Albspirit

Media/News/Publishing

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson – kryediplomati me gjuhë jodiplomatike

boris angela

Boris Johnson, politikani karizmatik i Britanisë me një rekord të spikatur gafash dhe skandalesh, u emërua dje në postin e sekretarit të jashtëm të vendit. Ky emërim i papritur i kryeministres së re Thereza May mund të shkaktojë tronditje në diplomacinë botërore.

Ish-kryebashkiaku i Londrës, i cili nuk ka mbajtur kurrë më parë një post kabineti dhe është i njohur për gjuhën e tij tipike jodiplomatike, ishte figura më e spikatur në fushatën që Britania të largohej nga Bashkimi Evropian, e cila kulmoi në votimin e 23 qershorit me një “Brexit”.

“Thonë se BE-ja është mjaft e keqe, thonë se nuk kemi alternativë. Por në fakt e kemi një alternativë, dhe kjo është një alternativë e lavdishme,” tha zoti Johnson në atë kohë.

Emërimi si sekretar i jashtëm i një njeriu, i cili në prag të referendumit i krahasonte qëllimet e BE-së me ato të Adolf Hitlerit dhe të Napoleonit, ka të ngjarë të shkaktojë shqetësim dhe ankth në kryeqytetet evropiane.

Johnson u akuzua gjithashtu për racizëm gjatë fushatës, kur ai e përshkroi presidentin Barack Obama si “pjesërisht kenian”.

Departamenti amerikan i Shtetit komentoi pa humbur kohë se pret të punojë me zotin Johnson. Por Johnson mund të përballet me momente të vështira në Uashington lidhur me komentet për zotin Obama si dhe për një artikull të vitit 2007, në të cilën e krahasonte Hillary Clintonin me “një infermiere sadiste në një spital psikiatrik”. Në në batutë tjetër ai tha se kishte frikë të shkonte në Nju Jork për shkak të “rrezikut të vërtetë se mund të takohej me Donald Trumpin”.

Johnson fillimisht bëri emër si gazetar, me sulmet e tij kundër Bashkimit Evropian në Bruksel, pastaj iu fut politikës me Partinë Konservatore. Ai e ngriti profilin politik edhe me një sërë paraqitjesh në një serial komik televiziv.

Aftësia për të tërhequr njerëzit me batutat dhe stilin e tij të çuditshëm e ndihmoi të kapërcente një sërë skandalesh.

Aty ku të tjerët do të kishin dështuar, Johnson u bë gjithnjë e më popullor, duke fituar dy herë postin e kryebashkiakut të Londrës në vitin 2008 dhe 2012, post që zakonisht mbahej nga të majtët.

Vendimi i tij për të sfiduar kryeministrin David Cameron, i cili bënte fushatë që Britania të mbetej në Bashkimin Evropian, u pa gjerësisht si një lojë e rrezikshme bixhozi për t’i zënë vendin kryeministrit. Por kjo nuk ndodhi:

“Le ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të qëndruar me autoritet në botë. Ky është rendi i ditës për kryeministrin e ardhshëm të këtij vendi. Por unë duhet t’ju them, miqtë e mi, ju që kenë pritur me besnikëri për ndonjë batutë, se pasi jam këshilluar me kolegët dhe në funksion të rrethanave në parlament, kam arritur në përfundimin se ai person nuk mund të jem unë,” deklaroi Boris Johnson.

Tani që Kryeministrja May ka emëruar edhe zotin David Davis në postin e sapokrijuar të sekretarit të shtetit për daljen nga Bashkimi Evropian, pritet që roli i Boris Johnsonit në negociatat e shkëputjes të jetë i kufizuar.

Megjithatë, atij do t’i duhet të trajtojë disa nga krizat më komplekse dhe më shpërthyese diplomatike në botë, siç janë Siria dhe Ukraina. (Zëri i Amerikës)

Please follow and like us: