Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria krah Francës e në mbështetje të vlerave, të lirisë e qytetërimit

Një minutë heshtje u mbajt para ambasadës së Francës në Tiranë, të hënën në mesditë, në nder të viktimave të 84 viktimave të sulmit të së enjtes në Nisë.

Didier Guilbert, i Ngarkuar me Punë i ambasadës së Francës në Tiranë, tha se, Shqipëria tregoi mbështetje të madhe dhe solidaritet për masakrën e ndodhur në Nisë

“Duke goditur Nisën në ditën e festës kombëtare franceze, terroristët kanë dashur të godasin vlerat tona të demokracisë, lirisë, barazisë të vëllazërisë të solidariteti dhe të bashkëjetesës, Por terrori do të dështojë dhe përgjigja do të jetë në të njëjtën masë me tmerrin e këtij akti të pashpirt. Do të rrisim vigjilencën, njëkohësisht do të vazhdojmë jetën tonë normale. Ne nuk kemi frikë dhe nuk do të frikësohemi nga këta kriminelë, këta barbarë, këta individë pa asnjë ndjenjë njerëzore”, tha ai para personaliteteve të larta të vendit dhe të huaj.

Terroristi, theksoi Guilbert, që sipas gjasave ishte radikalizuar në një kohë të shkurtër, ka vrarë 84 persona, ka plagosur më shumë se 300 dhe ka traumatizuar qindra të tjerë, fëmijë, gra, burra të të gjitha kombësive dhe të gjitha besimeve, të cilët po shikonin spektaklin e përvitshëm të fishekzjarrëve të 14 korrikut.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në emër të qeverisë shqiptare shprehu jo vetëm solidaritetin me popullin francez, por edhe bindjen se vlerat vëllazëri, barazi, liri, nuk janë vetëm të Francës.

Ato , tha Kumbaro, janë edhe të Shqipërisë, janë universale dhe si të tilla, vijoi ministrja,i kemi ndarë e do të ndajmë gjithmonë.

Kumbaro përcolli edhe mesazhin e Kryeministrit Edi Rama drejtuar homologut frances Manuel Vals.
Në mesazhin e tij, kryeministri Rama shprehte solidaritetin me popullin francez, si dhe dënonte aktin barbar.

“Është një masakër njerëzore që mori aq shumë jetë të pafajshme në ditën e Bastias, ditën e Pavarësisë. Në këto çaste kaq të vështira për familjarët e viktimave, për popullin francez dhe autoritetet franceze, në emrin tim dhe qeverisë shqiptare shpreh ngushëllimet më të ndjera. Në solidaritet me familjarët e viktimave, qytetarët e lënduar e popullin tuaj, duke iu uruar me gjithë zemrë shërim sa më të shpejtë të të lënduarve. Duke dënuar me zemërim të thellë këtë akt barbar e çnjerëzor mbi qytetarë të pafajshëm, Shqipëria si pjesë e Aleancës globale kundër terrorit është krah Francës e në mbështetje të vlerave, të lirësi e qytetërimit tonë”, ishte mesazhi i kryeministrit.

Në homazh të personave, të cilët humbën jetën, një libër ngushëllimesh do të jetë i hapur në Ambasadë ditën e hënë 18 korrik, dhe ditën e martë 19 korrik, nga ora 10:00 deri në orën 12:00 dhe prej orës 14:00 deri në orën 16:00.

Riviera franceze e Nicës u përgjak të enjtën pas mesnatës nga një sulm terrorist me kamion, ku mbetën të vrarë 84 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.
Liderët nga e gjithë bota janë solidarizuar me popullin francez për terrorin e asaj nate, duke e dënuar sulmin.

Please follow and like us: