Albspirit

Media/News/Publishing

Shigjetat nga Washingtoni që nuk shpëtojnë drejtësinë

   

 

Nga Av. Kastriot FRASHËRI* 

Më shumë se dy vite më parë, Instituti i Çështjeve Kombëtare, që drejtoj, përmes një shkrese zyrtare drejtuar ministrit të Drejtësisë, shprehu mbështetjen e tij për iniciativën e kësaj ministrie për krijimin e një grupi pune me ekspertë për Reformën në fushën e drejtësisë, me qëllim për t’i ofruar ekzekutivit kontribute sistematike dhe thellësisht profesionale për identifikimin e problemeve dhe ndjekjen e ecurisë së reformës legjislative dhe të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Të pranishëm në zhvillimet e vendit me një histori krenare 15 vjeçare, jemi bërë pjesë e vërtetë e mendimit, vlerave dhe trashëgimisë shqiptare. Por jo vetëm kaq! Instituti prej vitesh ka patur në fokus të aktivitetit të tij problemet e Pushtetit Gjyqësor, duke mbajtur jo vetëm një qëndrim kritik, por ka bërë dhe rekomandimet përkatëse të konsideruara të vlefshme ndaj problemeve të sistemit të drejtësisë. Nisur nga ky fakt, si subjekt legjitim i shoqërisë civile reale, gjykoj se ne jo vetëm gëzonim legjitimitet të plotë, por edhe integritet të lartë moral e profesional për t’u bërë pjesë e Komisionit Këshillimor të Reformës Ligjore, për të ofruar mbështetjen, rekomandimet dhe ekspertizën tonë të pavarur,duke mos qenë në kushtet e konfliktit të hapur të interesit me objektin e punës së këtij Komisioni, përpara një procesi i cili kërkon domosdoshmërisht një konsensus të gjerë dhe real, gjë që u shpërfill nga autorët e kësaj sipërmarrjeje për ndryshimet kushtetuese.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë përkundër këtyre përpjekjeve dhe investimi ndërkombëtar? Drafti i këtyre ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë, sot, pas kaq kohësh debatesh, takimesh, madje duke vënë në lëvizje edhe EUROPEAN COMMISSION FOR DEMOCRACY THROUGH LAW (VENICE COMMISSION), pritje e përcjellje negociatorësh ndërkombëtarë deri përtej Atlantikut, presione dhe shantazhe deri ndërkombëtare,ka hasur në një rezistencë të vendosur jo vetëm nga opozita drejtuar nga PD, por edhe nga vetë anëtarë të koalicionit qeveritar.

Për të qenë realistë dhe jo nihilistë, sigurisht që në opinionin tim, ky draft në përgjithësi përderisa është pranuar edhe nga partitë parlamentare është një përpjekje për të përafruar sistemin e drejtësisë me standardet e vendeve të Bashkimit Europian. Por jo gjithçka e sanksionuar në këtë draft kushtetues që pret më 21 Korrik votimin e cilësuar nga deputetët në Parlament, rezulton të jetë perfekte! Nëse njihesh me draftin e propozuar nga ky komision nuk është e vështirë të konstatosh jo vetëm mungesë kohezioni, por edhe deformime të rënda të parimeve mbi të cilat sanksionohet drejtësia të cilat mund ta marrin peng këtë sistem për 30 vjet. Nga mënyra sesi është orientuar debati publik për reformimin e sistemit të drejtësisë refuzoj të jap detaje dhe opinionin tim mbi baza profesionale për shkak të marrjes peng nga kreu i qeverisë jo vetëm të draftit, por edhe të hapësirës publike në funksion të perceptimit të kësaj reforme.

Që sistemi i drejtësisë në vendin tonë ka probleme dhe vend për reformim, kjo nuk është mëkat të thuhet në çdo tribunë, apo ekran televiziv, pasi e kemi thënë e theksuar me dhjetra herë për mëse një dekadë më parë përmes artikujve apo raporteve që kemi përgatitur, por që për përfitime politike të nxihet dhe të baltoset në këtë mënyrë gjithë trupa e këtij sistemi, siç shprehet kryeministri dhe armata e tij kjo është e papranueshme dhe kriminale, si një akt që orjenton shoqërinë tonë drejt një anarkie totale. Si mundet vallë që në një vend që aspiron antarësimin në BE dhe që është antar i NATO, udhëheqja e tij politike për përfitime personale të nxisë përditë përmes deklaratave të papërgjegjshme një mosbindje ndaj ligjit që në themel nuk i shërben interesit publik dhe atij kombëtar?

Si mundet, vallë sot, që drejtues të një shteti sovran pranojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe problemet tona të brendshme me interlokutorë apo arbitra ndërkombëtarë (çka ndodhte 100 vjet më parë) dhe aq më keq akoma të marrë dhe të pranojë urdhëra nga kushdo qoftë shtet apo kancelari ndërkombëtare për të zgjidhur mosmarrëveshjet apo problemet e brendshme? Kaq poshtë paska rënë elita politike dhe shtetërore e këtij vendi sa për çdo problem duhet t’ju drejtohet të huajve për zgjidhje?!

E kemi përsëritur disa herë se që të bësh një reformë, duhet më parë koha e nevojshme dhe më pas sigurimi i një konsensusi të gjerë. Pikërisht këta elementë kyç i kanë munguar autorëve që kanë marrë përsipër të bëjnë me bujë përmes diktatit këtë reformë. Si ka mundësi që në një vend demokratik si ne, të ndodhë ky gabim fatal, duke përjashtuar nga tërheqja e opinionit jo vetëm aktorët e sistemit që punojnë në institucionet e drejtësisë, por edhe intelektualet e shquar, apo shoqërinë civile, e cila ka dëshmuar me prova dhe me kohë, se ka qenë jo vetëm rojtare, por edhe luftëtare besnike në mbrojtje të parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës të nëpërkëmbur keqazi nga ky pushtet tribal, por edhe në kërkim të sundimit të ligjit në Shqipëri?

Instituti për gjatë këtyre viteve i ka shërbyer interesave kombëtare, ka mbrojtur interesin publik dhe me qëndrimet e tij të vendosura në mbrojtje të parimeve demokratike të konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve në Shqipëri, hapësirave publike, luftës kundër korrupsionit, etj., për shkak të këtyre qëndrimeve të cilat nuk mund të pranojnë të kenë si pardon politikat klienteliste dhe aspak publike të këtyre kleptokolltukofagëve është përballur me izolimin dhe mbylljen e të gjitha dyerve të shtetit edhe pse ka promovuar frymën e bashkëpunimit dhe partneritetit të nevojshëm për mirëqeverisje dhe zhvillimit perspektiv të vendit. Lind me të drejtë pyetja nëse janë predikuar në qeverisje këto parime si nga qeverisja e sotme, ashtu dhe nga ajo e djeshmja? Për fat të keq jo! Me fjalë mundet, por me vepra jo… Fatkeqësisht sot, 25 vjet pas rrëzimit të diktaturës komuniste, kjo klasë politike në vend të ndërtonte një shtet ku sundon ligji, ka ndërtuar në funksion të vet një sistem vlerash kleptokratike.

Debati i sotëm për mos dakordësinë e opozitës dhe mazhorancën në lidhje me nenin 88 të amendamentit për ndryshimet kushtetuese, si një studiues dhe jurist i njohur gjykoj se është një problem real me pasojë për të nesërmen e funksionimit të sistemit të drejtësisë. Përmes aplikimit të sistemit të Vetting-ut, mazhoranca e sotme kërkon të përjashtojë jo vetëm apriori, por edhe në mënyrë arbitrare çdo gjyqtar apo prokuror që sot apo nesër mund të jetë në listat e zeza partisë së saj. Ky është një akt i paprecedent, që edhe pse bëhet nën mbikqyrjen ndërkombëtare të SHBA apo BE, merr trajtën pothuajse si veprimet autoritare të pak ditëve më parë të presidentit turk Erdogan, i cili në emrin e një “grushti shteti” ka shkarkuar brenda një dite pa asnjë motivacion mbi 3 mijë gjyqtarë dhe po aq ushtarakë të pafajshëm. Nuk e di nëse autorët e këtij drafti janë konsultuar me ekspertë ligjorë, pasi bazuar në nenin 25 e vijues të ligjit Nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, si dhe të ligjit“Për sistemin e vlerësimit të veprimtarisë së gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë” rezulton se veprimtaria e gjyqtarëve të jetë jo vetëm e normuar, por dhe funksionale duke mos lënë shteg për abuzivizëm nga kushdoqoftë funksionar politik ndaj trupës gjyqësore. Por fakti ikeqpozicionimit të kreut të qeverisë,në emër të kësaj reforme ligjore, kundër gjyqtarëve, etiketimet e tij të papranueshme ndaj tyre në përgjithësi, lënë shkak për paragjykim me të drejtë nga opozita për përdorimin e reformës për motive personale, ndaj dhe shigjetat nga Washingtoni nuk e shpëtojnë drejtësinë.

Ligji i sipërcituar është një ndër masat e kërkuara në kuadër të prioritetit Nr. 2 të Udhërrëfyesit për zbatimin e reformave të nevojshme për 5 prioritetet kyçe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian për përmirësimin e veprimtarisë së gjyqësorit në tërësi, duke promovuar cilësinë dhe eficencën në dhënien e drejtësisë nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale dhe etike të veprimtarisë së gjyqtarit. Me të drejtë pyesim: Në këto rrethana të qarta ligjore, mbi të cilat funksionon sistemi i vetëkorrigjimit të sistemit, dhe aspak për ego personale, përse duhet të aplikohet vallë sistemi i vettingut?

Në kundërshtim me këto parashikime të qarta ligjore mbi të cilat funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri Mafia Intelektuale e Tiranës prej muajsh ndodhet në aksionin kombëtar për të nxirë çdo arritje. Këta tipa të pamoralshëm dhe pa asnjë identitet profesional që flasin në emër të shoqërisë civile dhe që paguhen me Euro apo USD nga burime herë të dukshme dhe herë të padukshme të cilat asnjëherë nuk janë certifikuar në këto 20 vjet dhe që kurrë nuk kanë punuar në jetën e tyre, jo më në sistemin e drejtësisë, guxojnë me naivitetin e një adoleshenti të përkëdhelur, jo vetëm të marrin nëpër gojë sistemin, por edhe të hiqen si krye ekspertë të tij, duke disinformuar opinionin publik në lidhje me funksionimin e organeve të drejtësisë në Shqipëri për llogari të klubit famëkeq të Sorosit.

Pyesim këta aventurierë politike që çirren të telekomanduar çdo ditë nëpër ekranet e TV, a mund të na thoni se çfarë do të ndodhë të nesërmen më 22 Korrik 2016, nëse miratohet ky draft kushtetues? Asgjë nuk ka për të ndodhur, drejtësia do të jetë po ajo, sepse asgjë nuk ka ndryshuar, përveç presionit të kryeministrit mbi drejtësinë për të marrë drejtimin e tyre!

Gjithmonë ekziston momenti që në këtë vend të shfaqen njerëz të një dimensioni të madh me vizione dhe kurajo në luftën e qytetërimit, në luftën e fitimit të vlerave morale, pasurimit të shpirtit dhe përqasjes europiane. Atdheu ynë sot i ngjan një gërmadhe mendimi, pa vlera, pa ide dhe ideale. Kriza e vlerave morale, mungesa e standardeve dhe anarkia mbretërojnë në çdo qelizë të jetës, në tendencat, idetë dhe angazhimet tona shoqërore, e më keq në kuptimet tona mbi formën, esencën dhe performancën e institucioneve të shtetit. Kjo klasë politike dështoi për të ndërtuar institucione të pavarura dhe për të mbrojtur shoqërinë nga kriminalizimi. Fakti i dështimit të ligjit për “dekriminalizimin e institucioneve publike nëpërmjet ndalimit të ushtrimit, zgjedhjes a emërimit…”, si dhe ligjit tjetër për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit për të kontrolluar krimin dhe veprat penale është asnjë arsye më shumë për të hequr shpresën për të ardhmen e këtij vendi. Si përfundim ky parlament, me këtë përbërje kriminale, nuk legjitimohet të bëjë reformën në drejtësi, ndaj dhe shigjetat nga Washington nuk e shpëtojnë drejtësinë!

* Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare

Please follow and like us: