Albspirit

Media/News/Publishing

SHËNIM/Reformë në Drejtësi, apo pushtet me “listën e zezë”

 

 

Që pas deklaratës së Ilir Metës, se mbi tavolinën e tij është edhe opsioni i një “qeverie ekspertësh”, pra pa Ramën kryeministër, ky i fundit brenda 48 orëve të fundit, ka ndërmarrë një turr takimesh me deputetë, ministra, eksponentë të PS-së dhe sot që në “pikë të mëngjesit” edhe me aleatët në qeverisje, deputetë të PDIU-së. Sipas asaj që thuhet zyrtarisht, këto takime janë bërë në funksion të votimit me të paktën 94 vota ditën e enjte. Të gjitha këto lëvizje të Ramës bëheshin paralelisht, me bisedimet, e nisura që dje pasdite në nivel të dytë, që po zhvillonte “trojka”, PS-PD-LSI së bashku me ekspertët e OPDAPT dhe EURALIUS. Duket se Rama e dinte që ajo do të dështonte. Por kjo nuk ishte ndonjë surprizë sepse ishte paralajmëruar prej tij që dje në një takim me student të akademisë politike të PS-së. Ai foli sikur e dinte që 12 orë përpara se nuk do të kishte konsesus.

***

Por përse Rama nuk priti përfundimin e kësaj tryeze, prej së cilës kishte shumë shpresa të dilej me një konsesus, duke ju përmbajtur edhe variantit të zonjës Nuland, edhe disa ndryshimeve në teknikalitete që kërkon PD? Çfarë bëri Rama dje? Atë që bëri sot dhe ka bërë gjithë këto kohë; “dua, por nuk dua…”.

Shkoi në tryezë me Metën dhe Bashën, caktoi Agaçin si negociator, ra dakord që të mbyllen brenda, derisa të dalin me një zgjidhje konsensuale, i dha vetes kohë 2 orë për tu shprehur publikisht dhe ‘papritur”, ju ngriu buzëqeshjen të gjithëve.

Do konsesus Rama apo rikonfirmim të pushtetit të tij?

Përgjigjen e dha ai vetë, menjëherë pas takimit me Metën dhe Bashën; “Ne i kemi 94 vota, ky është një revolucion…”. Loja e kryeministrit nuk do shumë mend të kuptohet. Po të ndjekësh me vëmendje çfarë ka ndodhur menjëherë pas përpjekjeve për të gjetur një konsesus, vë re një Ramë që menjëherë pas tyre, shfaqet në Facebook, Twitter apo ndonjë takim të improvizuar, duke i hedhur benzinë zjarrit. Herë duke provokuar opozitën me deklarime se është antiperëndimore, herë duke kërcënuar larg e larg aleatin e tij me burg, nëse reforma kalon etj etj.

E do Rama, Meta dhe Basha Reformën në Drejtësi, ashtu si kanë shkuar punët, tani ka pak rëndësi. Ajo do të bëhet pavarësisht nga çmimi, sepse ka rëndësi jetike për vetë vendin, por edhe gjeopolitike për aleatët. Çështja është, kur dhe nga kush?. Në rast se ajo nuk bëhet me konsesusin e opozitës, atëherë çfarë ka ndërmend Rama i cili e di mirë që edhe me Metën, bashkë me gjithë partizat që ka në pushtet, normalisht nuk i ka 94 vota? Dje deklaroi se i ka siguruar ato, edhe pa konsesus. Por si e ka arritur këtë nuk e thotë.

***

Marrim variantin më idealist. Rama ka besim te integriteti i  deputetëve, te pro amerikanizmi i tyre, apo te përgjegjshmëria, për të mos rrezikuar anëtarësimin në BE. Të biem dakord se brenda grupit parlamentar të PD ka një sërë deputetësh të cilët do të zgjedhin “integritetin” personal përpara vendimit politik të partisë. Meqenëse edhe Meta mbrëmë dhe sot, rikonfirmoi fjalën e dhënë “lart” në Ëashington se 20 votat e LSI, si do që të shkojë fati i konsesusit janë pro, dalin e teprojnë 94 votat e Ramës. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, madje jemi fiks në linjën e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin.

Po marrim një situatë hipotetike siç mund të jetë ajo që në Kuvend ditën e enjte, reforma shkon “e ngrirë” si është në këtë moment. Nëse deputetët, që do ngrenë kartonin lart do të bëjnë edhe një shpjegim të votës së tyre, skena ka gjasa të zhvillohet kështu:

Sali Berisha apo Edi Paloka në emër të grupit të tyre parlamentar, do të thoshin, se janë pro reformës në parim, por nuk mund ta votojnë nenin e vetingut, sepse kanë rezerva për mënyrën si do të bëhet ai dhe dyshime të forta se Rama synon të kap sistemin e ri të drejtësisë.

Pastaj flet Ilir Meta që deklaron votën “pro” të “njëzetëshes” së tij, sepse “ka dhënë fjalën në Ëashington”, por ama është jo optimist për funksionimin  afatgjatë të kësaj reforme, përderisa opozita doli jashtë loje.

Pas Metës e marrin fjalën një sërë deputetësh nga radhët e opozitës (4-5 mjaftojnë), të cilët pasi e bëjnë “copë copë” Ramën dhe qeverisjen e tij të korruptuar dhe të inkriminuar, pasi kritikojnë draftin, “me zemër të thyer”, për hir të aleatëve strategjik të Shqipërisë, deklarojnë edhe ata votën “pro”. Po kështu si këta vepron edhe Ben Blushi dhe deputetët e tjerë të pavarur të flakur nga Rama…

Dhe në fund del vetë Rama i qeshur vesh më vesh, i cili në fund të një fjalimi që nuk ka gjasa të zgjasë më pak se 2 orë, pasi natyrisht do të jetë historik, deklaron “votë pro” të deputetëve të tij.

Ja ku u bënë 94 vota dhe më tepër ndoshta. Shpërthejnë duartrokitjet dhe përqafimet, sigurisht në fillim nga lozha e ambasadorëve dhe pastaj poshtë në sallë.

Zbresin të lumtur me të drejtë ambasadorët Lu dhe Vlahutin dhe nisin dhe përqafojnë deputetët. Natyrisht të parëve që u takojnë urimet dhe përgëzimet janë, “rebelët” e opozitës. Por ashtu si ka thënë dhe ka luftuar ambasadori Lu, çdo votë është “historike”. Prandaj nisin falënderimet dhe përgëzimet për të gjithë “kalorësit e reformës”, me radhë…Në këtë moment të skenës ka një problem.

Ndër deputetët e Ramës që jo vetëm do të votojnë reformën, me dy duar madje, por edhe që gjatë gjithë këtyre ditëve kanë punuar ditë e natë për të siguruar sa më shumë vota, janë edhe disa syresh si Tom Doshi, Armando Prenga e ca të tjerë që ambasadorët Lu dhe Vlahutin i njohin mirë sepse i kanë në “listën e zezë”. Çfarë do ndodh në atë moment? Do të përqafohet Lu-ja me Doshin dhe Prengën, do të falënderohen që me votën e tyre hapën një epokë të re për drejtësinë? Apo do ta grisin “listën e zezë” që ju ka ardhur nga Washingtoni dhe do tua shkruajnë emrin te “lista e bardhë”? Nëse jo, kujt do tja japin pas “epokës së re” të drejtësisë shqiptare që ta ekzekutojë?

Mund të ndodh që fiks dy votat e tyre, të rrumbullakosin numrin 94 që bën të mundur suksesin dhe nga kalorës të pushtetit të degraduar të Ramës, nuk është çudi të shndërrohen, edhe në heronj shpëtimtarë të Reformës në Drejtësi!

 

Please follow and like us: