Albspirit

Media/News/Publishing

Pëllumb Xhufi: Nga Thesprotia te Çamëria, faktet historike

 

Vendi dhe populli

 

 

Në kohët antike, Çamëria quhej Thesproti dhe banorët e saj thesprotë. Thesprotët ishin një nga 14 fiset epirote të përmendura në shek. IV p. e. r. nga Theopompi. Bashkë me kaonët e mollosët, ata përfaqësonin fiset më të mëdha e më të fuqishme të Epirit. Historianë të antikitetit, si Tuqididi, Straboni, Polibi e të tjerë, i dallojnë thesprotët bashkë me fiset e tjera epirote si fise “barbare”, d.m.th. jo-greke. Tuqididi konsideron si zonë tranzitore që ndante botën helene nga ajo “barbare” gjirin e Ambrakisë. Vendi i amfilokëve, në skajin jugor të Gjirit të Ambrakisë, përfaqësonte në kohën e tij një zonë kalimtare nga bota “barbare” në botën greke. Në fakt, Tuqididi flet si për amfilokë “barbarë”, ashtu edhe për amfilokë të tjerë të helenizuar. Të tillë ai konsideronte banorët e Argosit, të cilët tashmë flisnin gjuhën greke, që e kishin mësuar nga kolonët helenë të qytetit fqinj të Ambrakisë.  Gërmimet arkeologjike provojnë se kultura materiale e zbuluar në Epir në periudhën parahistorike dhe historike, lidhet qartësisht me një popullsi jo-greke (N. G. L. Hammond). Gjetjet arkeologjike të kryera në rrethet e Sarandës e të Gjirokastrës, në tumat (kodërvarret) e Dropullit të Sipërm, në Vodhinë, Bodrishtë, Kakavi, në Mashkullorë,  në kalanë e Ripësit e sidomos në qytetin e vjetër të Jermës flasin për një unitet kulturor të kësaj treve me trevat në veri të saj. Enët e baltës dhe në përgjithësi inventari arkeologjik i atyshëm ka ngjashmëri të madhe dhe i përket të njëjtës kulturë ilire si ajo e gjetur në Vajzë të Vlorës e në Mat (S. Islami, Dh. Budina). Nga ana e tyre, të dhënat gjuhësore, edhe pse të kufizuara, provojnë se fiset e Epirit të quajtura nga autorët antikë si “barbare”, i përkisnin etnosit ilir (J. E. Thunmann, F. Bopp, P. Kretschmer, E. Çabej). Kjo vlen me siguri për thesprotët, që banonin territoret e Çamërisë moderne (G. Ë. Leibniz, Th. Mommsen, G. Von Hahn).

Siç u theksua më sipër, Gjiri i Ambrakisë shënonte fundin e habitatit ilir dhe fillimin e “Greqisë”. Në shek. IV p. e. s., Pseudo-Skylaksi do të pohonte se “pas Molosisë vjen Ambrakia, qytet helen…Këndej fillon Hellada që vazhdon pa ndërprerje gjer tek lumi Peneus”. Po në shek. IV p. e. r., Efori i Cymos pohonte se “Akarnania shënon fillimin e Greqisë, pasi nga krahu i perëndimit është ajo që takon e para me fiset epirote”. Epirotët nuk morën pjesë në luftrat e grekëve me persianët në shek. V p.e.r. dhe asnjë prej fiseve të tyre nuk u ftua në takimin panhelenik të organizuar nga Perikliu, përveç qytetit të Ambrakisë, që ishte koloni greke. Megjithatë, nga Greqia e mirëfilltë (Graecia proprie dicta) dhe sidomos nga kolonitë helene, si Ambrakia, vihet re një ndikim i madh i kulturës helene, sidomos në elitat e shoqërisë epirote. Një burim i vonë i shek. I, Plutarku, flet për interesimin e madh të Tarypës, kreut të fisit të Molosëve në shek. IV p.e.r, për shkrimin, kulturën dhe ligjet greke.

Shekujt e fundit të epokës klasike, ata të antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme u karakterizuan edhe në Epir nga ngjarje dramatike, siç ishin pushtimi romak dhe dyndjet barbare. Megjithatë, bilanci etno-gjeografik që bënin autorët e shek. XII-XV nuk ndryshonte nga ai i autorëve antikë. Gjiri i Ambrakisë, në jug, dhe malësitë e Pindit në lindje ndanin, sipas tyre, botën greke nga bota ilire apo, siç quhet gjithnjë e më shpesh tani, bota shqiptare. Kështu, sipas historianit bizantin, Georgios Akropolites, “malet Pirine ndajnë Epirin e Vjetër e të Riun nga toka greke”. Me “malet Pirine” Akropoliti kupton pikërisht malet e Pindit. Rreth një shekull më vonë, historiani tjetër bizantin, Joan Kantakuzeni, flet për fiset e Malakasëve, Buave dhe Mazarakëve, që ai i quan qartazi si “shqiptare” (Albanoì). Këto fise ai i vendos në  malësitë jugore të Epirit dhe i karakterizon me fjalën “abasileutoi” (që nuk njohin autoritetin mbretëror). Interesant është, që historiani grek i antikitetit, Tuqididi, i kishte karakterizuar me të njëjtën fjalë “barbarët Kaonë e Thesprotë” (barbaroi dè Kaones abasileutoi… kai Thesprotoi abaseutoi). Një lidhje shumë interesante të historisë etnike të këtyre trevave në periudhën antike dhe në atë mesjetare e bën edhe një dokument bizantin i fillimit të shek. XV, i ashtuquajturi “Panegjirik i Manuel Paleologut”. Ky, pasi numuron emrat e fiseve ilire që e banonin Epirin në kohët antike (etolët, akarnanët, amfilokët, kasiopët, dolopët, ambrakiotët, atamanët, thesprotët, molosët e kaonët), shton se “edhe tani, i gjithë ai vend banohet nga shqiptarët, që janë farë ilire” (Albanoi illyrikon genos).

Në kohë të mesme, emri Thesproti u la në harresë, si shumë emra të tjerë të periudhës antike. Por edhe emri Çamëri do të shfaqet relativisht vonë, në periudhën e sundimit osman (shek. XVIII). Deri atëherë, kjo trevë jugore e Epirit antik, u thirr me emra ndryshëm. Ne njohim vetëm emra të përdorimit zyrtar, ndërkohë që emrat e përdorimit popullor nuk arrijnë të shfaqen në dokumentacionin e kohës. Duke filluar nga shek. VIII e deri në shek. XII, Thesprotia antike (Çamëria moderne) ishte pjesë e provincës bizantine, të quajtur Thema Nikopolis. Pas shek. XII e deri në shek. XV ajo u përfshi në kufijtë e Despotatit të Artës. Megjithatë, brenda themës së Nikopolit e Despotatit të Epirit, midis shek. VIII-XV, territoret e Çamërisë së sotme përmenden me një emër të vetin, Vagenetia. Në kuadrin e themës së Nikopolit, Vagnetia përbënte një nënndarje administrative të rangut të katepanikut ose kartularatit (catepanikium, chartularato de Vagenetia). Në kohën e Despotatit të Artës, pas vitit 1204, Vagnetia u ngrit në rangun e një theme, dhe drejtohej nga një dukë. Emri Vageneti mbijetoi deri në shek. XV. Por qysh nga fundi shek. XIV, nga Venecianët, zotër të Korfuzit, territoret e Vagenetisë përballë quheshin shpesh me emrin e papërcaktuar terra ferma (kontinent). Në ndonjë rast të rrallë, autoritetet veneciane të Korfuzit e quajnë Vagenetinë me emrin që përdornin banorët grekë të Korfuzit, “stere” (viti 1414: super ipsam stariam per oppositum dicte nostre insule Corphoy). Më 1395, udhëtari venecian Nicolao Martoni e përdor fjalën terra ferma për viset në fjalë, por duke sqaruar se ato përfshiheshin në kufijtë e Shqipërisë (terra firma, que est Albania). Edhe më vonë, më 1436, një dokument venecian e quan Vagenetinë “provincë e Shqipërisë përballë Korfuzit” (provinciam Albanie oppositam Corfoy). Një portulane greke e shek. XVI e quan Shqipëri (Arbania) edhe pjesën e kontinentit etolo-akarnan, në jug të Gjirit të Artës, deri në derdhjen e lumit Akeloos, pranë Gjirit të Patrasit. Por, edhe duke pranuar se Etolo-Akarnania ishte një territor ku nuk mungonin ngulime shqiptare të mbishtresuara në kohë të ndryshme, shtrirja e termit “Albania” deri në dalje të Gjirit të Patrasit, nuk duket të jetë aq shumë rezultat i një “shtrirjeje etnike”, se sa i një shtrirjeje politike përtej Epirit historik nga ana e sundimtarëve shqiptarë Shpata, në shek. XIV-XV.

Pas shek. XIV, përveçse me emrin “kontinent” (terra ferma) apo me emrin gjithpërfshirës “Albania”, Çamëria përfshihej ndonjëherë nga të huajt edhe nën emrin arkaizant “Epir”. Por ky emër, të shumtën e herës nënkuptonte krejt Shqipërinë, dhe jo vetëm Epirin historik. Në 1579, Carlier de Pinon shkruante se “Arbëria në kohët e vjetra thirrej Epir” (Albanie, qu’anciennement l’on nommoit Epyrus). Pak më vonë, kartografi hollandez, J. Laurenberg, do të sqaronte: Epirus hodie in vulgo Albania (Epiri, sot në gjuhën popullore thirret Arbëri). Po ashtu, në 1578 Zuan Contarini, Proveditor e Kapiten i Korfuzit, shkruante se Korfuzi nga e djathta kufizonte me krahinën e Otrantos, kurse nga e majta me Shqipërinë (e dalla sinistra con l’Albania). Nga shek. XVII e deri në shek. XIX, tek të huajt Çamëria shfaqet edhe me emrin specifik “Shqipëri e Poshtme” (Loëer Albania, Basse Albanie, Bassa Albania, Kato Allvania). “Shqipëri e Poshtme” e quan Çamërinë edhe autori shqiptar i shek. XVII, Pjetër Bogdani, nga Shqipëria e Veriut, dhe po ashtu arbëreshi i Italisë, Gavril Dara (shek. XIX). Në mënyrë sporadike ky emër vazhdon të përdoret deri në vitet e para të shek. XX. Por, qysh prej shek. XVIII, në gjuhën popullore dhe dora-dorës edhe në atë të kultivuar, për këtë trevë jugore të Epirit historik kishte filluar të mbizotëronte përdorimi i emrit Çamëri (Ciamurià, Chamouri, Tschamuria).

Deri në shek. XIII, burimet e pakta historike nuk japin përcaktimin etnik të banorëve të Shqipërisë e Poshtme. Dijmë që metropoliti i Naupaktit në fillim të shek. XIII, Joan Apokauku, quhej “ilir” në një letër që i dërgonte Georg Bardhani (Bardanes), prelat epirot e mik i tij. Në vitin 1210, në marrëveshjen e despotit të Artës, Mihal I Engjëll me dogjin e Venedikut, Pietro Zian, bëhet fjalë për një bashkëpunim të tyre kundër korfiotëve dhe shqiptarëve (Albanenses). Paskëtaj, shqiptarët përmenden gjithnjë e më shpesh si banorë të Vagenetisë e të gjithë Epirit. Këtë e bëjnë në mënyrë konstante dokumentat veneciane të shek. XIV-XVIII dhe po ashtu burimet spanjolle, napoletane, franceze e papale. Shqiptarët janë protagonistë të historisë së kësaj treve edhe në veprën historike të Joan Kantakuzenit (shek. XIV) dhe në kronikat e vona bizantine, “Kronika e Janinës” dhe “Kronika e Tocco-ve”, që të dyja të fillimit të shek. XV. “Kronika e Tocco-ve”, kur përshkruan udhëtimin e Carlo Tocco-s më 1411 nga brigjet e Pargës deri në Janinë nëpërmjet Mazarakut e Paramithisë, thotë se në të gjithë këtë itinerar atij iu desh të përshkojë “vendet shqiptare” (ta Allvana). Gjithashtu, sipas së njëjtës kronikë, për të shkuar me ushtri nga Janina kundër Jakup Shpatës, në Artë, Carlo Tocco “çau mes përmes vendeve shqiptare” (eskise ta Allvana na kateve eis ten Artan).

Në 28 gusht 1553, bajliu e proveditor i përgjithshëm Donato Malipiero e quan gjithë brezin bregdetar përballë Korfuzit, nga Porto Palermo në Fanar (Akeront) me fjalët “riviera d’Albanesi” (riviera d’Albanesi…, che è da Palormo fin al Fanaro).

Historia

Antikiteti

Në kohën e Tarypës (shek. IVp.e.r), Molosët fituan një rol mbizotërues midis fiseve epirote. Më përpara këtë rol e kishin patur Kaonët. Tarypa futi në zotërim të tij edhe Dodonën, e cila deri atëherë i përkiste Thesprotëve. Në kohën e Alketës, djalit të Tarypës e sidomos të pasardhësit të tij, Aleksandrit, Thesprotët dhe gjithashtu Kaonët ranë përfundimisht nën pushtetin e Molosëve, duke i shtrirë zotërimet e tyre deri në bregdet. Në forcimin e dinastisë molose luajti rol edhe aleanca me Filipin II të Maqedonisë, aleancë e forcuar nga martesa e këtij të fundit me vajzën e Aleksandrit, Olympian. Por, kjo aleancë u kthye në një sovranitet të vërtetë të mbretërve të Maqedonisë mbi Epirin, sidomos pas ardhjes në fronin e Maqedonisë të mbretit Aleksandër i Madh, bir i Filipit II dhe i Olimpias. Megjithatë,  shtypja në vitin 317 p.e.r., e një lëvizjeje antimaqedone  e krerëve epirotë, e detyroi Aiakidin e Molosisë, bashkë me djalin e tij të mitur Pirron, të strehohej tek Glauku, prijësi i fisit të madh ilir të Taulantëve. U desh të kalonin disa vjet, deri sa më 296 p.e.r., Pirrua hypi në fronin nga i cili ishte privuar i jati i tij. Pasi e forcoi pushtetin e vet mbi fiset epirote, në vitin 280 p.e.r., Pirrua u hodh me ushtri në Itali, duke shfrytëzuar kërkesën për ndihmë që i drejtoi atij qyteti i Tarantos, atë kohë në konflikt me Romën. I përforcuar nga ndihma ushtarake dhe 20 elefantë dërguar nga Ptolemeu II Filadelfi, mbret i Egjyptit, Pirrua i theu romakët në betejën e Erakleas (280 p.e.r.). Me epirotët u bashkuan edhe popullsitë italike të Lukanëve, Brutëve, Mesapëve dhe disa qytete koloni greke të Italisë së Jugut (Magna Graecia), si Krotona e Lokri. Vitin tjetër Pirrua invadoi Apulinë dhe u ndesh për herë të dytë me ushtrinë romake në Asculum. Kësaj radhe fitorja ishte e rëndë edhe për vetë fitimtarin, Pirron e Epirit, i cili humbi aty pjesën më të mirë të ushtrisë.  Sipas Plutarkut, pas fitores së Asculit, Pirro deklaroi se “edhe një tjetër fitore si kjo dhe jemi të mbaruar”. Nga ky episod mori jetë edhe shprehja “fitore e Pirros”. Në vitin 278 p.e.r. Pirros iu drejtuan për ndihmë kolonitë greke të Sicilisë, të cilat atëherë kërkonin të çliroheshin nga sundimi i Kartagjenasve. Në të njëjtën kohë edhe Maqedonasit, të cilët kishin humbur mbretin e tyre Ptoleme Keraunos, i ofruan Pirros fronin e tyre. Por Pirrua preferoi të vazhdonte aventurën e tij në Itali dhe pasi kaloi ngushticën e Mesinës, u hodh në Sicili. Fillimisht ushtria e tij shënoi suksese kundër forcave të Kartagjenës, duke i zbrapsur ato drejt bregdetit. Por përpjekjet për pushtimin e kështjellës kartagjenase Lilybaeum nuk patën sukses për mungesë të një flote, të cilën Pirrua vendosi ta ndërtojë, duke ngarkuar me taksa e angari popullsinë vendase. Një gjë e tillë e armiqësoi atë me vendasit, gjë që u shfrytëzua nga Kartagjenasit për të filluar një ofensivë të tyre kundër ushtrive epirote.  Ndërkohë, në Italinë e Jugut, me përjashtim të Tarantos, romakët kishin ripushtuar të gjitha vendet e mara nga Pirua në fillimet e fushatës së tij. Në këto kushte, Pirrua vendosi të kthehej në kontinentin italian. Gjithmonë sipas Plutarkut, në çastin e largimit nga Sicilia, Pirrua iu drejtua komandantëve të tij me fjalët: “Tani, miqtë e mij, këtu tani e kanë radhën të ndeshen Kartagjenasit dhe Romakët”, duke paralajmëruar kështu shpërthimin e luftrave punike mes Romës e Kartagjenës. Ndërkohë, pozitat e romakëve në Italinë e Jugut ishin forcuar, dhe beteja e fundit e ushtrive të Pirros me ta, në Benevento  (275 p.e.r) nuk përfundoi me fitoren e asnjerit prej ndërluftuesve. Në këto kushte, Pirrua vendosi të lerë Italinë e të kthehej në atdhe. Megjithë humbjet e mëdha në njerëz dhe shpenzimet  e jashtzakonshme të fushatës italike, Pirrua theu në brigjet e Vjosës ushtrinë e mbretit maqedon Antigon II Gonata dhe mori njëherësh edhe fronin e Maqedonisë. Paskëtaj, në 272 p.e.r. ai tentoi pa sukses të pushtojë Peloponezin, por ndeshi në një rezistencë të ashpër në Spartë. Gjatë tërheqjes drejt veriut ai humbi edhe djalin e tij, Ptolemeun, dhe, siç rrëfen Plutarku, në luftimet e zhvilluara në rrugët e qytetit Argos, ai vetë u godit rastësisht nga një gur i hedhur nga një grua plakë dhe humbi ndjenjat. Një ushtar armik ia behu atë çast dhe i preu kokën mbretit të famshëm të Epirit.

Pas vdekjes së Pirros, pasardhësit e tij nuk qenë në gjendje të mbajnë lart lavdinë molose. Sistemi mbretëror u eliminua dhe i fundmi i dinastisë së Ajakidëve, Deidameia, përfundoi i vrarë nga një kryengritje popullore. Tashmë, u rrit roli i Kaonëve dhe i Thesprotëve dhe tre fiset më të shquara epirote u lidhën me styre me një sistem federativ. Qëndra e lidhjes epirote u zhvendos në Finiqin e Kaonëve. Në krye të lidhjes ishte një strateg, që kishte komandën supreme të forcave të lidhjes. Ai zgjidhej nga mbledhja e popullit (ekklesia ton Epeiroton), e cila vendoste gjithashtu për luftën dhe paqen dhe krijimin e aleancave të jashtme, përveçse vendoste për gjyqet politike. Megjithatë, lidhja epirote nuk  mundi të fitojë fuqi të madhe, ajo madje as nuk mundi të përfshijë të gjitha trevat e banuara nga fiset epirote. Në konfliktin e ri mes Romës dhe mbretit Perseus të Maqedonisë, lidhja epirote u bashkua me këtë të fundit. Por në betejën e njohur të Pydna-s (22 qershor 168 p.e.r.) aleatët pësuan një disfatë të rëndë nga konsulli romak, Paulus Aemilius, i cili u hakmorr duke shkatërruar 70 qytete epirote dhe duke skllavëruar 150 mijë burra. Paskëtaj, lidhja epirote pushoi së ekzistuari

 

ÇAMËRIA: Sundimtarët shqiptarë në Epir dhe despoti serb i Janinës

 

Mesjeta: nga thema e Nikopojës në despotatin e Artës

 

Përhapja e besimit të krishterë ishte, edhe në Epir, treguesi më domethënës i kalimit në një periudhë të re historike, në atë të Mesjetës. Zbulimet arkeologjike në Nikopolis, Euroia, Anchesmos, Butrint, që kanë nxjerrë në dritë rrënoja të kishave paleokristiane, baptisterë, afreske e mozaike me motive kristiane, janë dëshmi e prekshme e përhapjes së hershme të krishterimit në viset e Thesprotisë. Duke ndjekur shembullin e provincave të tjera të Perandorisë Romake, edhe në Epir qendra politike e administrative e tij, Nikopolis, u kthye njëherësh edhe në vatrën kryesore nga ku krishterimi u përhap në të gjitha ato treva. Burimet e shkruara provojnë, gjithashtu, ekzistencën e një organizimi të qëndrueshëm të administratës kishtare qysh në shekujt e parë të erës vulgare. Kështu, sipas Eusebios të Kaisareia-s, në  Koncilin e parë ekumenik të Nikaia-s, më 325, morën pjesë edhe drejtuesit e kishës epirote.  Prania e tyre dëshmohet edhe në koncilet pasuese. Në sinodin e Efesit të vitit 449, metropoliti i Nikopolit u shoqërua edhe nga peshkopët  e Euroias (Glyki), të Anchiasmos (Saranda) e të Adrianopolit (Gjirokastra). Në fund të shek. IV shënohet veprimtaria e peshkopit të Euroias, Donatit, i cili më vonë u shpall shënjtor. Prej tij, në kohën bizantine selia peshkopale e Photike-s, Paramithia e sotme, mori emrin Ajdonat (Shën Donat). Mitropoliti i Nikopolit, së bashku me peshkopët epirotë, sufraganë të tij, vareshin nga Vikari i Selanikut. Ky, zyrtarisht ishte nën juridiksionin e Papës së Romës. Por, në kushtet e rivalitetit të vazhdueshëm midis Romës e Konstantinopojës, ky shpesh herë qëllonte të bëhej vegël e Patrikut dhe e Perandorit të Lindjes. Nga ana e tyre, peshkopët e Epirit ishin vazhdimisht në konflikt me Vikarin e Selanikut, deri sa më 516, ata shpallën shkëputjen nga Selaniku dhe vendosjen e lidhjeve direkte me Papën. Tashmë, metropoliti i Nikopolit shugurohej drejpërdrejtë nga papa i Romës. Shembulli i klerit të Epirit u ndoq edhe nga peshkopë të tjerë të trevave ilire, si p.sh. nga peshkopët e Dardanisë. Vetëm në vitin 731, në kohën e “luftërave ikonoklaste”, Perandori Bizantin, Leoni III, i shkëputi nga Roma dhe i vuri nën varësi të Patrikut të Konstantinopojës të gjitha selitë peshkopale të Ilirikut, mes të cilave edhe ato të Epirit. Në atë kohë, në provincën e Epirit të Vjetër numëroheshin këto peshkopata: Nikopolis (metropoli), Adrianopolis, Euroia, Anchiasmos, Butrinti, Dodona.

 

 

Reforma administrative e perandorit romak Dioklecian (284-305) solli mes të tjerash krijimin e dy provincave, Epiri i Vjetër, me qendër në Nikopolis, dhe Epiri i Ri me qendër në Durrës. Kjo tregon se edhe në atë kohë, trevat e Epirit klasik, që shtriheshin nga Malet e Vetëtimës (Akrokeraune) deri në Gjirin e Ambrakisë, bashkë me viset në veri të tyre, ishin pjesë e së njëjtës plazmë etno-kulturore.  Sipas Hierokles, në fund të shek. V, Epiri i Vjetër, me kryeqendër Nikopolis, kishte 11 qytete: Dodona, Euroia, Adrianopolis, Appon, Phoinike, Anchiasmos, Buthrotos, Photike, Kerkyra e Itaka. Prej këtyre, Dodona, Euroia, Photike (=Ajdonati=Paramithia) dhe vetë Nikopolis ndodheshin në territorin e Thesprotisë. Në këtë kohë edhe viset e Epirit të Vjetër u prekën nga sulmet barbare. Nga 395 deri në 397 aty u dukën Visigotët. Në 467 në brigjet e Epirit kryen inkursione të shpejta shkatërrimtare Vandalët e  ardhur nga brigjet e Afrikës veriore. Këta u rishfaqën edhe në 474, kur pushtuan e plaçkitën përkohësisht vetë Nikopolin. Më 517 një hordhi kalorësish Getë (Getae equites) përshkoi  Maqedoninë e Thessalinë e u shty deri në Epirin e Vjetër, i cili u plaçkit prej tyre.  Më 551, një masë e madhe Ostrogotësh të ardhur me flotë nga Italia shkretoi edhe një herë brigjet e Epirit midis Anchiasmos (Sarandës) dhe Nikopolit (Prevezës).

Në vitin 548 shënohet inkursioni i parë i Sllavëve në Epirin e Ri. Por njoftimi i parë për një zbritje të Sllavëve në Epirin e Vjetër vjen nga Kronika e Monemvasisë, dhe i përket vitit 587. Sipas saj, turma të mëdha Avarësh të përzier me Sllavë e përshkruan Epirin e Vjetër dhe viset më në jug të tij. Nga letrat e Papës Gregori i Madh, të vitit 603 e 604, mësohet se ndonjë vit më parë peshkopi, kleri dhe banorë të qytetit Euroia u shpërngulën në qytetin Kassiopea, në veri të Korfuzit, duke sjellë aty edhe reliket e Shën Donatit, patronit të Euroias. Rreth vitit 615 njeri ndër grupimet më të mëdha sllave, ai i Vaiunitëve, u shpërngul nga rrethinat e Selanikut dhe u vendos në Epirin e Vjetër. Sipas ndonjë studiuesi, emri mesjetar i Thesprotisë antike (Çamërisë moderne), Vagenetia,  vjen pikërisht nga emri i sllavëve Vajonitë. Megjithatë, është konstatuar gjithashtu, se toponimet sllave në këtë pjesë të Epirit të Vjetër janë të përqendruara kryesisht në malësitë lindore, ndërsa fasha bregdetare, që përkonte me territoret e Vagenetisë, paraqet një numër të vogël sosh.

Periudha e dyndjeve barbare la gjurmë edhe në territoret e Epirit të Vjetër. Qytete e seli peshkopale, si Anchesmos, Phoinike (Finiq), Photike u rrënuan përfundimisht. Megjithatë, struktura demografike e urbane u ruajt në një masë të madhe edhe në këto treva. Këtë e provon edhe fakti, që peshkopët epirotë i gjejmë të marrin pjesë në koncilet ekumenike të viteve 680, 692, 787 e 869. Në koncilin e vitit 879, përmendet për herë të parë si pjesëmarrës peshkopi i Vagenetisë. Ky fakt le të dyshosh se përveç krahinës, emrin Vagenetia e mbante atë kohë edhe një qytet, ku duhet ta kishte selinë peshkopi në fjalë.

Aty nga mesi i shek. IX, autoriteti i Perandorisë Bizantine ishte rivendosur në viset e Epirit të Vjetër, të cilat u përfshinë në një njësi të re administrative, thema Nikopolis. Ky fakt, si dhe fakti tjetër që në koncilet e viteve 869 e 879 mori pjesë edhe peshkopi i Vagenetisë, provon se atë kohë në këtë krahinë vazhdonte të ushtrohej pushteti bizantin. Gjatë shek. IX-X perandorët bizantinë u munduan ta mbrojnë këtë provincë nga sulmet e arabëve të Sicilisë e më vonë edhe nga ato të mbretërisë bullgare. Megjithatë, në kohën e car Samuelit (987-1014), bullgarët arritën të përfshijnë në mbretërinë e tyre edhe territoret e themës Nikopolis, deri në Gjirin e Ambrakisë. Më 1014, pas disfatës vendimtare që car Samueli pësoi nga perandori bizantin, Bazilios II Bulgaroktonos, mbi këto territore u rivendos autoriteti bizantin. Por, tashmë, qendra politike dhe ajo kishtare e themës u shpërngul më në jug, në kështjellën Naupaktos (Lepanto), buzë Gjirit të Korintit.

Në vitet 1081-1085, krahina e Vagenetisë ashtu si mbarë territoret e themave Epir i Ri dhe Epir i Vjetër, u bë teatër i betejave midis ushtrive bizantine të Perandorit Aleks I Komnen, dhe ushtrive të mbretit norman Robert Guiskard, që synonte të shembte Perandorinë Bizantine e të ndërtonte një perandori të re universale, nën shembullin e Perandorisë Romake. Normanët arritën të pushtojnë në këtë krah ishullin e Korfuzit, portin e Vonicës, Butrintin, Artën dhe gjithë krahinën e Vagenetisë, nga ku iu drejtuan Janinës. Por vdekja e Robert Guiskardit më 1085, dhe intensifikimi i operacioneve luftarake bizantine, në tokë e në det, ku një rol të madh filloi të luajë flota e Venedikut, aleate e Bizantit, bënë që normanët të humbin terren e të tërhiqen nga bregdeti adriatiko-jonian. Më 1107 nën Boemundin, dhe më 1147 nën mbretin Roger II, normanët e Italisë së Jugut tentuan përsëri të hidhen në bregdetin bizantin e të pushtojnë kështjellat e atyshme, për të vazhduar më tej marshimin drejt zemrës së Perandorisë Bizantine, Konstantinopojës. Një invazion të fundit norman e tentoi në 1185 edhe mbreti Guljelmi II i Sicilisë. Kësaj radhe, fushatën e normanëve e nxiti një kryengritje fshatare që kishte shpërthyer në Vageneti. Sipas Eustathit të Selanikut, kryengritjen e drejtonte një fshatar nga ajo krahinë, i cili, nisur nga ngjashmëria fizike, pretendonte se ishte perandori i shfronësuar Aleksi II Komnen. I mbështetur nga një murg i ardhur nga Italia, pretendenti i fronit bizantin ngriti në këmbë popullsinë e provincës vagenete dhe kërkoi ndihmën e mbretit norman, Guljelm II i Sicilisë. Ky organizoi më 1185 një tjetër fushatë, që ishte e fundit e mbretërve normanë të Sicilisë. Rezultati përfundimtar i saj ishte pushtimi i ishujve të Korfuzit (që shumë shpejt kaloi përsëri në duart e bizantinëve), Qefalonisë, Zaçintit e Itakës si dhe i disa kështjellave në bregdetin epirot. Drejtimin e këtyre zotërimeve në ishujt e në bregdetin Jon, Guljelmi II ia besoi admiralit Margaritone, i cili u vetëquajt “mbret i Epirotëve” (rex Epirotarum).

Fushata e Mbretit Guljelm II në bregun lindor të Adriatikut ishte prelud i kolapsit të Perandorisë Bizantine, që erdhi me organizimin e Kryqëzatës IV (1204). Pas pushtimit të Kostandinopojës nga kryqtarët perëndimorë, territoret e Perandorisë u ndanë mes fitimtarëve, të cilët krijuan aty një mori principatash latine. Në të kundërtën, në trevat e Epirit vendosi sundimin një pinjoll i familjes bizantine të Ëngjëllorëve, Mihali I (1204-1215). Ëngjëllorët kishin trashëguar prona të mëdha sidomos në provincën e Vagenetisë. Brenda një kohe të shkurtër, Mihal Ëngjëlli i shtriu zotërimet e tij nga Naupakti (Lepanto), në jug, deri në afërsi të Durrësit, në veri. Këtu u krijua i ashtuquajturi “Despotat i Artës”, i vetmi formacion bizantin mes principatave latine që lindën në Ballkan pas pushtimit të Konstantinopojës nga kryqtarët. Brenda vitit 1215, despoti Mihal I Ëngjëlli pushtoi edhe qytetin e Durrësit dhe, përkohësisht edhe atë të Shkodrës, duke hyrë në konflikt njëherësh me Venedikun, me Principatën e Arbërit dhe me Mbretërinë e Serbisë. Mbështetja kryesore e Mihalit I Ëngjëllit u bënë feudalët, kleri dhe krerët lokalë. Metropoliti i Naupaktit, Joan Apokaukos, ishte ndër bashkëpunëtorët më të afërt të tij. Në letrat e një prelati tjetër të lartë, Georg Bardhanes, metropoliti cilësohet si “burrë ilir”. Pas Mihalit I Ëngjëlli, Despotati i Artës arriti kulmin e fuqisë me Teodorin I (1215-1230). Por shkëlqimi i Despotatit nuk zgjati shumë. Rimëkëmbja e Perandorisë Bizantine, fuqizimi i mbretërive bullgare e serbe dhe pushtimi i bregdetit lindor të Adriatikut nga Mbretëria e Sicilisë (1258), bënë që Despotati i Artës të kthehej në një faktor të dobët lokal. Për gati një shekull, despotët e Artës u luhatën mes aleancave dhe vasalitetit herë me Mbretërinë e Sicilisë dhe herë me Perandorinë Bizantine, deri sa më 1348 edhe Epiri ra nën sundimin e carit serb Stefan Dushani.

Sundimtarë shqiptarë në Epir

 

Pas vdekjes së Dushanit, më 1355, froni i Despotit të Artës u bë objekt konfliktesh midis pasardhësve të carit serb, trashëgimtarëve të Ëngjëllorëve bizantinë dhe feudalëve shqiptarë. Roli i këtyre të fundit në jetën politike të Despotatit të Artës ishte rritur qysh në vitet 1330, kur vetë Perandori bizantin, Joan Kantakuzeni, erdhi me ushtri në Epir për t’i shtruar ata. Tashmë, krerët shqiptarë nga familjet Shpata, Zenebishi, Losha, Klada, Mazaraku e Malakasi ishin kthyer në një faktor kryesor politik e ushtarak. Në vitin 1358 këta shpartalluan ushtrinë e pretendentit të fundit bizantin, Niqiforit II, në afërsi të Akelout (Artës). Niqifori, që me këtë rast kishte thirrur për ndihmë edhe turqit, mbeti i vrarë në betejë. Paskëtaj, Gjin Bua Shpata u bë zot i viseve të Etolo-Akarnanisë, me qendër Angelokastrën, kurse Pjetër Losha zuri territoret e Epirit të Vjetër, me qendër Artën. Pas vdekjes së Pjetër Loshës, në Artë u vendos Gjin Bua Shpata (1374). Tashmë pushteti i tij shtrihej nga Naupakti, në jug, e deri në rrjedhën e lumit Akeront, në veri. Dokumentet bizantine dhe ato latine i atribuojnë atij titullin “Despot” (Despotou tou Spata, dispota di Arta). Ndërkohë, zotërimet e tij quhen “Despotati i Shqiptarëve” (lu despotatu de li Albanesi). Nga ana tjetër, zotërimet e Shpatajve të Etolo-Akarnanisë me qendër në Angelokstër, iu lanë në qeverisje vëllait të Gjinit, Sguro Buas, të cilin një dokument i vitit 1382 e quan “zot të Angelokastrës e të Shqipërisë” (Sguros Buda Spada dominus Angelicastro et Albanie). Sguro Bua kontrollonte të gjithë territorin deri në Naupakt, ku kishte lënë dhëndrin e tij, spanjollin Marquesan de Flor. Një tjetër dhëndër i tij, veneciani Francesco Foscari mori si pajë kështjellën tjetër të Dragamestit (1386).

Në verën e vitit 1378, Mjeshtri i Madh i Urdhërit të Hospitalierëve të Rodit, Huan Fernandez de Heredia zbarkoi me ushtri në Vonicë, në bregun jugor të Gjirit të Artës dhe prej andej iu drejtua kështjellës strategjike të Naupaktit. Heredia ishte dërguar nga Papa Grigori XI dhe Mbretëresha Xhiovana e Napolit, të cilët tentuan atë kohë, të fuqizonin pozitat e Anzhuinëve të Napolit dhe të kishës katolike në Ballkanin perëndimor. Pasi mori Naupaktin, Heredia marshoi drejt Artës, kryeqendrës së despotatit shqiptar të Gjin Bua Shpatës. Sipas “Kronikës së Janinës”, në betejën e zhvilluar nën muret e Artës, shqiptarët shpartalluan ushtrinë e Joanitëve. Vetë komandanti zulmëmadh, Heredia u zu rob nga sundimtari shqiptar, i cili ua shiti atë Turqve kundrejt një shpërblimi të majmë. Fitorja mbi Heredinë e lançonte Gjin Bua Shpatën në politikën e madhe evropiane. Paskëtaj, Republika e Venedikut, Komuna e Firences dhe vetë Perandoria Bizantine do tregojnë interes e do lidhin marrëdhënie me prijsin shqiptar. Ndërkohë, Gjin Bua Shpata guxoi të sulmojë zotërimet e afërta nën sovranitetin e Mbretërisë së Napolit, qytetin e Vodicës dhe ishujt e afërt të Qefalonisë, Zakynthit, Itakës e Leukadës, që qeveriseshin nga familja italiane Tocco. Vite më vonë, konflikti i Shpatajve me Tocco-t e Qefalonisë për zotërimin e Epirit e të Etolo-Akarnanisë u bë pjesë kryesore e historisë së këtyre trevave.

Sipas Kronikës së Janinës (shek. XV), në betejën e Artës morën pjesë edhe krerë të tjerë shqiptarë. Edhe pse këta nuk përmenden me emër, mes tyre duhet llogaritur edhesebastokratori Gjon Zenebishi, që ishte edhe dhëndër i Gjin Bua Shpatës. Atë kohë Zenebishi e kishte shtrirë sundimin e tij nga Gjirokastra në drejtim të Vagenetisë. Familja Zenebishi, ashtu si familja Shpata, shfaqet për herë të parë në një dokument anzhuin të vitit 1304, bashkë me disa familje të tjera fisnike shqiptare, aleate të Anzhuinëve të Napolit. Gjon Zenebishi kishte krijuar lidhje të ngushta me faktorët kryesorë që vepronin në këtë areal. Ai vetë ishte martuar me të bijën e  Gjin Bua Shpatës, kurse një vajzë e tij, Maria, ishte martuar me fisnikun e njohur nga Korfuzi, Peroto de Altavilla, pinjoll i dinastisë së vjetër normane Altavilla nga Italia e Jugut. Pikërisht në Pargë, në 13 shkurt 1418, autoritetet veneciane të Korfuzit, emëruan si kështjellar të atij vendi Rikardo d’Altavillan, djalë i Maria Zenebishit dhe i Peroto d’Altavilla-s. Deri në Pargë e kishte shtrirë pushtetin e tij, qysh në vitin 1394, Sebastokratori Gjon Zenebishi, që ishte gjyshi nga e ëma i kështjellarit të Pargës, Rikardo d’Altavilla.

Ndërkohë, sundimi i Stefan Dushanit kishte lënë një gjurmë të fundit në Janinë, ku vazhdonte të sundonte despoti serb, Thoma Preljuboviç. Herë të bashkuar e herë veç e veç, krerët shqiptarë, Gjin Bua Shpata, Gjon Zenebishi, Pjetër Losha, Gjin Frati tentuan të marrin Janinën me luftë. Një përpjekje e tillë u krye më 1377, por në atë rast sulmuesit, që ishin nga fisi i malakasëve, u thyen dhe kreu i tyre, Gjin Frati u zu rob. Malakasasit e sulmuan me forca më të mëdha kështjellën në shkurt të vitit 1379. Kësaj radhe, sulmuesit ishin kordinuar mirë edhe me banorë të Janinës, mes të cilëve shumë shqiptarë, të cilët ngritën krye kundër despotit serb dhe arritën të pushtojnë pjesën e sipërme të kështjellës. Por, edhe kjo përpjekje dështoi dhe Thoma Preljubiviçi u hakmorr në mënyrë mizore mbi kundërshtarin. Kronika e Janinës thotë, se për shkak të mizorive të kryera mbi shqiptarët, despotit serb të Janinës iu vu nga bashkëkohasit nofka “Thoma shqiptarovrasësi” (albanitoktonos). Në muajin maj të atij viti ishte radha e Gjin Bua Shpatës për të sulmuar Janinën, por edhe ky nuk mundi veç të shkatërrojë arat dhe vreshtat jashtë mureve të qytetit. Edhe kësaj here Thoma Preljuboviçi e shprazi zemërimin e tij mbi banorët shqiptarë të Janinës. Pasi urdhëroi që një numuri të madh të tyre t’u priteshin gjymtyrët e t’u nxirreshin sytë, Thomai i nisi ata si një dhuratë e kobshme  në kampin e Gjin Bua Shpatës, i cili u detyrua të hiqte rrethimin. Nga ai moment, kundër shqiptarëve despoti serb kërkoi mbështetjen e turqve osmanë. Në vitin 1380 këta u shfaqën në për herë të parë në Epir dhe u ndeshën me forcat e Zenebishit e të Mazarakëve në Poliçan të Pogonit. Ndërsa shqiptarët luftonin me turqit, Thoma Preljuboviçi përfitoi të zgjerojë zotërimet e tij tej mureve të Janinës. Nën sundimin e tij kaluan kështjellat e Vursinës, Velçishtës, Arahovicës dhe vetë qyteti i Paramithisë (Ajdonati). Dy vjet më vonë, më 1382, turqit erdhën përsëri dhe u shtynë thellë në zotërimet e Gjon Zenebishit, ku pushtuan kështjellën e Zhulatit. Nuk ishin ditë të mira për krerët shqiptarë, dhe me ndërmjetësinë e një prej dhëndurrve të tij, Markezanit, Gjin Bua Shpata lidhi paqe me Thoma Preljuboviçin. Paqja u vulos me martesën e Gjin Bua Shpatës me motrën e despotit serb. Thomai premtoi si pajë të motrës Helenë vendet e Velas, Dropullit, Vagenetinë (Çamërinë) dhe vendet e Malakasëve. Por më 1383 shpërthyen përsëri armiqësitë mes Preljuboviçit dhe Shpatës, i cili pretendonte t’i jepeshin vendet e mësipërme, që Thomai refuzonte t’ia dorëzonte. Më 1385, komandanti turk, Timurtashi, sulmoi Gjin Bua Shpatën në kryeqendrën e tij, në Artë. Sulmuesit nuk mundën ta pushtojnë qytetin, por shkatërruan gjithë territorin rreth tij dhe gjatë tërheqjes morën shumë robër. Kësaj radhe, prijsi shqiptar u përpoq ta tërheqë despotin Thoma në një aleancë kundër turqve, gjë që ky e refuzoi. Por, natën e 23 dhjetorit 1385 tirani serb ra viktimë e një komploti pallati, ku ishin përfshirë rojet e tij personale. Tani u duk se qyteti do të binte shpejt në duart e Gjin Bua Shpatës, por e veja e Thomait dhe paria bizantino-serbe e Janinës thirrën nga Qefalonia fisnikun italian, Esau Buondelmonti Acciaiuoli. Ky mishëronte pretendimet napoletane mbi Despotatin e dikurshëm të Artës. Martesa e Esaut me të venë e Thoma Preljuboviçit legjitimoi përfundimisht pushtetin e tij despotal.

 

ÇAMËRIA: Rënia nën sundimin osman dhe islamizimi

 

Ndryshe nga paraardhësi i tij famëkeq, despoti Esau u përpoq të vendoste marrëdhënie të mira me shqiptarët e qytetit të Janinës dhe me shqiptarët e tjerë të rrethinave. Por konfliktet me despotin Shpata nuk u shuan, dhe këtyre iu shtuan edhe ato me sundimtarin tjetër shqiptar, Gjon Zenebishin, i cili po shtrinte sundimin e tij në Vageneti, duke i mbyllur despotit të Janinës daljen në det. Në vjeshtë 1386, Gjon Zenebishi mori Sajadhën, të njohur për kriporet e saj. Në fortesë ndodhej një garnizon me ushtarë venecianë, që u zunë rob dhe që Zenebishi ua shiti turqve. Ky fakt krijoi një konflikt të ashpër me Republikën e Venedikut, që pikërisht atë vit kishte shtënë në dorë Korfuzin dhe që  pretendonte se edhe vija bregdetare e Vagenetisë ishte nën jurisdiksionin e Korfuzit. Fuqizimi i Zenebishit shqetësoi edhe Esau Buondelmontin e Janinës, i cili nuk pa rrugëdalje tjetër përveç asaj të bashkëpunimit me turqit. Më 1386 ai ishte tashmë vasal i Sulltanit dhe me ndihmë të Turqve, më 1387 mundi t’i rrëmbejë Gjon Zenebishit Sajadhën me kriporet e saj. Për të siguruar mbrojtjen e tyre, Esau fortifikoi fortesën e braktisur të Kastrisë. Por Zenebishi e mori përsëri Sajadhën, kur më 1389 despoti Esau u gjend përsëri i rrethuar në Janinë nga forcat e Gjin Bua Shpatës. Ndihmat e ardhura nga qeveritari serb i Thesalisë, Joasaf, dhe sidomos nga turqit, e çliruan edhe një herë tjetër Janinën nga dara e rrethimit të Shpatës. Konflikti pafund mes dy rivalëve duket se u zbut më 1396, kur, pas vdekjes së gruas së parë, serbes Maria Angelina, despoti Esau vendosi të martohet me vajzën e Gjin Bua Shpatës, Irenën. Burimet historike lëvdojnë bukurinë dhe virtytet e gruas së re të zotit të Janinës. Por, nëse kjo martesë qetësoi marrëdhëniet e tij të trazuara me sundimtarin tashmë plak të Artës, mbetej i hapur konflikti tjetër i ashpër me sundimtarin tjetër të Epirit shqiptar, Gjon Zenebishin. Të dielën përpara Pashkëve, më 5 prill 1399, Esau vendosi t’i japë një goditje përfundimtare Zenebishit. Pasi mblodhi ushtarë nga të gjitha viset nën pushtetin e tij, ku bënin pjesë edhe shumë shqiptarë nga Malakasi, Mazareku, Papingji, Zagori i Madh e Dropulli,  Esau mori drejtimin drejt veriut dhe u ndal në Dhivër, afër Mesopotamit. Por këtu ai u sulmua papritur nga forcat e Gjon Zenebishit. Ushtria e tij u shpartallua keqas, ndërsa vetë despot Esau u zu rob nga fitimtari shqiptar.

Disfata e Esaut dhe zënia rob e tij prej Gjon Zenebishit u bë një çështje e rendit të ditës në kanceleritë e dy anëve të Adriatikut. Një përfaqësi e Firences, ndërmori një udhëtim për në Venedik, dhe prej andej në Korfuz e më tej në Gjirokastër, për të realizuar lirimin e despotit të Janinës, pinjollit të një prej familjeve më fisnike të Firences. Në favor të lirimit të despotit Esau ndërhyri edhe Senati i Venedikut, i cili i bashkangjiti delegacionit nga Firencja edhe një ambasadorin e vet, bartës të një letre të atij Senati për Gjon Zenebishin. Për të njëjtën çështje, Komuna e Firences i dërgoi atë kohë një letër edhe sundimtarit tjetër shqiptar të Epirit, “princit të ndritur, zotit Shpata, despot i Romanisë” (illustri principi et domino domino Spatae, despoto Romaniae). Komuna e Firences, që e kishte Esaun qytetarin e vet, shpresonte shumë tek roli i Gjin Bua Shpatës në zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke qenë se ai ishte njëherësh vjehrr i Esaut dhe i Gjon Zenebishit (quum utriusque socer sitis, vestrum sit generos inter se componere). Më në fund, Esau Acciaiuoli u la i lirë të largohej nga burgu i Gjirokastrës, kundrejt pagesës së 10 mijë dukateve ari.

Viti 1399 solli zhdukjen nga skena të një protagonisti të historisë së Epirit në gjysmë-shekullin e fundit. Gjin Bua Shpata vdiq dhe vendin e tij e zuri i vëllai, Sguro Bua, që deri atë kohë kishte qeverisur territoret Shpatajve në Etolo-Akarnani, me qendër në Angelokastron. Por nuk kaluan vetëm pak muaj dhe  një personazh, përndryshe i panjohur, që kronikat e kohës e quajnë Bokoi, sulmoi Artën dhe e pushtoi atë. Kronika e Janinës e identifikon Bokoin me një term hibrid, serboshqiptarobullgarovllahu, tregues ky i simbiozës etnike që ekzistonte në malësitë në lindje të Epirit nga ku vinte ky personazh enigmatik. Brenda vitit 1400, Bokoi mori Pargën dhe Fanarin. Paskëtaj, Sguro Bua u tërhoq në Naupakt, nga ku vazhdoi të qeveriste zotërimet e tij të Etolo-Akarnanisë. Megjithatë, vetëm pas një viti, nipi i tij, Muriq Shpata u hakmorr mbi Bokoin, duke ua kthyer Artën Shpatajve dhe duke vrarë uzurpatorin. Nga ana e vet, Venediku përfitoi për të ripushtuar Pargën e Fanarin, ku vendosi garnizonet e veta.

Ndërkohë, Gjon Zenebishi, vazhdonte të mbante pjesën më të madhe të Shqipërisë së Poshtme, me Gjirokastrën, Delvinën e Vagenetinë. Por, nga momenti që më 1386 Republika e Venedikut mori Korfuzin, deri atëherë zotërim napoletan, brigjet e Vagenetisë hynë në planet e saj të pushtimit. Atë vit, nipi i Zenebishit, Riccardo de Altavilla, baron Korfiot e kështjellar i Butrintit, ia dorëzoi kështjellën Venecianëve. Po më 1386 venecianët morën në dorëzim Sajadhën. Por vetëm pas ndonjë viti, Sajadha u mor në befasi nga despoti i Janinës, Esau Buondelmonti. Për një moment u duk se midis Zenebishit e Venedikut u krijua një aleancë kundër Esaut. Më 1394 Gjon Zenebishi bashkë me kontin Lanza, një tjetër sundimtar në Shqipërinë e Poshtme, i ndihmuan venecianët për të ndërtuar mure e forcoma në vendin e Ksamilit, duke dërguar aty mjeshtra muratorë e lëndë të parë. Fortifikimi i Ksamilit ishte një nyje e rëndësishme për të ndalur zbritjen e turqve drejt Butrintit. Por marrëdhëniet me Venedikun e me qeveritarët venecianë të Korfuzit ndryshuan pas vitit 1399, kur Zenebishi shpartalloi dhe zuri rob despotin italian të Janinës. Qeveritari venecian i Korfuzit e shfrytëzoi disfatën e despotit të Janinës dhe, pas ndonjë viti, zhdukjen nga skena e uzurpatorit Bokoi, për të shtënë në dorë qytetin e Pargës, kështjellën Vilichi dhe skelën e Fanarit, në derdhje të lumit Akeront (1401). Në përgjigje, Gjon Zenebishi sulmoi dhe pushtoi Sajadhën dhe kriporet e saj, duke zënë rob ushtarët venecianë që i ruanin, të cilët ua shiti turqve. Zoti shqiptar vuri menjëherë në punë kriporet e Sajadhës, ku, siç thonë burimet,“prodhohej kripë me shumicë e me pak shpenzime”. Çështja e Sajadhës i rëndoi marrëdhëniet mes Venedikut dhe sundimtarit të Shqipërisë së Poshtme. Zenebishi pretendonte se Sajadhën e kishte trashëgim nga të parët e tij. Në 7 korrik 1401, Senati i Venedikut i drejtohej Gjonit, të cilin me atë rast e quan “sundimtar në Shqipëri” (Jonius Genebesi, dominus in Albania), duke pretenduar se Sajadha ishte veneciane, pasi ai vend i përkiste jurisdiksionit të Korfuzit, dhe nga momenti që Korfuzi u bë venecian, edhe Sajadha me kriporet e saj duhet t’i kalonte Republikës së Shën Markut.  Nga këndvështrimi i Venedikut, kriporet e Sajadhës konkuronin fort kriporet e Korfuzit duke dëmtuar interesat veneciane.  Për këtë arsye, qeveritari venecian i Korfuzit u urdhërua të shtinte në dorë, me të mirë apo me të keq, kullën e Sajadhës, të quajtur Bastia, sepse “ai që zotëronte kullën, zotëronte edhe kriporet” (quia habendo turrim, habebuntur saline). Në përgjigjen e vet, Zenebishi u bënte të qartë venecianëve se çështja e Sajadhës ishte për të çështje lufte a paqe. Prandaj u kërkonte venecianëve “ta linin të qetë të prodhonte kripë në ato kripore, pasi kripa ishte buka e tij” (quod ipse possit habere panem suum quetum scilicet dictas salinas, et facere salem). Në këto kushte, venecianët vendosën ta sulmojnë ushtarakisht Sajadhën, gjë që e bënë në fillim të vjeshtës së vitit 1401. Pushtimi i saj i kushtoi humbje të shumta Republikës, e cila paskëtaj e rrafshoi për tokë kullën (Bastian) dhe i rrënoi përfundimisht kriporet e Sajadhës.

 

Shpartallimi i turqve osmanë prej mongolëve në betejën e Ankarasë, më 1402, ndikoi si kudo që edhe në Shqipërinë e Poshtme për një farë kohe të ruhej statu quo-ja.  Megjithse dinamik e i vendosur, pasardhësi i Gjin Bua Shpatës, nipi i tij Muriqi Shpata, nuk mundi të ruajë zotërimet e trashëguara nga gjyshi. Tani atij i duhej të luftonte në katër fronte, kundër despotit të Janinës, kundër Carlo Tocco-s së Qefalonisë, kundër Turqve e kundër Venecianëve, ndërkohë që marrëdhëniet e tij me Shpatajt e tjerë, përfshirë edhe Sguro Buan, nuk ishin ndër më të mirat. Më 1403, Sguro Bua vdiq pasi kishte humbur shumë nga kështjellat e tij, që i kaluan zotit të Qefalonisë, Carlo Tocco-s. Djali i tij, Pal Shpata, humbi kështjellën e  Angelokastrës që Carlo Tocco e mori me miratimin e Venedikut (1407). Po bëhej gati t’u dorëzonte turqve edhe Naupaktin, por Venediku, nxitoi t’ia blejë atë me të holla sundimtarit shqiptar.

Ndërkohë, në Janinë, despoti Esau i Janinës, pasi kishte ndarë më 1402 gruan e tij, Irena Shpatën, vajzë e Gjin Bua Shpatës, lidhi kurorë me një tjetër princeshë shqiptare, Eudokia Balshën, vajzë e Gjergj Balshës së Shkodrës. Kur despoti Esau vdiq, më 1411, banorët shqiptarë të fshatrave përreth dhe ata të qytetit, u ngritën të kërkonin ardhjen e një qeveritari shqiptar. Muriqi Shpata dhe Gjon Zenebishi mbërritën përpara mureve të Janinës në përpjekje të merrnin më në fund qytetin e shumëdëshiruar. Por paria serbo-bizantino-italiane e Janinës, nga frika se Eudokia mund t’ia dorëzonte Janinën sundimtarëve shqiptarë, ia ofruan qytetin kontit Carlo Tocco të Qefalonisë. Nën presionin e tyre Eudokia u largua dhe për pak kohë u strehua tek Gjon Zenebishi, përpara se të kthehej bashkë me fëmijët në veri të Shqipërisë. Carlo Tocco hyri në Janinë në 1 prill 1411 dhe menjëherë përgatiti luftën kundër zotërve shqiptarë të Artës e të Gjirokastrës. Ashtu si paraardhësit e tij, edhe Carlo Tocco u mbështet kryesisht në forcën ushtarake të krerëve shqiptarë të pakënaqur, që kishin braktisur Shpatajt e Zenebishin. Nga ana e tij, Gjon Zenebishi, që tashmë ishte autoriteti kryesor mes zotërve shqiptarë të Shqipërisë së Poshtme, u kërkoi ndihmë atyre. Shpatajt, Muzakajt dhe sundimtarë të tjerë, aleatë e kushërinj të Zenebishit i dërguan atij forca ushtarake. Kur në fillim të vitit 1411 Carlo Tocco u nis me ushtri kundër zotit të Gjirokastrës e Vagenetisë, ky e priti i në luginën e Kranesë. Ushtria e Carlo Tocco-s u shpartallua keqas nga ushtria e Gjon Zenebishit dhe pothuaj gjithë komandantët e saj ranë në duart e shqiptarëve.

Pas disfatës së Kranesë, Tocco-s nuk i mbeti veçse të lidhej me turqit dhe të shpresonte të përfitonte nga grindjet mes vetë krerëve shqiptarë. Duke konsideruar si hallkë të dobët Muriqi Shpatën, ai ushtroi presion mbi Artën, duke e sulmuar atë si nga veriu (Janina), ashtu edhe nga ishujt e Jonit dhe nga Vonica, zotërimi i tij në Gjirin e Artës. Gjatë viteve 1412-1414 Carlo Tocco pushtoi një sërë pozicionesh përreth Artës. Siç u theksua më sipër, më 1407 ai i mori Pal Shpatës kështjellën e Angelokastrës, qendrën historike të Shpatajve të jugut. Po atë vit, Venediku bleu prej Pal Shpatës kështjellën strategjike të Naupaktit. Shpatajve u mbetej vetëm Arta, qendra e dikurshme e despotit Gjin Bua Shpata. Më 1414 vdiq Muriqi Shpata, dhe vendin e tij në Artë e zuri i vëllai, Jakubi, që ndërkohë ishte konvertuar në islam. Ky u përpoq të zgjerojë territorin përreth Artës, duke ripushtuar fortesat e humbura nga i vëllai. Por, në një përpjekje për të rimarrë fortesën e Vomblianas, më 1 tetor 1414, Jakubi mbeti i vrarë. Carlo Tocco e pushtoi më në fund edhe Artën duke ribashkuar nën skeptrin e vet pothuaj gjithë territoret e despotatit të dikurshëm të Artës. Në këtë mënyrë mori fund zotërimi i Shpatajve në Epir e në Etolo-Akarnani. Pamundësia e Gjin Bua Shpatës dhe e pasardhësve të tij për të marrë Janinën rezultoi fatale për fatet e këtij zotërimi.

Ndërkohë ishte zgjidhur edhe konflikti i gjatë midis Republikës së Venedikut dhe zotit të Vagenetisë, Gjon Zenebishit, për çështjen e Sajadhës. Në 1413 Sajadha qeverisej nga një kapiten venecian, i emëruar nga bajliu i Korfuzit. Nga ana e tyre, osmanët rifilluan të ushtrojnë presion mbi zotërimet e Zenebishit në Vageneti, shpesh herë të mbështetur nga despoti Carlo Tocco i Janinës. Në korrik 1414 sebastokratori Gjon Zenebishi i kërkoi Senatit venecian të mund të rekrutonte 30 balistarë venecianë për të mbrojtur kështjellat e veta nga turqit. Po atë vit, Zenebishi kërkoi të blejë disa prona në Korfuz me qëllim që të vendosej aty me familjen, në rast se turqit do pushtonin zotërimet e tij. Në tetor 1418, pas një rrethimi që zgjati disa muaj, i biri i Gjonit, Simoni, ia dorëzoi Gjirokastrën komandantit osman, Hamza Beut, dhëndër i Carlo Tocco-s së Janinës. Një muaj më parë, Gjon Zenebishi, që ishte strehuar në pronën e tij në Korfuz, u pranua qytetar venecian nga Senati. Pas vdekjes së Carlo Tocco-s, më 1430 edhe Janina iu dorëzua pa luftë një ushtrie osmane, të komanduar nga Sinan Pasha.

Më 1431 osmanët krijuan “sanxhakun shqiptar” me qendër Gjirokastrën, që përfshinte territoret nga Kruja, në veri, deri në rrjedhën e lumit Kalamas, në jug. Regjistri përkatës i hartuar atë vit, shënonte feudet (timaret) si dhe shumën e të ardhurave që nxirrej nga çdonjeri prej tyre. Sanxhaku ndahej në vilajete dhe në njësi më të vogla administrative, nahije. Edhe pse ishte regjistruar vetëm një pjesë e vogël e saj, Vagenetia (Çamëria) emërtohet aty si vilajet, njëlloj si vilajeti i Gjirokastrës, Kaninës, Këlcyrës etj. Ky regjistrim i parë shënoi vendosjen e sundimit osman në Shqipëri dhe shfronësimin e klasës feudale vendase. Ai shkaktoi një valë kryengritjesh, më e madhja e të cilave ishte ajo e Gjergj Arianitit, më 1433. Vatra e saj ishte në malësinë e Kurveleshit, ku ushtria e sanxhakbeut Ali Bej Evrenozi u shpartallua keqas. Pas dy vjetësh në viset e Gjirokastrës shpërtheu një tjetër kryengritje. Për ta drejtuar atë erdhi nga Korfuzi Depë Zenebishi, i biri i Gjon Zenebishit. Kryengritësit rrethuan kryeqendrën e sanxhakut, por një ushtri e drejtuar nga qeveritari i Thesalisë, Turhan Pasha, i zuri kryengritësit në befasi duke bërë kërdinë mbi ta. Vetë Depa u zu rob dhe u ekzekutua nga turqit. Mbeturinat e kryengritësve u tërhoqën drejt jugut, dhe nëpërmjet Çamërisë u hodhën me varka në Korfuz. Lidhur me ta, midis autoriteteve veneciane të Korfuzit dhe qeveritarit osman të Çamërisë,vojvodës Isak, lindi një konflikt, që zgjati disa vjet. Më 1436, qeveritari turk vazhdonte të kërkonte kthimin e të ikurve nga Çamëria (Vagenetia), të cilët ishin të nevojshëm “për ta populluar atë provincë të shkretuar dhe për të vënë në kulturë tokat e braktisura” (redirent in destructam provinciam ad habitandum et laborandum).

Në fakt, edhe pse pushtimi osman solli një depresion ekonomik e demografik, pas disa vjetësh Çamëria duket se e kishte marrë veten. Mbi të gjitha dëshmohet një rritje e madhe e prodhimit të grurit, i cili në ato kohë luftrash kërkohej shumë. Ishulli i Korfuzit i plotësonte nevojat e tij në drithra me importet që mbërrinin tërësisht nga stereja shqiptare (terra ferma dalla quale si riceve l’intiero alimento). Autoritetet veneciane të Korfuzit përpiqeshin të tërhiqnin të gjitha eksportet në ishull, nëpërmjet kontratave të shitjes që nënshkruanin çdo vit me qeveritarët osmanë të Çamërisë. Një pjesë e tyre përcillej për në Venedik. Por në vitin 1444 autoritetet veneciane ankoheshin se në  skelat e Igumenicës, Pargës, Nistës, Vilikit, Fanarit ishin dukur anije të mëdha të huaja, të cilat transportonin ngarkesa me grurë drejt destinacioneve të tjera. Veçanërisht aktivë dhe konkurrues po tregoheshin në ato anë tregtarët e Raguzës, të cilët e blinin grurin nga prodhuesit shqiptarë me dy aspra më shumë se korfiotët. Për ta frenuar këtë trafik, Senati i Venedikut urdhëroi që çdo anije e huaj me kapacitet mbi 70 stare e ngarkuar me grurë në limanet e Çamërisë, duhej të kthehej domosdoshmërisht në Korfuz për t’u pajisur me licencë. Përndryshe, ngarkesa do konsiderohej kontrabandë dhe do të sekuestrohej.

Ndonëse larg vatrës së ngjarjeve, Çamëria nuk mbeti pa u ndikuar nga kryengritja e madhe shqiptare e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe qëndresa e tij antiosmane. Në vitin 1454, një pinjoll i Zenebishëve, Simon Zenebishi u arratis nga oborri i Sulltanit dhe u vendos në fortesën e Strobilit, afër Sajadhës, prej nga ku vendosi lidhje me Mbretin e Napolit, Alfonsin V. Në 26 gusht 1455, mbreti Alfons V iu drejtua me një letër “burrit të shkëlqyer Simon Zenebishi, zot i Strobilit në Arbëri, besnikut tonë të dashur” (Magnifico viro Simoni Gimbixi, domino castri Villari in Albania, fideli nostro dilecto). Prej saj mësohet se pak kohë më parë, djali i Simonit kishte shkuar te mbreti, dhe në praninë e tij ishte pagëzuar në kishë me emrin Alfons (vostro figlio, messer Alfonso Gimbixi, lo quale mediante divina gracia havemo facto baptizare). Kuptohet, që Simon Zenebishi dhe i biri, Alfonsi, kishin kaluar në islam gjatë kohës që jetonin në oborrin e Sulltanit. Një vit më vonë, në 26 qershor 1456, mbreti Alfons i Napolit i shkruante Skënderbeut, duke i rekomanduar atij Simon Zenebishin, i cili, bashkë me gjithë vasalët e tij, “ishte i gatshëm t’i shërbente Zotit dhe mbretit” (haber per recommandato lo magnifico Simoni Gimbisi e soy vassalli, ha servicio de dio e ad nuy multo caro). Letrën e përcolli tek Skënderbeu fra Johan Clevere, këshilltar i Alfonsit V, i cili u ndal edhe në Strobil, ku bisedoi me Simon Zenebishin. Po atë vit, Simon Zenebishi kërkoi ndihma nga Mbreti Alfons i Napolit, si dhe nga Papa Kalisti III. Ky i fundit, në përgjigjen e tij të 5 dhjetorit 1456, e inkurajonte zotin shqiptar në qëndresën e tij kundër turqve. Por në të njëjtën kohë e njoftonte atë, se e kishte të pamundur t’i dërgonte ndihma, për shkak të shpenzimeve të shumta që Kisha bënte për të mbajtur ushtritë në frontin hungarez dhe flotën në Mesdhe. Megjithatë, Papa siguronte se u kishte shkruar sovranëve të Evropës për ta ndihmuar Zenebishin.

 

  1. d) Periudha osmane

Përpjekjet e Simon Zenebishit e të djalit të tij, Alfonsit, ishin të fundit që u bënë në funksion të ringritjes së zotërimit të dikurshëm të familjes. Vdekja e Skënderbeut dhe rënia e kështjellave të Krujës e të Shkodrës, përcaktoi përfundimisht edhe fatin e principatave jugore shqiptare. Me rënien e tyre, Republika e Venedikut u gjend nën goditjen direkte të osmanëve, të cilët kërkuan të pushtojnë edhe zotërimet e saj në bregdetin shqiptar të Jonit. Kështu, në 1454 e 1455 turqit sulmuan Pargën, Butrintin, Strovilin e Riniasën. Falë bashkëpunimit me popullsinë e këtyre vendeve, venecianët mundën t’i mbajnë këto zotërime, madje më 1463 u shtuan atyre edhe Himarën, Sopotin (Borshin), Arillën e Agian.

Ashtu si në gjithë trevat e tjera shqiptare, pushtimi osman shkaktoi edhe në Çamëri valë emigracioni drejt Greqisë, ishujve të Jonit e drejt Italisë, që prekën shtresat e larta të shoqërisë por edhe masat e thjeshta. Megjithatë, regjistrimet e para osmane të shek. XV-XVI dëshmojnë për mbijetesën e qyteteve dhe të vendbanimeve rurale në atë krahinë. Defteri i Delvinës dhe ai i Janinës i vitit 1583 provojnë karakterin shqiptar të Çamërisë e të zonave të tjera në lindje të saj, në sanxhakun e Janinës. Në fakt, pjesa dërrmuese e emrave të regjistruar aty i përket antroponimisë tipike shqiptare: Gjin, Mark, Martin, Dedë, Gjokë, Pal, Belush, Kurtes, Nikë, Gjon, Laskë, Kondo, Muzhak, Dimo, Kuka, Gegë, Buban, Lekë, etj. etj. Por, të dhënat provojnë se shqiptarët mbanin gjithashtu edhe emra të fondit të krishterë, më së shumti ortodoks, të ngjashëm me grekët e vllehët. Kështu, në një dokument të 10 qershorit 1562 të hartuar në Korfuz përmenden disa banorë të ikur nga fshatra të Çamërisë e të strehuar në atë ishull, të cilët cilësohen që të gjithë si “shqiptarë”. Kështu, nga fshati Vrohonà përmenden Georg Bufi, Reci Greveniti, Jessera Parlo, Llazar Grevenioti, Andalica. Nga Leftehori: Nik Gjokomuni, Jani Kurteshi. Nga Senica: Stelio Petribunxa, Dimo Kondi, Jan Tusha, Stamat Jani, Gumë Bosi, Jorgo Armuri, Mizzi. Nga Shëngjoni i Ri: Jani Kakoj, i biri i Serbishit. Nga Dobra: Peleshi, Paliari, Kurteshi Sanga. Nga Agià: Jan Dima, Jani Janaka. Nga Glloboçari: Pal Lupari. NgaKuçi: Niko Dima, Stamati Qesari, Pal Serbisha.

Pas mposhtjes së qëndresës shqiptare, nga fundi i shek. XV, pushtuesit osmanë bënë një organizim të ri të territoreve të jugut. Në kuadër të tij, një rol kryesor fitonte sanxhaku i Vlorës, jurisdiksioni i të cilit përfshinte gjithë Shqipërinë e Poshtme deri poshtë në Prevezë. Aty nga  mesi i shek. XVI u bënë ndryshime të tjera, duke krijuar sanxhakun e ri të Delvinës, i cili, përveç rrethit të Delvinës e Kurveleshit, përfshiu pjesën më të madhe të Çamërisë, me Parakallamin, Mazarakun, Margëlliçin, Paramithinë, Pargën e Frarin. Sanxhaku tjetër i rëndësishëm, ai i Janinës, shtrihej drejt jugut, duke përfshirë Artën e Prevezën me rrethet e tyre. Megjithatë, sanxhakbeu i Vlorës e ruajti edhe paskëtaj pozicionin e tij si “primus inter pares” midis sanxhakbejlerëve të tjerë të jugut. I tillë ishte Piri Pasha, i cili e mbuloi disa herë postin e sanxhakbeut të Vlorës. Më 1605, dy djemtë e tij, Ali Pasha dhe Osman Pasha ishin respektivisht sanxhakbe i Vlorës dhe sanxhakbe i Delvinës dhe i Paramithisë. Por, mes dy vëllezërve, edhe kanceleritë e huaja e njihnin supremacinë e Ali Pashës në raport me të vëllain, sanxhakbeun e Delvinës, dhe me sanxhakbejlerët e tjerë të Shqipërisë së Jugut. Në fakt, e  konsideronin atë “komandant të të gjitha atyre trevave” (generale di tutti questi contorni). Krahu i djathtë i sanxhakbeut ishte qehajai, që qëndronte gjithnjë pranë tij.Sanxhakbejlerët e Delvinës i qeverisnin qytetet e krahinat nën zotërimin e tyre me anë të mëkëmbësve të tyre, që quheshin vojvodë. Të tillë kishte në Mazarak, Margëlliç, Paramithi, Frar (Fanar). Një vend me rëndësi në jerarkinë osmane të Çamërisë kishte emini i Bastias (Sajadhës), i cili kontrollonte trafikun e madh të mallrave që lëviznin nga ajo skelë e rëndësishme.

 

ÇAMËRIA: Islamizimi dhe valët e emigracionit drejt Greqisë dhe Italisë

 

  1. d) Periudha osmane

Përpjekjet e Simon Zenebishit e të djalit të tij, Alfonsit, ishin të fundit që u bënë në funksion të ringritjes së zotërimit të dikurshëm të familjes. Vdekja e Skënderbeut dhe rënia e kështjellave të Krujës e të Shkodrës, përcaktoi përfundimisht edhe fatin e principatave jugore shqiptare. Me rënien e tyre, Republika e Venedikut u gjend nën goditjen direkte të osmanëve, të cilët kërkuan të pushtojnë edhe zotërimet e saj në bregdetin shqiptar të Jonit. Kështu, në 1454 e 1455 turqit sulmuan Pargën, Butrintin, Strovilin e Riniasën. Falë bashkëpunimit me popullsinë e këtyre vendeve, venecianët mundën t’i mbajnë këto zotërime, madje më 1463 u shtuan atyre edhe Himarën, Sopotin (Borshin), Arillën e Agian.

Ashtu si në gjithë trevat e tjera shqiptare, pushtimi osman shkaktoi edhe në Çamëri valë emigracioni drejt Greqisë, ishujve të Jonit e drejt Italisë, që prekën shtresat e larta të shoqërisë por edhe masat e thjeshta. Megjithatë, regjistrimet e para osmane të shek. XV-XVI dëshmojnë për mbijetesën e qyteteve dhe të vendbanimeve rurale në atë krahinë. Defteri i Delvinës dhe ai i Janinës i vitit 1583 provojnë karakterin shqiptar të Çamërisë e të zonave të tjera në lindje të saj, në sanxhakun e Janinës. Në fakt, pjesa dërrmuese e emrave të regjistruar aty i përket antroponimisë tipike shqiptare: Gjin, Mark, Martin, Dedë, Gjokë, Pal, Belush, Kurtes, Nikë, Gjon, Laskë, Kondo, Muzhak, Dimo, Kuka, Gegë, Buban, Lekë, etj. etj. Por, të dhënat provojnë se shqiptarët mbanin gjithashtu edhe emra të fondit të krishterë, më së shumti ortodoks, të ngjashëm me grekët e vllehët. Kështu, në një dokument të 10 qershorit 1562 të hartuar në Korfuz përmenden disa banorë të ikur nga fshatra të Çamërisë e të strehuar në atë ishull, të cilët cilësohen që të gjithë si “shqiptarë”. Kështu, nga fshati Vrohonà përmenden Georg Bufi, Reci Greveniti, Jessera Parlo, Llazar Grevenioti, Andalica. Nga Leftehori: Nik Gjokomuni, Jani Kurteshi. Nga Senica: Stelio Petribunxa, Dimo Kondi, Jan Tusha, Stamat Jani, Gumë Bosi, Jorgo Armuri, Mizzi. Nga Shëngjoni i Ri: Jani Kakoj, i biri i Serbishit. Nga Dobra: Peleshi, Paliari, Kurteshi Sanga. Nga Agià: Jan Dima, Jani Janaka. Nga Glloboçari: Pal Lupari. NgaKuçi: Niko Dima, Stamati Qesari, Pal Serbisha.

Pas mposhtjes së qëndresës shqiptare, nga fundi i shek. XV, pushtuesit osmanë bënë një organizim të ri të territoreve të jugut. Në kuadër të tij, një rol kryesor fitonte sanxhaku i Vlorës, jurisdiksioni i të cilit përfshinte gjithë Shqipërinë e Poshtme deri poshtë në Prevezë. Aty nga  mesi i shek. XVI u bënë ndryshime të tjera, duke krijuar sanxhakun e ri të Delvinës, i cili, përveç rrethit të Delvinës e Kurveleshit, përfshiu pjesën më të madhe të  Çamërisë, me Parakallamin, Mazarakun, Margëlliçin, Paramithinë, Pargën e Frarin. Sanxhaku tjetër i rëndësishëm, ai i Janinës, shtrihej drejt jugut, duke përfshirë Artën e Prevezën me rrethet e tyre. Megjithatë, sanxhakbeu i Vlorës e ruajti edhe paskëtaj pozicionin e tij si “primus inter pares” midis sanxhakbejlerëve të tjerë të jugut. I tillë ishte Piri Pasha, i cili e mbuloi disa herë postin e sanxhakbeut të Vlorës.

Më 1605, dy djemtë e tij, Ali Pasha dhe Osman Pasha ishin respektivisht sanxhakbe i Vlorës dhe sanxhakbe i Delvinës dhe i Paramithisë. Por, mes dy vëllezërve, edhe kanceleritë e huaja e njihnin supremacinë e Ali Pashës në raport me të vëllain, sanxhakbeun e Delvinës, dhe me sanxhakbejlerët e tjerë të Shqipërisë së Jugut. Në fakt, e  konsideronin atë “komandant të të gjitha atyre trevave” (generale di tutti questi contorni). Krahu i djathtë i sanxhakbeut ishteqehajai, që qëndronte gjithnjë pranë tij. Sanxhakbejlerët e Delvinës i qeverisnin qytetet e krahinat nën zotërimin e tyre me anë të mëkëmbësve të tyre, që quheshin vojvodë. Të tillë kishte në Mazarak, Margëlliç, Paramithi, Frar (Fanar). Një vend me rëndësi në jerarkinë osmane të Çamërisë kishte emini i Bastias (Sajadhës), i cili kontrollonte trafikun e madh të mallrave që lëviznin nga ajo skelë e rëndësishme.

  1. e) Islamizimi

Sipas raportit të Bajliut venecian në kryeqytetin osman, Pietro Bragadin, vezir i madh më 1526 ishte Ibrahim Pasha, një 29 vjeçar nga Parga. Ishte njeriu më i afërt i Sulltanit Sulejman i Madhërishëm, inteligjent, i kulturuar, me njohuri për filozofinë dhe njohës i ligjeve. Lexonte shumë, i pëlqenin sidomos librat historikë dhe biografitë e njerzve të mëdhenj, si të Aleksandrit të Madh e të Hanibalit. I jati i tij ishte pronar i krishterë, që u bë musliman bashkë me të shoqen me kërkesë të të birit. Nga një dokument  i 29 korrikut 1533, mësojmë se babai i Ibrahim Pashës, Gjon Misoga, pasi kaloi në islam mori emrin Jonuz Aga. Babai i vezirit të gjithfuqishëm gëzonte një autoritet të madh në Pargë e në gjithë Çamërinë. Më 1529, autoritetet veneciane të Korfuzit i shkruan pikërisht Jonuz Agës, për të kërkuar ndihmën e tij në lirimin e disa marinarëve venecianë që ishin marrë rob nga disa banorë shqiptarë të Igumenicës. Bashkë me Ibrahim Pashën, person tjetër i rëndësishëm në oborrin e Sulltanit ishte Ajaz Pasha, një tjetër renegat shqiptar nga Himara.

Rasti i islamizimit të Jonuz Agës, babait të Ibrahim Pashës, ishte paraprirë nga shembuj të tjerë konvertimi të përfaqsuesve të klasës feudale shqiptare të Çamërisë. Plot një shekull më parë, kemi rastin e parë të kalimit në islam të djalit të Sguro Bua Shpatës, Jakupit. Më1467 mësojmë se i biri i Gjon Zenebishit, Hasan Beu, shërbente si subash i Fanarit, në Thesali. Më 1550 dokumentat flasin për proniarin shqiptar të fshatit Agià, mbi Pargë, me emrin Ahmet. Por, siç sqarojnë të njëjtat dokumenta, përpara se të bëhej musliman, ky proniar, që ishte nga Mazaraku, kishte qenë i krishterë me emrin Gjin Likë Kali (lo chiamavano Gini de Lica de Cali). Nga fundi i shek. XVI, përveç parisë, procesi i islamizimit filloi të përfshijë edhe familjet fshatare. Këtë e provon rasti i fshatit të Çamërisë, Pandejlemon, i cili në regjistrimin e vitit 1583, mes shumicës së krishterë të kryefamiljarëve, kishte tashmë edhe disa syresh të kthyer në islam: Llazar Gjini, Stamo Polo, Gjin Doka, Dedë Skurra, Lekë Orta, Gjin Leka, Gjin Orta, Gjin Llamari, Nikë Dhimo, Dodë Qesari, Dhimo Nika, Gjin Nikolla, Kolë Dhima, Polo Leka,Dyrmish Hyseni, Ahmet Bosi, Gjin Dhimo, Nikë Gjoni, Gjin Ogora, Gjon Gjini, Nikë Gjero, Kukë Gjini, Gjin Nika, Myslim Dyrmishi, Zhupe Qesari, Muhamed Aliu, Sinan Hyseni, Gjin Leka,Mustafa Dhimo, etj. Në fillim të shek. XVII, burimet provojnë ekzistencën në kufijtë e Çamërisë të tre fshatrave tashmë të islamizuara plotësisht: Zaravusa, Turkogranica, Turkopaluko.

Përgjithësisht, islamizimi i një pjese të popullsisë së Çamërisë, ashtu si kudo në në Shqipëri, nuk prodhoi konflikte me prapavijë fetare. Si tek të krishterët, ashtu edhe tek myslimanët ekzistonte ndërgjegjja e përkatësisë së njëjtë kombëtare. Banorët e krishterë të Pargës apo të fshatit Agià, aty afër, vazhduan edhe mandej të ruajnë marrëdhëniet e ngushta tradicionale me banorët fqinjë të Mazarakut e të Margëlliçit. Në vitin 1625, një raport venecian sinjalizonte për lidhjet e ngushta, përfshirë edhe ato familjare, që ekzistonin midis muslimanëve të Margëlliçit dhe të krishterëve të Pargës (aparentati con Turchi). Një marrëdhënie e tillë mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme nuk shihej me sy të mirë nga të huajt. Autoritetet veneciane i konsideronin ato si diçka e turpshme (che certo è gran vergogna il sentirlo). Në fakt, paragjykimet me bazë fetare bënë që fuqitë perëndimore, si Venediku e sidomos Mbretëria e Napolit, ndërsa mbështesnin lëvizjet kryengritëse antiosmane të popullsive të krishtera në Çamëri e gjetkë, nuk e bënë këtë në asnjë rast kur në kryengritje përfshiheshin fshatra muslimane. Akoma më keq, duke ndjekur interesat e tyre të ngushta, ndodhte që të ishin pikërisht këto fuqi, që inkurajonin ndarjet dhe përplasjet mes shqiptarëve muslimanë e atyre të krishterë. Kështu, kur në vjeshtën e vitit 1555, banorët e tetë fshatrave të krishtera përreth kështjellës së Sopotit (Borshit) ngritën krye kundër vendimit të Portës për të rekrutuar jeniçerë në atë zonë, sanxhakbeu i Delvinës mobilizoi kundër tyre spahinjtë myslimanë të sanxhakut, dhe jo vetëm, por edhe disa krerë himariotë, që ishin në armiqësi të hershme me fshatrat kryengritëse. Gati një shekull më vonë, më 1658, autoritetet veneciane të Korfuzit nxisnin banorët e fshatrave të krishtera të Delvinës, të Lëkursit, Nivicës, Shën Vasilit etj., që të sulmonin fshatrat fqinje muslimane “për t’u hakmarrë” (per vendetta) për disa dëme që u kishin shkaktuar më parë këto të fundit. Venecianët ishin të interesuar ta mbanin ndezur këtë konflikt, i cili e detyronte sanxhakbeun e Delvinës të hiqte dorë nga fushata e tij e programuar kundër zotërimeve veneciane të Butrintit e të Pargës. Për këtë qëllim, Proveditori venecian i Korfuzit, Lorenzo Sagredo, i furnizonte atë kohë me armë e municione fshatrat e krishtera, duke shkelur edhe paktet e nënshkruara me autoritetet osmane. Në një raport të tij të 20 nëndorit 1658, Sagredo i përcillte plot ngazëllim Senatit lajmin se “shqiptarët e Lëkursit e të Nivicës vazhdonin të përgjakeshin me muslimanët përreth” (continuano gl’Albanesi di Licursei e Nivizza ad insanguinarsi con Turchi circonvicini) dhe se ai priste e shpresonte që në ditët e ardhshme, në ato vise “të ndizte një zjarr të atillë, që vështirë se do mund të shuhej” (e spero accendere à quella parte un fuoco, che con difficoltà potrà esser estinto). Duke nxitur konflikte të tilla në Shqipëri, Venecianët shpresonin të tërhiqnin aty forca të konsiderueshme turke nga fronti kryesor i luftës veneto-turke, që atë kohë ishte fronti i Kretës.

  1. f) Kryengritje antiosmane, shek. XV-XVIII

Në vitin 1714, në prag të një ofensive të re të osmanëve, strategu prusian, marshalli von Schulemburg, i ngarkuar nga Republika e Venedikut të organizonte mbrojtjen e Korfuzit dhe të zotërimeve të tjera veneciane në sterenë shqiptare, raportonte se suksesi i operacioneve kundër osmanëve varej shumë nga masa e përfshirjes në to e shqiptarëve (poiche da loro dipenderà la più parte dell’opera). Këta, shkruante Schulemburg, një mijë herë kanë refuzuar të paguajnë taksat dhe një mijë herë turqit kanë dështuar në përpjekjet e tyre t’i nënshtrojnë. Arsyeja, sipas marshallit prusian, qëndronte në virtutet luftarake të shqiptarëve dhe në terrenin e thyer malor të vendit, që nuk lejonte angazhimin e ushtrive të mëdha. “Kjo rrethanë e favorshme”, përfundonte raportin e tij marshalli von Schulemburg, “i dha zemër dikur edhe Kastriotit të famshëm t’i bëjë ballë Mehmedit II” (Questo bene lo riconoscono dalla vantaggiosa loro situazione montuosa: quella che diede animo anco al famoso Castriotto di far fronte a Mohamet II).

Në fakt, historia nën sundimin osman e trevave të Çamërisë, së bashku me ato të Kurveleshit e të Himarës, përshkohet nga valë të parreshtura kryengritjesh popullore, nga njera anë, por edhe rebelimesh komandantësh e dinjitarësh vendas kundër Portës së Lartë, nga ana tjetër.

Një kryengritje e madhe në Çamëri dëshmohet që në vitin 1486. Atë kohë në krye të sanxhakut të Vlorës kishte ardhur Sinan Pasha, i cili ushtronte pushtetin epror deri poshtë në Artë. Ky i kishte zënë vendin sanxhakbeut Komnen Arianiti, i biri i Gjergj Arianitit emëruar aty nga Bajaziti II. Në nëndor 1486 Sinan Pasha ndërmorri një ekspeditë ndëshkuese në Çamëri, “ku plaçkiti gjithë vendet e shqiptarëve, që nuk njihnin as pushtetin e Sulltanit, as atë të Venedikut” (et scorsezò tuto el paese di Albanexi che non erano suditi ne a lui ne a nui).

Në 27 korrik 1532, Kapiteni i Përgjithshëm e flotës veneciane, Vincenzo Capello, raportonte se ditë më parë, rreth 100 kalorës turq ishin ngjitur mbi fshatrat shqiptare mbi Pargë (in alcune ville de Albanesi di sopra la Parga) për të mbledhur detyrimet. Por, banorët, pasi i lanë turqit të futeshin në fshatrat në fjalë, u bllokuan rrugën e tërheqjes duke shembur edhe urën. Paskëtaj, i rrethuan dhe vranë 50 prej tyre e zunë rob pjesën tjetër.

 

Në prill 1554, një revoltë e banorëve shqiptarë të Arillës (Albanesi della Rilla), përfundoi me vrasjen e vojvodës së Margëlliçit. Ngjarja shërbeu si fitil për t’i dhënë zjarr pakënaqësisë së përgjithshme. Në vitin 1556, në kryengritje ishin përfshirë të gjitha viset nga Margëlliçi në Delvinë dhe Sulltani u detyrua të dërgojë ushtri të madhe për shtypjes e saj. Në 21 maj 1570, një flamburar i dërguar nga Porta u duk me ushtri në anët e  Igumenicës për të ndëshkuar shqiptarët e atyshëm (per mal trattar Albanesi), që refuzonin të dorëzonin detyrimet.

Në tetor 1555, banorët e fshatrave rreth kështjellës së Sopotit, me të dëgjuar që sanxhakbeu i Delvinës ishte nisur me ushtri për të mbledhur djemtë e tyre e për t’i dërguar jeniçerë, u bashkuan dhe vendosën të hidheshin në kryengritje. Kundër tyre, sanxhakbeu i Delvinës nisi një pararojë me 60 kalorës të udhëhequr nga vojvoda i Delvinës. Kryengritësit e lejuan kolonën të futet nëpër grykat e kontrolluara prej tyre, dhe pastaj e sulmuan duke vrarë shumë kalorës, përfshirë edhe vetë vojvodën. Lajmi i kësaj disfate e bindi sanxhakbeun “se ky popull nuk mund të shtrohej as me zjarr e as me hekur” (conoscendo il sanzacho che questa nation non è da dominar cum il ferro). Ai hoqi dorë nga çdo veprim i mëtejshëm dhe u mjaftua me premtimin e kryengritësve se do lironin robërit e zënë gjatë fushatës së fundit.

Në 21 maj 1570, një flamburar i dërguar nga Porta u duk me ushtri në anët e  Igumenicës për të ndëshkuar shqiptarët e atyshëm (per mal trattar Albanesi), që refuzonin të dorëzonin detyrimet.

Në shkurt 1605, me të marrë vesh vrasjen e sanxhakbeut të tyre në luftën e Hungarisë, banorët muslimanë të Delvinës u ngritën për t’u hakmarrë ndaj keqtrajtimeve që kishin pësuar prej tij në të shkuarën (per vendetta di certi disgusti ricevuti prima dal Bassà predetto). Të revoltuarit sulmuan kullat e sanxhakbeut dhe të qehajait të tij. Ndërkohë, i vëllai i sanxhakbeut të vrarë, Osman Pasha, u thirr në Stamboll ku, pasi mori emërimin si sanxhekbe i ri i Delvinës, u dërgua me ushtri të shtypte kryengritjen që kishte përfshirë një pjesë të mirë të sanxhakut të Delvinës. Beteja midis trupave të pashait dhe kryengritësve u zhvillua në hyrje të qytetit. Falë epërsisë, sanxhakbeu i ri i shpartalloi forcat e paorganizuara të kryengritësve, duke vrarë më shumë se 500 prej tyre. Ekspedita ndëshkuese përfundoi me djegien e shtëpive dhe me therrjen e rrëmbimin  gjithë bagëtisë së banorëve të vendit.

ÇAMËRIA: Rebelimet e shqiptarëve dhe misionet e Kozma Etolit

Duke filluar nga dekadat e fundit të shek. XVI, për kryengritjet shqiptare kundër sunduesve osmanë filluan të tregojnë interes të veçantë fuqitë katolike, para së gjithash Spanja dhe mbretëria-bijë e Napolit, si dhe Papati i Romës. Atë kohë Napoli u bë vendi ku u hartuan plane për organizimin e ekspeditave ushtarake në mbështetje të kryengritësve shqiptarë. Personi i caktuar nga Mbreti i Napolit për bashkërendimin e veprimeve me kryengritësit shqiptarë ishte kapiteni Jeronim Kombi, një shqiptar që kishte shërbyer në Qipro për Republikën e Venedikut. Kombi konsiderohej si “kreu i agjentëve dhe njeriu që drejton gjithë operacionet në Shqipëri” (capo delle spie… et ch’è quello, per le mani del quale passano tutti i maneggi di Albania). Për të drejtuar operacionet në Shqipëri, ky, grumbulloi rreth vetes 12 komandantë shqiptarë të shquar në fushat e betejave: Nikollë Renësi, Gjon Golemi, Pal Karuka, Dhimitër Golemi, Stefan Krizia, Gjon Skura, Gjon Plesha, Vasil Papadhopulli, Guljelm Arianiti, Guidon Psara, Mikel Bua e Xhuzepe Musuka. Në 30 dhjetor 1604, Jeronim Kombi u nis në një mision të fshehtë në Çamëri. Në fshatin Koikë, pranë Pargës, ai takoi krerët vendas me të cilët u ra dakord të organizohej në Çamëri një kryengritje e madhe antiosmane, akti i parë i së cilës do të ishte marrja e Prevezës në bashkëpunim me flotën spanjolle. Përgatitjet zgjatën disa vjet, deri sa në fillim të shtatorit 1611 kryengritja filloi në zonën e Paramithisë.

Frymëzues e udhëheqës i saj ishte peshkopi Dionis nga Paramithia, i mbiquajtur “Filozofi”. Për vite me radhë ky kishte qëndruar në Napoli, Romë e Madrid, ku kishte kërkuar të sigurojë ndihma në njerëz e në armë nga spanjollët dhe nga Papa i Romës, duke ofruar në këmbim bashkimin e tij dhe të ortodoksëve të Çamërisë me kishën katolike. Dionisi mblodhi rreth vetes afro 800 shqiptarë, banorë të fshatrave të Paramithisë, të cilët e shpallën atë “mbretin e tyre”(veniva però dagli Albanesi nominato loro Rè). Kryengritësit shqiptarë (burime të tjera flasin për 2-3 mijë vetë) vendosën të sulmojnë Janinën, duke qenë se qyteti në atë kohë mbrohej nga një garnizon i vogël. Pasi dogjën dy fshatra tashmë të islamizuara, Turkogranicën e Zaravustën, në veri të Paramithisë, kryengritësit hynë në Janinën e mbrojtur vetëm nga një grusht ushtarësh, ku i vunë zjarrin kullës ku jetonte sanxhakbeu, Osman Pasha, edhe ky, si Peshkopi Dionis, me origjinë nga Paramithia. Sanxhakbeu arriti të largohej në kohë. Por, i informuar për forcën e vërtetë të kryengritësve, Osman Pasha, i përforcuar me trupa të reja, u kthye në Janinë në të gdhirë të datës 10 shtator. Kryengritësit e zënë në befasi u shpartalluan. Rreth 200 syresh u zunë rob dhe u dogjën mbi urrat e zjarrit. Peshkopi Dionis u zu dhe u rrop i gjallë. Lëkura e tij, e mbushur me kashtë, u shëtit  fshat më fshat e më tej u përcoll në Stamboll. Ambasadori Venecian në Stamboll raportonte në tetor 1611, se e kishte parë me sytë e tij “lëkurën e priftit të rrjepur të mbushur me kashtë, bashkë me shumë koka të prera të kryengritësve shqiptarë, që kishin bashkëpunuar me Spanjollët” (prete scorticato, la pelle sua piena di paglia portata in Constantinopoli con molte teste dei figli d’Albanesi, che avevano intelligenza colli Spagnoli).

Kryengritja e Dionis Filozofit ishte më e madhja e kryengritjeve çlirimtare të Çamërisë, që drejtohej drejtpërsëdrejti kundër sundimit osman dhe që mbështetej në bashkëpunimin e popullsive të krishtera të asaj krahine me spanjollët e Napolit. Por pas saj, filluan të shpeshtohen rastet e rebelimeve të komandantëve lokalë osmanë kundër autoritetit të Portës së Lartë, si dhe të popullsive muslimane shqiptare kundër qeveritarëve lokalë osmanë e kundër vetë Sulltanit. Një kryengritje e tillë ishte ajo e vitit 1624. Shkak i saj ishin marrëdhëniet e tendosura të Vojvodës së Paramithisë, Piri Mehmetit, me banorët e fshatrave të asaj ane. Gjatë një vizite në njerën prej tyre, vojvoda u prit me të shtëna arkebuzësh (gli furono tirrate delle archibugiate). Për t’u hakmarrë, gjatë natës ai organizoi kundër bujqve-rebelë një sulm të vërtetë, “sikur të ishte një armik çfarëdo, dhe jo padroni i tyre” (havendoli assaliti di notte con le armi, come se fosse nemico, e non patrone). Vojvoda i bastisi fshatrat në fjalë, duke marrë me vete burrat e përfshirë në rebelimin kundër tij, dhe kur nuk gjente burrat, rrëmbente gratë, fëmijët dhe bagëtinë e tyre. Paskëtaj, vojvoda Piri Mehmet i shkeli të gjitha fshatrat e nënshtruara, i prirë nga krerët e fshatrave rebele, të lidhur me zinxhirë në qafë.

Por, vojvoda i Paramithisë i kishte punët keq jo vetëm me banorët, por edhe me vetë Portën e Lartë. Jo vetëm që sillej si zot i pavarur, por refuzonte edhe të dërgonte në Stamboll detyrimet e përvitshme. Po atë vit, mbërriti në Paramithi një ushtri e madhe e dërguar nga Sulltani për të ndëshkuar vojvodën rebel. Ushtria komandohej nga një funksionar i lartë i Portës. Mirëpo vojvoda, pasi mblodhi një ushtri edhe më të madhe se ajo që erdhi nga Stambolli, u kujdes të pengojë mbërritjen e përforcimeve nga Arta, të zbrazë fshatrat e të fshehë produktet ushqimore. Më në fund, vojvoda rebel hapi fjalën e rreme se në atë krahinë kishte rënë murtaja (la fama della peste essendo inventata falsamente). Në këtë mënyrë, trupat ndëshkimore të sfilitura nga marshimi i gjatë e uria dhe të tmerruara nga frika e murtajës, u kthyen nga kishin ardhur. Ky funksionar i Portës duhet të jetë i njëjti, që dëshmohet në Çamëri edhe një vit më vonë, kur thuhej se kishte autoritet epror mbi gjithë sanxhakbejlerët (con suprema autorità sopra tutti li sanzacchi). Por, siç raportonte Proveditori venecian i Korfuzit, Paolo Caotorta në 30 prill 1625, vetëm disa prej këtyre sanxhakbejlerëve e kishin njohur dhe e kishin pritur atë si të tillë. Pjesa më e madhe e dinjitarëve vendas kishin refuzuar t’i bindeshin (da alcuni de quali è stato ricevuto e riconosciuto, ma dalla più parte negato). Në një raport të ri, që daton plot një vit pas këtij raporti, 30 prill 1626, Caotorta konfirmon se funksionari Isuf Beu ishte refuzuar e dëbuar nga të gjithë, “ripudiato e scacciato da tutti”, për rrjedhojë ishte larguar, por për t’u kthyer përsëri në pranverën e vitit 1626 me një ushtri të madhe me të cilën llogariste të nënshtronte më në fund krerët rebelë. Megjithatë, Isuf Beu nuk i hyri aventurës së përplasjes me çdo kusht e me çdo mjet me bejlerët kryengritës, por tentoi t’i nënshtronte ata sa me forcë, aq edhe me bisedime (tenta egli l’ubbedienza e con la forza e col negotio).

Tashmë, kryengritjet e rebelimet në Shqipërinë e Poshtme ndodhnin pothuaj çdo vit. Një e tillë shpërtheu në pranverën e vitit 1631, ku u përfshinë si paria, ashtu edhe masa fshatare e Margëlliçit. Përmasat e kryengritjes qenë të tilla, saqë Sulltani dërgoi urgjentisht me ushtri një nga komandantët e tij të besuar, të cilin e urdhëroi “që të shfaroste të gjithë burrat e Margëlliçit, nga mosha shtatë vjeç e sipër” (per destrugere tutti li huomeni da Margariti, dalle sette anni in sù). Në fakt, ushtria e Sulltanit mbërriti në fund të prillit, por, ashtu si në rastin e kryengritjes së vitit 1624, e gjithë popullsia e krahinës së Margëlliçit kishte marrë malet dhe turqit gjetën aty një tokë të shkretuar.

Sa më shumë forcoheshin krerët vendas të Çamërisë, aq më shumë shtoheshin përplasjet e tyre me Portën e Lartë. Më 1659 ishin ngritur në këmbë të gjithë spahinjtë dhe banorët e sanxhaqeve të Delvinës e të Janinës, të cilët refuzonin t’i dërgonin detyrimet Portës dhe, gjithashtu, nuk iu bindën urdhërit për të shkuar e për të marrë pjesë në luftën e Kretës.

Zona e Çamërisë fitoi, kështu, statusin e një vendi në konflikt të vazhdueshëm me pushtetin e Sulltanit, aq sa aty ndodhte të vinin për të gjetur mbrojtje e mbështetje edhe komandantë rebelë nga zona të tjera fqinje. Kështu, në dhjetor 1636 mbërriti në Janinë nga Thesalia bashkë me 4500 ushtarët e tij rebeli Ali Pashë Puritosi, i cili kishte ngritur krye kundër Sulltanit “pasi kishte marrë vesh se ky donte t’i priste kokën” (ribelle del signor Turco, per sentore havuto che lo volesse far decapitare). Me rebelin u bashkuan sakaq edhe emini i Bastias e komandantë të tjerë vendas.

Në vitin 1707, popullsia e Margëlliçit bashkë me banorët e fshatrave Mazarak, Kuç, Glloboçar, Betishtë e Kurtes, ngritën krye kundër vjeljes së taksave. Kryengritësit sulmuan forcat ushtarake të sanxhakbeut të Delvinës, që kishte ardhur për t’i shtruar banorët dhe vranë taksambledhësit. Për ngjarjet e ndodhura atë kohë në Çamëri, banorët e kazave të Delvinës, Paramithisë e Mazarakut si dhe të nahijeve të Parakallamit e Prekallamit dërguan një përfaqësi të tyre pranë Portës së Lartë, duke akuzuar sanxhkbeun e Delvinës për vendosjen dhe vjeljen me dhunë të taksave arbitrare. Sipas tyre, sanxhakbeu kishte vrarë 23 bujq që nuk kishin qenë në gjendje të paguanin, kishte rrëmbyer pasurinë dhe kishte djegur shtëpitë e pronat e tyre. Nga ana e tij, sanxhakbeu i Delvinës, Myrteza Beu, dërgoi në Stamboll dëshminë e kadilerëve të Delvinës, Paramithisë e Artës, sipas të cilëve fajtorë për gjendjen e krijuar në ato krahina të Çamërisë ishin pikërisht kryengritësit dhe krerët e tyre. Sulltani i la dorë të lirë të veprojë sanxhakbeut për të shtypur kryengritjen e për të arrestuar drejtuesit e saj. Por turbullirat në atë trevë vazhduan edhe paskëtaj.

Në verën e vitit 1714 kryengritja e radhës në Margëlliç e shtyu Sulltanin të dërgojë nga Stambolli një kapexhibash me ushtri, e njëherësh të urdhërojë të niset me shumë forca drejt Margëlliçit mytesarifin e Delvinës e të Vlorës, Selim Pashën. Mirëpo rrugës për në Margëlliç, ushtria e Selim Pashës u prit me pushkë nga 1500 kryengritës të Paramithisë, të cilët, nga ana e tyre, kishin ngritur krye pasi kishin sulmuar e vrarë mbledhësin e taksave.

Aty nga mesi i shek. XVIII, Çamëria kishte dalë nga kontrolli i Portës së Lartë. Sanxhakbeu i Delvinës dhe autoritetet e tjera osmane nuk mund të bënte asgjë kundër krerëve të fuqishëm të krahinës. “Këta”, thuhet në një burim venecian të kohës, “nuk njohin zot mbi vete, nuk u binden urdhërave të Sulltanit dhe i përçmojnë eprorët e tyre zyrtarë (non riconoscono sovrano, disubbidiscono gl’ordini reggi sprezzano quelli de lor naturali comandanti). Mes tyre, shquhej për forcë e ndikim kreu i Margëlliçit, Sulejman Beu. Në bashkëpunim me kreun e Konispolit, Giucco(?) dhe me banorët e fshatit Agià, Sulejman Beu mbante nën presion të vazhdueshëm zotërimet e Venedikut në Butrint e në Pargë. Kundër tij, venecianët bashkëpunuan me autoritetet osmane, por pa sukses. Kështuqë, Bajliu i Korfuzit shihte si mundësi të vetme eliminimin fizik të Sulejman Pashës së Margëlliçit nëpërmjet “mënyrave të fshehta” (occulti ripieghi). Në vitin 1756, kreu i Margëlliçit ishte në gjendje të organizonte inkursione deri poshtë në zotërimet osmane të Kseromeros, në jug të Gjirit të Ambrakisë dhe akoma më poshtë, deri në Misolongj. Në këto aksione, atë e ndihmonin katër komandantë anijesh, shqiptarë nga Ulqini. Me një ferman të veçantë, Sulltani Osmani III (1754-1757) urdhëronte komandantët e tij të Delvinës, Janinës, Artës e Lepantos të asgjesonin Sulejman Pashën dhe njerëzit e tij si dhe të bashkëpunonin me flotën veneciane për të shkatërruar aleatët e tij ulqinakë.

Pas humbjes së luftës me Rusinë, në 1774, Sulltani e kishte humbur plotësisht autoritetin e vet mbi gjithë Shqipërinë e sidomos në Çamëri, ku tashmë vepronte pushteti i krerëve vendas. Në këto rrethana, midis viteve 1767-1779, zhvillohen në Shqipërinë e Poshtme dy misionet e murgut Kozma nga Etolia. Në Filat, Sul, Pargë, Paramithi, Delvinë e gjetkë, Kozmai predikoi besnikërinë e popullsive ndaj kishës ortodokse dhe ndaj Sulltanit. Në fakt, Sulltani ishte për kishën dhe klerin e Patriarkanës një mbrojtës i ortodoksisë, veçanërisht në këto vise skajore perëndimore, ku autoriteti i Patrikanës kontestohej nga veprimi i kishës katolike. Përpos kësaj, Kozmai u përpoq të hapte shkolla greke e të nxiste përhapjen e gjuhës greke midis popullsive shqiptare të jugut. Një nga predikimet më të njohura të tij është pikërisht ajo që i fton shqipfolësit e atyre trevave të hiqnin dorë nga gjuha shqipe dhe të përdornin gjuhën greke, “gjuhën e zotit”. Misionet e Kozma Etolianit në Çamëri dhe në viset e tjera jugore shqiptare, shënojnë aksionin e parë të organizuar të nacionalizmit grek në këto anë.

Please follow and like us: