Albspirit

Media/News/Publishing

Pas dështimit të puçit, Turqia “spastron” ushtrinë

  • RFE /RL

Stamboll

Pas një nate të shpërthimeve, të shtënave me armë zjarri dhe tankeve nëpër rrugët e Stambollit dhe Ankarasë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të shtunën se përpjekja për grushtshtet ka marrë fund dhe se qeveria ka kontrollin.

Kryeministri turk, Binali Yildirim, tha në një konferencë për media se situata është nën kontroll.

“Deri më tani, jemi 161 njerëz të vrarë dhe 1,440 të plagosur; 2,839 oficerë ushtarakë, nga radhë të ndryshme, që kanë qenë të përfshirë në këtë përpjekje të turpshme për grushtshtet, janë arrestuar”, tha Yildirim.

Ai tha se përpjekja për grushtshtet është një “njollë e zezë” në demokracinë turke.

Zyrtarë të qeverisë thanë se pesë gjeneralë dhe 29 kolonelë janë larguar nga postet e tyre për shkak të përfshirjes së dyshuar në përpjekjen për të rrëzuar qeverinë e Erdoganit.

Ushtruesi i detyrës së shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, gjenerali Umit Dundar, tha se 41 zyrtarë policorë janë në mesin e të vrarëve.

“Përpjekja për grushtshtet ka dështuar”, tha Dundar në një konferencë për media në Ankara.

Ai shtoi se ushtria është e vendosur për të eleminuar “strukturat paralele” brenda radhëve të saj.

Autoritetet detare turke raportuan se Ura e Bosforit është rihapur dhe se trafiku mbi këtë lumë strategjik i është kthyer normalitetit.

Fuqitë rajonale, Irani dhe Izraeli, kanë lëshuar deklarata, duke dënuar përpjekjen për grushtshtet. Ministri i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se ka biseduar tri herë me homologun turk dhe ka shkruar në Tëitter se “grushtshtetet nuk kanë vend në rajonin tonë”.

Arabia Saudite po ashtu tha se “mirëpret rikthimin e situatës në normalitet, nën udhëheqjen e Erdoganit”.

Komplotistët e grushtshtetit kanë përdorur tanke dhe avionë, si dhe kanë sulmuar ndërtesën e parlamentit dhe zyrën e presidentit në Ankara. Selia e shërbimit të inteligjencës turke është sulmuar po ashtu.

Në një kohë kritike gjatë dhunës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, u ka bërë thirrje të gjitha palëve të mbështesin qeverinë e Erdoganit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo dhunë apo gjakderdhje.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se ka biseduar me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, dhe se i ka shprehur “mbështetjen absolute” të SHBA-së për qeverinë.

“Shtetet e Bashkuara, pa asnjë hezitim, drejtpërsëdrejti dhe pa mëdyshje mbështesin udhëheqjen demokratike, respektimin e liderit të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe procesin kushtetues në këtë drejtim. Ne mbështesim Qeverinë e Turqisë”, ka thënë Kerry.

Ngjashëm janë shprehur edhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Liderët e BE-së, Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker, thanë se “nuk ka alternativë ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Erdogan dhe mbështetësit e tij kanë fajësuar klerikun mysliman, Fethullah Gulen, kundërshtar politik i presidentit, për organizimin e përpjekjes për grushtshtet. Gulen jeton në mërgim në Pensilvani të SHBA-së.

Kryeministri Yildirim tha se shtetet që mbështein Gulenin do të konsiderohen armiq të Turqisë.

Gulen, dikur aleat i Erdoganin, me shumë ndjekës në ushtrinë turke, ka mohuar çdo përfshirje, duke thënë se “qeveritë duhet të fitohen përmes procesit të zgjedhjeve të lira dhe jo me forcë”.

Turqia, anëtare e NATO-s, me popullsi prej rreth 80 milionë banorësh, ka rol kyç në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Irak dhe Siri.

Please follow and like us: