Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Meta, presion apo skenar për rrëzimin e Ramës

Lëvizja Socialiste për Integrim, për herë të parë që prej fillimit të bashkëqeverisjes me PS, ka kërcënuar hapur kryeministrin Edi Rama, të mos përdorë dështimin e mundshëm të reformës në drejtësi si një mundësi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Madje LSI ka shkuar më tej, duke e paralajmëruar Ramën se nuk do të pranojë që kjo reformë të votohet me deputetë të trafikuar nga opozita, por vetëm me konsensusin e kësaj të fundit.

LSI dhe lideri i saj Ilir Meta, shpeshherë kanë patur përplasje të fshehta e të hapura me kreun e PS dhe një flirt i mbetur pezull me PD ka qëndruar si kërcënim mbi martesën tre vjeçare PS- LSI, por deklarata e Petrit Vasilit këtë të enjte ishte më e forta e bërë ndonjëherë brenda shtëpisë së të majtës. Partia e Ilir Metës, e konsideroi si një shantazh planin e famshëm C të kryeministrit Rama, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në rast të mosvotimit të reformës, duke e cilësuar një alibi elektorale.

Kjo deklaratë e Vasilit ishte paraprirë nga një thashethemnajë e dëndur se një pakt i fshehtë mes PD dhe LSI po thurrej, jo vetëm për t’i prerë rrugën Ramës për të shkuar në zgjedhje, por edhe për ta rrëzuar atë duke krijuar më pas një qeveri të përkohshme që do drejtonte vendin drejt zgjedhjeve të radhës. U fol madje që në këtë skenar kishin rol edhe disa elementë brenda koalicionit të majtë, se për rrëzimin e Ramës ishin të interesuar edhe deputetë socialistë, grupimi i Blushit, madje edhe PDIU. Burime jozyrtare, që gjallojnë rreth LSI , përmendnin edhe shifrën e 74 deputetëve që mund të votonin një mocion për rrëzimin e Ramës dhe pastaj të votbesonin një kryeministër të propozuar nga kompromisi i antiramistëve. Këtyre llogarive u shtoheshin edhe rrëfime mbi një sherr të ashpër të Metës me Ramën, para nisjes së këtij të fundit për në Varshavë, apo ato për një kafe në Gjirin e Lalzit mes ish kryeministrit Berisha dhe kreut të LSI.

Në një kontekst të tillë, të mbarsur me skenarë dhe intriga që ushqehen nga përballja me reformën në 21 korrik, deklarata e Petrit Vasilit u duk si zyrtarizimi i përfoljes së madhe. LSI kërcënoi Edi Ramën që as të mos tentojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe as të mos ta votojë reformën me deputetë të akaparuar nga opozita. Pra praktikisht të vazhdojë mandatit pa reformën në drejtësi. Duke dalë kundër votimit të reformës në drejtësi me vota nga e djathta, LSI konfirmon zyrtarisht paktin e heshtur me PD. Dhe duke paralajmëruar se nuk do të pranojë që mosvotimi i reformës të përdoret si alibi për zgjedhje të parakohshme, LSI lë të kuptohet se Edi Rama nuk i ka votat për të shkaktuar krizë qeveritare dhe se shumica parlamentare mund të ndryshojë.

Pas këtij zhvillimi, shumëkush ngre dyshimin nëse vërtet kemi të bëjmë me një çarje të pariparueshme, me një plan për rrëzimin e qeverisë, apo edhe kjo deklaratë e Vasilit, sado e fortë, është në vazhdën e lojës së njohur të LSI, e cila kërcënon e bën presion, por në fund e gjen “mirëkuptimin” me vëllain e madh. Se mbasi e lë të presi tek semafori, Ilir Metës i zbutet zemra dhe e pret në zyrë aleatin kryeministër. Se mbasi flet për intriga moçalore dhe skenarë politiko- mediatik kundër LSI, papritur shikon anën e mirë të Edit dhe të dy vendosin të ecin bashkë dorëpërdore për të mirën e vendit. Pra a kemi të bëjmë edhe këtë herë me presionin e radhës?

Pavarësisht entuziasmit që mund të ketë përshirë disa ekpsonentë të opozitës për të rrëzuar Edi Ramën, gjasat janë që edhe këtë herë LSI po bën lojën e radhës. Më të rëndë, sigurisht, por që në fund do të shënohet në regjistrat e konflikteve të zgjidhura brenda së majtës. Partia e Ilir Metës nuk ka interes të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe plani C i Edi Ramës, për t’i zhvilluar ato bashkë me një referendum të mundshëm për reformën në drejtësi, nuk i shkon për shtat. Këtu mund të jetë pika e përplasjes.

Kryeministrit Rama i konvenon përfundimi i parakohshëm i mandatit të tij sepse është i sigurtë që sado të zgjasë nuk do të sjellë asgjë të mirë për shqiptarët. Sondazhet e tregojnë në rënie dhe pakënaqësia vjen duke u rritur. Nga ana tjetër, ai e ka të vështirë të shpikë një fabul të re elektorale siç bëri me Rilindjen apo të hartojë ndonjë paketë premtimesh ndërkohë që nuk ka realizuar asnjë prej atyre që i dhanë votat në 2013. Kështu që reforma në drejtësi, ajo që LSI e quan alibi elektorale, mund t’i shërbejë si flamur për një fushatë të shkurtër zgjedhore. Duke larguar fokusin nga problemet ekonomike, krimi dhe korrupsioni i thellë, Rama, me mbështetje edhe perëndimore, do ta shndërronte fushatën në një lloj beteje pro dhe kundër reformës në drejtësi, për të marrë prej saj avantazhin elektoral. Për këto arsye kryeministri do ta dëshironte një plan C.

Por LSI nuk ka asnjë arsye t’i hyjë një fushate sot, aq më tepër të ngritur mbi reformën në drejtësi. Dhe po bën ç’është e mundur ta pengojë Ramën që të shkojë drejt kësaj zgjidhje. Sigurisht që presioni është më i madh kur shoqërohet nga skenari që e lë pa gjumë kryeministrin, ai i një pakti me PD. Prandaj Petrit Vasili u kujdes që vend kryesor në deklaratë të zinte edhe mospranimi i reformës me vota të trafikuara nga opozita. Kështu mundësia e një aleance fluide mbetet e hapur.

A do të tërhiqet Edi Rama nga zgjedhjet e parakohshme në rast se dështon reforma? Nëse ndodh, ky do të jetë suksesi i radhës i presionit të LSI dhe gishti i radhës në gojën e opozitës.

Please follow and like us: