Albspirit

Media/News/Publishing

Ankara – Zyrtarët turq dënojnë fuqimisht sulmin terrorist në Francë

Autoritetet më të larta shtetërore të Turqisë kanë dënuar me forcë sulmin e 14 korrikut në Nisë të Francës dhe janë solidarizuar me dhimbjen e popullit francez.

 

Ankara – Zyrtarët turq dënojnë fuqimisht sulmin terrorist në Francë

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, ka dënuar sulmin terrorist në qytetin Nisë të Francës përmes një mesazhi në gjuhën frënge.

“Terrori është një krim kundër njerëzimit; askush nuk mund ta dijë se ku, kur dhe kë do të godasë përsëri terrorizmi”, shkruan Yildirim në një postim në “Twitter”.

Shefi i Ankarasë zyrtare dënoi fuqishëm këtë sulm barbar në Nisë duke shprehur solidarizimin e Turqisë me dhimbjen e popullit dhe shtetit francez, por edhe bashkërendimin e vendit të tij me të gjitha vendet e botës, të cilat luftojnë kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Binali Yildirim shprehu ngushëllimet më të përzemërta për të afërmit e viktimave dhe u uroi të plagosurve shërim të shpejtë.

Zv/kryeministri Numan Kurtulmus gjithashtu e dënoi ashpër këtë masakër monstruoze dhe shprehu solidaritet me dhimbjen e popullit francez.

Ndërsa zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin, theksoi përmes një mesazhi se barbarët modernë, që kanë realizuar këtë sulm të poshtër, nuk kanë dhe s’kanë sesi të kenë lidhje me njerëzimin dhe besimin fetar.

“Jemi pranë Francës në këtë ditë të hidhur. Lufta e përbashkët kundër çdo forme të terrorizmit është përgjegjësi dhe detyrë globale. Në thelb, nuk ka dhe s’duhet të kenë vend në tokë për këto egërsira”, shtoi ai.

Përmes llogarisë së tij zyrtare në “Twitter”, sulmi në Nisë e ka dënuar edhe ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, i cili shprehu ngushëllime për të afërmit e viktimave të masakrës, për popullin francez dhe për Parisin zyrtar.

“Lufta e përbashkët, e sinqertë, e vendosur dhe nominale kundër terrorizmit, pa marrë parasysh autorin dhe vendngjarjen, është domosdoshmëri. Turqia do të vazhdojë me vendosmëri bashkëpunimin e saj me Francë dhe me të gjithë partnerët e tjerë të saj në luftën antiterror”, vlerësoi kryediplomati turk në postimin e tij në rrjetin social.

Si institucion zyrtar ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Republikës së Turqisë.

“Ndajmë përzemërsisht dhimbjen e popullit francez. Turqia është plotësisht e solidarizuar me Francën në luftën kundër terrorizmit. Do të vijojmë me vendosmëri maksimale, të gjithë së bashku, luftën tonë ndaj këtyre krijesave të poshtra”, thuhet në komunikatën me shkrim të MPJ turke.

Omer Çelik, ministri turk për Çështjet e BE-së dhe shefi i negociatave të Ankarasë me Brukselin, ishte nga të parët zyrtarë që reaguan ndaj sulmit terrorist në Nisë.

“Terrori është gjithmonë brutal, kudo apo në çfarëdo forme dhe me çfarëdo motivi ai sulmon njerëzimin. Ne të gjithë duhet të bashkohemi kundër tij”, tha Çelik përmes një deklarate në “Twitter”.

Ndërsa ministri i Financave, Naci Agbal, uroi që këto lloj sulmet të mos përsëriten më kurrë në asnjë vend të botës.

“Shpresoj që të gjitha vendet të luftojnë kundër terrorizmit me një qëndrim të përbashkët dhe të konsoliduar”, tha ai.

Please follow and like us: