Albspirit

Media/News/Publishing

Shqetesimi amerikan ne Ballkan

Shqetesimi amerikan ne Ballkan

Nga Lavdrim Lita

Aktivizmi i ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu është e paprecedentë në historinë e përfshirjes së një diplomati në shtyrjen përpara të një “Reforme në Drejtësi” që të gjithë e duan me fjalë, por jo të gjithë me vepra. Në letrën dërguar deputetëve të Republikës së Shqipërisë, delegati i presidentit të SHBA-ve Barack Obama në Tirana e shpjegoi pse e duan reformën në drejtësi: “korrupsioni dhe ndikimi politik në sistemin tuaj të drejtësisë kërcënojnë shëndetin e shoqërisë tuaj dhe dobësojnë aleancën tonë. Si aleat i NATO-s, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të mbetet një demokraci e fortë dhe e sigurtë”.

Stabiliteti i vendeve të Ballkanin Perëndimor është interesi i parë i politikës së jashtme amerikane. E vërteta është se Shqipëria, si anëtar i NATO, është i vetmi vend realitivisht i stabilizuar në rajon, edhe pse ajo ka të gjithë dobësitë strukturore që kanë vendet e tjera për rreth. Rajoni jonë është në një paqëndrueshmëri politike të pranjojur më parë.
Presidenti i Malit të Zi deklaroi ditën e sotme se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në 16 tetor për t’i dhënë fund pretendimeve të opozitës për trukim në zgjedhjet e mëparshme dhe për të stabilizuar politikisht vendin përpara antarësimin të plotë në NATO. Dobësia e opozitës në Mal të Zi është një prej faktorëve kryesorë që ka lejuar qeverisjen me të gjitha format të Milo Gjukanoviç prej vitit 1991.

Serbia është aktualisht pa qeveri të formuar, edhe pse ka dy muaj e gjysmë që janë zhvilluar zgjedhjet e parakohshme nga kryeministri Vuçiç. Partia progresiste serbe e kryeministrit Vuçiç fitoi me 48 % të votave, pra 131 deputetë në 250 deputetë gjithësej. Partia më e madhe e opozitës, radikalët e Sheshelit kanë 22 deputetë. Gjatë vizitës private të Vuçiçit në Rusi, mediat e Beogradit shkruajtën se presidenti Putin i paska kërkuar atij që në qeverinë e re të jenë ministra që të kujdesen për marrëdhëniet Serbi-Rusi.

Maqedonia është aktualisht me një qeveri që ecën për inerci deri në ditën e shpalljes së ditës së zgjedhjeve të parakohshme. Opozita e dobët maqedonase e LSDM-së ka frikë të futet në zgjedhjet parlamentare dhe po kërkon garanci ndërkombëtare për të frenuar urinë për pushtet të familjes Gruevski.

Kosova ka aktualisht një qeveri aq të dobët sa edhe opozita. Kryeministri flegmatik Mustafa po qeveris për inerci derisa kreu i ri i PDK Kadri Veseli t’i heqë mbështetjen politike. Opozita e përçarë kosovare është e dobët dhe pa vizion për të qeverisur si alternativë.

Bosnje-Hercegovina mbetet një shtet e demokraci në ndërtim e sipër, e përçarë etnikisht dhe në sektarizëm fetar, që s’jep garanci për shumë stabilitet për rajonin dhe Bashkimin Europian. Kreu i delegacionit të BE në Sarajevë deklaroi në muajin mars se, “e kemi blerë paqen në Bosnje përmes fondeve”. Imagjinoni pak situatën kur të mbarojnë fondet ndërkombëtare.

Duke pasur një situatë të jashtëzakonshme në rajon, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë si synim që konjektura aktuale të mos përkeqësohet më tej. Në konferencën e Sigurisë së Mynihut, sekretari amerikan i Shtetit John Kerry e paralajmëroi gjendjen aktuale të rajonit, kur tha se, “Fakti është se ne shohim tendenca shqetsuese në shumë rajone të Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe në vendet e Ballkanit. Aspiratat e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të korruptuar, interesa këto të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet mediatike, dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave dhe njëkohësisht ata përdorin trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar dhe për të vepruar”, në ambientin e tyre.

Amerikanët nuk mund të lejojnë që një vend anëtar i NATO-s të shkojë në destabilitet si pasojë e dobësisë strukturore dhe kësisoj zhvillojnë antikorpe ligjore dhe kushtetuese.

*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëria, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës

Please follow and like us: