Albspirit

Media/News/Publishing

Edea Demaliaj: Dashuria për skenën, pasqyra ku shoh tim atë…

 

 

Nga Albina Gjergji

Nuk ka shumë ditë që fituesja e edicionit të katërt të “X Factor Albania”, Edea Demailaj ka publikuar këngën e saj të parë, shoqëruar me klip dhe me të parën herë duket se ka goditur në shenjë. Themi ka goditur në shenjë për vetë faktin, se në kaq pak kohë, kënga rezulton ndër më të klikuarat në Youtube dhe ndër më të dëgjuarat nëpër radiot tona. E titulluar “Ne”, prezantimin e parë profesionalisht Edea ka preferuar ta nisë me një baladë mjaft të ndjerë dedikuar të atit, të ndjerit Gentian Demaliaj, ish-liderit të bandës rock “Djemtë e Detit”. “Këtë këngë padyshim që ia dedikoj babait tim, por mendoj se gjithsecili prej nesh mund të gjejë veten në këtë tekst të mirëmenduar nga artistja, Besa Kokëdhima”, shprehet për gazetën “Koha Jonë”, këngëtarja e re, e cila premton shumë në tregun profesional muzikor. Por, si nisi puna me këtë baladë, prej sa kohësh, bashkëpunëtorët e saj dhe pritshmëria e vetë Edea Demaliajt për suksesin e menjëhershëm të këngës? Në bisedën e mëposhtme, vetë talenti i zbuluar në “X Factor” na jep përgjigjet e këtyre pyetjeve, si dhe na shuan kuriozitetin për shumëçka tjetër që ka të bëjë me aspektin artistik, por edhe personal…

 

Edea pak ditë më parë keni lançuar këngën dhe klipin tuaj të parë zyrtar, i cili duhet thënë që është pëlqyer shumë. E prisnit gjithë këtë sukses që në minutat e parë të shkarkimit të këngës në Youtube?

Faktikisht ende jam e surprizuar. Më ka çuditur fakti se si kënga është pëlqyer menjëherë dhe të jem e sinqerte nuk e prisja gjithë këtë sukses të saj në kaq pak kohë. Patjetër që më lumturon idea.

Përkon pritshmëria juaj me suksesin që pati kënga?

Sigurisht. Them se nuk e prisja gjithë këtë sukses për shkak se unë jam një këngëtare e re dhe zakonisht është e vështirë të depërtosh në tregun muzikor kur je ende vetëm 17 vjeç. I falënderoj pa masë të gjithë dashamirësit e muzikës sime.

Publikimi i këngës me titull “Ne” vjen një vit pasi u shpallët fituese e edicionit të katërt të “X Factor Albania”. Ishte e menduar kjo gjë, pra që të vinit tek publiku fiks një vit më pas?

Për të qenë e sinqertë jo. Nuk ishte diçka e menduar, madje unë vetë e kam shtyrë publikimin e këngës, sepse doja të punonim fort që të prezantonim vërtetë diçka të bukur e të punuar me shumë dashuri. Pra doja që të ishte diçka perfekte dhe mendoj se me bashkëpunëtorët ia dolëm të konkretizonim një këngë cilësore.

“Ne” titullohet balada, që tashmë dëgjohet pothuajse në çdo radio dhe kanale televizive muzikore. Si erdhi tek ju kjo këngë? Bashkëpunëtorët e saj dhe pse pikërisht këto emra?

Darko Dimitrov është njëri nga autorët e këngës, i cili e kishte bërë baladën, por ishte komplet në një version tjetër kur e dëgjova, ndërsa Besa e frymëzuar nga muzika realizoi më së miri tekstin e këngës. Kur unë shkova në Maqedoni dhe regjistrova këngën Darko e ndryshoi komplet atë, duke e shndërruar në atë që ju dëgjoni sot.

U përfol se teksti dhe vetë “Ne” ishte një dedikim kushtuar babait tuaj të ndjerë, Gentian Demaliaj. Por në emisionin “Top Show” më pas u shprehët se është më shumë një këngë dashurie, ku të gjithë mund ta interpretonin si ta ndjenin. Për ju çfarë është? 

Për mua padyshim që është një dedikim gjithë shpirt për babain tim. Besa e ka shkruar si të tillë, pra si një dedikim personal timin, por në “Top Show” u shpreha ashtu, duke mos dashur ta kufizoj publikun në shijimin e kësaj kënge, ku realisht secili mund ta gjejë veten në mënyrën e tij brenda tekstit.

Po në këtë emision ju thatë se tashmë e dini çfarë duhet të bëni në jetë. E kishit fjalën për përkushtimin tuaj në karrierën muzikore?

Faktikisht për mua muzika nuk është një profesion për të ardhmen, por më shumë një pasion, i cili më bën të kem një jetë si një njeri i thjeshtë, me një punë normale.

 

Mendoni se me këtë këngë keni përmbushur idenë tuaj për të sjellë tek publiku pikërisht atë çfarë ata prisnin nga ju?

Jo tërësisht, por deri diku mendoj se i kam arritur pritshmwritë e mia dhe them se kjo nuk është pak për një vajzë të moshës sime.

 

Ku është xhiruar klipi dhe a ka qenë e vështirë puna me realizimin e skenave që kishit objektiv?

Edhe pse mbase nuk duket, apo kuptohet qartë, klipi është xhiruar tek Liqeni Artificial këtu në Tiranë. Duke qenë klipi im i parë si fillim isha e pa mësuar me idenë se si xhirohet një videoklip, por me ndihmën e stafit të përkushtuar arrita ta realizoja me sukses. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë.

Personat që ju kanë mbështetur më së shumti në këtë rast?

Normalisht që mami ka qenë mbështetja më e madhe dhe e falënderoj me shpirt, por kam pasur edhe mbështetjen e miqve të babait, siç ishte Bledi i “Max Production”, miqve të mi, si edhe të gjithë familjareve, të cilët kanë bërë të mundur edhe mbështetjen financiare. Mirënjohje.

Kishte ndonjë moment që ndjeheshit e lodhur nga puna me klipin?

Normalisht si çdo punë tjetër, vjen një moment që lodhesh shumë, por gjithmonë muzika është një gjë, që në fund të ditës sado të jesh lodhur të lë një shije shumë të mirë.

Keni ndërmend ndonjë këngë tjetër Edea, apo e radhës do vijë pak më vonë?

Faktikisht kam regjistruar këngën e radhës, thjesht po presim momentin e duhur që të fillojmë punën  me xhirimet e videoklipit. Them se është çështje kohe për ta publikuar.

Keni pasur kërkesa për pjesëmarrje në koncerte këtë verë dhe a do jeni pjesë e artistëve që këndojnë nëpër evente verore?

Normalisht që po. Unë e kam thënë gjithmonë që dashuria ime më e madhe është të kënduarit live dhe mendoj që si fillim do fokusohem tek të kënduarit nëpër evenimente verore dhe më pas do bëj pushimet e mia. Shpresoj të nisë gjithçka mbarë.

Raporti yt me publikun? Sa domethënëse janë duartrokitjet dhe mbështetja e tyre për ju?

Për këngëtarin mendimi më i rëndësishëm kritik është ai i publikut. Në momentin që ti sheh që publiku e pëlqen këngën, mbi të gjitha pritesh mirë në skenë, aty e kupton se vërtetë ke realizuar atë qëllimin parësor për të bërë një këngë të bukur.

Lidhja jote me skenën? Sa ngjani në këtë pikë me babain tuaj, ish liderin e grupit legjendë në Shqipëri, “Djemve të Detit”?

Dashuria për skenën më ka lindur normalisht, duke parë tim atë gjithë ato vite në skenë. Gjithmonë pas një shfaqjeje të babit  mbyllesha në dhomë dhe jepja një shfaqje imagjinare para pasqyrës, duke imagjinuar një publik që më pret aq mirë sa ç’kanë pritur tim atë.

Përveç këngës si pasion, që tashmë dihet e keni në gjak, keni ndonjë talent, apo pasion tjetër që mendoni ta ushtroni paralel me muzikën?  

Edhe pse e kam kuptuar pak me vonesë, domethënë jo aq herët sa ç’kuptova talentin në muzikë, dashuria ime për të shkruar është shndërruar në një dashuri të madhe, po aq sa ajo që ushqej për muzikën.

Në këndvështrimin e një vajze të re si ju, cili është opinion juaj lidhur me pseudokëngëtarët e shumta që po mbijnë dita-ditës në ekranet muzikore? Sa vlerë dhe anti-vlerë shikoni në materialet që ato i servirin publikut?

Unë personalisht mundohem të jem ndryshe dhe të paraqes zërin tim në tregun muzikor.

Mendoni se edhe media është përgjegjëse për promovime të tilla?

Mendoj se media edhe vetë komercialiteti që kërkon publiku bëjnë që këto gjëra të jenë të kërkuara.

Studimet. Sa të rëndësishme janë për ju dhe cila është dega e preferuar?

Kurrë nuk e kam humbur sensin e rëndësisë së shkollës. Dega ime e preferuar është Gazetaria, duke qenë se aty shpalos edhe talentin tim për të shkruar.

Ku e shikoni veten pas disa vitesh Edea?

Mendoj se me një profesion stabël dhe normalisht e pa shkëputur nga muzika, por që kohën kryesore do ia kushtoj gjithmonë familjes.

Për pushimet e verës keni menduar, apo është akoma herët?

Është herët, por që dua të jetë një verë e veçantë.

Miqtë, sa të rëndësishëm janë në jetën tuaj dhe ç’definicion keni për këtë raport?

Miqtë janë një pjesë shumë e rëndësishme, që ndikojnë jo vetëm në jetën tënde, por edhe në çdo hap tjetër të jetës.

Si e kalon kohën e lirë një vajzë si Edea?

Dua që kohën e lirë ta kaloj me njerëzit që dua më shumë. Kjo është shumë e rëndësishme për mua.

Lidhja juaj me librat, qoftë artistikë, apo edhe shkollorë?

Kam një lidhje të fortë me librin, duke qenë se kam dhe afeksion ndaj të shkruarit.

Filmi i preferuar?

Nuk do arrija të veçoja një, pasi janë disa, megjithatë nga të preferuarit mbeten, “Somewhere beyond the pines”, “American hustle” etj..

Këngëtarja, grupi, rryma muzikore e preferuar?

Unë gjithmonë do kem një adhurim të jashtëzakonshëm për Sian, por kohët e fundit jam tërhequr shumë dhe këngëtarja Dua Lipa.

(Kenga e re e kengetares, Edea Demaliaj)

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=uShcHkQotYc?version=3&rel=1&fs=1&autohide=2&showsearch=0&showinfo=1&iv_load_policy=1&wmode=transparent]

Please follow and like us: