Albspirit

Media/News/Publishing

V. Fritz Radovani: 2021, VITI AT PJETER MESHKALLA S.J.

 

Pjesa XIX

 

SANT’ ELENA

 

Në 100-vjetorin e vdekjes së Napoleon Bonapartit (1821 – 1921) në Sant’ Elena. Për këte vjerrshë përshkrimin në prozë poetike në italisht, ma dhá At J. Pasinetti.

Shkodër, 1921.

 

Larg, e në vetmi trishtuese krejt’i mbshtjellun

nën të tjera klimë, të zjarrta e mjegullore,

gjendët një i vogel ishull mes valësh déti,

Atje, e thepisun, kryet zbulon e hovet,

drejtë qiellit një buzë shkambi çveshë blerimi,

si të donte shoqëni me lypë ndër diella.

I lodhun syni përmbi dét të pamatun

kërkon, por kot, përrreth bregore të tjera

sa grima të mund pushojë, pse, kah të sillesh

mbi horizont, veç ndanë rrafshinë qiellngjye.

Prej së drejte, mëni të Amëshuemit

i vérbtun dukët ai shkamb atjé,

dhe valët shkumbuese njêna mbas tjetrës,

rrebtas tue gjimue, turren mbi té,

por ato sulme të kota shkambi krenisht përbuzë,

kè porsi sógje a monument të përjetëshem ma se bronxi,

Zoti i fitores mbi njâtë vend e ruejti.

 

Shkâmbit jetik përbri e për nën gêmba

të njâj shelqnâje vajtuese, një varr gjendët;

landë e ngâllënjimit, lari i rri mbi krye:

Ky’i ditë vigan mbi rê na’e hidhte shtatin,

por sot, rruféja djegun zhari, varet

e shkyeme degësh; por, zjarri që prej së nalti mbi té u plandos,

s’ia kish’ pasë sosun jetën, se, gêmbat e cunguem, stolí e begatëshme

i mblon prej gjethësh të blerueshëm e,

shkulmet (ké të furisë së tyne në dorë kjo landë kjé lëshue)

m’e shkulë pa kurrë dobi rropatën:

të forta e të thélla rranjë kish’ngulun në atë bregore.

Kështu, deshti Qielli të largëtave breznina,

kujtim tue u lanë të pashlyeshëm, me u tregue

kryenalta si mbaron mbi tokë m a d h ë s h t i a !

 

Shenim nga F. Radovani: Kjo poezi e At Meshkallës botohet në rastin e e 100 vjetorit që asht shkrue nga Autori, dhe 200 vjetorin e vdekjes Napoleonit.

Melbourne, 5 Maji 2021.

 

Pjesa XX

 

Në kampin e krypores së Vlonës…

Vazhdonte Kalvarin…

 

Padër Pjeter Meshkalla gjithnjë doli fitues mbi kundërshtarët. Ai gjithmonë e kudo i mposhti ata. Ai gjunjëzoi diktatorët ma të mnershëm e të pashokë, që mund të kenë pasë historia e Shqipnisë. Ata, para figurës së Tij, ishin të pafuqishëm edhe për mjeshtrinë e flligtë vrastare të tyne, terrorin, torturën, gënjeshtrën, shpifjën, e sidomos kur para tyne ndodhej i lidhun për karrigë e me duer mbrapa ndër pranga ndonjë Atdhetar apo Klerik, që përsonifikonte virtytin e burrninë e Shqiptarit, siç ishte At Pjetër Meshkalla. Qendrimi i këtyne burrave nder hetuesi zbulon misterin… Ja një rasë:

Mbas dënimit, mënjëherë e dërguen në kampin e kryporës së Vlonës. Porsa kishte mbërrijtë, i kishte tregue një mikut: “Jam kenë shumë i lumtun gjatë hetuesisë, se qysh ditën e parë kuptova që gjatë kontrollit të shtëpisë seme, Sigurimi nuk kishte mujtë me e gjetë të Shejtnueshmin Sakramend, që e kam pasë të fshehun!”. Atje Ai do të punonte ndër këneta për me realizue qellimin e komunistëve për të cilin ishin angazhue ata, –zhdukjën e Tij fizike-… Rinia Shqiptare e prangueme mu në lulen e rinisë dhe pa asnjë shpresë me shpetue nga prangat e diktaturës barbare komuniste nder kampët e shfarosjes ishte krejtë tjeter per ata që mërrijtën me e njohtë nder vuejtje.

Nder ata kampe të mënershme mbrenda Shpirtit tyne ishte brumosë sakrifica… Një dashuni krejt’e pakuptueshme që në shumë rasa perfundonte edhe në vetflijim per shokun. Per ne që s’ e kemi provue ajo asht e panjohun dhe e pakuptueshme.

At Meshkalla ishte nder njohësit ma të saktë të brumjos s’anës Shpirtnore të rinisë sonë nder hetuesitë e kampet komuniste. Ai fliste me kompetenca per mënyren me të cilen ka punue dhe veprue sigurimi i shtetit per me shrranjosë edukaten qytetare dhe shkollore në Shqipni. Mjetet ishin ma antikombtarët… At Meshkalla ishte i pergatitun mirë për djallzitë e sigurimit…

Ai filloi punën me grupin e shokëve ku ishte caktue. Shkonte rreth një ore në kambë larg kampit për me u gjetë në vendin e punës dhe me lopatë do të realizonte normën e caktueme. Mos realizimi i saj sillte pasoja të randa për të burgosunit. Porsa mori lopatën në dorë me fillue punën, çfarë ndodhi?

Grupi i djelmëve të rijë, që ishin “bashfajtorë” me té, e që ishin gjetë të gjithë prej Toskënije, të zgjedhun me qellim për mos me dijtë kush asht “meshtari plak” prej Shkodret.

Ata i kërkuen një nder Pjetrit, mbasi ata nuk dinin në atë çast emnin me të cilin do të njihej ma vonë shoku i punës së tyne, i porsa ardhun në kampin e shfarosjes së Vlonës.

Ata kërkuan prej Pjetrit që ky të shkonte jo fort larg me mbushë ujë për me pi ata gjatë kohës së punës. Atë rrugë ky do ta bante dy-tri herë në ditë. Kohën tjetër do ta kalonte nën hijën e një pemës aty afër, ndërsa normën e punës së Tij (sot krejt e panjohun prej nesh) do ta kryenin djelmtë e rijë.

He pra, gjeni si ndodhi kjo punë!?… -Ata nuk e dinin fare kush ishte Ky “plak” 66 vjeçar… nga Shkodra.

Ata dinin vetëm një gja; të dërmoheshin e të shkallmoheshin ndër moçale, kanale e këneta për me mujtë me nxjerrë të paktën kockat nga ai vend, mbasi gjithshka humbte në llomin e baltën që përzihej me gjakun e djersën e Tyne, e që sa vinte dhe i thithte përmbrenda për me i kalbëzue, me i tretë, me i zhdukë, për mos me u pa ma kurr në faqe të dheut, përveç karakterit të Tyne, që sa vinte e brumosej me idealin për të cilin kishin hy në atë vend: Antikomunizmin.

E këta djelmë nuk ishin vetëm prej Tiranet apo prej Shkodret, ku kishte punue e jetue Padër Meshkalla me rininë, por Ata ishin prej krejt Shqipnisë. Kjo ishte arësyeja që ata edhe e respektonin, sepse edhe Ai i përkiste rinisë së mbarë Atdheut. Nëse sot Rinia Shqiptare mërrinë me e kuptue kush ishte dhe kush mbeti nder fletët e historisë së martirizimit të Popullit Shqiptar, nga barbarizmi i tiranisë komuniste, aty do të gjeni mija e mija Figura të nderueme që koha me siguri njëditë do ti vendosin në vendin e merituem. Janë mija të rijë që sot nuk po i kujtohen emnat e Tyne të nderuem e, shka asht edhe ma keq punohet per me i harrue… Jo, jo, Atdheu per Ata, sot tue fillue nga ma të masakruemit kerkon me vendosë një lule mbi gropen e Tyne të “harrueme”, bash aty nder ferrat e Zallit të Kirit, si dikur… Nanat tona ndeznin një kandil që s’fikej kurr!

Mos harroni se Shqiptarët me gjakun e Tyne kanë çimentue Përmendoren e lavdishme dhe të perjetëshme antikomuniste në kontinentin Europjan…

Melbourne, 11 Maji 2021.

 

Pjesa XXI

 

“E, dyert e ferrit nuk kanë”…

 

Kaluen pak muej pranë asaj peme ku rrinte Pader Meshkalla dhe njëditë, papritë, aty pranë ndalohet një xhips. Zbresin dy xhelatë dhe drejtohen nga oficeri i rojës për me ditë se cili asht Pader Meshkalla, i flasin dishka në një anë dhe drejtohën nga Patri (mbasi kështu e thirrnin policët), dhe e marrin me vete…

Ku e çuen? Çfarë kishte ndodhë? -Askush nuk mori gja vesht deri në darkë kur u kthyen të burgosunit nga puna… Kishin hy në zyrën e drejtorit te kampit dhe kishin kërkue nga Padër Meshkalla mos me shkue ma në punë tek kryporia, por me u angazhue me përkthime në një dhomë të veçantë, sigurisht mbrenda kampit. Materiali që do të përkthente Ai aty ishte në gjuhën gjërmane dhe do t’i sillej nga Tirana. Bahej fjalë për veprat origjinale të materializmit… Por P. Meshkalla, i fortë, i palëkundun dhe trim si gjithmonë, nuk i le me vazhdue bisedën tue ua ndërpre fjalën: “Nuk pranoj me u marrë me këte punë mbasi nuk i jap as rinisë, as pleqëve, të përkthyem me dorën teme helmin e marksizëm – leninizmit, atë helm kundër të cilit jam kenë gjithë jetën teme”.

Atëherë, ata e pyesin: “Çfarë punët tjetër di me ba ti?” –Ai u përgjegjet: “Vetëm Meshtar”. Ata prap ngulin kambë: “Po tjetër punë shka di?” – Pader Meshkalla u përgjegjët: “Vetëm me thanë Meshë!”. –Po mirë, mbas meshet, me shka je marrë në shtëpine tande? –Vazhdojnë ta pyesin ata. “Jam marrë me lule” – u pergjegjet Meshkalla. He pra, sa mirë!…- i thonë ata, – Këtu para kampit ke me ba një lulishtë. Punët e randa do t’i bajnë tjerët, ti vetëm ke me u kujdesë për lulët, ndërsa, në kohën e drekës dhe të darkës ke me shpërnda në tavolinat e mencës rriskat e bukës për të burgosunit.., një punë e lehtë, por që Pader Mëshkallën e kalonte pothuej puntorë pranë mencës së kampit. Qé misteri! Sigurisht… ishte Zoja që po vepronte, e që Ai kishte aq devocion në Té.

Tashti edhe Ganxhja, kushrina e Tij, nuk mund ta ndiqte ma, ishte shumë plakë e shkreta dhe nuk mund të merrte ma rrugët e gjata, të largëta, të vështira, me shpenzime e plot strapaca, që mund t’i përshkruente vetëm nana eme. Ajo i ka provue të gjitha tue shkue ndër kampe anë e kand Shqipnisë, prej derës së burgut të Kuvendit të Fretënve në 1946 e deri në të famshmin Spaç, në 1977.

Kur erdhi nga kampi i Vlonës, nana ishte e gëzueme se kishte pa Pader Mëshkallën tek lulishta para kampit, dhe e kishte përshëndetë dhe ishte dukë mirë me shëndet. Ai i kishte tregue mbas telave me gjema se merrej me lule.., dhe nuk shkonte ma ndër kanale e punë të randa… Polici e kishte lejue me folë këto pak fjalë.., mbasi Atij nuk kishte kush t’i shkonte ma atje me e pa, sepse tashti nuk guxonte ma asnjëri me iu afrue atij vendi… Asht vështirë sot me u kuptue nga ata që nuk e kanë provue në sofren e vet, fjalen “lufta e kllasave”…

Një ditë, kur Pader Meshkalla po merrëj me lule, kishte shkue në Vlonë drejtori i burgjeve të Shqipnisë. Ishte afrue tek Meshkalla dhe e kishte pyetë: “Pse punon kaq bukur, pra, ti edhe nuk na don aspak né?!” – Pader Meshkalla iu përgjegj: “Asht e vërtetë që unë nuk iu due ju aspak, por më pëlqen me iu ba ju, që me gojën tuej me lavdue punën e armiqve tuej!” Cila kulshedër komuniste mund të priste këto fjalë?

Ai mbështetej mbi atë parim për të cilin edhe kujtohej prej shumë qytetarëve, të cilët dikur besoj e kishin dëgjue zanin e fuqishëm të Tij, tue ushtue prej predikatorës së jezuitëve t’ asaj kohë: “…E dyert e ferrit nuk kanë me fitue… nuk kanë me fitue… e pra, nuk kanë me fitue”.

Kushedi, sa herë e përsëriste këte shprehje të At Meshkallës, i nderuemi Gjovalin Prendi, i cili ndër shumë kujtime të Tij imitonte zanin e fortë dhe mimikën e Tij, ashtu si e kishte pa e dëgjue në predikatorën e Kishës së Jezuitëve, kur ky ishte kenë student në gjimnazin e tyne në Shkoder.

Koha me të vertetë që ecte e merrte me vete shumë kujtime… Dukej se gjithshka shkon drejt humnerës së harresës, por jo! Edukatorët e Rinisë Shqiptare dijtën me daltue në Shpirtin e saj dashuninë per Atdhe, dije dhe kulturë Europjane, po mbi të gjitha virtytet e pashlyeshme në kujtesën e Tyne, mbetën të paharrueshem daltuesit dhe edukatorët e perjetshëm!

Melbourne, 18 Maji 2021.

 

Pjesa XXII

 

Tregonte i Madhi Pjeter Gjini…

Pjeter Gjini (1908 – 1988) ishte një figurë e rradhë që njeh prej asaj kohe të vështirë humori e kultura e Shkodres. Nuk ishte i panjohun edhe nder ambjentet tona familjare, po jo aq sa na u krijue mundsia nga hymjet e daljet me nipin e Tij Luigj Gjeka.

U gzueme shumë të gjithë miq e shokë të Luigjit per Dajen e Tij. Knaqësi e madhe që u lirue mbas 12 vjetësh i burgosun “pa dijtë se pse”, politikisht në Burrel. Shumë shpejtë u njohëm me “Dajen Pjeter” dhe prej asaj kohë edhe na mbetem miq. Pak kush i kujtonte vitët e burgut me aq hollsi sa Pjeter Gjini. Kishte një kujtesë të mrekullueshme! Fatkeqësisht nuk e kujtoj emnin e një djali të ri për të cilin më ka tregue i nderuemi Pjetër Gjini (pak kohë mbasi pat dalë nga burgu), aq e kishin rrah policët e burgut Burrelit, e torturue në mënyrë çnjerëzore, sa për kush e di sa ditë ai djalë nuk mund të çohej i shkreti në kambët e veta. Kishte mbetë i shtrimë në shtrat nga dhimbjet e trupit dhe të gjymtyrëve… Nuk ishte i zoti me shkue as në banjo ai vetë…

E pse? –Dikush nga të burgosunit e kishte paditë se ai djali kishte thanë: “Pader Meshkalla asht Njeriu ma i madh që kam njohë në jetën teme!”… E pabesueshme!.. Por ai u ndeshkue aq rreptë vetëm se guxoi e vuni figurën e Pader Mëshkallës mbi Enver Hoxhen e Stalinin e “madh”… Për kësi lloj fajesh nuk ishte aspak çudi edhe me të pushkatue në ato kohë të zeza.

I ka këto gjana “demokracia proletare”, thonte i madhi Pjetër Gjini, “lum kush e provon!”. E me të vertetë ashtu ishte!

Erdhi një kohë që Pjeter Gjini ishte i “domosdoshem” nder të gjitha sofrat e gzueshme të Shkodres, ndersa tek të njohunit në Burgun e Burrelit, Pjetri ishte në kryet e vendit. Ai respektohej prej të gjithve, sepse qendrimi i Tij burrnor dhe i palëkundun nder vështirsitë aq të mëdha kujtohej prej të gjithve me respekt. Me një pjekuni e matuni të madhe Ai kishte krijue tek të gjithë një besim të madh që e veçonte nder bashkvuejtësit e Tij. Erdhi koha dhe u ndame tue u qeshë por, pa e kuptue.., prej Pjetrit!

Kujtoj disa thanje të Tijat.., po fatkeqsisht koha nuk lejoi me i pasë të shkrueme shumë thanje brilante të Pjeter Gjinit.

Ai ishte një dokumentar i plotë dhe i saktë i zhdukjeve “nen za” të panjohuna edhe sot, nga kriminelat e atij humnerë Burgut. Pak kush mund të kenë metë pa i rigue lotët, kur Pjetri na la…

Vështirë se Burra si Ai, i vijnë prap Shkodres sonë plot humor, e që na e kishim per zemer në “atë Shekull plot me lot”…

Melbourne, 30 Maji 2021.

 

Pjesa XXIII

 

NJË NATË E PAHARRUESHME…

 

Kujtime me të vertetë të daltueme në tru! Nuk harrohen kurr!

Ndokush mund të na pyesin sot: “Po me këndue a dinte Pader Meshkalla?” Dhe unë po ju përgjegjëm: “PO”.

Në fundin e ferrit ku ishte Ai, ndoshta, ndokush nuk e beson, por asht ma vështirë me ba të tjerët me këndue, se me këndue Ai vetë, pra, me 24 dhetor 1952, natën e Krishtlindjës, janë dëshmitarë djelmoçat e rijë të asaj kohë, bashkvuejtës në kampin e të burgosunve nr. 1, tek Ura vojgurore në Berat, që bashkë me Mësuesin e tyne kënduen me zâ të lehtë “Stille Nacht”, madje, shumë lehtë, se me zâ ma të naltë mund t’i “prishej” qetësia policve, që aq ju donte, e kush e di se çfarë mund të vinte prej drite!. I kishte paralajmërue që sande do të këndojmë së bashku aty kah mesnata. Askush nuk dinte me e marrë me mend kangën që do të këndonin! Kaloi ora e gjumit dhe po afrohej mesnata. Dritat nder kampe nuk fikeshin… Dy nga djelmoçat pranë shtratit Pader Mëshkallës, nuk i zente gjumi pa këndue dhe, aty nga ora 11 e natës, i kerkojnë tekstin e kangës. Kur e morën tekstin mbetën tue shikue njenitjetrin të habitun. Po, kjo nuk asht në gjuhen shqipe! Pa kalue pak minuta u afruen edhe dy djelmë tjerë të cilët e kishin marrë dy ditë perpara tekstin nga At Meshkalla, dhe e kishin mësue ate dhe melodinë e saj. Ata ishin dy djelm që mësonin gjermanisht nga Pader Meshkalla, dhe perveç tekstit dijshin edhe melodinë që ishte nder kryeveprat e kangve gjermane rreth vitit 1818. Ishte një kangë që Naten e Këshndellave e këndon gjithë Bota:

“STILLE NACHT”

Nga Franz Xaver GRUBER (1787 – 1863) 1818?

  1. Stille Nacht! Heilige Nacht!

Alles schläft; einsam wacht

Nur das traute heilige Paar.

Holder Knab im lockigten Haar,

Schlafe in himmlischer Ruh!

Schlafe in himmlischer Ruh!

 

  1. Stille Nacht! Heilige Nacht!

Gottes Sohn, o wie lacht

Lieb´ aus deinem göttlichen Mund,

Da schlägt uns die rettende Stund.

Jesus in deiner Geburt!  

Jesus in deiner Geburt!  

  1. Stille Nacht! Heilige Nacht!

Die der Welt Heil gebracht,

Aus des Himmels goldenen

Höhn Uns der Gnaden Fülle läßt sehn:

Jesum in Menschengestalt,

Jesum in Menschengestalt

 

  1. Stille Nacht! Heilige Nacht!

Wo sich heut alle Macht

Väterlicher Liebe ergoß

Und als Bruder huldvoll umschloß

Jesus die Völker der Welt,

Jesus die Völker der Welt.

 

  1. Stille Nacht! Heilige Nacht!

Lange schon uns bedacht,

Als der Herr vom Grimme befreit

In der Väter urgrauer Zeit

Aller Welt Schonung verhieß,

Aller Welt Schonung verhieß.

 

  1. Stille Nacht! Heilige Nacht!

Hirten erst kundgemacht Durch der Engel Alleluja,

Tönt es laut bei Ferne und Nah: Jesus der Retter ist da!

Jesus der Retter ist da!

 

Edhe pse të rrethuem në tela me ferra dhe armë vrastare… Pader Meshkalla ishte Ai Atdhetar që, mendonte si e si me i ba me harrue të rijtë e burgosun se ku ishin… Ajo ishte kanga! Ai gjithë jeten e sakrifikoi per Rininë Shqiptare!

Ai dinte të gjitha mënyrat me ba Rininë me harrue ku ishte!!

Melbourne, 7 Qershor 2021.

Pjesa XXIV

 

Nga Prof. Prend BUZHALA:

 

LIBRI PËR MISIONARIN E PAPËRKULUR

 

Autori i librave “At Pjetër Meshkalla S.J.” (1993) dhe “Një monument nën dhé” (2004), bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1991” (1993) Fritz Radovani na vjen me botimin e dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.” Nëse letërsia shqipe, e përgjithësisht edhe literatura diskurzive, e krijuar në Shqipëri e në Kosovë, deri në vitet ’90, përshkohej nga tematika e Luftës së Dytë Botërore dhe të “periudhës së ndritur të socializmit”, me “pastërtinë ideologjike”, me një sistem të veçantë motivacioni, shpesh duke kaluar në një letërsi sterile; zhanri dokumentar dhe ai letrar, që erdhen gjatë dy dakadave të fundit, sollën një frymë tjetër çliruese. Edhe té ky libër e lexojmë dhe e ndjejmë frymen e po atij homazhi dokumentar i të njejtit lartësim të figurës atdhetare e të dalluar kundër diktaturës që shfaqen në botimet e përparshme të këtij autori.                

Lartësimi i shembëlltyrës, sinteza të kontekstit kohor. E tash, na vjen edhe një liber i kujtesës dokumentare që të na     ndihmojë në një gjë: si ta mundim atë terr të së keqes brenda nesh. E jep biografinë për jetën dhe veprën e At Pjeter Mëshkallës S.J. (1901 – 1988), intelektual, atdhetar e prift shkodran, i burgosur disa herë nga diktatura komuniste. Kësaj radhe, autori e ndanë librin në nëntë pjesë. E nis me lartësimin e portretit të tij si atdhetar, meshtar jezuit, qendresën e Tij etiko – jetësore, besnikërinë e Tij ndaj bindjeve të Tija të palëkundshme filozofike, fetare e njerëzore, duke dhënë, po ashtu, edhe sinteza të kontekstit kohor të ngjarjeve, nëpërmes kujtimeve e të evokimeve (teksti ballor “Ai ishte” dhe po këte frymë e vazhdon me “Pjesen e Parë”).                 

Po në frymen e këtij dokumentacioni, për ta parë edhe në një plan tjetër shembëlltyren vepruese të këtij jezuiti shqiptar, në pjesën e dytë jepen pjesë nga trashëgimia letrare e shkrimore e At Mëshkallës (poemat “Kanga e Isaisë”, “Krishtlindje në Shkoder”, “Nanë ktheu”.., dhe gjashtë pjesë të poemes    “Hipokrizia”.., etj., deri në 1982).               

Në pjesen e tretë autori trajton biografinë e shkurtë të At Meshkallës. Duke e nderthurë, shpesh e shpesh, refleksioni me komentin lirik, sintezen përshkruese me faktin, portretin e shembëlltyrës me kontekstin historik e shoqëror, edhe té kjo pjesë shquhet modaliteti dokumentar i Fritz Radovanit. Ja si e përshkruan fundin e jetës së At Mëshkallës: “Me datën 28 korrik 1988, populli i Shkodres, pa dallim feje, përcolli për në banesën e fundit AT PJETËR MËSHKALLËN, Atdhetarin e       flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij, Dijetarin mendje ndritun e puntorin e palodhun për unitetin e Atdheut…                 

Shqipja me kthetrat e Saja ka skalitë në një shkamb: Edhe një Hero ma pak”.               

Pjesa e katërt (“Ai nuk perkulej!”) jep shkallë – shkallë vendosjen e regjimit komunist dhe luften e këtij regjimi kundër klerit dhe fesë përgjithësisht, ballafaqimet dhe qendrimet e At Mëshkallës kundrejt qendrimeve zyrtare, në shtypin e kohës…                  

“Ai nuk thehej!” paraqiten vitet ’50, ’60 të diktaturës kundër fesë, sidomos të viteve 1967, kur u mbyllen përfundimisht kishat dhe Shqipnia shpallet shtet ateist…               

Radovani, prandaj ka të drejtë të konstatojë: “Padër Meshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue maparë. Ai pau me sy çka paralajmëroi diktatorët: Me të vërtetë hangrën kokat e njeni – tjetrit dhe këtij nuk patën çka me i ba. Ai dhe Ideali i tij, Fitoi” së këndejmi na vijnë edhe ideostilemat vlerësuese të Fritz Radovanit (“Ai nuk përkulej”, “Ai nuk thehej”, “Ai fitoi”)që dalin nëpër pjesët e veprës.             

“Padër Meshkalla gjithnjë doli fitues mbi kundërshtarët, Ai gjithmonë e kudo i mposhti ata. Ai gjunjëzoi diktatorët ma të mnershëm e të pashoq që mund të kenë pasë historia e Shqipnisë. Ata para figurës së Tij ishin të pafuqishëm dhe për mjeshtrinë e flligtë të tyne, terrorin, torturën, gënjeshtrën, shpifjen e, sidomos, kur para tyne ndodhej i lidhun për karrigë e me duer mbrapa ndër pranga ndonjë Atdhetar apo Klerik, që përsonifikonte virtytin e burrninë e Shqiptarit, siç ishte At Pjetër Meshkalla. Qendrimi i këtyne burrave zbuloi misterin…”.               

Prandaj, letërsia dokumentare e Fritz Radovanit mund të përkufizohet si bioprozë karakteristike që vjen në letërsinë tonë me pluralizmin e temave, ideve, procedimeve shkrimore, rrymimeve letrare, me procesin bashkohorë të shumësisë së zhanreve.                

Posi tek libri “Një monument nën dhé”, edhe tek kjo monografi endëzohet e strukturohet rrëfimi në veten e parë, i cili paraqet një modalitet të veçantë të së vertetës. Mbase, këte trajtë dokumentare personale e subjektive të rrëfimit në veten e parë, dëshron ta paraqesë si frymë etnie të veçant të shekujve të kaluar për brezat që vijnë. Edhe pse ky i martirizuem e “amanetxhi” është katoliku shqiptar, më i përafert me habitusin e tij specifik, si është Shkodra; autori për asnjë çast nuk i largohet jetës së pandashme të binomit të tij “Atdhe”, Shqipnisë, Shqipërisë; Trojeve Etnike. Ai nuk i ik  fatit të njeriut shqiptar në kohë të turbullta e as pikëtakimeve të religjioneve, zakoneve, varreve, festave, flamurit e gjuhës së përbashkët. Të dhënat, faktet dhe refleksionet mbështeten dhe strukturohen jo vetem mbi një bazë të gjërë e të shumëllojshme dokumentare, por autori jepet i tëri edhe mbas të dhënave më të padukshme e mbas nuancimeve që rrallë na bien në sy në jetën e përditshme a në literaturë. Së këndejmi, do të thoshim, autori i jep shumëzëshmërinë kësaj vepre dokumentare, e që përbën një polifoni të vërtetë të zhanreve dokumentare – publiçistike, polifoni e këndshikimeve të pasura, mbasi tek e vërteta ai arrinë shkallë – shkallë, po si një arkeolog që i heq ngadalë shtresat që e mbulojnë thesarin e tij dokumentar; që i heq me durim bashkat e gënjeshtrave mbi ngjarje dhe personalitete.           

Autori duhet përgëzuar edhe për gjuhën e kuptueshme e të thjeshtë, pa ndërlikime refleksionesh të errëta a frazash boshe. Gjuhën që e përdor autori Fritz Radovani në të gjitha veprat e tij të letërsisë dokumentare, (si e ka vlerësuar autori i këtij shkrimi kritiko – letrar në një rast tjetër), është ajo e sensibilitetit të njohur ligjërimor shkodran; i njeriut shkodran, që ka trashëguar traditat atdhetare, fetare, etnike e popullore të mesit, i identitetit etnik euroshqiptar. Kjo gjuhë është testimonia illyrica et testimonia albanica e martiriumit dokumentar të Radovanit. Porse libri i shkruar në këte trajtë letrare, asesi nuk do të thotë se kundërshton  standardin letrar të shqipes. Standardi gjuhësor, gjithsesi, është diçka tjetër, aspak i kontestueshëm. Është shpirti i dokumentit dhe i formimit dëshmues të autorit. Ndryshe, do të vritej ky shpirt dokumentar. Dhe ky shpirt dokumentar frymon si i tillë vetëm në trajten e shkrimit që e ka dhënë Fritz Radovani.                  

Historia që vëzhgohet e dokumentohet në këte monografi, është ajo më e reja, që i gërmon këto rrënjë shqiptare e fetare, që e gërmon harmoninë shqiptare përballë fytyrës së krimit dhe egërsisë së ndërhyrjes së armiqve shqiptarë, sllavëve, të cilët injektuan ideologji përçarëse. Parametër i këtij gjurmimi        gjithnjë është humanizmi, Njeriu, fytyra njerëzore. Drita dokumentuese, e hedhur nëpër minjerat e kujtesës e të katakombeve të historisë më të re, përqendrohet pikërisht në kërkimin e së Vërtetës. Prandaj, lënda e shtrirë dokumentare strukturohet nga referencat e shumta, nga kujtimet, rrëfimet, dëshmitë, ditarët, reportazhet, letrat, korespondencat, të gërshetuara me rrëfimin biofiksional e me pasazhet lirike narrative; që e shtyjnë autorin të japë një precedimor karakteristik të thurjes së librit. Prandaj, aty, sa e lexojmë eseun dokumentar në trajtën e hibridizimit të zhanreve, sa lexojmë thënien dokumentare – realiste të përshkrimëve, kroniken dhe monologun e brendshëm, një procedimor – kolazh, ku përvijojnë linjat kronologjike – dokumentare .

 

Nëse preciziteti dhe saktësia janë imanencë e dokumentit historik, atëherë Radovani arrinë që ato t’i shëndërrojë në substancë të përmbajtjes së vetë letersisë së tij të dokumentit.

 

Zagreb, Maj 2006. Prof. Prend BUZHALA.

 

Shenim nga F.R.: Botohet pa asnjë ndryshim nga origjinali. Ju falemnderes i Nderuem Prof. Buzhala.

Melbourne, Qershor 2021.

 

 

Pjesa XXV

 

SHKODER, 2 KORRIK 1950…

 

 

DON KOLEC PRENNUSHI

(1902 – 1950)

 

Don Kolec Prennushi, ishte shoku i rinisë në Linz të Austrisë i At Pjeter Mëshkallës, që studjonin bashkë në 1918, per me u ba meshtar. Mbas kthimit n’ Atdhe kanë vazhdue miqsinë e Tyne deri në vdekje. Tregonin pleqtë se me arrestimin në vitin 1946 të At Meshkallës, Don Kolecit i pat ra idhnim i madh per Te.

Kishte frikë se qendrimi i At Mëshkallës në hetuesi, përballë atyne bishave të sigurimit, edhe mund ti shkurtonte jeten…

Kur Don Koleci sherbente famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, nuk vonoi dhe me 5 Dhetor 1948 kje arrestue edhe Ky. Kje lirue plot mbas 11 muejsh, në Nandor 1949 i smurë me probleme zemret… U lirue gjoja per mungesë provash…

 

Mbas pak muejsh, me 2 Korrik 1950, Don Koleci papritmas vdiq në Shkoder. Vdekja e Tij kje jo vetem e parakohëshme, por shumë e randë per Nanen e Tij, e cila jetonte gjithmonë tue i shikue sytë e ballit edhe pse ishte djali i madh i Saj.

Kur u lirue Don Koleci, Nana Nine mendoj se i shpetoi Djali. Vdekja e Tij e gjymtoi Nanen e Tij përgjithmonë… Sytë e Saj nuk shifeshin njëherë pa rrigue lot. Vuejti plot 11 vjet mbas Tij.

Tregonin se një i njoftun i Don Kolecit, shkoi me pa një njeri të vetin në Burgun e Burrelit dhe i tregoi atij per Don Kolecin… Fjala eci dhe shkoi e i ra në vesh Pader Mëshkallës, i cili nuk e pritte kurr atë vdekje… Ishte një moment shumë i randë edhe per të gjithë ata që e njifshin afer At Meshkallën…                 

Ai idhnim i vazhdoi disa ditë, sa herë që nder biseda dikush I kujtonte Emnin e Mikut Tij Don Kolecit. Pak kush e dinte se Pader Meshkalla kishte humb jo vetem një shok… Miqësia mes Tyne kje aq e fortë sa koha, vetem, sa vinte e i lente mresa.            

Kur doli nga burgu At Meshkalla, vizita e parë kje ajo që erdhi dhe me lot perfaqe përqafoi Motrat e nipat e Don Kolecit…               

Fatkeqsisht, Nana Nine nuk jetonte ma prej vitit 1961…          

Në kujtimet e veta At Pjeter Meshkalla kujtonte gjithnjë një prej thanjeve të At Zef Valentinit per Don Kolecin disa vite të   shkueme: “Don Kolec Prennushi asht Kardinali i ardhshem I Kishës Katolike Shqiptare” (1938).               

Ndersa, Prof. Ernest Koliqi transmetoi në radio nga Italia:                  

“Shuhet edhe një penë e artë e letersisë sonë, vdiq në Shkoder                  

pa pritmas me 2 Korrik 1950, Don Kolec Prennushi, letrar i                

shpresave të mëdhaja…” (1950)                

Më tregonte At Meshkalla njëherë kur e kishin ftue në Vjenë Don Kolecin per një pretk për Këshndella, aty nga 1937, sesi kishin shkue bashkë atje. Kur Ai po predikonte, një Vienez i ishte afrue At Mëshkallës dhe e kishte pyet: “Ku sherben ky Prift, se do të shkojshe perditë me ndigjue pretkun e Tij”. At Pjeter Meshkalla ka lanë të shkrueme nder kujtimet e veta:“…Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur ishe në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjën e shokut dhe mikut tem të vetëm të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit. Atëditë kam kja perherë të parë…”.             

Prej asaj kohë më ka pasë tregue At Meshkalla se: Me 2 Korrik, ç’prej vitit 1951, Ai e kujtonte në një Meshë që i kushtonte në çdo vit me atë datë Mikut vet Don Kolec Prennushit.                  

Po, ajo që do të theksoj në këte shkrim asht prania me të cilen At Meshkalla, u gjet në çastet e fundit të jetës tek dy Motrat e Don Kolecit që i kishte si motrat e veta: Tek Nana ime, në vitin 1984 dhe, tek Tezja Rozë, në 1988. Një mrekulli e vertetë: Pak muej para se At Meshkalla, do të mbyllte plot lavdi e vuejtje jeten e vet prej Martiri të vertetë me 28 Korrik 1988…           

Per mue Portreti i At Mëshkallës, kur dikush i kujtonte Emnin e Don Kolecit, asht i paharrueshem e ndoshta, Ai më ka shty që me e vizatue me një dashuni dhe kujdes të posaçem…                

                  

Melbourne, 30 Qershor 2021.  

 

Please follow and like us: