Albspirit

Media/News/Publishing

Falsiteti i reformës, partive dhe OJF-ve

Brenton KotorriNga Brenton Kotorri

Sikur vendi të mos kishte asnjë problem tjetër, na duhet që këto javët e fundit të merremi vetëm me Reformën në Drejtësi. Na duhet t’i harrojmë nevojat emergjente që njerëzit të punësohen. Na duhet të harrojmë po ashtu edhe premtimin për “300 000 vende të reja pune”. Na duhet të harrojmë falimentimin e qindra bizneseve të vogla në gjithë Shqipërinë dhe na duhet të harrojmë premtimin për të “ulur 95% të taksave për të gjithë shqiptarët”. Na duhet të harrojmë se ende ka të sëmurë që nuk gjejnë ilaçe në spitalet shqiptare. Na duhet të harrojmë luksin e automjeteve “Jaguar” të qeverisë. Na duhet të harrojmë talljen e dhurimit të dekoderëve për familjet që nuk hanë dot tri vakte në ditë. Na duhet të harrojmë se turizmi dhe bujqësia nuk po sjellin asnjë të ardhur më shumë në PBB, por po sjellin gjithnjë e më pak. Na duhet t’i harrojmë këto, sepse qentë e mëdhenj po zihen për kockën e tyre. Reforma në drejtësi është më e thjeshtë sigurisht, nga sa e kanë amplifikuar politikanët përmes mediave. Reforma në drejtësi synon kryesisht që të hetojë të gjithë aktivitetin financiar dhe profesional të sistemit gjyqësor, në mënyrë që të gjenden gjurmë të mundshme korrupsioni dhe abuzimi. Fakti që Ambasadorët Lu e Vlahutin u futën midis një ode ku nuk u takonte, duke bërë “të fortin e lagjes”, e hodhi edhe më shumë vëmendjen e mediave e politikës përmbi këtë reformë. Nëse politika fokusohet në një çështje të vetme, atëherë edhe media do të fokusohet tek ajo çështje. Populli, domosdo, si një konsumator i bindur e i verbër i edicioneve të pamëshirshme të lajmeve në 24 orë të ditës, e dorëzon fokusin e vet gjithashtu te media. Kësisoj, problemet reale harrohen sepse askush nuk ka fuqi që t’i mbrojë. Një shfaqje e turpshme ndodhi para disa ditësh përpara kuvendit. Një protestë e thirrur prej një donatori. Fondacioni SOROS, grumbulloi të gjitha organizatat, të cilat i ka nën grushtin e parave të veta, në mënyrë që të shërbente si një iniciues i një proteste popullore. Sigurisht që kjo protestë dështoi ditën e parë ngase njerëzit kanë halle shumë më personale dhe të përditshme sesa lojërat Meta-Basha-Rama. Pas dështimit të ditës së parë, me gjithë gatishmërinë besnike të medias për ta raportuar protestën, në protestë mbiu edhe ambasadori Lu. Kjo shfaqje e Lu-së ishte një dështim i dytë në vetvete, pasi këshilltarët e tij e me sa duket edhe ai vetë, besojnë se aty ku shkel ambasadori ka mjaltë e do mblidhet i madh e i vogël. Në qarqet e shoqërisë civile, shumica e të grumbulluarve në protestë prej fërshëllimës së SOROS-it, njihen si njerëz që OJF-të nuk i konsiderojnë si hapësira qytetare, por si biznese private. Secili prej tyre përfiton një rrogë në fund të muajit dhe disa bonuse në fund të vitit njësoj siç ndodh me dividentët e një biznesi.

Këto OJF që mbajnë me të madhe se kanë në fokus gratë, fëmijët, mjedisin, studentin, gejtë etj. Në fakt nuk i gjen të protestojnë para spitaleve, kopshteve e shkollave, para universiteteve apo ministrive. Jo, nuk ka protesta kundër kësaj qeverie. Nuk ka protesta për hir të halleve të popullit. Por sigurisht ka protesta sa herë që donatori të thërret në rrugë, që të të japë ca fonde më shumë. Kjo është sigurisht e turpshme dhe aktivistët e advokuesit e vërtetë të shoqërisë civile duhet të distancohen sa më parë prej këtyre shfaqjeve marionetash. Për t’u rikthyer te një shfaqje edhe më e shëmtuar, duhet të përmendim liderët e partive kryesore parlamentare. Asnjë prej partive që qajnë e çirren deri në 2 të natës për reformën në drejtësi, nuk ka paraqitur asnjë pretendim politik mbi reformën. PD, ka dështuar të shpallë se cilat janë vlerat e reformës në drejtësi nga perspektiva e së Djathtës Liberale që ata përfaqësojnë. PS, nuk ka mundur asnjëherë të përcaktojë se pse për një parti të Majtë Liberale ka dobi reforma në drejtësi. Me LSI-në nuk kemi se si të merremi pse kemi mungesë aftësish për t’ia dalluar ideologjinë, nëse ka. Të tria partitë shpallin vetëm deklarata force, me siguri sepse nuk dinë të bëjnë tjetër gjë. Rama imazhohet (shpërfaqet) si i pari i fshatit, që nuk e tremb asgjë, e megjithatë, zbutet dhe ulet në tryezë sa herë që sheh mundësinë. Pra, propagandë-komprometim. Aspak e majtë, por thellësisht oportuniste si metodë. Basha vijon përpjekjet që të imazhohet si lideri i partisë, por nuk ka treguar se di të flasë si i djathtë. Meta nuk përpiqet aspak për asgjë ngase e di shumë mirë se luajtja e së njëjtës kasetë sa herë del në publik do të funksionojë si propaganda më e mirë për aq kohë sa ai përdor fjalët “dialog”, “konstruktiv”, “konsensus”. Për të nxjerrë përfundimet prej kësaj analize, do të nisim nga çështja e fundit dhe më pak e rëndësishme, për të shkuar tek ajo realja dhe me të cilën e nisëm. Së pari, partitë politike në Shqipëri vazhdojnë pa asnjë shenjë turpi, të operojnë me logjikën e konkurrentëve të “Big Brother”. “Unë jam vetvetja dhe sa më shumë show të prodhoj e sa më shumë flirtime të bëj, aq më shumë vota do të marr nga publiku”. Së dyti, nëse ambasada amerikane që qeveriset prej një presidenti të majtë liberal, dëshiron që përmes një fondacioni të majtë liberal të ngrejë popullin shqiptar në një protestë që askush nuk e di për çfarë po proteston, do t’i duhet të bëjë shumë më tepër përpjekje, sepse me këto metoda po e fëlliq profesionalizmin historik të diplomacisë amerikane. Së treti, populli ka nevojë të dëgjojë për Politika Publike dhe zgjidhje të problemeve të veta të përditshme dhe këtu duhet të fokusohet menjëherë qeveria, e cila të paktën, mund të zgjohet në këtë vit të fundit të mandatit të vet dhe të kujtohet që përveçse mund të vjedhë e të korruptohet sa të dojë, duhet t’i hedhë edhe ndonjë thërrime hallexhinjve që i përplasen çdo ditë në sportelet e zyrave arrogante.

Please follow and like us: