Albspirit

Media/News/Publishing

Uljan Sharka, klandestini shqiptar që sfidon Mark Zuckerbergun

Uljan Sharka, klandestini shqiptar që sfidon Mark Zuckerbergun

Ishte një klandestin, vetëm 16 vjeç, kur u largua nga varfëria e Shqipërisë. Kërkonte ashtu si shumë të tjerë, një jetë më të mirë. Ëndërronte të shkonte në Londër dhe destinacioni i tij i parë ishte Italia: por karabinierët e ndaluan në Milano dhe e regjistruan në një komunitet minorenesh. Ishte viti 2008. Por ai nuk e humbi kurrë shpresën.

Kërkoi të punonte menjëherë, falas, fillimisht si një barist dhe pastaj u angazhua në një dyqan kompjuterësh. Mësoi zanatin dhe kultivoi pasionin e tij për informatikën. 7 vite më vonë, Uljan Sharka, e shkroi fatin e tij. Kompania që themeloi, “iGenius”, sapo u njoh në festivalin e Filmit në Kanë si një prej firmave më inovative që po shënon sukses në rritje.

Tetë muaj më parë ishte vetëm, sot 25 të rinj punojnë për të. Sapo ka gjetur një sponsorizim prej 1.5 milion eurosh nga dy menaxherë, ekspertë të “equity”, të cilët u dashuruan menjëherë me idenë e tij.

Kompania e tij që krijon softuerë (programe kompjuterike), po jep shenja zhvillimi si “Facebook” kur u themelua për herë të parë. Dhe në shtator, ajo do të shkojë të prezantohet në tregun e San Franciskos, ku do të jenë të pranishme markat më të njohura të teknologjisë.

“Softueri lexon menjëherë të dhënat e rrjeteve sociale, i përpunon ato dhe pastaj bën këshillimin në platformat e marketingut”, shpjegon me fjalë të thjeshta për “Corriere”, Uljani. Ai thotë se kolosë të informatikës dhe publicitetit kanë prenotuar programin e tij, i cili është mbështetur edhe nga motori gjigant i kërkimit, “Google”. “Falë tyre po ndërtojmë versionin e parë të ‘crystal’ brenda vetëm katër muajsh”, shpjegon emigranti.

“Në Shqipëri punova që 13 vjeç për të mbajtur veten, ndërkohë që edhe studioja. Por unë doja të bëja diçka të madhe, gjë që vendi im nuk ma ofronte”, tregon djaloshi, i cili thotë se punon në të shtata ditët e javës, i lidhur përpara kompjuterit të tij për 20 orë në ditë.

Please follow and like us: