Albspirit

Media/News/Publishing

IV. Fritz Radovani: 2021, VITI AT PJETER MESHKALLA S.J.

 

Pjesa XIII

 

“Çka i ndriste syni, ia shkrepte gjuha…”

Profesor Arshi Pipa

(Mendime për At Pjeter Mëshkallen…)

Shumë vite përpara zotni Pjetër Ded Deda (datlindja 1910), bashkohës dhe banues në Tiranë, shkruen: “At Meshkalla ka qenë predikues i mirë që i magjepste dëgjuesit e vet. Në predikimet e bisedimet e Tij, sidomos me të rijtë, kritikonte me guxim intolerancën, përsekutimin fetar dhe mungesën e plotë të lirisë së mendimit e të fjalës në shtetin komunist. Për këtë gja, organet e Sigurimit të Shtetit e arrëstuen në vitin 1946. Mbas një kohe të gjatë paraburgimi dhe hetuesie në birucat e burgut të Tiranës, e nxorën në gjyq, të akuzuem si një nga themeluesit e organizatës “Bashkimi Kombëtar” si dhe për agjitacion e propagandë.

Në këtë gjyq, Ai, nga i akuzuem u kthye në akuzues, dhe, mund të themi në kuptimin e plotë të fjalës, e mbërtheu me shpatulla  për muri trupun gjykues. Ai nuk pranoi akuzën që i bahëj si organizues dhe pjesmarrës i ndonjë organizate të “Bashkimit Kombëtar”,  por  pranoi  se  kishte  kritikue  në  disa  raste  mungesën e plotë të lirisë së fesë dhe të mendimit, që ishte në  kundërshtim të hapët edhe me vetë Kushtetutën ekzistuese. Kryetari i gjyqit e pyeti pse këto kritika nuk i kishte shprehë në ndonjë organ të shtypit, si “Bashkimi” etj., por Ai i kishte përshpëritë andej e këndej?

At Mëshkalla u përgjegj se dy artikuj i kishte dërgue në gazetën “Bashkimi” për këte çeshtje, por asnjëni nuk ishte botue. “Pse nuk e ke ngritur zërin me lart?” – e pyeti Kryetari i gjyqit, duke u përpjekur ta zinte ngushtë të akuzuarin.

At Meshkalla u përgjegj, se dy letra i kishte dërgue Enver Hoxhës, tue ia vu në dukje këto shkelje të lirisë së fesë e të mendimit, por asnjë përgjegje nuk kishte marrë as edhe nga   ai…Unë nuk dij kujt me i shkruar më nalt, tha Ai…

Atëherë, ndërhyni prokurori, tue iu drejtue trupit gjykues me këto fjalë: “Shokë gjykatës, të pandehurit nuk i pëlqen fare demokracia proletare, por atij i pëlqen që edhe në Shqipëri të kemi një demokraci borgjeze si në Greqi”…

At Mëshkalla, me qetësinë dhe gjakftohtësinë karakteristike të Tij, u përgjegj: “Nuk kam qenë asnjëherë në Greqi dhe nuk dij çfarë demokracie ka atje, por tue lexue artikujt dhe lajmët e botueme këtu në gazetën “Bashkimi”, kam marrë vesht se atje veprojnë lirisht parti të ndryshme politike, tue përfshi edhe partinë komuniste Greke. Madje, partia komuniste Greke, ka organin e saj të shtypit “Risospastis”, e cila, qarkullon lirisht si gazetat tjera. Kurse këtu, në Shqipni, jo vetëm që nuk lejohet asnjë parti politike opozitare dhe asnjë shtyp opozitar, por për një fjalë të vetme në kundërshtim me vijën e partisë komuniste, arrëstohesh dhe të sjellin para gjyqit, siç keni veprue me mue”.

Për këto fjalë që konsideroheshin “faje” të randa, At Pjeter Mëshkalla u dënua 15 vjet burg, dënim të cilin e vuejti pjesën ma të madhe në burgun e tmershëm të Burrelit.”. Kjo dëshmi e zotni Pjetër Dedës kisha me thanë se plotëson ma së miri mendimin e cilitdo, që do të donte me dijtë se pse u dënue 15 vjet burg Pader Mëshkalla. Madje, për një qendrim të tillë, Ai edhe mund të pushkatohej…

Në pragun e arrestimit në 1946 në Tiranë u ndodh vetë zotni Pjetri, që më ka tregue mue në vitin 1992: “I kerkova aso kohe në një takim shokut Tuk Jakova që, ta bisedojnë me sh. Enver një mendim të timin. A do t’ ishte mirë që sa me i futë në burg klerikët katolikë, me atë kulturë të madhe që kanë me i përhapë në kater universitete: Korçë, Vlorë, Tiranë dhe Shkoder ku, ata tue qenë profesora atje do të formojnë një rini të kulturuar dhe me prirje nga Europa? – Tuku, më premtoi se në takimin e parë do t’ ia bisedojë shokut Enver këte ide timen. Pa kalue as dy javë, m’ asht ba një mbledhje partije, dhe per pak shpetova pa hy në burg, tue humbë vendin e punës etj., pergjithmonë… Ja pra, kjo ishte “liria e fjalës dhe e mendimit per komunista!” E kush guxonte atëherë me shpreh në gazetë këta mendime:

Pika 2, Programi asht përpilue nga Drejtoria e Përgjithëshme dhe aprovue nga Papa.

Pika 3. Programin e kemi pasue me një koment plot simpati e lavdi për Kishat e Lindjës dhe e keni aprovue ju vetë në Ministrinë e Shtypit e Propagandës K.P.

Pika 6. Na njohim Papën!… dhe pikërisht flet për Papën Piu XII dhe veprat e Tij, në favor të paqës, demaskimin që Ai i ka ba Luftës së Dytë Botnore, “ndër çastët ma delikate e kritike, me guximin ma heroik. Ai ka demaskue e dënue tradhëtitë, mizoritë, krimet barbare kundër popullsive të pafajshme, kundra  çifutëve,  mizoritë  ndër  fushat  e  përqendrimit  të Gjermanisë….”.  Pikërisht  Mëshkalla  mbron Papën,  për të cilin komunistët e të gjitha vendëve të Lindjës e të Përendimit nuk lenin gja pa thanë e shpifë kundër Tij.

Mos harroni se ishte ajo kohë kur vetë komunistët italianë nuk i lenin gja mangut bllokut komunist të Lindjës në lidhje me këte çeshtje! Për këte flasin faktet dhe dokumentët e botueme sot e atëherë në Itali.

Pika 7. Sa për insinuacione politike fashiste e nostalgji për Përandorinë e Romës, ta dijë trafiletisti se ka gabue destinacion. Por ka shkrue ndoshta padijtë mirë se me ké po flet”. E, si do të botonte gazeta “Bashkimi” edhe dy artikujt tjerë të Pader Meshkallës?…

Si do t’i përgjigjej Shteti komunist Pader Mëshkallës për shkeljën e të Drejtave të Njeriut, lirisë së mendimit, Fesë dhe të ndërgjegjës, kur ky veprim kryhej çdo minut?

Kurrë mos harroni se Kleri Katolik Shqiptar, këtë veprim e bante në vitët 1945 – 46, prandej edhe asht kenë cilsue si Opozita e vetme antikomuniste!

Kjo asht arësyja që dënimet e randa jepëshin me qellim eleminimi të mavonshëm ndër kampet e burgjet e Maliqit, Bedenit, Shkodres, Burrelit, Burgut të mnershëm të Kalasë së Gjinokastrës etj. Aso kohe në Tiranë u banë pak pushkatime të klerikëve shqiptarë, mbasi nuk i pëlqente Enver Hoxhës që t’i telefonohej nga ndonjë “ambasadë” për veprimet që ai po kryente me akuza fallse kundrejt klerit të të gjitha besimeve dhe atdhetarëve, që kishin mbushë burgjet e gjithë Shqipnisë. Lufta e ashpër vazhdonte në Shkodër, atëherë, pse të hapte fronte të tjera, përderisa për atë që ai po bante në Veri nuk i ndihej zani askujt?!… E gati edhe mue më shkoj goja me thanë: “Pse të prishte marrveshjet me ta?”.. Ata me heshtje i thonin: “Ti vazhdo.., dhe, ne bëjmë se nuk dijmë asgjë!…” Formula e turpëshme 50 vjeçare e Europës. Ajo e pastë faqën e zezë!!..

***

Prof. Arshi Pipa, shkruen këto fjalë me rastin e vdekjës së At Pjetër Mëshkallës, në “BULETINI KATOLIK SHQIPTAR” Vol. 10, viti 1989, SAN FRANCISKO U.S.A.:

“Çka i ndriste syni, ia shkrepte gjuha…”.

Melbourne, 22 Mars 2021.

 

Pjesa XIV

 

Letër e At Pjetër Mëshkallës S.J.:

Kryetarit të Këshillit të Ministrave

Mehmet Shehu

Tiranë

Shkëlqesë,

Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.

Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe. Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit. Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen. Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet. Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.

Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?

Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut.

Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?

Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.

Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”. Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit.

Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.

 

Krytarit të Kësh. të Ministrave                 Me nderime

Mehmet Shehu                                      Pjetër Mëshkalla

në Kryeministri – Tiranë                      meshtar katolik i

5 Prill 1967.                                          Shoqënisë Jezu.

________________

ShenimF.R.: Botohet pa asnjë ndryshim nga origjinali që kam marrë nga Arkivi, në 1998. Kjo flet ma shume se volumet e Akademisë së Tiranës…

Melbourne, 3 Prill 2021.

 

Pjesa XV

 

FISNIKRIA E KRISHTENË

Udhë të gabueme

Fanatizmi

Organizata e “Veprimit Katolik” synon kryesisht me përtri jetën e krishtenë ndër katolikë, gadi kjeshë tue thanë: Me i ba katolikët (me emën), të krishtenë të vërtetë.

Edhe fushata jonë për bujarinë e madhninë e të krishtenit, këte objektiv ka: Me zgjue, përballë shterpësisë e vobegsisë shpirtnore, një mburrje shenjtë në zbatimin e jetës fetare.

Porse, mburrja e zelli për Fé, si çdo gja tjetër e mirë, mundët, me u largue prej qellimit të shénjtë, tue u teprue. Atëherë, bahët fanatizëm.

Edhe emni fanatik në burimin e parë (prej lat. Fanum – tempull), kishte një kuptim të pelqyeshëm që d.m.th. sherbyes në tempull, por, kur, fetarët e besimeve pagane filluen me përzi në sherbimet fetare disa sjellje të trénta, kërcimesh, hallakatjesh e përgjakjesh, emni fanatik mori kuptimin e mnishëm të furisë e të verbimit.

Katoliku duhët me kenë fanatik, ose, besnik në sherbim të Zotit, Të Fésë dhe të Kishës. Ky lloj fanatizmi asht një ndérë për até, pse tregon karakterin e burrit që, shpallë haptas mendje-mbushjën e vet, pa marré ase turp, pa tregtime e, me zbatim në jetë.

Kur përkundra, mburrja, kalon në teprime të marra, në furina e sulme të verbëta, në besime të shkjepta e në bestytni, -fryte të padijes fetare- atëherë, krijohët fanatizmi i tréntë e i mnishëm, i cili, për faj të tonë e ban të mnishme, në sy të botës edhe Fénë e vërtetë.

Verbimi fanatik nuk asht Fisnikri e krishtenë: Asht udhë e gabueme!

Një shembull:

Po, një shembull praktik: Me sha e me qestisë fetë tjera, duhët çansue, padyshim fanatizëm i verbët, si kundra edukatët e kundra shpirtit të krishtenë.

Thotë njeni: “Unë, e due dhe e çmoj Féne teme!”, thotë tjetri: “Unë due me kenë apostull i përhapjës së Fésë…”, thotë prap një tjetër: “Unë i dal zot Fésë seme pse, ma shajnë e ma përbuzin”…

 

  1. Nuk asht shenjë se e duem dhe e çmojmë Fénë tonë, kur, shajmë e qestisim Fénë e të tjerve. Ndjesia fetare asht shumë delikate, asht çeshtje ndërgjegje… A e njeh ti ndërgjegjën e shokut tand?!.. Ti mundësh me iu falëndérës Perendisë e, me iu lutun që, me të ndihmue, me të ruejtë në Shpirtë të gjallë e të pastër Fénë e Shenjtë, mundësh, me iu lutë që, me i shndritë mendjen edhe atyne që ende nuk e njohin; mundësh, me ia zbardhun faqën me jetën tande shembullore, tue ecë mbas mësimeve të Sajë. Fénë Shenjte ti studjoje, orvatu me e kuptue mirë, sa me kenë në gjendje edhe me e mbrojtë e me e ndriçue, jo, me të shame, por, me arsye. Veçse, kërko gjithëherë thelbin e pandrrueshëm të mësimit të krishtenë, tue e dallue mirë prej shtojcave e rrethanave që ndrrojnë. Mos u lavdro për Fé, pa e ditë se në çka përmbahët; mos shit madhështi për ndodhina të rastit dhe dukje të jashtme, të cilat kjenë apo nuk kjenë, Fénë nuk e ndrrojnë, (bie fjala, një funksion, një proçesion, një predk i shkelqyeshëm). Të jeshë i drejtë! Mos i moho të metat ose fajet e sakta që kanë mujtun me u ba edhe prej të krishtenve, edhe prej përsonave të hjerarkisë kishtare (edhe të krishtenve Krijuesi u ka lanë lirinë e vullnetit e, mundën me gabue por, ndërsa Féja mbetët Ajo që asht). Prandej, as ndër besime të tjera mos me kërkue me mohue çka gjenë të mirë e të drejtë. Kurrë, nuk do t’ju ngarkosh atyne faje që nuk i kanë! Gjithashtu, nuk asht aspak burrëni me prekë pa nevojë: Ndër besime fetare, disa varrë (plagë) delikate; e, në rast nevoje (si, p.sh. kur jemi të detyruem me mbrojtë një të drejtë  të  cenueme),  kjo  punë  duhët  ba  me  Fisnikri  të krishtenë, pa pezmatue, pa fye dhe, me prova të sigurta.
  1. Nuk tregon se kemi zêll apostullimi kur shajmë e qestisim Fénë e të tjerëve. Me siguri askush nuk ka të drejtë me të ndalue që, tu dishrojsh të tjerëve një të mirë, që ti vetë e gëzon. Por, me përbuzje e qestisje, nuk mundesh kurrfarë dobije me i sjellë Fése sate, madje, e damton, tue i krijue anmiq, për shkak të  një  shfrimi  të  pasionit  tand  personal.  Çfardo  urdhni (detyrimi) në besim, jo vetëm me anë të forcës, por edhe me anë të shtërngimit moral, asht në kundërshtim të flaktë me shpirtin katolik. Shkruen i famëshmi Imz. G. Bonomelli: “E di mirë se ndër disa kohna, ndër disa vende, prej anës së disa  jerëzve, u përdor disa herë forca, për me i detyrue të tjerët me ndie e me pranue mësimin katolik, si, edhe disa herë iu diktue Féja e Pagëzimi. Por, mos të përzijmë veprën e keqndritun të disa privatve, me até të Kishës Katolike! Kjo, nuk ka shtërngue kurrë, asnjënjeri të vetëm me rrokun Fénë, o me ia pranue mësimin.” (Ministeri cristiani, II, 82.). Kisha kërkon vetëm të drejtën me shpallë lirisht e pa pengime mësimet e Ungjillit e, me theksue detyrën e ndërgjegjës me rrokë Fénë e Krishtit.
  2. Nuk tregon sé duem me i dalë zot Fésë sonë, kur me shpagim kërkojmë me u hakmarrë. Fjala e urdhnit për të krishtenin asht vétëm fjala e Krishtit: “Duani armiqtë tuej!” (Math. 5, 44.) dhe, ajo e Shën Palit: “Munde të keqën me të mirë!” (Rom. 12, 21.) Kur e kërkon ndërgjegja dhe detyra, së drejtës duhët me i dalë zot deri në vdekje, me çdo flijë: Porse, a nuk janë bash ata që rrijnë me pushkë në faqe, për me i dalë zot Fésë, të cilët, mandej, janë ma të parët që e turpnojnë me vepra e, ndoshta edhe me të shame, Zotin, Krishtin, Fénë!?..

 

VËLLAZEN ME TË GJITHË!

 

Kësodore kemi me provue me fakte, se, asht e mundun bashkëjetesa ma paqësore e, ma e frytëshme, me besime të tjera: Pa kenë nevoja me e mënjanue Fénë tonë, madje, ma shumë, tue e ndjékë besnikrisht.

 

Marrë nga revista “Kumbona e së Diellës” Viti 1942, nr. 6, fq. 69-70.

 

Bashkvuejtësit tregojnë…

 

I riu Agim Musta, bashkvuejtës i Padër Mëshkallës, shkruen: “Padër Mëshkalla ishte kthyer në një mësues shpirtëror i të gjithë bashvuajtësve të çdo Feje. Atë e respektonin të rinjtë, pleqtë dhe e adhuronin të gjithë për forcën e Tij shpirtërore”.

Ndersa, zotni Leka Toto, shkruen: “Ai të tëra gjërat që kishte, i ndante me të burgosurit e varfër, pa bërë asnjë dallim.

Ai i ndante ato, siç do t’i ndante vetë Jezusi”.

Në kujtimet e Tij zotni Riza Kuçi, shkruen: “Në vitin 1972 ra një epidemi e rendë gripi në kampin e Ballshit. Në një moment, tek shtrati ku lëngoja unë, u afrua Pader Mëshkalla dhe më dha një gotë çajë të ngrohtë, të përgatitur nga Ai vetë. Mund të merret me mend se çfarë emocionesh shkaktoi në përsonin tim vëprimi njerëzor i Padër Mëshkallës…”.

 

Melbourne, 9 Prill 2021.

 

 

 

Pjesa XVI

 

BAMIRËSIA… ISHTE HIJA E TIJ.

Më tregonte një mik…

 

Në një mbramje vonë, natën e Shën Tomës, Pader Mëshkalla, bashkë me një shok të vetin, mbërrijnë tek një derë e vogël ku banonte Tom Leci. Toma aso kohe ishte i paralizuem dhe jetonte me nanën e vet plakë, e cila me shpirt ndër dhambë mbërrijti me e pritë këte djalë derisa doli prej burgut. Porsa hapi derën, Pader Meshkalla pau Tomën, që me njenën dorë që mund ta lëvizte, po fërkonte drrasat me tel, ndërsa nana i mbushte ujë dhe i shpërlante ato. Prej derës, Pader Meshkalla menjëherë, me zâ pak të naltë, i tha: “Mjaft, Tomë, mos vazhdo, ndërsa, ti nanë ulu aty!”. Nana u ul në një karrigë aty afër, ndërsa në tjetren urdhnoi me u ulë Toma. Ai vetë u ul tek një stol i vogël dhe hoqi këpucët, çveshi çorapët, shpërvjeli pantallonat, mori telin dhe ia dha shokut të vet që ishte ma i ri në moshë, ndërsa Ai vetë, e mori rragun dhe me té fshinte drrasat që lanin, mbasi thithte ujin delte në krye të sokakut dhe shtrydhte rragun… Aty nga mesnata  shtëpia e Tomës ishte e gatëshme me pritë vizitat e ditës së emnit…

Ky, pra, ishte Pader Mëshkalla ndër shtëpijat e të sëmurëve!…

Mund t’ ju duket e pabesueshme…

***

Më ka tregue një grue, që një ditë ndodhi tek dera e oborrit e shtëpisë së saj në Gjuhadol perballë shtëpisë së Prelejve. Ishte tue kalue rrugës Dava, një murgeshë që ka shkue ndër dyert e të gjitha hetuesive, burgjeve dhe kampëve të shfarosjes së komunizmit, mbasi ndër të gjitha e gjithnjë kishte priftën. Ajo lypte ndihma nga të vorfnit për me ushqye të uritunit… Në kthesë të rrugës ajo takon Pader Mëshkallën dhe i tregon se mbas pak ditësh donte me shkue në një kamp pune, mbasi kishte grumbullue paksa të holla e ndonjë plaçkë… Pader Mëshkalla, menjëherë, i thotë Davës me e pritë një minut aty dhe drejtohet nga plaka që ishte në derë të oborrit… Ajo habitet për një çast, kur Ky hyn mbas kapakut të derës që nuk hapej, i jep asaj xhaketën me ia mbajtë, çveshë një xhup që kishte të veshun dhe mbi këmishë veshë xhaketën, e ashtu në atë natë të ftohtë vjeshte del e drejtohet nga Dava, tue i thanë: “Sa mirë që të takova para se me ikë ti atje, na këte xhup e nepja X, se ai nuk ka shka me veshë e po afrohet dimni!…”.

Dava e mori xhupin dhe e dergoi në kampin e punës…

Bamirësia ishte hija e Tij… që nuk Ju nda për asnjë çast, ashtu si vorfnia… një lëkurë e vërtetë e Tija, që lindi me Té e nuk iu çvesh kurrë, asnjëherë, deri ditën që Ai i la të gjitha!..

Vetem ata që e kanë njoftë afer mund të besojnë veprat e Tij. Pader Mëshkalla, me vedi mori vetëm një brilant…Shpirtin!

 

E PAPRITUNA PREJ MEJE…

 

Një ditë, kur po bisedonim e ishim zhytë në një diskutim plot pasion, e kjo gja asht krejt e kuptueshme prej vetë mënyrës si fliste e natyrës tërheqëse të Pader Mëshkallës, kur papritë, Ai ndërpreu bisedën, shikoi orën dhe më tha: “Duhet me më falë, mbasi më duhet me shkue në shtëpi…”. Unë mendova për ndonjë çeshtje ore të caktueme të shërbesave fetare që kryente

.., por, jo! Ai më tregoi se do të ndiqte në radio turneun çiklistik të Francës (Le tour de France)… Unë u qesha, por edhe e vështrova me habi.., po, jo! Ai ma përforcoi mendimin që kishte tue me shpjegue se, gjithmonë e kishte ndjekë me radio tue e shoqnue me hartë rrugën çiklistike.

Në kohën e rinisë së Tij, në Austri, ishte marrë edhe Ai vetë me këte sport aq të dashtun për Té…

E them të drejtën, për mue kjo ishte dishka e papritun!…

Ai Padër Mëshkalla, Ai, Meshtari i Madh!..,ishte edhe sportist! Ma vonë me kanë tregue se si luente futboll në oborrin e jezuitëve me nxanësit e vet. Nuk pritonte në çdo kohë me arbitrue ndeshjet e studentëve. Fushat sportive për jezuitët kanë kenë gjithmonë terrene grumbullimi për edukimin fizik e moral të rinisë. Ai oborr edhe sot ruen kujtime…

Ata punonin për një rini të dijtun dhe të shëndetëshme.

Shenim nga F.Radovani: Besoj se ishstudentët e asaj shkollë e kujtojnë me nderim dhe respekt, Yllin e futbollit Shqiptar të Ndjemin Loro Boriçi, një nga ma të shkelqyeshmit Qytetar të Shkodres… E sa, ishin si Ai ?!

Melbourne, 15 Prill 2021.

 

Pjesa XVII

 

Instituti i Naltë Pedagogjik

Shkodër, 29 Prill 1967, ora 17.00.

 

Ditë  e  paharrueshme  në  historinë  e  qytetit  të  Rozafës së thinjun. Ashtu ndodhi, si kishte parashikue Padër Mëshkalla. Atë ditë u organizue një mbledhje e organizatës së Frontit të Lagjës “Tre Heronjë”, në Institutin Pedagogjik Shkoder, për “demaskimin”  e  veprimtarisë  fetare  të  klerikut  At  Pjetër Mëshkalla. Kishte tri a katër ditë që binte në sy një grup rojesh, që silleshin rreth shtëpisë së Tij. Mbasdite Ai doli nga shtëpia rreth orës 16.45’, me mbërrijtë në mbledhje në orën e caktueme qysh në mëngjez. Dy civilë të Sigurimit e pyesin: “Në mbledhje je nisur?” dhe, Ai i përgjegjet –“Po!”-. Bashkë me disa të tjerë Ai hyni në Institut, ku përgjithësisht të gjithë ishin me ftesa. Në sallë nuk hyhej lirisht, aty zakonisht hynin të zgjedhunit dhe të porositunit që gjithnjë do të flisnin dhe nuk mungonin duertrokitësit e njohun ndër këto mbledhje.

Në fund, kur meshtarëve iu venin hekrat për “krimët” e bame, nuk mungonte edhe ndonjë servil që do t’i pështynte klerikët për veprën e Tyne fisnike. e këta  jerëz të dalluem me gisht në Shkodër, nuk kanë mungue që nga viti 1944. Hymja e Pader Mëshkallës në sallë u kuptue nga heshtja që ra aty,  po  edhe  nga  ata  që  ishin  jashtë  në  rrugë,  mbasi  në altoparlant u dëgjuen fjalët: “Qetësi, shokë.., qetësi”. Foli drejtuesi formal i asaj mbledhje Luigj Shala, sigurisht, i zgjedhun nga Partia, dhe mbas tij vazhduen diskutantët e përzgjedhun në të gjithë Shkodrën, me lexue diskutimet e fyemjet e pregatituna prej disa nga mendjet e “ndrituna” të pseudointelektualëve, që punonin me ditë të tana për këto mbledhje. Mbledhja drejtohej nga një presidium i përbamë nga Luigji, Vat Deda, Arif Gashi dhe Palok Kraja, që mbajti edhe referatin e hymjes. Filluen mbas tij diskutimet e zjarrta kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe Pader Mëshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu Jup Kastrati. Ky ishte i porsazgjedhuni nga partia“Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet. Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi, i cili u mundue me i shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por Pader Mëshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti këtu!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën Shefik Osmani. Aty u “duartrokitën” edhe diskutimet e Dedë Kullës, Prenda Dodës, Lazër Sekuj, Mandica Jovani  etj. Nga salla u ndigjue zani i Vasil Kafesë e i Xhemal Dinit, që pyeti At Mëshkallën: “Ti i ke shkrue Kryeministrit për Inkuizicionin, çka ke dashtë me thanë?” – Pader Mëshkalla me qetësinë e Tij, ju përgjegj: “Shif fjalorin se ka shumë kuptime, ti merr cilin të duesh!”… Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kolë Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanë pranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue atij diskutimin nga Halit Isufi (që atëherë ishte drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues Pader Mëshkallën e nuk mund të flas kundër Tij, sepse nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër  mësuesit  tem”. Për të dy Xhemal Dini, sekretar  i Komitetit të Partisë, ka njoftue në Degën e Mbrendshme, “Me pasë në kujdes qendrimin e tyre…”. Xhemal Dini mbajti edhe një referat ato ditë me temë: “Puna e organizatave bazë të Partisë  kundër  paragjykimeve  fetare,  si  aspekt  i  luftës  së klasave” (Referat i përmbledhur i shokut Xhemal Dini, në gazetën “Jeta e Re”, me 9 gusht 1967), ku shkruen: “Duke përfituar nga dobësitë e punës politike, ideologjike të disa organizatave të partisë, disa klerikë u përpoqën të ngrenë besimtarët kundër zhvillimit të kësaj lëvizjeje me përmbajtje të thellë revolucionare. Kështu p.sh. Dom Mark Hasi e Dom Pjetër Mëshkalla hodhën parulla kundër Partisë e Pushtetit tonë…”. (Pa fjalën Dom, nuk i dukej prift Pader Mëshkalla “shokut” Xhemal!!). Për me vertetue akuzën në këto mbledhje u jepej fjala edhe klerikëve, që nesër me thanë: “E dëgjuet se çfarë tha kundër Pushtetit? Ne nuk arrëstojmë njeri pa fakte…

Kryetari i dha të drejtën e fjalës edhe Pader Meshkallës. Ai doli para auditorit e porsa iu afrue podit të konferencierit, ra një heshtje kur At Meshkalla tha këto fjalë: “Ah, sa mirë që po më jepet rasa me folë një herë para popullit me altoparlanta!Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qellimi em ka kenë gjithmonë i mirë.., me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!.. Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një ZOT, jemi të një gjaku, sepse, jemi të gjithë Shqiptarë… Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’ju durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e një ditë ka me ju hangër kryet… Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni… Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse, të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës… Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij…

Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi…

Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX. Njerëzit i dijnë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri feje e ndërgjegje… Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e pa Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit –  Skënderbeut,  Mbrojtësit  të  Krishtënimit!  Vetëm  këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit”!

Nga vendët e para u çue xhelati i  Sigurimit Xhevdet Miloti dhe i vuni prangat. Para se të hynte Pader Mëshkalla në gjips të Sigurimit, krimineli e shtyni me shqelm…

 

Melbourne, 27 Prill 2021.

 

 

Pjesa e XVIII

 

Padër Pjetër Mëshkalla (Dosja 4191|1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998)

Hetimet fillojnë me 30 prill 1967, ora 08.00. Oficeri pyetës asht Llambi  Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrestimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit. Hetimet u banë në disa seanca gjatë muejt qershor, me dt. 10, 15, 20, 24, 26.

Pyetjet fillojnë nga materiali i mbledhjës së zhvillueme në Institut. Aty përsëriten thanjet e Pader Mëshkallës, të interpretueme si vepra kundër Partisë dhe Shtetit, gja të cilën Pader Meshkalla nuk e pranon, mbasi: “Kur një përson i drejtohet Kryeministrit për probleme të cilat i shpreh ashtu si i mendon ai, dhe ia shfaqë atij, ai nuk kryen asnjë faj dhe krim kundër Partisë as Shtetit, mbasi me iu drejtue Kryeministrit nuk asht aspak agjitacion, as propagandë”. Rreth letrës që Pader Mëshkalla i ka shkrue Kryeministrit, hetuesi mundohet me u largue si çashtje, por kot, se Mëshkalla  qëndron në mendimet  e shfaquna  aty. Përsa  i përket veprimeve të Shtetit në drejtim të Fesë, ata për Pader Meshkallën janë të papranueshme, janë shkelje e të drejtave të njeriut, për të cilat vetë Qeveria Shqiptare asht angazhue se do t’i ruejë të paprekuna. Madje, kundërshtimët e Tij ndaj veprimeve antikushtetuese të Shtetit, Ai pranon se i ka vue në dukje që në vitin 1945, në takimin që ka ba në një shtëpi në Tiranë me vetë Mehmet Shehun. Gjithashtu  pranon se i ka shkrue një letër edhe Enver Hoxhës, për shkeljen e të drejtave të katolikëve që në atë kohë, bashkë me At Frano Kirin, simbas vullnetit Imzot Frano Gjinit, që kryente detyrën e Delegatit Apostolik të Vatikanit në Shqipni.

Hetuesi ngulë kambë se Padër Mëshkalla nuk asht riabilitue për kohën që ka vuajtë 15 vjet në burg herën e parë, dhe se ka përhapë mendime që shumica e popullit nuk i mbështetë veprimet e Pushtetit. Njëkohësisht kërkon të mbjellë tek rinia mendime që janë kundër vijës së Partisë. Përsa i përket “Revolucionit Kultural”, që po zhvillojnë masat e gjëra të popullit, Meshkalla e krahason me Inkuizicionin. Për me vërtetue se Mëshkalla ka propagandue kundër Pushtetit, hetuesi ka përgatitë edhe një ballafaqim me spijunin Dedë Martin Kulla, me datën 28 qershor. Por Pader Mëshkalla nuk pranon asnjë nga shpifjet që i ban Deda. Edhe pse hetuesit ndrrohen, metoda hetimit mbetët e njejta. Nuk ka njerëz shpifës që guxojnë me shkelë drrasat e hetuesisë për me i dalë përballë Padër Mëshkallës, këte e tregon dosja. Të vetmin njeri që Pader Mëshkalla, tregon se i ka diftue ai vetë për letrën që i ka shkrue Mehmet Shehut, asht kushrini i tij Luigj Mëshkalla, i cili, atypëraty, i ka thanë: “Po, a ke luejtë mendsh?”, dhe Pader Mëshkalla tregon si i asht përgjegjë: “Ka dy a tri vjet që mendoj me ia shkrue këte letër, por e gjeta kohën tashti…”.

Përmbajtjën e letrës deklaron se nuk ia ka tregue as Luigjit, ndërsa njerzë të tjerë nuk xehen në gojë, gja e cila vërteton se parashikimi i  Pader Mëshkallës, që hetuesia mos me u interesue për të gjitha qoshet e skutat Shkodrës ku Ai kishte ba vizita e shërbime fetare, u realizue.

Mbas datës 28 qershor dosja ka vetëm shkresën përcjellëse për gjykatën me po atë datë të nënshkrueme nga prokurori Faik Minarolli, që i rekomandon gjykatës ndaj të pandehurit nenin 73/I-rë për dënim. Në dosjen përcjellëse janë futë edhe disa nga fletët e proçes-verbaleve të hetuesisë së parë, të bame në vitin 1946-47, ku nënvizohen nga thanjet e Pader Mëshkallës: “Pushtetin e kam luftue në të gjitha predikimët e mija… Pushtetin në Shqipni nuk duhet ta marrin komunistat, mbasi nuk do të na ndihmojnë shtetet e Europës… Mbas çlirimit e rihapa rrethin e “Shën Pjetrit”, se m’u lutën të rinjtë dhe unë e pashë të nevojshme, mbasi kishin fillue me u implikue me komunista…”. Prokurori i përmbledhë të gjitha me një fjali dhe shënon: “I pandehuri ka vazhduar të vëprojë gjithënjë kundër Pushtetit Popullor…”.

Kisha e Motrave Stigmatine (klubi i rinisë) në 1967 ishte kthye në sallë gjyqi për klerikët, që çdo javë po mbushnin birucat e Sigurimit. Pritej vendosja e ndonjë parulle me karakter ateist në faqatën e saj dhe nuk vononte zhvillimi i gjyqeve, ku edhe këtu pjesmarrja zakonisht bahej me ftesa. Vihej ndonjë altoparlant jashtë nga oborri i shkollës dhe aty kishe mundësi per me dëgjue pjesët që nuk ndërpriteshin nga zhurmat e duertrokitjeve ose “difekteve” teknike të transmetimit, që nuk ishin të pakta kur përgjegjët nuk iu shkonin për shtat gjykatësve.

19 korrik 1967. Ditë e nxehtë si ditët e tjera të gjysës së dytë të korrikut në Shkodër, që me gojën e popullit thirrëshin “djegagurë”, pra me plasë edhe guri nga nxehtësia. Bie në sy zharitja e lulishtave dhe e parqeve të qytetit. Njerëzit qarkullojnë shumë pak në rrugët e çveshuna nga pemët. Secili kalimtar kërkon një skutë me hije sa me futë kokën. Asfaltet e shkrime nga dielli përvlues dukën sikur janë shtrue në atë çast. Ndër rrugë shihën vetëm nevojtarët, që kanë të domosdoshme daljën në këte pisk vape. Aty – këtu sheh ndonjë të njohun në dyqan apo kafe, por tjetër kund nuk shihet asnjëri. Të gjithë mundohen me evitue takimet.

Kjo ditë asht gjetë që aty nga ora 14.00, në pishën e zhegut, një xhips i Sigurimit të Shtetit me u ndalue para Gjykatës së Rrethit (tek shtëpia e Dr. Kadukut), dhe në mes të një grupi policësh të mbërthyem me armë në dorë, rrethohet një Burrë, që shihet me vështirësi i lidhun duersh me hekra, imcak, i shkurtë, me ecje të shpejtë e hapa të vegjël, i kapun për krahësh nga këta bisha të çapërdisuna si zakonisht edhe pse gjahu asht i lidhun në pranga, dhe gati pa i takue kambët për trotuarin e rrugës, e fusin në godinën trekatëshe të Gjykatës, shkapesin derën me forcë dhe.., vetëm ndihen shulat e mbrendshëm që ndalojnë hymjen e cilitdo kalimtar. Këte herë gjyqi nuk u zhvillue tek Kisha!…

Nga një proçes-verbal rreth dy faqësh, i mbajtun po atë ditë, me 19 korrik, në orën 14.00, shënohet: “Mbas hetimëve të bëra ndaj armikut të popullit Padër Pjetër Mëshkalla, Gjykata e Rrethit të Shkodrës e përberë nga: Kryetar: Muhamet Tyli, anëtarë: Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror  Kostaq  Shandro  dhe  kryesekretari  Ibrahim  Stankaj,  me  vëndimin nr. 44, dënoi të pandehurin Pjetër Mëshkalla me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie dhe me KONFISKIMIN E PASURISË (së tundëshme dhe të patundëshme)”. Ai u dënue me masën maksimale se edhe në gjyq deklaroi: -Se po të shprehin lirisht mendimët e tyne (njerëzit), ky Pushtet nuk ka për të zgjatë shumë.” (Marrë nga proçes-verbali i Gjykatës së Rrethit të Shkodrës). Duket se ajo copë letër nuk tregon asgja, por, jo!..

Njenit prej njerëzve ma të vorfën të Shkodrës i jepet vendimi i “konfiskimit të pasurisë”, e shka do t’i konfiskohej Pader Mëshkallës?

Në vitin 1988, pak ditë mbas vdekjës së Pader Mëshkallës, tek dera e shtëpisë seme me ndaloi fotografi Augustin Kiçi, i cili në botimin e parë nuk donte që të shkruaj emnin e tij dhe, më tha: “Do të tregoj një sekret, që nuk e di askush. Unë po ta diftoj ty mbasi kushedi si vjen puna… Një ditë, me 19 korrik 1967, aty nga ora 13.00, ka ardhë në shtëpinë teme një makinë e Sigurimit dhe një oficer më tha: -Merré aparatin fotografik me veti, futi një film mbrenda dhe eja me né se kemi një punë! Më çuen në gjykatë dhe mbasi më futën në sallë, më thanë: -Fotografoje këtë!.. Të them të drejtën, një herë m’u dridhën duert, po e mora vetin kur pashë që u çue para mikrofonit dhe para se me fillue me folë rregulloi koletin e këmishës, jakat e xhaketës, tërhoqi pak xhaketën e zhubulosun nga mbrapa, tue u mundue me u rregullue për mos me dalë i çkujdesun në fotografi. Ishte Pader Mëshkalla. Kryetari i gjyqit, Muhamet Tyli, i tha: – Fol, shka ke me thanë fjalën e fundit!.. Ra një heshtje…

Pader Mëshkalla iu afrue mikrofonit dhe tha këto fjalë: “JU MË DËNONI SA TË DONI, MBASI MUE NUK KENI SHKA MË BANI, UNË PRAP SE PRAP DO TË DAL, SEPSE JU SHPEJT KENI ME MBARUE, MBASI SHOSHOJNË KENI ME HANGËR, E ATY ASHT FUNDI JUEJ! FEJA E KRISHTIT NUK MBARON KURRË!”

Më tregonte Augustini se i kishte ba disa fotografi dhe në fund të gjyqit ia kishin marrë filmin, pra nuk kishte asnjë. Në sallë nuk kishte njerëz me përjashtim të radhëve të para ku ishin vetëm pak vetë prej aktorëve të teatrit “Migjeni”. Kam pyet disa prej “tyne” për me dijtë rreth zhvillimit të gjyqit, por të gjithë më kanë mohue praninë e vet aty.

I vetmi burim i gjyqeve të mbylluna mbeten “arkivat”!

 

  • Shënim nga F.R.: Lexoni me kujdes nder arkiva, mbasi keqkuptimi i tyne ndryshon të verteten e fakteve, e cila nuk persëritet kurrma.

Melbourne, 3 Maj 2021.

Please follow and like us: