Albspirit

Media/News/Publishing

Europa e gjendur në kurth me Erdogan

Evropa e gjendur në kurth me Erdogan

Teksa Turqia u shndërrua në skenën e radhës të një grushti shteti nga forcat ushtarake, reagimet në nivel evropian, po ashtu si edhe reagimet e diplomacive të tjera, u përqendruan në terma të përzgjedhur, kryesisht neutralë, duke u fokusuar tek “shqetësimi mbi situatën”, “ndjekjen e saj me kujdes” dhe “shmangien e gjakderdhjeve të mundshme”. Pra, një gjuhë diplomatike që shmangte një pozicionim të mundshëm, në mbrojtje të qeverisë turke dhe kreut të vendit, si edhe në përkrahjen e krahut ushtarak, që kishte organizuar grushtin e shtetit. Pak momente, para se të përmbysej situata në favor të qeverisë turke, reagimet fillojnë dhe kristalizohen, haptazi në “mbështetje të institucioneve të dala në rrugë demokratike”, duke nënkuptuar mbështetjen pa ekuivok ndaj Erdogan.

Disa orë më vonë, që kapërcyen mesnatën e trazirave në Turqi, do të kemi një deklaratë të përbashkët të Junker, Tusk dhe Mogerini në emër të 28 vendeve të Unionit ku theksohet se,“Turqia është një partner kyç për Bashkimin Evropian. BE mbështet plotësisht qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, institucionet e vendit dhe sundimin e ligjit. Bëjmë thirrje për një kthim të shpejtë të rendit kushtetues në Turqi. Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër zhvillimet dhe të koordinohemi me të 28 vendet anëtare.”

Pas arrestimeve në masë, jo vetëm të 2.800 ushtarakëve të akuzuar për përfshirje, por edhe një numri të lartë të gjyqtarëve në vend (2.700) deklaratat përforcohen, ku ndër to spikat deklarata, krejtësisht pa dorashka, e kreut të Parlamentit Evropian, gjermanit Martin Shulz, duke deklaruar se: “Qeveria turke nuk duhet të përdorë këtë rast, për të thyer rendin demokratik, të kufizojë lirinë e shprehjes dhe të drejtat themelore. Sundimi i një njeriu të vetëm dhe vendimet arbitrare nuk janë të pranueshme në një vend, që jo vetëm është një aleat strategjik, por gjithashtu edhe një vend kandidat për në BE.”

Dje, (18.07) Ministrat e Jashtëm të vendeve të Unionit do të fokusoheshin edhe mbi situatën në Turqi. Edhe pse gjuha diplomatike standarde e konkluzioneve të Këshillit do t’i rikujtonte Turqisë nevojën për të respektuar demokracinë, të drejtat e njeriut, liritë themelore, të drejtën për një gjykim të drejtë, dhe mos futjen e dënimit me vdekje, kjo gjuhë nuk u frenua aspak si nga Berlini, duke kërcënuar për ndërprerje të bisedimeve për anëtarësim të Turqisë në BE, por edhe nga Komisioneri Hahn, që nuk do të ngurronte të theksonte se “dukej si diçka e parapërgatitur”, tek shfaqte shqetësimin e tij mbi situatën dhe numrin e lartë të arrestimeve në masë.

Por, si është i pozicionuar Unioni ndaj rolit të fortë kushtetues, që ka njohur ushtria në Turqi dhe si ka arritur ai, të kontribuojë në reduktimin e skajshëm të këtij roli ?

Konteksti historik

Që prej krijimit të Republikës moderne Laike turke në vitin 1923, nga Mustafa Qemal (Ataturku), shpjegimet që ofron konteksti historik, flasin për një rol të rëndësishëm institucional të ushtrisë, si një mekanizëm i pavarur, që shërbente jo vetëm për të ruajtur parimet themelore laike të republikës së Turqisë, por i mundësonte asaj edhe ndërhyrje të një niveli ushtarak, me synim ekuilibrimin e situatës dhe rikthimin apo riorientimin e jetës politike, drejt vlerave laike. Pra, ndryshe nga modeli klasik që njeh Perëndimi, ku ushtria është e varur dhe e kontrolluar nga pushteti civil.

Po në këtë kontekst historik, vlerësohet gjerësisht se, pas Luftës së Parë Botërore, Ataturku në bashkëpunim me gjeneralët e tjerë, arritën të transformonin Perandorinë Otomane, në një komb-shtet modern. Njëkohësisht Ataturku është kujdesur që të krijonte një hapësirë ligjore për shmangien apo përjashtimin e ushtrisë nga jeta politike në vend, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e tyre në partitë politike. Ligjet e miratuara arritën të shkëpusnin gradualisht nga funksionet ushtarake, atë kontingjent që kishte vendosur të përfshihej në jetën politike. Pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe iniciativave ligjore, kjo shkëputje vlerësohet se nuk arriti të përmbushej në nivelin e kërkuar, pasi vetë vullneti i Ataturkut ishte i orientuar për një rol të nevojshëm të ushtrisë, në ruajtjen e vlerave të Republikës laike turke.

“Nëse ky parim, nuk respektohet në mënyrë të vazhdueshme dhe vigjilente, vetë ekzistenca e Republikës turke do të jetë në rrezik. Shoqëria turke moderne do të zhytet sërish në errësirën mesjetare” (deklaratë e gjeneralit Sinan Bilge, Akademia e Luftës).

E pozicionuar në këtë rol ruajtës dhe e pajisur me mekanizmat e duhur ligjorë, ushtria turke ka ndërmarrë veprime dhe ndërhyrje konkrete, për korrigjimin e situatave politike, që i vlerësonte në rrëshqitje të vlerave laike të Republikës. Për sa kohë që Turqia drejtohej nga Ataturku, por edhe në vijim deri në vitet ’60, ushtria nuk e kapërceu asnjëherë kufirin e kazermave.

Ndërhyrjet e ushtrisë

Por, çfarë ndodhi ? Pse ushtria vendosi për herë të parë daljen nga kazerma, në mbrojtje të vlerave laike të Republikës së Turqisë ?

Grushti i Shtetit i 27 majit 1960, vlerësohet si ndërhyrja e parë ushtarake e madhe e ushtrisë në jetën politike, që prej themelimit të Republikës laike. Partia demokratike në pushtet po gjykohej se kishte thyer parimin e mbrojtjes së laicizmit, duke ndërmarrë nisma me karakter fetar, si rikthimi i gjuhës arabe në seancat e lutjeve, futja e kurseve fetare në sistemin arsimor, etj. Akuzohej për korrupsion dhe moszbatim të parimeve kushtetuese. Shqetësimi kryesor i ushtarakëve, që morën në atë kohë pushtetin ishte të nxisnin profesorët e së drejtës kushtetuese të përgatitnin një kushtetutë të re demokratike. Kushtetutë, e cila do të ruante tre parime bazë: republikanizmi, laicizmi dhe nacionalizmi. Ushtria do të ishte mbrojtëse e Kushtetutës, pra rrjedhimisht e këtyre parimeve në të. Laicizmi, do të ishte baza kryesore, pa të cilën republika dhe nacionalizmi, nuk do të kishin kuptim. Kushtetuta miratohet në referendumin e vitit 1961, me 67% të votave. Ky grusht shteti vlerësohet në përgjithësi si shumë i veçantë, kishte mbështetjen e masave dhe nuk ngjasonte me shumicën e grushteve të shtetit tradicionalë ushtarakë në regjimet e pa-stabilizuara. Ndërprerja e jetës demokratike ishte e shkurtër, pasi objektivi i grushtit të shtetit ishte ndërtimi i një sistemi më liberal dhe më demokratik se ai paraardhësi.

Në vitin 1971, kemi një situatë sigurie dhe ekonomie të përkeqësuar. Një situatë përplasje mes një shoqërie të ndarë mes grupeve të ekstremit të majtë dhe ekstremit të djathtë, vrasje të shumëfishta  dhe klimë pasigurie të lartë. Dhe ushtria ndërhyn sërish në jetën politike turke, duke e detyruar kryeministrin e Partisë së Drejtësisë Demirel, të japë dorëheqjen. Kjo ndërhyrje, nuk kishte mbështetjen e masave dhe u parapri nga një valë represioni dhe dhune. Të drejtat e akorduara nga Kushtetuta e vitit 1961 u kufizuan dhe Gjykata Kushtetuese i shikon pozitat e saj të përforcuara nga qemalistët.

Në vitin 1980, situata në Turqi njeh sërish përkeqësime. Një sërë atentatesh dhe një situatë ekonomike në rënie. Ushtria organizon ndërhyrjen e radhës dhe merr në zotërim levat e pushtetit. Një Kushtetutë e re hartohet, e cila votohet në referendumin e vitit 1982. Ushtria arrin të përforcojë në mënyrë të konsiderueshme pushtetin e saj mbi shoqërinë, duke marrë kompetenca shtesë, nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm. Ky vlerësohet të jetë edhe momenti, ku ushtria arrin të krijojë një hapje ndaj tentativave të vazhdueshme për ripërtëritje të sferave islamiste dhe kemi gradualisht daljen në skenë të partive të para islamiste. Në vitin 1983, ushtria autorizon zgjedhje të reja dhe fillon një tërheqje të pjesshme nga jeta publike.

Këto konsiderohen si ndërhyrjet më të spikatura, pasi ndërhyrjet e tjera, si ai i vitit 1997, vlerësohen të kenë një karakter post-modern, si nëpërmjet hartimit të një Memorandumi, për cilësimin e karakterit të paprekshëm të shtetit laik. Pra, jemi në një periudhë ku Partia Islamiste arrin të fitojë zgjedhjet për herë të parë dhe kemi ndërmarrjen e një sërë nismash me karakter fetar, siç ishin futja e simboleve fetare në administratë, futja e islamistëve në funksionet publike, ndërtimi i xhamive, etj.

Përplasja me BE

Ky rol dhe pushtet i veçantë, që zotëronte Ushtria në Turqi, ka qenë një pikë shumë e rëndësishme   për Bashkimin Evropian. Pasi, nëse Turqia do të duhej të bëhej një ditë pjesë e Unionit, duhej të përshtaste modelin e krijuar që prej Republikës së Ataturkut, në një model të stilit perëndimor. Pra, Ushtria duhej zhveshur ligjërisht nga pushteti. Dhe kjo ka qenë që prej momentit kur Turqia mori statusin e vendit kandidat, një pikë e rëndësishme që kërkohej me insistim të reformohej.

Nëse vëzhgojmë progres-raportet sistematike të Komisionit Evropian për Turqinë, kemi një kapitull më vete ku trajtohet dhe monitorohet gjerësisht ky fenomen, pra “Kontrolli Civil mbi Forcat e Sigurisë”. Çdo vit, kemi monitorim dhe presion për reformim. Raport-progreset e vitit të fundit, vërejnë se “ situata ka qenë e stabilizuar, pa ndërhyrje në politikë të Ushtrisë” dhe se “forcat e armatosura nuk kanë ushtruar ndonjë influencë të papërshtatshme në politikë dhe kanë abstenuar nga komentimi i çështjeve politike…”

Kur Erdogan bëhet kryeministër i vendit, zelli i reformimit në këtë fushë, njohu një ritëm të përshpejtuar. Një sërë reformash janë vlerësuar se kanë reduktuar thuajse në tërësi rolin e veçantë, që kishte Ushtria në sistemin turk. Reformat e votuara në vitin 2003, që synonin reduktimin e rolit të ushtrisë, parashikuan hapjen e sekretariatit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për civilët. Në gusht të vitit 2004, për herë të parë, një civil u vendos në krye të saj. Kushtetuta amendohet në maj të vitit 2004, me synim pengimin e pjesëmarrjes së ushtarakëve në disa organizime civile. Këshilli i Sigurisë Kombëtare, shndërrohet kësisoj në një organ tërësisht këshillues dhe reforma e Kushtetutës së vitit 2010, e përjashton plotësisht ushtrinë nga jeta politike turke, duke e kufizuar vetëm në rolin e saj klasik ushtarak. Në vitin 2009 do të kemi, nisjen e procesit të njohur si Ergenekon, që arreston gjeneralin e përgjithshëm të ushtrisë pro-qemaliste, duke prangosur njëkohësisht edhe bashkëpunëtorët e tij.

Me reformimin dhe zhveshjen graduale të pushtetit që zotëronte ushtria, në parim të ruajtjes së vlerave laike, kemi dhe zbehjen graduale të këtyre vlerave, duke bërë që kreu i vendit të iniciojë hartimin e një sërë ligjeve për një islamizim më të thelluar të vendit dhe të shoqërisë. Kemi kufizimin e alkolit, islamizimin e së drejtës turke, hapjen e institucioneve juridike dhe ushtarake ndaj religjionit, zbehjen e rolit të gruas në shoqëri, propagandim të konsiderueshëm mbi rolin e saj si shtëpiake dhe thjesht riprodhuese, etj. Situata ekonomike vlerësohet të ketë parametra të kënaqshëm, por autoritarizmi nuk njeh veçse rritje.

Situata e fundit, që po rëndohet nëpërmjet arrestimeve në masë, spastrimeve politike, dhuna, torturat dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, shqetësojnë jo vetëm BE, por të gjithë partnerët e saj strategjikë. Dhe kjo është një situatë, ku BE vështirë se mund të imponohet me instrumentet e saj politikë, shantazhet apo kërcënimet për pezullim të bisedimeve për anëtarësim. Ironikisht, ky mund të jetë edhe ndonjë prej atyre momenteve reflektuese, ku angazhimi prej më shumë se një dekade, për ta transformuar thellësisht modelin turk, në një model perëndimor, ndoshta nuk është ai i duhuri, apo modeli ideal. Në kuptimin që heqja e një roli të tillë një institucioni si Ushtria që ishte projektuar të shërbente si një lloj ekuilibrimi në ruajtjen e parametrave laikë të Republikës së vendit, është e pamundur të bëhet pa mundësuar paralelisht një demokratizim të thelluar të shoqërisë turke. Sepse, ajo që po shohim sot në skenën turke, është heqja e polit të një sistemi që shërbente si kundër-balancë ndaj rrëshqitjeve larg frymës kushtetuese (edhe pse i diskutueshëm në vetvete) në lënien e një poli të vetëm, me një autoritarizëm në rritje dhe pa mekanizma të fortë institucionalë, që kanë realisht forcën dhe fuqinë për të balancuar situatën. Nëse kjo ambicie, është kristalizuar vetëm në vullnetin e pastër për afrim me vlerat evropiane, për anëtarësimin e Turqisë në BE, ka një lloj kontradikte, teksa një pjesë e mirë e vendeve të BE janë të vetëdijshëm se aderimi i Turqisë në BE, është si ai iluzioni me hënën që “sa më shumë kujton se i afrohesh, aq më shumë të largohet”.

Please follow and like us: