Albspirit

Media/News/Publishing

Pakti për drejtësinë: Ja çfarë u ndryshua, por kleçka nis e shfaqet më 22 korrik

Reforma në drejtësi u mbyll nga një marrëveshje mes palëve për ta votuar atë në seancën e ditës së nesërme, por që pas firmosjes së saj politika nisi lojën “e ka kush e ka”, fitoren, fajin, gabimin, lavdinë e të tjera. Ama asgjë nuk është mbyllur këtu. Pjesa më e vështirë vjen më pas, pikërisht në zbatimin e kësaj reforme. E para në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Republikës që do të kërkojë 94 vota; e dyta me zgjedhjen e Prokurorit Special që do të zgjedhë zyrtarët, kërkon 84 vota; e tretat në zgjedhjen e krerëve të trupave gjyqësore që kërkon sërish 94 vota dhe më pas me rezistencën ndaj procesit të vetingut. Sapo u arrit marrëveshja, Lulzim Basha deklamoi fitoren e PD-së, pasi sipas tij është arritur një fitore e madhe sepse “Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit” do të ketë vetëm detyrë monitoruese. Në fakt, siç quhet edhe në emërtimin ligjor misioni ndërkombëtar ka vetëm detyrë monitoruese, por ky monitorim do të jetë mjaft thelbësor, pasi është vendosur në Kushtetutë. Në draftin-hibrid të Victoria Nuland, është shtuar që në misionin ndërkombëtar do të hyjë edhe SHBA, por pas ndërhyrjes së komisioneri Hahn, është shtuar fjala “rekomandim”, që në fakt nuk është gjë tjetër veçse një përcaktim që jepet në draftin e hartuar nga ekspertët. Më poshtë po japim draftin në variantin fillestar dhe të ndryshuar.

Varianti fillestar:

Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit

  1. Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit është përgjegjës për sigurimin e transparencës, sigurisë juridike dhe garancive për të mos lejuar abuzimet gjatë procesit të përkohshëm të vlerësimit.
  1. Organizimi dhe funksionimi i Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit rregullohet sipas marrëveshjeve ndërkombëtare në fuqi. Kompetencat e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit rregullohen nga ky aneks dhe nga ligji.
  1. Vëzhguesi ndërkombëtar është jurist i huaj me eksperiencë, i cili përmbush kriteret për të qenë gjyqtar në vendin e tij.70 Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare ose marrëdhënieve diplomatike emëron Vëzhguesit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Mandati i vëzhguesit ndërkombëtar mbaron për shkelje të rënda, bazuar në kërkesën e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

  1. Vëzhguesit ndërkombëtarë ushtrojnë këto kompetenca:
  2. a) marrin menjëherë informacion për persona dhe dokumente të caktuara, me qëllim monitorimin e procesit të emërimit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit;
  1. b) marrin menjëherë informacion për persona dhe dokumente të domosdoshme për monitorimin e procesit të vlerësimit të kualifikimit të të gjitha niveleve dhe në çdo fazë të tij;
  1. c) paraqesin gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe nga Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit. Lidhur me këto gjetje, vëzhguesit ndërkombëtarë mund të kërkojnë që Komisioni të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë, sipas ligjit.

ç) kërkojnë që çështja të dërgohet menjëherë për shqyrtim nga një trupë tjetër gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit, në rastet kur ka prova dhe fakte të mjaftueshme dhe të besueshme që një vendim i një trupe gjyqësore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose i Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit është haptazi i pabazuar në fakte, prova ose në ligj, apo është marrë si pasojë e një ndikimi të papërshtatshëm.

Varianti i ndryshuar:

I njëjtë me të parin por është shtuar se vetëm duhet hartuar me hollësi arsyet se pse kërkohet mospranimi apo largimi i gjyqtarëve apo prokurorëve.

Ndërkohë, kjo lojë fjalësh në draft, më tepës se thelbi, është dhe një “dhuratë” e stisur e ndërkombëtarëve, për t`i mundësuar PD-së një ndjenjë triumfi politik. Siç dhe Basha e shpalli.

Please follow and like us: