Albspirit

Media/News/Publishing

Armët bërthamore amerikane nuk janë më të sigurta në Turqi

Ajo çfarë është e qartë është se puçistët arritën t’i mbajnë avionët “F-16” në ajër vetëm për shkak se ishin në gjendje të furnizojnë avionët në mes të fluturimit duke përdorur të paktën një avion cisternë që ka operuar nga baza ajrore në “Inçirlik”.

Përfundimisht autoritetet turke mbyllën hapësirën ajrore mbi “Inçirlik” dhe ndërprenë energjinë elektrike në këtë bazë. Të nesërmen, forcat e sigurisë besnike të qeverisë arrestuan komandantin turk të kësaj baze.

Në retrospektivë, është e kuptueshme pse qeveria turke mbylli hapësirën ajrore mbi “Inçirlik”, edhe nëse përkohësisht u ndërprenë operacionet ajrore kundër “Shtetit Islamik” në Siri. Ndërkohë ky veprim ngre dyshime.

Ka disa dhjetëra bomba (graviteti) bërthamore “U.S-B61” të ruajtura në bazën ajrore në “Inçirlik”. A duket ide e mirë për t’i stacionuar armët bërthamore amerikane në një bazë ajrore të komanduar nga dikush që mund të ketë ndihmuar në bombardimin e parlamentit të vendit të tij?

Armët bërthamore nuk kanë qenë objektiv i komplotuesve

Sigurisht se grushte të shtetit kanë ndodhur edhe në vende të tjera, ku Shtetet e Bashkuara kanë të stacionuara armë bërthamore. Dihet botërisht se në të kaluarën edhe vendet si, Turqia, Greqia dhe Koreja e Jugut janë marrë nën kontroll nga Juntat ushtarake, ndërsa armët bërthamore amerikane ishin të pranishme në tokat e tyre.

Sado që mund të duket kontradiktore, armët bërthamore duket se nuk kanë qenë objektiv kryesor i komplotuesve të grusht shtetit.

Armët në “Inçirlik” janë të magazinuara në çatinë e harkuar në katin e strehimoreve mbrojtëse të avionëve. Strehimoret gjenden brenda një perimetri të sigurisë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s kanë investuar së fundmi 160 milionë $ në përmirësimet e sigurisë për armët bërthamore, duke përfshirë perimetrin e ri të sigurisë në “Inçirlik”, i dukshëm edhe në imazhet satelitore.

Dhe, sigurisht, në qoftë se komplotistët e grushtit të shtetit do të kishin qasje te këto armë, do të duhej një kod i veçantë për t’i vërë në funksion. Pra, nuk do të ishte një gjë e thjeshtë për ta rrëmbyer dhe për ta përdorur një armë bërthamore të SHBA-së.

Në të njëjtën kohë, në qoftë se një Juntë armiqësore do të merrte nën kontroll një vend që ka të stacionuara armë bërthamore të SHBA-së, gjërat mund të jetë me rrezik të paparashikueshëm.

Kështu, ndërsa masat për të mbrojtur armët bërthamore të SHBA-së në “Inçirlik” janë të arsyeshme, ato janë të bazuara në një sërë supozimesh rreth stabilitetit dhe dashamirësisë së vendit.

Situata e sigurisë në Turqi ka kohë që është përkeqësuar. Më parë këtë vit, Departamenti i Mbrojtjes evakuoi familjet e personelit ushtarak dhe civil nga “Inçirlik”-u, duke përmendur shqetësimet rreth kërcënimeve terroriste. Më pas, në prill, dy maskarenj nga një grup lokal i krahut të djathtë u përpoqën të fusin thesin në kokën e një piloti të SHBA-së në këtë bazë.

Kjo ka ndodhur rreth një kilometër nga perimetri i armëve. Dhe tani një zyrtar në qeverinë Erdogan la të kuptohet se Shtetet e Bashkuara mund të kenë luajtur një rol në grusht shtetin e mbetur në tentativë, kryesisht për shkak se një klerik i quajtur Fethullah Gulen, i cili ka një numër të madh të pasuesve në Turqi, jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara.

Turqia nuk ka avionë me mundësi të dyfishtë

Duke pasur parasysh klimën e përgjithshme të jostabilitetit, lind pyetja pse armët bërthamore amerikane ruhen edhe në Turqi në plan të parë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak se një nga gjërat e veçanta në lidhje me bombat e gravitetit të SHBA-së në Turqi është se atje nuk ka aeroplanë në dispozicion për përdorimin e tyre.

Shtetet e tjera të NATO-s, ku janë të dislokuara armë bërthamore të SHBA-së, kanë në dispozicion të ashtuquajturit avionë me mundësi të dyfishtë, që teorikisht, mund të pajisen me armë bërthamore amerikane për t’i përdorur gjatë një krize të mundshme. Por, ndryshe nga Belgjika, Gjermania, Italia apo Holanda, nuk ka avionë të tillë në Turqi që janë të certifikuar të mbajnë armë bërthamore. Me fjalë të tjera, “Inçirlik”-u përbën një depo magazinimi të përlëvduar.

Nuk ka asgjë që ndalon Shtetet e Bashkuara nga largimi i menjëhershëm i armëve nga Turqia, ashtu siç u larguan ato nga Greqia në vitin 2001 pasi ishte e qartë armët atje nuk janë të mbrojtura në mënyrë të sigurt. Këto armë mund të kthehen në Shtetet e Bashkuara.

Disa analistë thonë se kjo nuk është koha për të zvogëluar numrin e armëve bërthamore SHBA-së, të vendosura në vendet anëtare të NATO-s, për shkak të ftohjes së marrëdhënieve (kohën e fundit) me Rusinë.

Është, natyrisht, një tjetër arsye që “Inçirlik”-u është një depo për armë bërthamore të SHBA-së. Edhe në qoftë se nuk ka aty aeroplanë për të mbajtur këto lloj bombash, disa zyrtarë amerikanë janë të mendimit se duke pasur armë bërthamore të dislokuara jashtë Evropës dhe në pragun e Iranit kjo ndihmon për të penguar Teheranin të vijë në posedim të armëve bërthamore, duke siguruar aleatët dhe partnerët e Amerikës në Lindjen e Mesme.

Zhvendosja e armëve bërthamore nga Turqia dhe dislokimi i tyre në Gjermani apo në Mbretërinë e Bashkuar mund të demoralizojë disa partnerë të SHBA-së në Lindjen e Mesme. Por, pas ngjarjeve të fundjavës së kaluar, lënia e tyre në atë vend duket një gjë konkretisht e tmerrshme. /FP/ ZËRI/

Please follow and like us: