Albspirit

Media/News/Publishing

Armer Juka: Gjashtë parimet e Reformës në Drejtësi (RD)

Kur shikon dy bashkëshortë të zihen keq me njëri-tjetrin është e lehtë të harrosh sa shumë gjëra ata ndajnë bashkë: nga shtëpia te miqtë e deri te fëmijët. Në mënyrë të ngjashme, debati politik në Shqipëri të krijon përshtypjen se palët janë të ndara mes tyre nga një oqean i pamatë.Reforma në Drejtësi (RD) është një rast shembullor. Me gjithë kundërshtitë e pandërprera, gjatë këtyre 20 muajve të fundit, shumica dhe opozita kanë rënë dakord mbi pothuajse gjithçka sa i përket përmbajtjes së RD-së.

Më 21 korrik, Kuvendi pritet të votojë mbi ndryshimet kushtetuese. Kjo mund të jetë një nga reformat më të rëndësishme në Shqipëri qysh nga shpallja e pluralizmit. Por çfarë sjell RD dhe a i përgjigjet ajo sfidave që përballon vendi ynë? Gjashtë janë parimet themelore ku mbështetet RD.

Ti nuk do hysh i papastër në Shtëpinë e Drejtësisë. Guri themelor i RD-së është verifikimi i pastërtisë së figurës së gjyqtarit dhe prokurorit. Një gjyqtar i paaftë do të shkarkohet ose do të ridërgohet në shkollë. Një gjyqtar me kontakte të papërshtatshme me njerëz të botës së nëndheshme apo me pasuri të pajustifikuar do të shkarkohet menjëherë. Pasuria e pajustifikuar është një kriter më lehtësisht i matshëm dhe i prekshëm se dy të tjerët. Gjasat janë që kontrolli i figurës së gjyqtarëve të përqendrohet kryesisht mbi pasuritë e këtyre zyrtarëve. Nëse një zyrtar i drejtësisë zotëron një pasuri dy herë më të madhe se pasuria e ligjshme, ai prezumohet fajtor.

Duhet të jemi të vetëdijshëm që ky është një standard shumë i lartë për realitetin shqiptar. Nëse ky test do të përdorej për politikanët, gazetarët, biznesmenët apo profesionistët e rëndësishëm, shumica dërrmuese do të rezultonin fajtor. Vendosja e këtij testi vetëm për zyrtarët e drejtësisë është, gjithsesi, i drejtë dhe efektiv. Është i drejtë sepse këta gjykojnë gjithë të tjerët dhe duhet të ofrojnë standarde më të lartë. Është efektiv sepse një gjyqtar i pastër do të ketë legjitimitetin për t’i kërkuar llogari njerëzve të tjerë të pushtetshëm mbi justifikimin e pasurive të tyre.

Gjelat e detit nuk votojnë për Vit të Ri. Parimi i dytë është mosbesimi në bllok ndaj institucioneve dhe funksionarëve ekzistues. Skanimi i gjyqtarëve do të kryhet nga persona të përzgjedhur jashtë sistemit të Drejtësisë. Procesi i verifikimit do të mbikëqyret nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili ka tagra vendimmarrëse të kufizuara por që, përmes pjesëmarrjes, besueshmërisë, argumenteve dhe provave që paraqet, mund të ketë një ndikim thelbësor në mbarëvajtjen e procesit.

Toga ngadhënjen mbi Kostumin. Parimi i tretë i reformës është shkëputja e Drejtësisë nga zyrtarët politikë. Një numër më i madh i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese do të jenë me statusin e gjyqtarit të karrierës. Edhe kur Presidenti apo Kuvendi kanë një zë në emërimin e anëtarëve të gjykatave më të larta apo këshillave drejtues të prokurorisë dhe gjyqësorit, propozimet vijnë nga jashtë politikës dhe / ose filtrohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, një organ i përbërë ekskluzivisht nga zyrtarë të Drejtësisë.

Por fitorja e Togës është e hidhur. Megjithatë, fitorja e Togës nuk është e plotë. Sot gjyqtarët zotërojnë dy të tretat e votave në qeverinë e gjyqësorit, ndërsa prokurorët i përgjigjen nga pikëpamja disiplinore vetëm Prokurorit të Përgjithshëm. RD sjell dy zhvillime kryesore për të luftuar fenomenin e korporatizmit: Së pari, gjyqtarët dhe prokurorët do të gëzojnë vetëm një shumicë të thjeshtë (6 me 5) në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Së dyti, ata do ta ushtrojnë detyrën e anëtarit të Këshillave me kohë të plotë duke u shkëputur, në këtë mënyrë, nga kolegët e tyre që punojnë në gjykata.

Prerja e kokës është një privilegj i fisnikërisë. Në Mesjetë, për krime të rënda njerëzit e zakonshëm vareshin në litar, ndërsa fisnikëve u pritej koka. RD i ofron politikanëve një privilegj të ngjashëm. Ajo parashikon entitete të veçanta për hetimin dhe gjykimin e zyrtarëve të lartë dhe veprave të korrupsionit. Prokuroria e posaçme do të jetë e pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm dhe do të ketë në varësi një njësi të posaçme hetimore.

Gjyqtarët, prokurorët, oficerët e hetimit dhe nëpunësit e tjerë janë subjekte të një kontrolli strikt të pasurisë dhe figurës. Jo vetëm ata, por edhe të afërmit e tyre, japin pëlqimin paraprak që llogaritë e tyre bankare apo komunikimet personale të vëzhgohen në mënyrë të vazhdueshme pa nevojën e një autorizimi tjetër. Kush dëshiron të punojë në këto institucione, praktikisht, heq dorë nga e drejta për jetë private.

Dikush duhet të ruajë “rojtarët”. Gjyqësori do të jetë më i fuqishëm se dje dhe më pak i ndikuar nga politika. Përvoja tregon se një pushtet i madh dhe i pakontrolluar rrezikon të abuzojë dhe të mos japë më llogari. Hartuesit e projekt/amendamenteve kushtetuese kanë menduar dy mjete kryesore për të shmangur abuzimin e ‘rojtarëve’. Së pari, RD shpërbën një anomalitet të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD). Sot KLD, përmes Inspektoratit që ka nën varësi, kontrollon hetimin e gjyqtarëve.

Një anëtar i saj, Ministri i Drejtësisë, zotëron monopolin e fillimit të procedimit disiplinor ndaj një gjyqtari. Në fund, KLD vendos e vetme mbi masat disiplinore ndaj gjyqtarëve. RD sjell në jetë një figurë të re kushtetuese: Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, i cili do të jetë i ngarkuar me hetimin dhe procedimin disiplinor të zyrtarëve të Drejtësisë.

Së dyti, megjithëse RD ka braktisur Tribunalin Disiplinor të Drejtësisë për të shmangur ndërlikimin e arkitekturës së sistemit, ajo ka parashikuar institucione të ndryshme që do të hetojnë apo gjykojnë zyrtarët e Drejtësisë. Veçanërisht, Gjykata Kushtetuese fiton një rol të ri dhe të rëndësishëm për të gjykuar zyrtarët më të lartë të sistemit.

Please follow and like us: