Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Ngjarje në qytetin grek (2)

Ngjarje në qytetin grek

Roman

Botimet Barleti

 

Kapitujt VI-VIII

 

VII.

 

Ksanthulla hyri brenda dhe u end për një kohë të gjatë në korridor. Djaloshi shqiptar dukej interesant, i zgjuar, çapkën dhe me fytyrë jo shumë të bukur por tërheqëse. Një mik nga kampi armik, është mëse i domosdoshëm, tha ajo. Veç ky shqiptari nuk ka ndonjë peshë kushedi se çfarë. Një italian mund të bëhej garant për familjen tonë, që ne të mos prekemi.

Vajza shkëputi mendimet dhe vështroi tablonë e Dëlakruasë “Gruaja në barrikadë”. Ishte një grua e bukur, megjithëse tepër e shëndetshme; lart dhe afër saj, një çunak si nja 10-12 vjeç me dy revolverë të shtrënguar fort. Përreth tyre njerëz që kacafyten trup më trup e të tjerë që janë plasur përdhe dhe në sfond kupola e mjegullt e një katedraleje. Vetëtimthi Ksanthullës iu soll nëpër mend se Hygoi, për të krijuar figurën simpatike të Gavroshit, mori shtysë edhe nga kjo tablo, edhe nga ky fëmijë që shtin e thërret; ai u ndikua edhe nga një mori grafikash të hedhura në betejë e sipër po edhe nga thënia e Robespierit: le të bëhet çdo francez një Barra.

Nga trupi nuk i ngjaj kësaj gruaje, tha ajo. As nga bëmat. Shiko sa indiferente duket! Gjithçka në qënien e saj vlon, tallazitet që thellë në shpirt, te shtati pakëz i mënjanuar si të marrë fluturim e deri te dora e djathtë e ngritur lart. Një grua të tillë e ka parë me siguri piktori, ndoshta fare kalimthi duke lëvizur qepenat e dritareve, ndoshta e ka një mikeshë të tillë dhe i ka mbetur në kujtesë silueta e saj; ajo figurë është futur thellë, është shkrirë natyrshëm në indet e trupit duke i kujtuar mbase nje Zhakëlinë flokëverdhë a një Anjezë me gërsheta, i ka afruar plot syresh të tjera, të dashura e të njohura dhe i ka hedhur mjeshtërisht në këtë telajo që udhëton ngado me kumte universale. Po djaloshi i huaj a mund të hyjë në një portret? Ku ta dish, edhe mundet. Kohërat kanë përcjell më shumë figura femrash mahnitëse. Ka edhe portrete hyjnish e shtatgjigandësh në fillimet e njerëzimit.

Ksanthulla hoqi sytë nga tabloja dhe hyri në dhomën e bukës. U end përpak kohë si të frenonte parandjenjat dhe u kthye nga i ati:

– Më jep të lutem atë bllokun tënd? – i tha atij.

Plaku u step disi “të fillojë të ndjej diç prej lufte”, po nuk e cyti më tej. Doli e hyri sërish duke i zgjatur bllokun e vet.

 

Ksanthulla u ul në kanape dhe nisi të lexonte vëmendshëm faqen e parë:

Me ç’kam parë, lexuar dhe jetuar deri sa u bëra kaq, po hedh këto shënime me shpresë se dikujt do t’i duken me interes dhe ndoshta do t’i përdorë në një moment të përshtatshëm. Për 35 vjet me radhë nuk kam dëgjuar të shkruhet për miqësinë mes dy popujve fqinjë. (Fqinjësia e mijëvjeçarëve ka të shkrirë harmonishëm, mençurinë e tyre). Ka vende fqinje të lidhur ngushtë me njeri-tjetrin siç janë edhe antipodët e tyre që e ndjejnë veten rehat kur e shohin tjetrin në qivur, ndihmojnë apo i përgatisin varrin, (përfytyroni dy fshatra afër e afër që, ditën marrin ujë në të njëjtën krua dhe natën zbulojnë tërë mllef tjegullat e çative). Këta të fundit mbase janë bërë shkak për të mos u shkruar një traktat miqësie. Aman, duhen njohur popujt, të vegjël a titanikë qofshin, të njihen si i kryejnë ritet e gëzimit e të mortjes, si vishen e këndojnë, si i përcjellin legjendat e baladat, si i mikpresin bujarët e të huajt, si i përcjellin funeralët. Dhjetë, njëqind, një krahinë e më shumë katranë nuk bëhen kurrsesi dëshmi për një komb. As qeveritë e poshtra, nuk i përfaqësojnë dot popujt. Erërat shoviniste kanë fryrë herë pas here, të përziera me dhespotë, priftërinj e kaçakë të të gjitha kalibreve, kanë lënë për një mot të gjatë edhe magma të ndezura, që janë fshirë me shumë mundim…

Një rresht i shuar.

 

Shënimet e mia janë vetëm shënime, shpesh të palidhura në kohë, të renditura jo mirë siç i kam dëgjuar disa herë të mjegullta e të paspjegueshme, por që gjithkush mund t’i shfletojë. Populli grek me atë shqiptar janë dy fqinjë të lashtë sa nuk mbahen mend, thonë se janë ngulitur në të njëjtën periudhë. (Linguistët, arkeologët, etnografët, letrorët, dituranët apo historianët diku thonë se njëri është më i moçëm dhe diku tjetri; askush nuk e vë në dyshim lashtësinë e të dyve). Në Shqipëri ka grekë dhe këtu ka shqiptarë siç ka minoritet në çdo cep të botës të banueshëm me njerëz. Dyndjet dhe luftërat e mëdha e kanë bërë këtë hartë demografike sistematikisht. Në Greqi flasin edhe sot për Vorio-Epirin (Epirin e Veriut), ndërsa shqiptarët kanë pasur një perandori të tërë epirotase.

Ksanthulla shfletoi më tutje…

 

Faqja e tretë

 

Universi antik grek ka pirë vazhdimisht në eposet e veta të hershme, sic kanë pirë në rubinët egjiptianë e asiro-babilonas, në vedat sanskrite (rik-vedat e kushtesave hyjnore, sama-vedat e përmendoreve të këngës, jacuf- vedat e ceremonialit flijimnor e atbarba-vedat e shërbesave fetare) dhe në thesarin poetik shqiptar dhënë gjithshpirtërisht në formë altruizmi e pa kurrfarë shtrëngese. Lindja, martesa e vdekja janë pothuaj njëlloj në të dy popujt. Kryespunti i mjaft veprave tona, gjakderdhja ka gjalluar për shumë shekuj e kohëra në jetën ballkanase, po sidomos në botën shqiptare është endur si fantazmë vrastare RROBA E PERGJAKUR, ndërsa vetë populli fqinj është shndërruar në urë paqeje e afrimi për të tjerët. Përkitaz me Çirçen tonë është andej një e Bukur e Dheut, Polifem këtej e Katallan andej, përballë orëve të një mijë e një çudirave rrinë po aq me hijeshi tronditëse Zanat e malit, Odiseun e njohin nga llërët-nga të njëjtat shenja e njohin Ago Ymerin në eposin fqinj, balada shqiptare mëse madhështore e Kostandinit të vogël, një akuzë ballkanase që e thyen shpesh besën… është tek ne, te italianët, te bullgarët, serbët…

 

Tri reshta janë fshirë…

 

…ajo fqinjësi e gjatë pothuaj për tri mijë vjet, bashkësia me fiset ilirike ka bërë natyrshëm dhëniemarrjen e mesazheve, e fjalëve të sho-shoqit. Më tepër se sa fjalë, janë marrë rite e zakone duke u mbajtur reciprokisht si të shenjta. Nga dialekti dorik janë marrë në shqip: lakër, presh, qershi, pjepër, lëpjetë (një lloj sallate), shpellë, bletë, i egër. Nga greqishtja e Mesme dhe e Re, nëpërmjet sundimit bizantin kanë hyrë më pas fjalët: kuçedër, dafinë, hir, skile, skifter, trëndafil, ajazmë (vend me ujë), poganikë, benevrekë, baladë, munështir (vend i thatë), musha, kallogjer, potir (enë për vaditje), prikë, pajë, pëqi (një mbulesë e veçantë për gratë që lidhet në bel), fron, gjiri, gjëri, frati…

 

Në një gjysmë fletë

 

Grekët i kanë kënduar trimërisë se fqinjëve.

 

U ngritën tre flamurë mbi malin Aj Ilias

Njeri i Myftar Pashës dhe tjetri Zylyftar,

I treti Miçobomos, m ‘i madh nga të parët.

Drejt Sulit hapnin udhë, nga Vurgareli shkuan,

Me jataganë ndër dhëmbë e me dyfekë në duar,

Një plakë kur i pa me fjalë i ka shëmtuar:

– Ku shkon ti Myftar Pashë, ku shkon ti Zylyftar,

Këtu nuk është Hormovë, ta përvëlosh me zjarr,

Këtu i thonë Sul që të jep plumb në ballë,

Ku bëjnë luftë si burrat dhe gra e kalamaj

Shamitë i kanë plot gurë, në futa plumba kanë.

 

Një motiv edhe në këngët shqiptare.

 

Ditë shkurtërit e zes, të pafatët e shkretë

S’u puthën dot në gjallje e po puthen në vdekë.

 

Në variantin shqiptar, kënga e mëposhtme, nishani është një yll në gji dhe një hënë në sqetull.

 

Në qofsh burri im, thuaj ç’shtëpi kam.

Thuaj ç’shtëpi kam dhe shenjat e saj,

Ka një mollë përpara dhe një vreshtë pas,

Që bën rrush të bardhë e verë muskat

Më thuaj një shenjë që në trup e kam?

– Në gji e në sqetull ke nga një nishan…

 

Përkthimet e poezive janë marrë nga shkrimtari Ismail Kadare.

 

Faqja e katërt

 

Shqiptarit i është dashur të luftojë tërë jetën, madje në dy murtajat e përbotshme, romanizmin e pushtimin turk, ka qëndruar më heroikisht se kushdo tjetër. Një kronikë raguziane thotë se arbërorëve u hanin duart për luftë, çka solli edhe shpërbërjen e perandorisë më të madhe të Ballkanit; ndjenja altruiste ka qenë më e fortë se çfarëdo sentimenti tjetër.

Piramidat e para me koka të prera, grekë e arvanitë, u ngritën nga sundimtarët turq në Tripoli e Peloponez, pas humbjeve të mëdha të pësuara prej tyre.

Arvanitët ndihmuan me aftësi të e tyre luftarake për të përtërirë gjakun grek.

 

Një dokument venecian

 

Mërkur Bua nga Shkodra luftoi kundër armiqëve të Venetisë e sultanëve turq në Greqi, kundër Karlit VII ku Bua me kalorësinë trime arbëreshe rrëfeu zotësi dragoi dhe bëri plaçkë të madhe. Rreth vitit 1501 ra në aleancë me kalorësinë franceze kundër spanjollëve. Ludoviku, mbreti i ri i Francës e emëroi menjëherë kryekomandant të kalorësisë së VIII prej 6 mijë vetësh…

Manol Blessi, poet e ushtarak, kish luftuar në të gjitha betejat e përpjekjet e Venetisë në Dalmaci, më pas në disa vise të Europës e deri në Qipro kundër turqve. Më 1570, vetëm me katër kalorës, kaloi heroikisht përmes Austrisë e Prusisë. Për bukuritë e tij mashkullore u dashurua me një magjistricë dhe kjo e fundit i jepte përherë pamje shenjti e fuqi jashtënjerëzore ndër betejat e reja.

 

Faqja e pestë

 

Arvaniti Doksa, me forcat dhe mjetet e tij, zuri një vend të përforcuar mbi një bregore të lartë dhe i priti turqit me luftë. Të rrethuarit e vazhduan qëndresën edhe pasi turqit u prenë fumizimet e sidomos qyngjat e ujit. Në këto kushte ata e gatuanin bukën me gjakun e gjësë së gjallë që therin kohë pas kohe. Kjo qëndresë nuk vazhdoi gjatë, arvanitët e kapur u torturuan me thyerje nyjesh të duarve e të këmbëve, ndërsa Doksën e sharruan në mes.

 

Fletë të shuara…

 

Faqja e gjashtë

 

Filiqi Eteria quhej shoqëria e miqve, e cila u rrit pak nga pak dhe përgatiti kryengritjen greke të pavarësisë. Si kapedanë të parë pati kleftët grekë e shqiptarë, të bërë vëllemër vite më parë. Ali Pashë Tepelena e përkrahu atë dhe e ndihmoi me ç’mundi.

E shoqja, Vasiliqi Kondakçiu ishte anëtare e shoqërisë. Ndër udhëheqësit kryesorë të kryengritjes Odise Andruci, Gjergj Karaiskaqi e Marko Boçari u gatitën në oborrin e pasha Aliut.

Në qershor 1820 nisi lufta kundër sundimtarit të Tepelenës dhe bashkë me të po gatuhej ringritja e madhe. Cari i Rusisë, bullgarët, serbët e lanë në udhë kryengritjen greke, ndërsa kryengritësit shqiptarë me prijësat e tyre nga Suli luftuan deri në fund.

 

Faqja e shtatë

 

Bisedë me një tregtar nga Përmeti që e zuri nata në udhë dhe unë e mora në shtëpi.

– Luftërat marrin shumë njerëz, – tha ai.

– Kanë futur edhe sherre, – ia ktheva unë.

– Ashtu vëlla. Ja, ne kemi shkuar fjollë. Një shqiptar lë mendjen e kokës për një grek. Edhe greku. A thua se jemi të gjithë llagar, qelibarë. Këtë jo, nuk se e them. Me këta vesh i kam dëgjuar disa elladhas që sa kanë marrë vesh nga jam, u ka dal vrer nga të gjitha birat e kokës. Me këta sy i kam parë atë mot të katërmbëdhjetës që i thernin njerëzit si bagëtia, si berrat. Sa janë këta? Pak. Si ai biçuni te gishti i vogël i dorës. Po jo pa gjë, ama. E pret deri në rrëzë e ai prap nxjerr fitila, lastarë. Po fitilat ndonjëherë bëjnë helaq e qelbin gjithë dorën.

– Në s’mërzitesh, do të të tregoj një histori, – i thashë unë. – Padija bën gjëmën Në lumë thotë i pari dhe o burra, në lumë të gjithë me radhë. Kanë patur rusët një burrë të madh, e thirrnin Çernishevski. Ai shikonte hesapin e vet, punonte në fushën e letrave. Guberna e internonte, e burgoste dhe i thoshte miletit se ky mashkull do t’iu groposi nën dhe me laçka e me plaçka. Jo vetëm kaq, po e hipte në ca podiume të turpit për ta pështyrë masërisht. O derra o burra shkonte mileti e bënte adetin, e pështynte dhe e shante, i hidhte baltë e gurë. Njerëz nga populli, të verbët e me sy hapët, e poshtronin në atë farë feje që s’tregohet. Të mençmit shkonin pranë tij e ndjenin dhimbje, pështynin sa për të thënë nga frika e kërbaçit. Vazhdoi kjo punë një herë e dhjetë herë, një mot e më shumë mote. Dhe një ditë, Çernishevski i shkretë, i mllefuar e i papërmbajtur, ulëriu: Komb i mjerë, nga i pari deri te i fundit të gjithë skllevër jeni!

Tregtari shqiptar dëgjonte në heshtje.

 

Ksanthulla shfletoi disa fletë njëherësh dhe nxori nga mesi i bllokut një skedë. Aty shkruhej:

 

Burrat shqiptarë të shekullit XIX hapën epokë në jetën e tyre. Ata e donin dheun e të parëve me mish e me shpirt, donin edhe grekët. Samiu e Naimi (të dy vëllezër nga dera e Frashërve), Vretoja e Kristoforidhi kanë leçitur në kolegjin “Zosimeja” të Janinës. Ata kanë shkruar shumë vepra në greqisht. Kristoforidhi një fjalor, Naimi një libër me vjersha. Ky i fundit, në një vjershë të gjatë, thotë:

Ne me sllavët e me grekët

me të gjithë fqinjët tanë

duam të rrojmë ngaherë

në harmoni si vëllezër

Një tjetër njeri i letrave, prift ortodoks e politikan, F. Noli ka bërë shkollën fillore e gjimnazin në gjuhën greke. A i qëndroi tri vjet në Athinë ku punoi në një shoqëri tramvaji. Më vonë, sufler i një teatri ambulant, u end në disa qytete greke; me këtë trupë teatri u luajt edhe drama e tij ne greqisht “Zgjimi”. Ai përktheu në gjuhën tonë “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Noli qe humanist europian.

 

Vajza lexoi një skedë tjetër…

Bajo Topulli nga Gjirokastra drejtonte komitetin e lëvizjes shqiptare nga Greqia. Dinte mirë gjuhën tonë. Po ashtu vëllai, Çerçizi, komit i dëgjuar. Ky u fliste greqisht disa andartëve grekë që bënin shfarosje në fshatra e vise shqiptare…

 

Ksanthulla hoqi vështrimin nga fletët e zverdhura të bllokut dhe nëpër mend iu end pamja e djaloshit gjirokastrit. Sikur kish një lidhje midis tij dhe atyre që pënnendeshin në ditar. Ajo mund të shtonte diçka për të, të hidhte disa radhë kalimthi në një skedë të vogël dhe babait të saj ndoshta do t’i pëlqente.

Mbase është herët, tha ajo, dhe njeriu nuk shfaqet në moment. Ata që shkruajnë kronikat kanë një mënyrë të tyre: fiksojnë ngjarje, episode, data, detaje në zulmin e luftës dhe, kur ka përfunduar gjithçka, hedhin të qetë shënimet e komentet. Takimi i parë mes dy të panjohurish gjithsesi është i këndshëm, hë për hë në të gjykohet nga fjalët dhe të sjellurit. Takimi ynë u bë te çezma si të parathojë diçka fatale. Në mjedise të tilla janë thurur me dhjetëra idile dashmish që përfundojnë në mënyrat e tyre. Po ne për dashurinë nuk folëm asnjë grimë. Të gjitha bisedat e tanishme kanë brenda fjalën luftë: ringjallen gjenitë, kapedanët, komitët, prijësit, udhëheqësit, trimat e çartur, duke i përballur me të gjitha imtësitë. Shumë prej tyre mbahen mend se si janë fiksuar në rrëfime të hershme: ai as u martua po nga një femër e bënte kurban në çdo betejë, si trim nuk e kish shokun po në pleqërinë e thellë rrëmbeu një vejushë e u ngujua në mal, ka pasur huq plaçkitjen, fisnik që e donte vegjëlinë- një fare Robin Hudi, e hante qepën me grushta dhe e dallonte delen e zezë edhe në terrin më zezan të natës etj… Pas trimave përmenden turmat e pocaqisura të ushtrive të panumërta, me emblemat e ndryshme, simbolet dhe armatimet, përfliten fitoret e palavditë.

Ohu, mendimet e mia u ngjajnë kavalerive të pafundme, tha ajo dhe mbylli bllokun.

 

 

VIII.

 

– Ne i mbushim kazanët që shokët tanë të vdesin të ngopur. Ta kenë zorrën plot me krye preshi.

– Ramë, ikëm, u bëmë për kandile te koka.

– Populli grek ka organizuar ushtrinë e vet.

– Dikush ka kënduar fshat më fshat e qytet më qytet, si çalaman Tirteu dikur me spartanët dhe të gjithë janë ngritur në këmbë, me kuç e me maç. Toka greke po na djeg këmbët si zhavorr i përvëluar. Edhe toka shqiptare. Jemi vënë mes dy zjarresh. Vallë të ketë ndonjë send që t’i ngrejë njerëzit me vërtik nga shtëpitë?

– Patjetër, familja, të afërmit, të vrarët, pasuria…

– Nuk dimë ku të mbahemi?

– Mbahu te leshtë e b…

– Tallu, ke të drejtë. Do mbaheshim te pasuritë e pasluftës. Zgjidhni robinat më të fisme e bëni dashuri sa t’u dalë nga hundët!

– …lindni fëmijë të pashëm e ndajuni pasurinë!

– Ti mendon pasurinë? Fol në daç për kokën që do kalbet këtyre dherave të kafenjta e të kuqe si të ushqehen vetëm me gjak. Do na përdahen kockat dhe asnjë s’do kujtohet t’i mbledhë e bëjë bashkë për të pushuar të patrazuara në vendin e tyre. Do bëjnë dasëm buburrecat, atë thuaj!

– Dhe prapë do fitojnë me eshtrat tona, do të gjendet ndonjë nëpunës në bashki a në komunë që do na ketë në regjistër e do të marrë para nga shteti si përkrahje sociale. Do të ketë ndonjë komision që do të merret me kthimin e eshtrave dhe do të fitojë miliona.

– Kisha bërë në mend të martohesha. S’më pëlqente të shkoja me dy femra të përdala në një kabare të Napolit. Edhe me këto që kemi racion një herë në muaj, nuk më shkohet; më tërbon radha dhe pafreskia e tyre, pastaj dhomat kutërbojnë spermë e pudër. Dy putanat napolitane më sillnin krupë me mishrat e tulta e të squllta. Pikërisht, njërën nga ato, me vetulla bishtmiu e me një sorrë të vijëzuar në vendin e turpshëm, e godita me shuplakë në fytyrë teksa më lutej për ta paguar më tepër.

– Ç’u bë më pas?

– Vajza më mbajti një leksion. Më tronditi e më befasoi. “Ne bëjmë këtë punë me dinjitet, për bukën e gojës. Paratë e fituara i presin me ngut pesë gojë dhe nëna uloke. Ne s’kemi burra dhe as e mendojmë një mrekulli të tillë”, më tha. “Bamirësit kanë vdekur me vakt e me kohë”, i thashë. “E di, ma ktheu, edhe zotërinjtë që na marrin si shërbëtore na lajnë e na pastrojnë nga fija e flokut deri në thonjtë e këmbëve e na rrasin në shtrat. Çdo herë na duket se shprazim diçka prej trupit, si të këputet përfundimisht e prapë vazhdojmë. S’kemi nga t’ia mbajmë dhe ku të falemi. Mallkuar qoftë i pari që na hoqi nga lypshanet e na zhyti në kësi punësh të pështira”. “Edhe kjo lypje është”, i thashë, “Ashtu, po të jep më shumë fitim. Vijnë te ne lloj-lloj fytyrash, të ngrysët e të çeltë, të rruar e me mjekër, me puçra e me nishanë si turinj maçoku, qose e të zbërdhylët, të ndotur e të palarë; e bëjnë aktin seksual ku i zë hera, në qoshe rrugësh shkretane, në kopshtije të maskuara, në konvikte me studentë të varfër, rrallë në dhoma të siguruara me dryn; ndonjëherë e bëjmë falas me njerëz të sërës sonë dhe kthehemi të raskapitura, pa aspikë fuqije, të heshtura e me marrjemendsh për të rifilluar të nesërmen”, ajo fliste gati pa marrë frymë. “Kjo botë u prish që me Adamin dhe Evën”, bëra unë humor. “Ç’janë këta, shenjtorë?! Nuk marr vesh, po dua të të them se ka dy kategori femrash, ato që bëjnë seks nga halli dhe ato që bëjnë nga argëtimet. Janë të veshura e të ngjeshura tërë salltanet, nga fise të shquara e me prejardhje kontësh në pushtet apo të rrëzuar qe shkërdhosen nga qejfi, futin shalëve allosoj qenësh racorë, i torturojnë kafshët e mjera deri në tej skaj. Ato i kanë të gjitha kushtet, po nuk u rrihet pa aventura dashurore të marra, pa ikje të befta nga shtrati, pa shëtitje lakuriq e nën dritën e vakët të hënës a në terrin pa kufi, pa djelmosha simpatikë që i presin eksitueshëm paradhomave, salloneve epshndjellës ose kthinave të oborrt. Shpesh kurvickat marrin edhe nga myshterinjtë tonë nga mania për të provuar gjithçka. Për to askush nuk përflet, hija e fisit u rri si brerore. Vetëm të shkretët meshkuj seriozë që përgjojnë kohën nga grilat e dritareve: më duket se erdhi imja, edhe unë i shikoj kindat farfuritëse të fustanit-herë veç e veç e herë dy nga dy dhe minutat u duken orë, ditët u duken vite. Ka raste që të tillë burra na falen edhe ne, na përgjunjen të jargavitur ose vijnë tërë mllef e na kafshojnë supeve dhe na paguajnë tepër”, prostituta me vetulla bishtmiu përfundoi ligjëratën. M’u duk se u përlot. Ndoshta jo, ishte natë dhe sytë nuk i dalloheshin qartë, fjalët qenë si të njomura dhe diçka e lagësht i vërtitej afër grykës. Fjalët e saj më mbetën në mendje për disa javë.

– Tani s’ke më ndonjë dashnore?

– Kam një nga qyteti im Napoli, nga periferia e tij. Esterina e quajnë. Ish e virgjër, e ëmbël, gjashtëmbëdhjetë vjeç i kish a s’i kish. E bardhë në fytyrë dhe e hequr si anglezkat. Me një push të hollë mbi buzët e fryra, me doza të forta purpuri mbi mollëza e duar. Mund të gënjehej shpejt, sidomos nga unë që të marr në qafë nga pamja e fjalët.

– Flitet se në këto anë do të vijë gjermani.

– Për një javë ish menduar pushtimi i Greqisë, po s’kaluan dy javë dhe na vunë përpara si dhentë.

– Musolini ka shkuar për 24 sahat në shtabin e Hitletit. Jo nga qejfi, po nga shtrëngesa. Ka dalë nga minderi ushtarak (aty e kishin futur forcat speciale gjermane kur e rrëmbyen në Itali) dhe ka nderuar duke rënë në gjunjë. Hitleri ka qeshur nënzë nga pamja përvuajtëse e tjetrit. Pastaj është nxirosur, ka puthitur vetullat si krahë korbi dhe ka ulëritur: ende nuk jemi mposhtur, botën do ta bëj përshesh, njerëzit do i kthej në insekte! Musolini ka ngritur duart përpjetë, s’ecim dot më!

– Të njëjtin fat ka edhe gjernani.

– Nuk i dihet, ka disiplinë të madhe dhe ushtarë të betuar.

– Nuk matesh dot me një botë.

– Ah, jetë qeni.

– Pusho. Më duket se diku luhet muzikë. Tinguj violine diku afër! A s’të vjen të gajasesh që po mbarojmë në këtë mënyrë?

– Aspak, më pëlqen muzika.

– Vetëm kaq?

– Më vjen keq edhe për veten time që rash në duart tuaja. Më vjen keq edhe për ty.

– Vërtet Tasimo, mama mia!

– Po. Ti je njeri si unë. Me vesh, me sy, me damarë, me kocka.

– Të kam vëlla. Po nuk u vrava, do bëhemi miq për kokë. ikim bashkë, punoj te ti unë si argat dhe jam i lumtur. Më jep fjalën e burrit se nuk do më lesh vetëm.

Tasimi qeshi.

– Aman, nëna ime! Lemë të vdes i lirë në shtëpinë time, të më pushojnë kockat rehat! Të paktën për nënën. Ajo është më e qetë kur më sheh për herë të fundit. Ka më pak hidhërim dhe e mban veten me dinjitet para njerëzve. Di çfarë t’u rrëfejë.

– Ashtu e kanë të gjitha nënat. Kur rrimë pranë tyre edhe grindemi për gjëra të kota, kur jemi larg pendohemi, i falim të gjitha dhe urojmë me shpirt për t’i parë sa më shpejt.

– Çfarë llomotisni ju? – guzhinier Graciani nga Sicilia qe afruar pa u ndjerë. – U ka hyrë lepuri në shpretkë! Shikomëni mua (ai shtriqet dhe hap këmbët anash), lufta më shtoi edhe një stomak. A matufa, matufa. Rrini e grini sallatë e nuk dëgjoni këta tinguj violine.

– Mbylle halenë se na tërbove, – tha italiani që bisedonte me Tasimin.

– Ju flas me dorë në bark. Këta tinguj vibrues dalin nga gishtat e një femre. Në shtëpinë këtu afër duhet të jetë një vajzë që na fton për vizitë. Femrat e kolme dalin edhe nga skutat e humbura, edhe nga ky qytet lesh e li, – guzhinieri barkkërcyer, i ndezur nga epshi, mori rrugën drejt shtëpisë së vetmuar.

 

Please follow and like us: