Albspirit

Media/News/Publishing

Lu: Reforma në Drejtësi do të miratohet

Donald-Lu-1_0

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu deklaroi të premten se reforma në drejtësi do të miratohet.

Në një deklaratë për shtyp nga ambasada amerikane në Tiranë, diplomati amerikan sfidoi kryeministrin Rama dhe kreun e PD-së Basha të takohen ditën e hënë dhe të gjejnë një zgjidhje për reformën në drejtësi.

Ai refuzoi edhe propozimin që kryeministri Rama i ka bërë kreut të partisë Demokratike, Basha ku i linte ‘dorë të lirë PD të hartonte reformën në drejtësi mjafton të merrte firmën e BE-së dhe SHBA-së.

“Reforma në drejtësi është përgjegjësi e udhëheqësve shqiptarë”, deklaroi ambasadori i SHBA-ve, Lu.

“Propozoj një zgjidhje të thjeshtë. I sfidoj Ramën dhe Bashën të takohen ballë për ballë të hënën dhe të mos largohen nga salla e takimit deri sa të kenë një zgjidhje për reformën”, u shpreh Lu.

Ata, vijoi ambasadori, ose të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet nga qeveria e opozita ose të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku për jetë. Ambasadori Lu tha se në fillim të nisjes së punës për reformën në drejtësi kisha një pyetje se kush kishte më shumë frikë nga kjo reformë, krerët e krimit të organizuar, gjyqtarët e korruptuar apo politikanët kriminelë. “Sot përgjigja është e qartë. Të gjithë ata që kanë frikë dhe të gjithë po e luftojnë”, deklaroi Lu.

Sipas tij, të enjten, deputetët e Kuvendit kanë mundësinë të tregojnë qëndresë për popullin e Shqipërisë, që po e kërkojnë këtë reformë. “Ka ende kohë që Basha dhe Rama të gjejnë kompromis. Nëse ata nuk munden, Kuvendi duhet ta miratojë këtë reformë”, tha ambasadori Donald Lu.

Diplomati amerikan deklaroi se reforma në drejtësi do të miratohet. “E vetmja pyetja është nëse ky Kuvend apo udhëheqësit e partive politike do të mbahen mend për suksesin apo do të fajësohen për dështimin e kësaj reforme”, përfundoi deklaratën ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu.

Please follow and like us: