Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Politikanë profesionistë dhe nënshtetas besnikë ndaj vetes e detyrës

 

Filloi me Athinën demokratike, pothuajse tre mijë vjet më parë. Kur ndarja sociale e punës qe kryer, ku prijësit ishin prijës, nga pasuria, njohuria, por edhe nga trimëria. Quheshin arkondë, kishin këshillin e tyre drejtues, një formë qeverie, për të njëjtat arsyet si më sipër dhe interesat më të drejtpërdrejta ekonomike shoqërore në mbarvajtjen e atij shteti që dhe i shërbenin. Modeli i piramidal i qeverisjes së milingonave apo shumë kafshëve duke përfshirë edhe gjitarët, qoftë dhe ata më të lartët, ku më të fuqishmit udhëhiqnin kopetë e tyre e zotëronin shumicën e zonjave të grupit, përfshi dhe zonjushat, për të cilat pa përjashtim, luftonin dhëmbë për dhëmb, e kthetër për kthetër, paçka se këto të shtypurat, çoku kishin ndonjë këlysh që ngjante me ndonjë djalosh pa emër nga turma e të parëndësishmeve. Asgjë e re nën të njëjtin diell. A, por ndryshimi që sollën që, që të gjithë qenë luftëtarë njësoj në rast lufte, të gjithë njësoj para ligjit dhe të gjithë votonin po njësoj, me të nëjtën peshe vote për çështjet më të rëndësishme, pavarësisht nga sëra, apo prejardhja, veç të ishin të lirë. Sot nuk do flasim për skllevërit. S’kish politikanë profesionistë, por qytetarë të devotshëm, oratorë të ditur, filozofë-ushtarë e ushtarë-poetë, edhe pse disa nga këta të fundit, ia mbathën nga frika e iliro-akejve të marrë që shkonin në luftë si në një valle. Çuditërisht e njëjta gjë dhe sot, edhe pse romakët me dinakërinë e tyre e drodhën pak, me punën e senatorëve të përjetshëm dhe të Çesarëve diktatorë, që ashtu si të tjerët, u vranë qoftë publikisht apo fshehurazi, për Republikën, por edhe këta, kur ishin në majë të fuqisë së tyre nuk guxuan t’i hiqnin vulgut këto privilegje të shenjta, si për të justifikuar mbretërinë e tyre, nga frika se mos u vërsuleshin e ja u merrnin, por edhe se ishte më e lehtë të gënjenin turmën e paditur, siç bënë shumë nga tanët për shekuj me radhë, brenda dhe jashtë, pashallarë të panumërt.

Sot, si në SHBA dhe sigurisht në vendet e mëdha të BE, qoftë edhe në Turqi, që ashtu si tek ne bëhen prodrome pastrimi që nga koha e Qyprallinjëve, (familja që lindi edhe vezirë-kryeministra nga dashuria e portës së lartë) S’KA ASNJË POLITIKAN ME PROFESION POLITIKANI, asnjë për fare. Të gjithë janë edukuar në shkolla, kolegje a universitete si mjekë, juristë, ekonomistë, inxhinjerë, piktorë, aktorë, mekanikë, por edhe nëna shtëpiake që kullandrisnin vetëm shtëpinë e fëmijët e vet, edhe pse ka ende nga ata që veshin çarape me ngjyra të ndryshme e janë të pranishëm duke dremitur në çdo seancë deri sa vdesin. Pse, se puna e tyre s”do as mend e as kalem, duhet t’i shërbejnë së pari atyre që i zgjodhën dhe interesave kombëtare, sigurisht kanë një rrogë, por s’kanë se ku venë, duhet të zgjidhen dhe pikë. Nëse janë burra të mençëm aty është mejdani, në mos vjen një këlysh i ri e vanë mirësitë dhe ëndrrat për zonjushëza, sigurisht jo vetëm për ato. Pra në këtë siri jemi jo vetëm njësoj, por me ligj duhet të na binden, me parti apo pa parti, sepse edhe pse emrin ua vuri partia në listë, i zgjodhëm ne, për të bërë si themi ne. Ndaj s’kemi pse të presin te lindin a të leçiten në profesionin e përfaqësuesit në Kuvend, njerëz me aftësira të veçanta, dhe ata që janë zgjedhur jo për to. Por s’arrij të kuptoj pse presim tu themi se çfarë duhet të bëjnë, pa u grindur, pa zhurmë e gjullurdi, pa thyerje xhamash e shkrepje pushkësh, të ulemi përpara zyrës së punës e t’i mësojmë të na binden. Shikoni dhe i madhi Ataturk, ia paska lënë amanet gjeneralëve dhe ushtrisë, se nëse cenohet shteti laik, i ndarë nga feja, të bëjnë grusht shteti. Se pse gjeneralëve, këtë s’e di. Punë e tyre dhe punë e tij.

Çështja e dytë që dua të flas është ajo e jona, edhe po e përsëris, që është tërësisht e jona, ajo e cila përbëhet nga dy pjesë: si të jemi besnikë ndaj vendit dhe detyrave tona si nështetas ku përfshihet e drejta e votës, e zgjedhjes, e përfaqesimit dhe e dyta: detyra fisnike se si t’i bëjmë politikanët të na binden. Mënyra për këtë ka shumë, ashtu si dhe shembuj, Gandhi është njëri prej tyre, Dr. Luther King është tjetri, Mandela etj e etj. Sot të gjithë e pranojmë se sistemi ligjor që kemi nuk punon, e jo vetëm që është i korruptuar, jo nga paratë nën dorë që marrin gjykatësit, vënë aty jo nga ne, por oligarkët partiakë për të ndarë fuqinë e fitimet e të mbajnë njeri – tjetrin, por edhe të na hiqen, si shumë nga këta të sotmit, sikur nuk e durojne dot gjendjen e se duhet rrëzuar qeveria, që reforma të shtyhet edhe një vit tjetër. Kësmet, në emër të pavarësisë do kemi mbase një mik-pronar tjetër, këtë radhë nga Lindja e Rusisë apo ajo e Mesme. S’është hera e parë që e kanë bërë dhe as e fundit. Të gjithë e kuptojmë se është jetike për vendin, për të ardhmen e tij, që deputetët që na përfaqësojnë duhet të votojnë për këtë, e jo për gjë tjetër e as të na shesin dokra, kur pasuritë e përfituara nga rroga e shtetit apo nga rroga që iu la babai nëpunës i thjeshtë, sot nuk mund të blejnë dot asnjë nevojtore, e jo më vila, e as të fshinë djersën me para në vend të shamisë. Por do pyes, sinqerisht, ashtu sikur të pyesni veten para se të flini: a shkruajti ndokush ndonjë letër, a doli ndonjë tek sheshi “Skënderbej” me gjithë shokët e tij të gjimnazit apo të universitetit e të paktën të flasë përnjë gjë të tillë e t’u apelojëë atyre që s’duan të votojnë për reformën në drejtësi? Fatkeqësisht politikanët nuk pyesin për faljet tona publike ndaj Allahut, Krishtit a Budës, madje vinë e falen me ne të panjollosurit, për të larë mëkatet e tyre, por edhe për të na treguar se janë si ne dele të pafajshme.

Nuk dua të flas për independencën e Shqipërisë, se me duket sikur kthehemi mbrapa duke përdorur të njëjtën gjë që na e bëri ta jetojmë kaq nga afër diktatura, që e përdorte për të na gënjyer sa herë që i duhej. Të gjithë të dashuruar me Jugosllavinë, ndruam historinë, gati për të ndërruar edhe kufinë e fap doli që  Koçi ish tradhtar e Koçi vajti në litar. Mësuam përmendësh historinë e Partisë së BS, kulturë ruse dhe në nevojtore, u prishëm se mos na ikte karreklla, doli Beqiri, edhe pse i shkreti i bindej urdhrave, askush s’foli, shkoi në litar edhe ai, pastaj Kina, e di që s’na lamë film pa parë me detyrim dhe s’lamë të shtunë pa u edukuar në bujqësi, deri sa zbuluam që na kërcënuan sovranitetin, çuam dikë kurban në litar. Punë e politikaneve të Byrosë Poliitke, aspak e jona. Kuvendi votoi, për të gjitha. Presim që Meta, Rama, Basha e nuk e di se kush të BËJNË MARRËVESHJE? Kush i zgjodhi këta, nga na dolën këta POLITIKANË PROFESIONALË? Kush ua dha të drejtën e dallavereve? Lu, na doli i shitur tek Rama, se për çfarë duhet të shitet tek Rama, mbase për ndonjë Monalizë, kur ai (Mr. Lu), përfaqësues i një shteti mik, po ropatet të bëjë diçka që ne vete s’mundim ta bëjmë me pritjen dhe indiferencën tonë makute. Ne nuk mund të na i ndërrojë mendjen askush, se jemi kokëshkretë si kokëfortë, açik shqiptarë, askush nuk mund të arrijë ta bëjë këtë,veç vetes sonë. Boll folëm e bërtitëm poshtë jastëkut për 70 vjet, kjo nuk na solli gjë, vendi ka nevojë për çdonjerin nga ne dhe devotshmëria ndaj tij, është të bëjmë detyren tonë, atë më minimalen, të flasim e të bëjmë politikanët të na dëgjojnë. Nuk mjafton më, të dimë se kush janë, duhet ‘t’u marrim kalin’ që iu dhamë, për të mbajtur bajrakun, jo për të na sunduar. Moisiu, a Ai që është në qiell peshqit i hodhi poshtë në tokë për të bijtë e Zionit, sigurisht arbërve u la atë pak dinjitet që i kish ngelur, i la të mbanin plisin e Zeusit. Kaq u mjaftonte. Deri kur do presim pa bërë zë, pa bërë asgjë e të çirremi sa po na vjedhin lirinë, pikërisht atë që e ua dhamë për falë “Profesionistëve aspak profesionistë”!

Vota e hapur në shesh është amaneti i lashtësisë, kërkon po aq trimëri sa dhe respekt ndaj vetes, dinjitet, e jo aq për të, se pos nuk e bëmë ne, s’ka për ta bërë askush tjetër. Ai që do ta bëjë, pa një pa dy, do na gënjejë e do na vjedhë duke dërdëllitur se po e bën për të mirën tonë, në emrin tonë. Dhe po s’e bëmë tani do jetë tepër vonë. Historia tre mijë vjeçare flet për këtë dhe e jona çirret e dridhet nga gjëmat që ka parë.

Please follow and like us: