Albspirit

Media/News/Publishing

Associated Press: Pasoja për Shqipërinë nëse Reforma në Drejtësi nuk miratohet

ASSOCIATED PRESS – Ambasadori i SHBA në Shqipëri paralajmëroi të martën se Uashingtoni do të ndërmarrë veprime kundër politikanëve, të cilët nuk votojnë për një marrëveshje për reformën në drejtësi, e cila konsiderohet kyçe për të bindur Bashkimin Europian, që të nisë negociatat për anëtarësimin e vendit ballkanik.

Donald Lu tha të martën se veprimet do të jenë “të rëndë dhe afatgajtë”. Ai nuk dha më shumë hollësi.

“Do të ketë pasoja negative specifike nga SHBA, ndaj atyre udhëheqësve politikë që votojnë kundër reformës”, tha Lu, duke folur në gjuhën shqipe, gjatë një proteste të shoqërisë civile përpara zyrave të Parlamentit. Ai nuk dha detaje, por tha se ato u janë dorëzuar partive politike. 

Ai akuzoi Lulzim Bashën, liderin e Partisë Demokratike në opozitë, se ka ndryshuar vazhdimisht objeksionet e tij ndaj draftit të marrëveshjes. 

Tetë orë bisedime natën e të martës mes tre negociatorëve të partive politike kryesore nuk arritën asnjë kompromis, për vetëm një pikë të mbetur.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme mbi Shqipërinë dhe Turqinë të martën, komisioni i jashtëm i Parlamentit Europian u bëri thirrje me forcë politikanëve shqiptarë, që të miratojnë paketën të enjten, ashtu siç bëri edhe Johannes Hahn, komisioni për zgjerimin i BE.

Deputetët thanë se do të zhvillojnë telefonata intensive me homologët e tyre shqiptarë, deri ditën e votimit të enjten.

Shqipëria, e cila është tashmë anëtare e NATO-s, ka punuar për 18 muaj për të reformuar sistemin e vet gjyqësor, i cili është vënë në qendër të kritikave për korrupsion dhe mungesë profesionalizmi. Ndryshimet që kërkohen në paketë, përfshijnë kontrollin e të ardhurave dhe pronave të gjykatësve dhe prokurorëve, një hap që shihet si i nevojshëm për të çrrënjosur rryshfetmarrjen.

Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat për në BE në vitin 2014.

Socialistëve në pushtet u nevojitet mbështetja e disa prej anëtarëve të opozitës në Parlamentin 140-anëtarësh, për të miratuar reformën.

Linku: http://abcnews.go.com/International/wireStory/washington-repercussions-albania-law-reform-voted-40693711

1

Please follow and like us: