Albspirit

Media/News/Publishing

E vërteta e grupit të Teme Sejkos

Rrëfimi i një ish punonjësi të Sigurimit

Pranga grupit të Teme Sejkos (Rrëfimi i një ish punonjësi të Sigurimit)

 

Autori i këtyre rrëfimeve quhet Vasil Th., dhe ka punuar me detyra të ndryshme në Sigurimin e Shtetit. Në këtë material, ai flet për një periudhë dhe disa ngjarje që lidhen me arrestimin e të ashtuquajturit “grupi armiqësor i Teme Sejkos”, në vitin 1960. Për këtë çështje janë botuar mjaft materiale e dokumente, që hedhin dritë në mënyra të ndryshme mbi vërtetësinë e një akuze që ka bërë bujë të madhe. Jo vetëm në Shqipërinë e kohës, por edhe në vendet e Traktatit të Varshavës, ku Teme Sejko ishte njëri nga 5 kundëradmiralët e flotave anëtare. Janë botuar deponime e rrëfime të krerëve të më lartë të regjimit komunist pasi janë arrestuar, që e kanë deklaruar si akuzë të rreme dhe lojë dënimin e këtij grupi; nuk kanë munguar dhe pohime se shërbimi grek i zbulimit vërtet kishte hyrë thellë në Shqipëri. Gjithsesi, pohimet e mëposhtme vijnë nga një këndvështrim tjetër. Nga ai i pjesëmarrësit në moshë të re, në operacionet e arrestimeve që janë bërë atë periudhë, dhe që ka dijeni për disa detaje interesante dhe për fatet e disa prej personazheve të përmendura.   

 

 

Ngjarjet e korrikut 1960

Këto janë ngjarje të jetuara. Kanë ndodhur 56 vite më parë, në korrik të vitit 1960. Në atë vit u bë arrestimi i Teme Sejkos dhe grupit të tij, që na u tha se kishin si qëllim shkaktimin e trazirave në vend, çka do shërbente si pretekst për ndërhyrjen e flotës së 6-të amerikane për të rrëzuar pushtetin popullor, duke nuhatur ftohjen me sovjetikët. Grupi armiqësor përbëhej nga rreth 20 vetë, që ishin agjentë të zbulimit grek.

Po si filloi aksioni për arrestimin e këtij grupi? Unë kam qenë pjesëmarrës në shumë prej momenteve që lidhen me këtë ngjarje. Si kursantë në vitin e II në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Sauk, neve, rreth 20 vetë, na mblodhën dhe na thanë se do niseshim për në Sarandë me shërbim. U nisëm, të hipur në një makinë ZIS të mbuluar me mushama. E veçanta e kësaj makine ishte se karroceria e mbuluar ishte e ndarë në kaushë me kompensatë, gjithsej 6 të tilla. Në secilën ndarje rrinte njëri nga ne, të armatosur me automatikë. Në fillim nuk kuptuam asgjë pse po udhëtonim në këtë mënyrë, por më vonë e bëmë lidhjen. Udhëtimi ishte vërtet i vështirë, jo vetëm se rrugët ishin të këqija, por dhe në karroceri nuk kishim ku rrinim, me një hapësirë 1.5 m2 për secilin.

Teme Sejko

Me të mbërritur në Qafë Gjashtë të Sarandës, zbresim dhe shohim se na prisnin disa hetues të Ministrisë së Brendshme. Pas 5 minutash vjen zv.ministri i Brendshëm dhe drejtor i Sigurimit të Shtetit Mihallaq Ziçishti. Tip komunikues dhe i ngrohtë, ai na tha se do të vemi në Konispol për të kryer një aksion të rëndësishëm dhe shumë sekret. “Ju kërkoj të jeni gjakftohtë e të guximshëm, të zbatoni porositë që do ju japin hetuesit”, na tha ai. Për secilin prej nesh u caktua një hetues. Ishte natë, ne u nisëm dhe arritëm rreth orës 3 të mëngjesit në Konispol. Secili prej nesh shkoi me hetuesin e vet dhe pas pak na u bashkua dhe një anëtar i Këshillit Popullor të fshatit ose Frontit. Kuptohet që këta ishin të besuarit e pushtetit dhe e njihnin vendin me imtësi.

Hetuesit kërkonin ndihmën e tyre, që të nxirrnin nga shtëpia filan person me ndonjë pretekst dhe ata të bënin kontroll të befasishëm në shtëpi. “Për këtë kemi vendim nga prokurori i Përgjithshëm”, thanë hetuesit.

Mua të takoi të shkoja te shtëpia e kryetarit të kooperativës së Konispolit, Ali Xhelo Arapi. Pasi ai doli përjashta, u shtang, por ishte shumë vonë. Iu komunikua arrestimi dhe u bë kontrolli i banesës. Në Konispol u bënë edhe arrestime të tjera si Hajri Mane etj, në fshatin Markat u arrestua Haxhi Bilali, në Vagalat Vangjel Buri etj. Këta fshatra janë pranë Konispolit.

 

Mbasi u krye aksioni, të arrestuarit u vunë në makinat me dhoma, të ndarë nga njëri-tjetri. U vumë thes në kokë që të mos shihnin, e as flisnin me shoqi-shoqin. Pasi tre makinat u bashkuan në Qafë Gjashtë, u nisëm drejt Tiranës ku po të mbuluar, u vendosën në biruca të veçanta dhe nga hetuesit iu komunikua se ishin arrestuar si pjesëtarë të një grupi armiqësor si agjentë grekë, me mision rrëzimin e pushtetit popullor.

Pas një dite, mësuam se në Shkodër ishte arrestuar Taho Sejko, vëllai i Temes, ish drejtor i Parkut Automobilistik të Mallrave, Avdul Resuli etj, po kështu në Durrës ishin arrestuar disa të tjerë.

Pas tri ditëve na nisën me shërbim në Librazhd dhe u vendosëm në postën e policisë në Qukës. Me të mbërritur, na thanë se do bllokojmë rrugën kryesore dhe disa rrugë këmbësorësh që ishin në male. “Do kontrolloni personat që kalojnë. Qoftë dhe gjeneral me uniformë apo kryetar komiteti ekzekutiv, do ta ndaloni dhe do njoftoni kryehetuesin”, na thanë. Ky i fundit qe vendosur në postën e policisë. Pas 48 orësh u kthyem në shkollë, dhe aty mësuam se në njërin nga postblloqet ishte arrestuar Teme Sejko, gjeneral, dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit Tahir Demi, të dy çamë në origjinë.

Arsyen pse këta të dy u arrestuan tre ditë më vonë, unë nuk e di, por është e sigurtë se ata ishin në vëzhgim të rreptë dhe nuk mund të arratiseshin ose të bënin ndonjë veprim tjetër të rrezikshëm.

Të dhënat fillestare të ekzistencës së këtij grupimi ishin të zbehta e jo bindëse, prandaj dhe nuk ishte vepruar më parë. Detajet filluan të kristalizoheshin dhe të krijohej një panorama e gjerë, vetëm pas deponimeve të diversantit të kapur, kapitenit të Asfalias greke Kosta Fili nga fshati Mursi i Sarandës.

Ky fshat kishte rreth 100 vetë të arratisur asokohe, por shumica dërrmuese shikonin hallet e tyre dhe nuk merreshin me spiunime. Po në vitin 1959, në fshatin Çiflik të Konispolit ishte arrestuar një kryetar kooperative, Theodhori Vito, edhe ky agjent grek.

Historia e Kosta Filit është interesante. Ai u kap pasi kishte kaluar kufirin, dhe u vu plotësisht në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Ai dha të dhëna për ekzistencën e këtij grupi me në krye Teme Sejkon, i cili ishte edhe me studime në Bashkimin Sovjetik, por u soll në Shqipëri me kombinacion që të mos dyshonte për 6arsyen e kthimit.

Jo vetëm kaq, por Kosta Fili në vitin 1962 u vesh si oficer kufiri shqiptar dhe i shoqëruar nga dy oficerë të Degës së Brendshme Sarandë, erdhi në Konispol dhe tregoi disa vende sekrete që ai kishte përdorur më parë, për të marrë dhe lënë informacione sekrete. Sipas porosive të Asfalias, këto informacione ishin vendosur në kuti metalike që letra të mos dëmtohej, dhe ne i quajtëm “kuti postare”. Kaq i mirë qe kamuflimi, sa pasi mbaruan punë, Kosta dhe dy oficerët shkuan dhe pinë kafe në klub, duke mos u njohur nga të pranishmit.

 

Në hetuesi, pothuajse të gjithë pranuan se ishin vënë në shërbim të zbulimit grek në kohë të ndryshme, duke filluar nga viti 1947 deri në vitin 1960. Doli se ata ishin vënë nën shërbim nga Haki Rushiti, një konispolat që u arratis në Greqi menjëherë pas çlirimit dhe vazhdoi të hynte si diversant deri në vitin 1955. Po kështu, në hetuesi doli se lidhjet me zbulimin grek, përveç Haki Rushitit dhe Kosta Filit i mbante dhe Izet Osmani, dhe ky nga Konispoli, i cili ka një histori të çuditshme.

Izeti rreth vitit 1957 u vu në shërbim të Sigurimit shqiptar vullnetarisht, dhe herë pas herë kalonte kufirin greko-shqiptar me misione të caktuara. Në Greqi ai qëndronte një ose dy ditë te njerëz të besuar, dhe pastaj hynte ilegalisht në Konispol. Por më vonë ç’ndodhi?

Nga fundi i 1958-s kur kaloi kufirin për të vajtur në Igumenicë, kapet nga organet e kufirit grek dhe mbyllet në një vilë që Asfalia greke e përdorte për të përgatitur e nisur diversantë në Shqipëri. Duket se grekët bënë punë këmbëngulëse dhe arritën të zbulojnë se Izeti ishte i rekrutuar nga Sigurimi shqiptar dhe kishte kryer disa vajtje-ardhje me mision. Izeti tregoi çfarë detyrash kishte zbatuar dhe ku ishte strehuar, si në fshatin Kockë, fshat çam buzë kufirit, si dhe në Sajadhë. Mbasi grekët i verifikuan deponimet e Izetit dhe u bindën në dëshirën e tij, vendosën ta rirekrutonin në favor të tyre. Sigurisht edhe në sajë të presioneve se do t’i zhduknin familjen në Konispol, dhe joshjeve me shumë të mëdha monetare.

Izet Osmani pas 36 orësh u kthye kështu në Konispol dhe u raportoi organeve tona disa të dhëna të servirura nga Asfalia, duke mos lënë të kuptohej se çfarë i kishte ndodhur në Greqi. Nga ky moment Izeti u bë agjent me dopiorol, por realisht, në favor të Asfalias sesa të Sigurimit.

Aty nga fillimi i vitit 1959, me të kaluar kufirin, grekët i komunikuan vendimin për ta mbajtur në Greqi. Pranë postës së Qafë Botës, ku është sot pika kufitare, në anën greke u zbrazën shumë pushkë dhe aty gjoja u vra një shtetas shqiptar, shkelës kufiri. Ky ishte kombinacioni grek që shqiptarët të besonin se ishte vrarë një person në kufi; më vonë u hap lajmi se viktima ishte Izet Osmani. Në të njëjtën kohë u bë dhe një ceremoni modeste varrimi. Në fakt Izeti u transportua në Igumenicë ku u vendos në një bazë sekrete për të mos u parë nga ndokush që mund ta njihte dhe zbulohej e vërteta.

Në këtë kohë, Ministria jonë e Punëve të Brendshme i propozoi presidiumit të Kuvendit Popullor që Izet Osmani të shpallej dëshmor dhe iu lidh një pension familjes së tij në Konispol.

Por Izeti hynte ilegalisht në Shqipëri, takohej në Konispol me familjen e tij dhe me ndonjë pjesëtar të grupit të Teme Sejkos duke dhënë porositë e zbulimit grek. Duhet thënë se hyrjen sekrete në Shqipëri ai e kishte shumë të lehtë se e njihte kufirin shkëlqyeshëm, ndërsa Sigurimi e dinte të vrarë dhe nuk kishte vënë ndonjë vëzhgim mbi familjen e tij, tashmë familje dëshmori.

Ishte gjatë hetuesisë së grupit të Teme Sejkos, që doli se Izet Osmani nuk ishte vrarë por ishte shëndoshë e mirë në Greqi dhe kishte hyrë disa herë si diversant. Paskëtaj, Izeti qëndroi në Greqi derisa vdiq.

Teme Sejko, kur u arrestua nuk u dërgua në burgun e Tiranës, por në një bazë sekrete në fshatin Manëz të Durrësit, që e kishte Sigurimi i Shtetit. Hetuesinë e tij e bëri drejtori i përgjithshëm i Hetuesisë Nevzat Haznedari dhe zv.ministri i Punëve të Brendshme Rexhep Kolli. Atëherë u tha se Teme Sejko dhe vëllai i tij Taho u zbërthyen plotësisht dhe dhanë të dhëna të rëndësishme si dhe implikuan disa të tjerë që i shërbenit grekut. Por siç duket Nevzati dhe Rexhepi kërkonin qiqra të hell, dmth që Teme të pranonte gjëra që nuk i dinte ose që i servireshin; ndaj e torturuan derisa vdiq, ose siç thuhet u mbeti në dorë.

Në vitin 1962 vjen në Sarandë Beqir Balluku, ministër i Mbrojtjes, i deleguar nga Komiteti Qëndror për të marrë pjesë në një festë te Ura e Bogazit (5 km para se të shkosh në Konispol) që organizohej çdo vit në gusht. Aty ndodhej dhe gruaja e Izet Osmanit, e cila e takoi dhe iu ankua se ja kishin prerë pensionin dhe nuk e dinte përse. Atë moment ministri zemërohet dhe urdhëroi t’ja largonin që andej. Pasi e larguan gruan, në fjalën e tij që në fillim Balluku tha se Izet Osmani nuk ishte vrarë në kufi, por ishte diversant i grekut, që kishte hyrë disa herë dhe jetonte në Greqi. Bile është takuar dhe me Teme Sejkon e shokë të tij, ndaj familjes i është prerë pensioni i dëshmorit.

Kjo u tha për herë të parë publikisht dhe shkaktoi pështjellim, pasi të gjithë u çuditën sepse e dinin të vrarë dhe dëshmor. Më vonë familja e Izet Osmanit u internua në Savër të Lushnjes.

Nga të arrestuarit e grupit të sipërpërmendur, dolën edhe shumë implikime për persona të ndryshëm që kishin dijeni mbi ekzistencën e këtij grupi. Të dhënat u verifikuan dhe me to u veprua rast pas rasti. Ndonjë u arrestua, të tjerë u rekrutuan me material shtrëngues duke pranuar t’i shërbenin Sigurimit të Shtetit. Pasi mbaroi procesi i hetimit, materialet iu dërguan Gjykatës së Lartë e cila zhvilloi gjyqin në Kinema Brigada, që ndodhej ku është godina e PS dhe Kisha e re ortodokse, përballë Shtëpisë me Gjethe. Gjyqi i bë i hapur dhe salla nuk i nxinte të gjithë, ndaj u vendosën edhe altoparlantë përjashta. Dënime e gjyqit tashmë dihen, dënime kapitale për kryesorët e grupit dhe për të tjerët dënime me 20 e 25 vjet heqje lirie.

Please follow and like us: