Albspirit

Media/News/Publishing

Si u rrëzua drafti i PS për Reformën në Drejtësi në dy vjet negociata

Drafti i Reformës në Drejtësi, i miratuar pas mesit të natës me 140 votat e deputetëve, nuk është asfare ai që hartua në fillim nën të ashtuquajturit “ekspertë të pavarur”. Jo vetëm për shkak të evoluimit me asistencën e dy misioneve të SHBA e BE (OPDAT dhe EURALIUS), por edhe për arsye të kushteve të vendosura nga opozita nën vulën e Komisionit të Venecias, arbitrit të vetëm të ligjshmërisë së Kushtetutës së Re dhe balancimit politik të saj e së fundi edhe nën presionin e aleatit të Ramës, Ilir Meta.

Rrëzimi i variantit të qeverisë nisi me Byronë Kombëtare të Hetimit. Drafti fillestar parashikonte ngritjen e kësaj strukture speciale të hetimit nën Ministrinë e Brendshme, të atashuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Opozita iu drejtua Komisionit të Venecias, i cili në raportin final të shkurtit të këtij viti, rekomandonte se kjo Strukturë nuk mund të ishte kurrësesi nën ndikimin politik të qeverisë, por duhet të ishte pjesë e prokurorisë, si organi i vetëm që përfaqëson hetimin dhe akuzën në Shqipëri, por i pavarur prej saj.

Më 23 shkurt Fatmir Xhafaj, duke e prezantuar në Kuvend, pasi varianti i parë i qeverisë ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2015, thotë se ky variant i dytë i qeverisë është në përputhje me detyrat e lëna nga Gjykata Kushetuese.

Byroja e Hetimit nuk është një projekt i ekspertëve ndërkombëtarë. Duhet të jemi të qartë. Nga pikëpamja e autorisë së idesë ka qenë e qeverisë. Ministria e Brendshme bëri reflektimet e duhura rreth projektit të mëparshëm duke e përputhur me detyrat që la Gjykata Kushtetuese.  Mbetet detyrë e komisionit të posaçëm për ta përputhur këtë projekt të ekspertëev të këtij komisioni me zgjidhjet e reja kushtetuese.

Por Komisioni i Venecias e gjen variantin e qeverisë sërish të papërshtatshëm në Opinionin Final të dërguar 3 ditë më vonë, më 26 shkurt. Byroja Kombëtare e Hetimit nuk duhet të ishte nën Ministrinë e Brendshme apo Policinë e Shtetit.

“Në disa raste prokuroria e posaçme mbetet formalisht pjesë e strukturës së prokurorisë së përgjithshme, por si njësi e pavarur, kështu që nuk mund të marrë udhëzime nga prokurorë të tjerë të lartë apo nga qeveria. Në raste të tjera është krijuar një zyrë tërësisht e pavarur. Qartësimi i pavarësisë së prokurorëve të posaçëm nga Prokurori i Përgjithshëm që përmban projekt ndryshimi i rishikuar (Neni 148 p.3) është dispozitë e mirëpritur në zbatim të rekomandimit të Opinionit të Ndërmjetëm”.

Kjo ishte beteja e parë e humbur e qeverisë në këtë reformë. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ishte e dyta. Në variantin e qeverisë parashikohej ndërprerja e mandatit të tij pas miratimit të reformës.

Gjykata e Lartë Administrative ishte humbja e radhës. Venecia, në Opinionin e Ndërmjetëm të 4 dhjetorit 2015 shpreh shqetësimin se Shqipëria nuk ka burimet e duhura njerëzore dhe financiare për të ndërtuar një Gjykatë të Dytë paralele me Gjykatën e Lartë ekzistuese dhe paralajmëron rrezikun e një përplasje juridiksionale mes tyre për shkak të kompetencave të njëjta.

“Përveç kësaj, në qoftë se krijohen dy Gjykata të Larta të ndryshme me rang të njëjtë, ekziston rreziku i konflikteve juridiksionale mes tyre”.

Me insistimin e opozitës edhe ky variant i mazhorancës ra.

Bazuar në Opinionin Final të Komisionit të Venecias, opozita nisi betejën për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të 4 institucioneve të dala nga Reforma: Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), Komisioni i Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Dhoma Speciale e Kualifikimit DHSK). Dy të fundit janë komisionet e Vetting-ut. Opozita e ngriti zërin në çdo institucion e dalje publike me variantin se Rama kërkon të kapë sistemin e drejtësisë.

Në variantin e saj, nga mazhoranca, ose më saktë vetëm Partia Socialiste mbështeti zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ e KLP me 3/5 ose me 84 vota të të gjithë anëtarëve të kuvendit. Opozita nisi kundërshtimet, nisur nga 84 votat që ka mazhoranca aktuale. Kjo ishte beteja më e gjatë e të gjithë procesit. Opozita kërkoi që 5 anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ dhe 5 anëtarët jo prokurorë të KLP të emërohen me 2/3 e votave. Komisioni i Venecias, në Opinionin Final i sugjeron opozitës që edhe ky variant nuk ia garanton përfaqësimin në këto komisione dhe 2/3 mund ta çimentonin mazhorancën.

“Në fakt, edhe shumica prej 2/3ash, për të cilën këmbëngul opozita, mund të mos jetë e mjaftueshme për të arritur këtë qëllim (përfaqësimin e saj). Për më tepër, kërkesa për 2/3at pa një mekanizëm të efektshëm zhbllokues mund të rezultojë në një situatë ngërçi dhe të rrezikojë të gjithë procesin e reformës. Komisioni i Venecias thekson që nuk është detyra e tij të propozojë një rregull specifik kushtetues për zgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë të KLGJ. Në Opinionin e Ndërmjetëm, Komisioni vetëm theksonte nevojën për të siguruar një përbërje pluraliste të KLGJ-së, midis të tjerash, nëpërmjet ligjeve në zbatim të Kushtetutës, me qëllim që KLGJ të përfaqësojë një spektër të gjerë të opinioneve dhe tendencave që ekzistojnë në shoqëri.”

Venecia rekomandon disa variante të tjera për të siguruar përfaqësimin e opozitës në KLGJ e KLP, nga frika e saj se me 3/5 apo tashmë edhe me 2/3 mazhoranca mund t’i zgjidhte e vetme anëtarët, pa patur nevojë për opozitën. Për këtë arsye Venecia thekson se anëtarët e dy institucioneve nuk duhet të jenë vetëm zgjedhje e mazhorancës. Ky ishte neni 88.

“Komisioni i Venecias përsërit që anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ-së nuk duhet të jenë zgjedhje vetëm e shumicës parlamentare, dhe prandaj shumica e cilësuar mund të jetë një zgjidhje e mundshme për të zgjedhur kandidatët që kanë mbështetje ndërpartiake. Megjithatë, përbërja pluraliste mund të sigurohet edhe me mënyra të tjera, jo duke caktuar domosdoshmërisht prag të lartë votash.”

Mes mënyrave të tjera, në shkurt të këtij viti ekspertë të misionit OPDAT i paraqesin opozitës 3 variante: vendet e rezervuara, votën e transferueshme dhe Votimin Kondorse. Opozita përzgjedh vendet e rezervuara, që do të thotë të drejtën e saj për t’u përfaqësuar me dy anëtarë në KLGJ e KLP dhe të mazhorancës për të patur shumicën me 3 anëtarë në secilin nga dy institucionet.

Por ky variant hidhet poshtë nga kryeministri Edi Rama. Ambasada Amerikane përfshihet në debatin politik. Një deklaratë e ambasadorit se opozita nuk tregoi fleksibilitet në negociata, përsa i përket KLGJ dhe KLP e detyroi PD –në të publikonte disa e –maile të këmbyera me ekspertë të OPDAT për të treguar se vendet e rezervuara i ishin sugjeruar nga vetë misionin amerikan pranë ambasadës së SHBA.

Kryeministri Rama u  tërhoq pas pak javësh nga 3/5 duke pranuar 2/3. Por vendet e rezervuara i quajti si “vende të çimentuara”, të papranueshme për atë dhe partnerët.

Beteja e opozitës qe e fortë. Ajo përfshiu në diskutime edhe aleatin e Ramës, Ilir Metën, i cili u pozicionua gjithnjë e më hapur pro variantit të PD-së, duke e quajtur kërkesën e saj, legjitime. Ai zhvilloi takime edhe Bashën e Ramën, Lu e Vlahutin, por nuk e gjeti dot konsensusin. Për këtë arsye, LSI ashpërsoi qëndrimin: Pa konsensus s’ka votë të saj (20 deputetë) dhe nëse reforma miratohet me deputetë të akaparuar, vendi rrezikon destabilitetin.

Edi Rama bëri një tjetër tërheqje. Ai la të hapur mundësinë për të diskutuar mbi përzgjedhjen e KLGJ dhe KLP, por vendosi një vijë të kuqe për dy Komisionet e Vetting-ut, një vijë të kuqe që ai tha se u hoq nga SHBA e BE.

“Deri ditën kur PD-ja do të votojë Reformën në Drejtësi, kjo e vetingut do të jetë vija e kuqe, e pakapërcyeshme, e panegociueshme për ne. O do bëjmë reformën në drejtësi dhe do ta shembim këtë sistem nga themelet, duke pastruar radhët e gjyqësorit nga vrasësit dhe vjedhësit e drejtësisë, ose përndryshe nuk do të votojmë asgjë të ngjashme, që nuk garanton këtë qëllim të madh kombëtar dhe që nuk garanton se në harkun e 10 viteve, kur normalisht kemi ambicien dhe të drejtën legjitime të pretendojmë që Shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Europian, ne kemi një sistem drejtësie, për të cilin nuk jemi të detyruar të ulim kokën, të skuqur nga turpi, kur gjendemi përballë partnerëve dhe miqve tanë në Bashkimin Europian”, deklaronte Rama më 14 qershor.

Nën presionin e aleatit të tij, Edi Rama iu shmang autorësisë së vijës së kuqe dhe përgjegjësisë për vendosjen e saj. Ai i tha opozitës duhet të bindte SHBA e BE për Vetting-un dhe do të pranonte çdo variant të saj të dakordësuar me partnerët. “Një propozim të ri për opozitën. Shkruajeni vetë reformën, dakordësojeni me SHBA e BE dhe ne e votojmë pa asnjë hezitim”,deklaronte Rama.

Opozita nuk e pranoi variantin e Ramës për Vetting-un. Ai u jepte ekspertëve ndërkombëtarë të drejtën që të “fshihin” emra kandidatësh nga lista e konkuruesve dhe u rezervonte të drejtën për të mos dhënë asnjë shpjegim për vendimet e marra në këtë drejtim. Opozita e quajti si cënim të sovranitetit. Edhe LSI u shfaq në të njëjtën linjë. Kryeministri insistoi se kjo ishte kërkesë e ndërkombëtarëve. Por ndërkombëtarët e përfaqësuar në Shqipëri e kishin humbur besushmërinë e opozitës si negociatorë.

Për këtë arsye opozita kërkoi rakordim fillimisht me zëvendësndihmës sekretaren amerikane të shtetit Victoria Nuland. “Propozimi hibrid” i saj u duk zgjidhje, por kur u shkruajt, roli i ndërkombëtarëve ishte përcaktur sërish si vendimmarrës. Opozita nuk e pranoi. Ambasada e SHBA reagoi ashpër. E fajësoi Lulzim Bashën sërish se po e bllokonte procesin me një tjetër “tekë” të tij.

Edi Rama nisi të flasë për grupin anti –amerikan të “sovranistëve” dhe të shpërndante në publik idenë se ata që mbronin gjoja sovranitetin, po kundërshtonin pikërisht ata që na kishin ndihmuar e na ndihmonin të ishim më sovranë.

Lulzim Basha dhe Ilir Meta futën në lojë nivelet më të larta në Bruksel. Një takim i tyre në hotel Rogner javën e kaluar i dha sinjale të forta Edi Ramës se ndërmjetësit mes tyre dhe atij nuk do të ishin më vetëm Lu e Vlahutin. Basha e Meta negociuan direkt me Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn. Ai zhvilloi dy ditë telefonata me Ramën, Metën e Bashën. Në fund u nisi një letër. Në të saktësohej se roli i ndërkombëtarëve do të ishte vetëm rekomandues dhe se ky rol duhet të ishte i përcaktuar qartë në Kushtetutën e Re.

Lulzim Basha e pranoi këtë variant. Ai shpalli “fitoren” nga Selia e PD. Edi Rama u shfaq i ngrysur dhe aspak triumfator në selinë e kryeministrisë pak pas deklaratë së Bashës. Kjo ndodhi pardje. Rama, që po shihte t’i ikte nga duart protagonizmi, por edhe plani që mbante autorësinë e tij, më shumë se për fitore foli për “nënshtrim të opozitës ndaj vullnetit të çeliktë të ndërkombëtarëve dhe të popullit” që, ashtu siç foli Rama, dukej këto vullnete përfaqësoheshin vetëm prej tij në Shqipëri.

Marrëveshja u përshëndet menjëherë edhe nga Meta. Selitë e SHBA e BE heshtën. Ata nuk iu përgjigjën as kërkesave të mediave për të patur një koment, si protagonistët e këtij konsensusi të arritur mbi një produkt ku ata kishin thuajse pjesën më të madhe të djersës së derdhur.

S’kaluan shumë orë dhe në mbrëmje “marrëveshja” ra. Ambasada e SHBA njoftoi se Lulzim Basha kishte bërë një propozim të ri të papranueshëm.

“Ambasada e SHBA është e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, Z. Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme. Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë”.

Meta ndërkohë kishte thirrur Komisionin e Posaçëm të Reformës. PS nuk shkoi, ndërsa anëtarët e PD dhe anëtari i vetëm i LSI pritën deri në mesnatë. Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafa, ishte në Kryesinë e Kuvendit me anëtarët e tjerë të PS, por refuzoi të hynte në Komision. Eksperti i PS dhe ekspertët ndërkombëtarë nuk iu përgjigjën thirrjes së Ylli Manjanit si ekspert i LSI për t’u mbledhur dhe për ta finalizuar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Hahn.

Dje Fatmir Xhafaj fajësoi Ylli Manjanin se nuk ishte dakord me draftin. Ylli Manjani e quajti shpifje të ulët e të fortë. Ai publikoi e –mailet me ambasadoren Vlahutin dhe ekspertët ndërkombëtarë ku shprehej se ekspertët nuk i ishin përgjigjur thirrjes së tij. Xhafaj u përplas fort edhe me Metën, të cilit i kujtoi se “dashuria mes tyre kishte përfunduar”.

Lulzim Basha, ndërkohë, reagoi ashpër ndaj deklaratës së ambasadës së SHBA.

“Eshtë pretenduar dje, se Basha ka prezantuar kushte të reja pasi është arritur marrëveshja. Ky është një mashtrim i turpshëm.”

Në orët e mëpasme tensioni arriti një tjetër pikë kulmore. Ilir Meta vendosi “veton” në një formë tjetër. Ai tha se LSI do t’i jepte votat edhe për një reformë të njëanshme me 94 vota, por paralajmëroi partnerin tashmë formal të koalicionit, shqiptarët dhe ambasadorët, se një votë e tillë e një parlamenti që voton me SMS e nën presion rrezikonte destabilizimin e Shqipërisë. Për këtë ai fajësoi edhe vetë ambasadorët.

“S’mund të rri në këtë parlament që voton me SMS e nën presione. I falenderoj përfaqësuesit ndërkombëtarë, por një pjesë të përgjegjësisë kanë edhe ata, që ne ndodhemi në këtë situatë këtu, pasi disa gjëra duhet të ishin sqaruar më parë”.  

Ky presion vinte nga ambasada e SHBA edhe pse Meta nuk e përmendi. Një deputeti i kishte shkuar një mesazh i tillë nga ambasada (shih rubrikën lajme të lapsi.al).

Meta thirri në takim kreun e opozitës dhe ambasadorët bashkë me negociatorët e Ramës, duke premtuar se seanca nuk do të mbyllej pa u votuar reforma. Më shumë se 7 orë ata qëndruan në zyrën e tij. Edi Rama nuk po ndihej më. Lulzim Basha bëri dy vajtje –ardhje në zyrën e Metës.

Në fund, Edi Rama pranoi të tërhiqej nga vijat e kuqe. Ai pranoi një draft që ndryshon në thelbin e tij nga drafti i parë që ai u paraqiti shqiptarëve dhe Venecias në fund të vitit 2015.

Opozita mori vendet e rezervuara në KLGJ e KLP, që Edi Rama garantonte me siguri se nuk do t’i kishte për asnjë arsye. Ajo do të ketë 2 anëtarë, ndërsa mazhoranca 3. Edi Rama hoqi dorë gjithashtu nga plan ii tij që anëtarët e KLGJ dhe KLP të propozoheshin vetëm nga dhoma e avokatisë, noterisë, avokati i popullit apo shkolla e magjistraturës. Aplikimet do të jenë të hapura dhe çdokush që pretendon se i plotëson kriteret do t’i dërgojë ato pranë Presidentit të Republikës, ashtu siç kërkoi opozita.

Rama u detyrua të tërhiqej edhe nga vija e kuqe e Vettingut, që përbetohej se nuk do ta shkelte edhe po mos kishte fare reformë. Në vetting, ndërkombëtarët do të kenë vetëm rol monitorues dhe jo vendimmarrës. Kështu, Edi Rama e pa humbjen në sy mbrëmë, e preku në votën e tij. Nuk foli më për fitore, por tentoi t’i hiqte entusiazmin opozitës, për t’i thënë me një zë jo më kumbues e pa artikulimin e tij të veçantë, se as ajo nuk kishte fituar. “Duke i uruar Partisë Demokratike sa më shumë fitore si ajo e djeshmja, ju ftoj të votoni Reformën”, tha ai teksa u ul në vendin e tij të kryeministrit, shumë larg atij të protagonistit të reformës.

Please follow and like us: