, fillimi i epokës së hekurit.

-Ilirët, epoka e hekurit, shek.XI p.e.sonë deri në shek.IV-VI të e. sonë.

-Arbërit, koha e mesjetës së hershme, shek. VII-XIII, XIV të e. sonë.

-Shqiptarët, koha e mesjetës së mesme e vazhdim.

I përmenda këto periudha në kronologjinë relative të zhvillimit të etnosit iliro-arbëror, sepse në të gjitha botimet e cituara, krahasohet në mënyrë të drejtpërdrejtë shqipja moderne me mbeturinat e një gjuhe shumë të lashtë mesdhetare, me pellazgjishten dhe rrjedhimisht nxirren përfundime se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të pellazgëve.