Albspirit

Media/News/Publishing

Shkresa e Hamit Beqjes për Enver Hoxhën mbi raportin e Razi Brahimit për Kadarenë

Sh. Ramiz

Për çështjet që ngrihen në këtë relacion është biseduar dhe me shokët e Ministrisë

10. V. 1973 H. Beqja

Enver

…………………………………..

Shoku Ramiz

Nga shënimet që më kanë dërguar, më ka ngelur pa të dhënë ky i Razi Brahimit (për marrëdhëniet me Fadil Paçramin)

1. V. 1973 Hamit Beqja

Ramiz

Raporti i Razi Brahimit

Në fund të vitit 1965 kam pasur një bisedë shumë të gjatë me Fadil Paçramin. Ai interesohej të ribotonte romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” mbasi i kishte premtuar autorit. Atëherë ishte krizë për letër dhe qe ndaluar çdo ribotim kurse shoku Ramiz Alia kishte kërkuar të ribotoheshin disa vepra të hershme e si “Epopeja e Ballit Kombëtar” etj. Kurse F. Paçrami refuzonte. Në këtë çështje lindi konflikti. Me autorizim të ndërmarrjes unë i parashtrova dy kërkesa: të aprovohej një plan i përgjithshëm perspektiv ribotimesh ku të hynte edhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe të ripunohej romani sipas vërejtjeve të kritikës. Ai nguli këmbë që të hiqte dorë prej kërkesave, po nuk arritëm asnjë marrëveshje, mbasi unë i theksova se lëshime të tilla e dëmtojnë shkrimtarin, i cili sapo kish botuar tregimin antirealist “Përbindëshi”. Në këtë pikë pikëpamjet tona u bën më të kundërta, ndërsa Fadil Paçrami këtë tregim e quante kryevepër. Habia ime më e madhe ishte kur ai, për të më mbushur mendjen, më tha: Kur ke të bësh me talente nuk duhet të jesh kaq i ngushtë. Unë e përfytyroj Ismail Kadarenë dramaturg. Ai veprën e parë dramatike mund ta ketë thellësisht reaksionare, po unë do të bëj çmos që ajo të vihet në skenë, se jam i sigurt që veprën e dytë nuk do ta ketë aq reaksionare, e treta do të jetë me gabime ideologjike, kurse e katërta ose e pesta do të jetë vepër me vlerë. Mendoj se Fadil Paçrami ka pasur rezerva për politikën e partisë në fushën e letërsisë e të artit që para plenumit të 15-të të K.Q. të P.P.SH. Që atëherë ai ka qenë në pozitat e liberalizmit, gjë që e provojnë këto fakte:

Nga fillimi i vitit 1965 ne shqyrtuam një vëllim me tregime të Ismail Kadares, që e kishte paraqitur për botim. Gjatë kohës që po e shqyrtonim sipas rregullores na e kërkoi Fadil Paçrami së bashku me mendimin tonë për të. Unë (isha atëherë shef i redaksisë së letërsisë shqipe në Ndërmarrjen e Botimeve) përpilova një relacion, në të cilën argumentoja arsyet pse nuk duhej botuar ky vëllim. Fadil Paçrami më thirri në zyrë (atëherë ishte drejtor i drejtorisë së propagandës në K.Q. të P.P.SH.) dhe u përpoq të më bindte të hiqja dorë prej qëndrimit tim.

Pasi nuk pranova nuk e di si ndodhi që pas pak kohe vëllimin me tregime dhe relacionin për të e kërkoi shoqja Nexhmije Hoxha, që atëherë ishte drejtore e Drejtorisë së Kulturës. Nuk kaluan as dy javë dhe u takuam në zyrën e shoqes Nexhmije, ku secili prej nesh paraqiti argumentet e veta: Fadil Paçrami ngulte këmbë që talenteve duhet t’u bëhen lëshime, kurse unë ngulja këmbë që lëshime ideologjike nuk duhen bërë. Por këtij debati, në të cilin mbajti anën time edhe shoku Tefik Çaushi, shoqja Nexhmije Hoxha më tërhoqi vëmendjen që, për arsye takti, e kisha zbutur qëndrimin ndaj gabimeve ideologjike të tregimeve dhe kërkoi që ta forcoja relacionin dhe t’u shkoja të vërtetave deri në fund pa bërë asnjë lëshim. U vendos në atë takim që autorit t’i jepej përgjigje në mbledhjen e kolegjiumit të Ndërmarrjes së botimeve, sipas relacionit të ripunuar. Dhe kështu vepruam megjithëse unë nuk e shpura në vend porosinë që më dha për theksimin e vërejtjeve.

Pas takimit shumë miqësor me shkrimtarin ai mori vëllimin me tregime dhe relacionin, duke na falënderuar për vërejtjet dhe sugjerimet. Po, për çudi, të nesërmen drejtorisë së Ndërmarrjes i erdhi një letër fyese nga Ismail Kadareja. Këtë letër unë nuk e kam lexuar, po di që shumë shpejt nga Fadil Paçrami (siç duket është shkruar me dijeni të tij) një kopje e saj i shkoi shokut Ramiz Alia, i cili, siç më tha atëherë Alqi Kristo (nëndrejtor i ndërmarrjes) ishte revoltuar për qëndrimin tonë ndaj shkrimtarit. Siç duket letra i shtrembëronte faktet në të atillë mënyrë sa të ngjallte protestë. Shënoj se tregimet për të cilat ne kishim vërejtje nuk janë botuar as sot e kësaj dite me përjashtim të dy prej tyre që u botuan kohët e fundit në revistën “8 Nëndori” të ripunuar dhe prapë me dobësi ideologjike “Provokacioni” dhe një tregim për qëndrimin e shkrimtarit në Lituani.

Në fund të vitit 1965 kam pasur një bisedë shumë të gjatë me Fadil Paçramin. Ai interesohej të ribotonte romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” mbasi i kishte premtuar autorit. Atëherë ishte krizë për letër dhe qe ndaluar çdo ribotim kurse shoku Ramiz Alia kishte kërkuar të ribotoheshin disa vepra të hershme e si “Epopeja e Ballit Kombëtar” etj. Kurse F. Paçrami refuzonte. Në këtë çështje lindi konflikti.

Me autorizim të ndërmarrjes unë i parashtrova dy kërkesa: të aprovohej një plan i përgjithshëm perspektiv ribotimesh ku të hynte edhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe të ripunohej romani sipas vërejtjeve të kritikës. Ai nguli këmbë që të hiqte dorë prej kërkesave, po nuk arritëm asnjë marrëveshje, mbasi unë i theksova se lëshime të tilla e dëmtojnë shkrimtarin, i cili sapo kish botuar tregimin anti realist “Përbindëshi”.

Në këtë pikë pikëpamjet tona u bënë më të kundërta, ndërsa Fadil Paçrami këtë tregim e quante kryevepër. Habia ime më e madhe ishte kur ai, për të më mbushur mendjen më tha: Kur ke të bësh me talente nuk duhet të jesh kaq i ngushtë. Unë e përfytyroj Ismail Kadarenë dramaturg. Ai veprën e parë dramatike mund ta ketë thellësisht reaksionare, po unë do të bëj çmos që ajo të vihet në skenë, se jam i sigurt që veprën e dytë nuk do ta ketë aq reaksionare, e treta do të jetë me gabime ideologjike, kurse e katërta ose e pesta do të jetë vepër me vlerë.

U revoltova nga ky qëndrim dhe i përmenda thënien e Leninit se “Gorkit i falet ajo që i falet shaljapinit” dhe i thashë se ai për të fituar simpati personale po i largonte njerëzit nga vija e partisë (Pa i përmendur emrin, këtë kritikë, po me këto fjalë, ia përsërita në korrik 1966 në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve).

Për të më kundërshtuar ai më tha se nuk e zotëroja mirë metodën dialektike dhe më tregoi metodën që përdorte ai për të nxjerrë në dritë të vërtetën.

– Unë, – më tha, – hetoj ç’pikëpamje kanë njerëzit dhe kur gjej grupe me pikëpamje të kundërta i thërrasë në zyrë, u hedh xixën e i lë të grinden pa e prishur gjakun. Ata grinden, kurse unë i dëgjoj me durim, pa u ofenduar që bërtasin në zyrën time. Kështu veprova para disa ditësh me punonjësit e Kinostudios. E dija që ata kishin mosmarrëveshje. Thirra njerëz nga të dyja palët. Ata u grindën tri orë në zyrën time kurse unë nuk ndërhyra asnjëherë, po nxora përfundimet që më duheshin.

E kundërshtova edhe në këtë çështje, duke i thënë se kjo nuk ishte metodë e partishme.

Kjo bisedë zgjati rreth 6 orë dhe unë formova bindjen se ai, megjithëse fliste për modernizmin e artit nuk i njihte problemet dhe kishte opinione të pasakta për njerëzit. Në këtë bisedë për t’i dhënë të kuptonte se s’mbante qëndrime të drejta i përmenda faktin se ai kish qenë frymëzues i teksteve gjysmë formaliste që u punuan për Pallatin e Kulturës të Tiranës, po kur shkoi shoku Mehmet Shehu dhe urdhëroi të fshihen ato, ai nuk doli të thoshte se ishin modernë, po heshti dhe i la beniaminët e tij në baltë.

Pas shumë kohe, në rrethana marrëdhëniesh të acaruara, kemi biseduar gjatë me të në tetor të vitit 1971 në Klubin e Shkrimtarëve në prani të Vilson Kilicës, Koço Vasilit dhe Ibrahim Uruçit. Në këtë bisedë Fadil Paçrami shtroi problemin e kritikës letrare dhe tha se ajo ishte e prapambetur dhe e dobët, mbasi nuk përkrahte me entuziazëm ato gjëra të reja që po krijoheshin në letërsi dhe ai i kuptonte ato. Sipas mendimit të tij kritika duhej të merrej vetëm me anët pozitive të veprave dhe jo me të metat e tyre.

– Po ju, – e pyeta, – pse merreni vetëm me të metat e të tjerëve në diskutimet tuaja? Apo i kini parimet vetëm për grupin e simpatizantëve tuaj, kurse për të tjerët keni të tjera parime.

Takimin e fundit e kam bërë në Dhjetor 1972 në zyrën e tij. I shkova për të më ndihmuar për të sistemuar gruan në punë dhe për të ndërmjetësuar të më strehonin. Biseduam gjatë dhe përsëri u ndodhëm në pozita krejt të kundërta.

Ai më pyeti pse nuk më shihte shpesh në Klubin e Shkrimtarëve. Iu përgjigja sinqerisht se nuk më pëlqenin bisedat që bëheshin atje dhe i tregova se pikërisht nga Klubi i Shkrimtarëve kishin dalë shpifje nga më të ulëtat kundër meje, duke më bërë të dëbuar nga Tirana, bile edhe të internuar në Lushnjë.

Prisja që ai të revoltohej, po përkundrazi m’u përgjigj me cinizëm:

– Mirë ta kanë bërë, se ti ke qenë i pari që i ke kritikuar dhe nuk ke dalë në mbrojtje të tyre kur i kanë kritikuar të tjerët.

E pyeta për kë e kishte fjalën dhe më përmendi përsëri Ismail Kadaren.

– Ti ke shkruar një studim për të, – më tha, – dhe pikëpamjet e tua janë reaksionare. E para, se thua që krijimet më të mira të tij janë ato që nuk trajtojnë tema politike. E dyta, se sipas teje lidhjet me jetën ulin vlerën artistike. E treta, se thua që format e vjetërsuara janë më të mirat dhe e katërta, se bën thirrje që ai të kthehet prapë në pozitat e mëparshme të romantizmit kontamplativ.

– Këto janë vërtet pikëpamje shumë të gabuara, – i thashë, – po nuk janë të miat, dhe i tregova pikëpamjet e mia të vërteta.

Ai, pasi më dëgjoi, më tha:

– Unë nuk e kam lexuar studimin tënd, po kështu më kanë thënë…

Në bisedë e sipër ra fjala edhe për një poet të ri (Faslli Halitin), të cilin ai luftoi ta sillte në Tiranë. I thashë se Komiteti i Partisë së Lushnjës kishte opinion të keq për formimin politik dhe qëndrimin moral të këtij njeriu.

E përmend këtë fakt për të treguar se Fadil Paçrami, për të luftuar njerëzit, edhe punët e partisë i nxirrte në Pazar. Gjithë bisedën që bëmë ai ua transmetoi në një prej takimeve të shpeshta, Ismail Kadaresë e Ibrahim Uruçit dhe Ismail Kadareja ia tha shpejt e shpejt të interesuarit; duke e nxitur atë të organizonte studentët kundër meje (këtë fakt ma deponoi vetë studenti Faik Pajolli që ishte ngarkuar ta provokonte, kurse thëniet e Fadil Paçramit m’i tha Agim Shehu, që i kish dëgjuar prej Ismail Kadaresë). I përmenda këto fakte të fundit jo se jam shqetësuar prej tyre (asnjëherë nuk jam shqetësuar prej veprimesh të tilla) po për të treguar në mënyrë konkrete ç’metoda përdorte Fadil Paçrami për të luftuar njerëzit që e kundërshtonin dhe nuk i shkonin pas avazit. Ai i ndante shkrimtarët e artistët nëpër kafene në tre grupe: ata që ishin me të; ata që ishin lëkundur dhe duhej të jepnin prova afrimi dhe ata që ishin armiq dhe duheshin shpartalluar. Unë hyja në kategorinë e tretë. Ky kategorizim, me sa di unë u formulua nga fundi i vitit 1972 dhe mori dhenë në rrethet letrare e artistike. Kohët e fundit e kam dëgjuar edhe në Vlorë. Të gjitha këto tregojnë se ai bënte përpjekje të ethshme për të imponuar pikëpamjet e veta oportuniste në një rrugë krejt të shtrembër dhe prapa krahëve të Partisë, duke u orvatur të demoralizonte, të diskreditonte e të persekutonte moralisht njerëzit që e kundërshtonin.

Razi Brahimi

Tiranë, 2 mars 1973

Arkivi Qëndror i Shtetit, Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14. Dosja 297. Viti 1973, fl. 1-6

Please follow and like us: