Albspirit

Media/News/Publishing

Vetting-u, “quasi law”, nëse s’ekziston një hapësirë, duhet sajuar

Feliks Baçi

Reforma në Drejtësi, koha e rregullt ka mbaruar, një frymëmarrje e thellë e fundit dhe një gjuatje e lirë në drejtim të koshit ka ngelur 

Pavarësisht debateve dhe punës voluminoze që është bërë deri më tash, pothuaj të gjithë shqiptarët, në një mënyrë apo një tjetër, qoftë dhe si spektatorë “tifozë”, e kanë ndjekur ecurinë e Reformës. Në çdo shkrim që kam botuar në gazeta, duke qenë me background inxhinier dhe jurist (i profilizuar në fushën e transportit ajror) kam gjithmonë prirje t’i trajtoj çështjet në shkallën më të mundshme praktike. Veprimtaria e Komisionit bipartisan PS – PD i ngjan ekuacionit të Volantit që, pavarësisht nga shpëjtësia, i le gjurmët gjithsesi. Nga çfarë shikojmë dhe dëgjojmë nga deklaratat e krerëve të PD-së nëpërmjet ekraneve të TV-ve, problemi ka ngecur tek “barriera legale” e komisionit të ekspertëve të Vetting-ut. Thënë shkurt, kemi të bëjmë me “cenim apo zbehje” të Sovranitetit, si pasojë e ushtrimit të veprimtarisë së këtij Komisioni në këndvështrimin Kushtetues.
Natyra legale e Komisionit të ekspertëve të Vetting-ut duhet parë dhe kuptuar në kontekstin e qëllimit dhe pushteti i dhënë këtij Komisioni duhet përdorur brenda regjimit ligjor dhe të garantojë neutralitetin. Po kush do të ishte ai instrument “quasi ligjor” që do të garantonte aktivitetin “check and balance” të aktivitetit të saj? Opinio Juris ka riafirmuar se një Memorandum i Mirëkuptimit (MoU) reflekton principin e pëlqimit të paleve, si një princip, që respekton plotësisht Sovranitetin. Memorandumi i Mirëkuptimit përmbush të gjitha kërkesat për konsensus, përjashton çdo “shqetësim”, edhe të atyre mendjeve më skeptike. Në të njejtën kohë, jep dhe një justifikim legal për kryerjen e misionit të Komisionit të Vetting-ut, subjekt i limiteve të vendosura duke garantuar Sovranitetin ekskluziv.
Sipas doktrinës “Lex Lata”, Shqipëria, duke qenë se është shprehur “de facto” në favor të Vetting-ut, mund t’ia delegojë një trupi të përbërë nga ekspertë të një shteti tjetër kryerjen e funksioneve në fjalë. Një delegim i tillë, i cili, edhe pse mund të ketë “fuqi detyruese” (binding obligation) në vetvete, midis palëve, si ajo që delegon, dhe ajo që delegohet, nuk e ndryshon përgjegjësinë e shtetit delegues. Memorandumi i Mirëkuptimit është vetëm një formalitet. Pas qëndron angazhimi mbi pritshmëritë komunitare lokale dhe ndërkombëtare.
Memoranda, nuk prodhon efekte ligjore, por vetëm në kushte të caktuara prodhon efekte për t’u zbatuar plotësisht. Përmbajtja e tij ka formën e “quasi laë”, që përmend PD në deklaratat e saj. Pra, nuk kemi të bëjmë me detyrim ligjor, por me forcë ligjore, që në praktikë përcakton rrugën që duhet operuar. Pra, do të thotë: në se nuk ekziston një hapësirë, ajo duhet të “sajohet”.
Sa parashtrova më sipër, nuk është një analizë e mirëfilltë e imja. Është një praktikë e zbatuar në fushën e Jurisprudencës në aviacionin civil, ku, për natyrën globale të saj, nëpërmjet programeve të agjencive të specializuara të OKB-së, siç është Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO), janë ushtruar veprimtari të tilla të ngjashme në të gjithë botën, si dhe në vendin tonë.
Do ta përfundoja këtë shkrim me një shprehje optimiste të Henry Ford-it, për ata që janë optimistë se ”Kur çdo gjë duket se është duke shkuar kundra jush, kini parasysh se avionët ngrihen gjithmonë kundra erës dhe jo në linjë me të” dhe një shprehje të Dalai Lama-s për “skeptikët”: “Njihini rregullat sa më mirë, në mënyrë që t’i thyeni ato në mënyrën më efektive të mundshme”.

Please follow and like us: