Albspirit

Media/News/Publishing

Si mbërriti busti i Fan Nolit në Durrës…

…. Qytetarët, e lanë jashtë gardhit, se nuk është grek!…/

Pas katër vitesh përpjekjesh të vazhdueshme, busti i Fan Nolit, themeluesit të kishës ortodokse shqiptare, është vendosur përpara kishës ortodokse Shën Pavli e Shën Asti në Durrës. Dy vjet më parë ishte kjo kishë që refuzoi vendosjen e bustit të themeluesit të kishës ortodokse, bust i cili u vendos në kishën e Elbasanit me këkresë të at Gjergj Markut. Po sot. bashkia e Durrësit i dha titullin “Nderi i qytetit të Durrësit” pas vdekjes me motivacionin “Personaliteti i shquar kombëtar e Metripolit i Durrësit Fan Stilian Nolit. Në ceremoninë e zhvilluar kanë marë pjesë autoritetet vendore, përfaqësuesit e kishës ortodokse dhe lëvizja “Foleja kombëtare Shqiptare”, e cila është edhe nismëtare e vendosjes së bustit të Nolit në Durrës. Busti i skulptorit Idriz Balani është zbuluar nga kreu i bashkisë Vangjush Dako dhe prefekti Roland Xhelilaj.I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i nismëtarëve të lëvizjes “Foleja Kombëtare Shqiptare”. Përfaqësuesit deklaruan se busti është vendosur jashtë rrethimit të kishës, sepse drejtuesit e kishës Ortodokse, që drejtohet nga Janullatos, nuk pranojnë dot si themelues të kishës një atdhetar e një shqiptar si Fan Stilian Noli. Elida Jorgoni, kryetare e lëvizjes deklaroi se në vitin 2014 busti u dërgua në Elbasan, pasi nuk u pranua nga kisha e Durrësit, ndërsa busti aktual, i përfunduar një vit më parë, qëndronte në bodrumet e bashkisë deri sa të dilte në dritë. “Na shqetëson që është vendosur jashtë gardhit të kishës që ai e themeloi. Ne kjo na shton forcat që të ngrejmë brenda katedrales së Tiranës bustin e tij”,- thotë Jorgoni. Përfaqësuesit e “Folesë Kombëtare Shqiptare” thanë se do të kërkojnë që në katedralen e Tiranës të vendoset busti i themeluesit të kishës ortodokse, megjithatë varet se a do të merret parasysh kjo kërkesë nga Hirësia e tij Anastas Janullatos. Në vijim u vendos pllaka përkujtimore për veprimtarinë në Durrës të Mitropolitit Noli dhe u zhvilluan homazhe pranë ndërtesës së degraduar, thuajse në rrënim të plotë të Mitropolisë së Durrësit. Noli mbante titullin kryepeshkop i Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Gorës dhe Shpatit, primat dhe ekzark i Ilirisë dhe gjithë Shqipërisë. Mitropolia u bë selia zyrtare dhe shtëpia e tij në vitet 1921-1924 ku ai jo vetëm do të banonte, por edhe do të zhvillonte veprimtarinë e tij kishtare dhe social politike. Qëllimi i tij ishte ta bënte dioqezën e Durrësit qendër dhe shembull për dioqezat e tjera duke i kthyer qytetit nga kjo pikëpamje lavdinë e dikurshme dhe për t’i kujtuar botës se krishtërimi në Shqipëri ishte apostolik. Pas largimit të tij ai shuguroi si prift At Erazmo Jorgon, i cili e zëvendësoi me devotshmëri në detyrën e tij. Rruga pranë Metropolisë mban emrin e At Erazmos. Violeta Jorgo, pasardhëse e At Erazmo Jorgos, të parit prift që u shugurua nga Noli e shërbeu në mitropolinë e Durrësit solli para të pranishmëve, ngjarjet e përcjella nga babai i saj, për figurën e Nolit dhe rolin e tij në themelimin e kishës ortodokse. Në mars të 1914, në kishën e Spiridonit u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe. Në portën e dikurshme të kishës lëvizja patriotike “Foleja Kombëtare Shqiptare” inaguruan pllakatën e kishës së Spiridonit. Gjatë kohës së qëndrimit në Durrës, Noli bënte jetë të gjallë kishtare nëpërmjet meshimeve dhe ceremonive që zhvillonte në Kishën e Shën Spiridhonit dhe nga ana tjetër kryepeshkopi dhe deputeti do të bënte takime duke pritur e përcjellë politikanë e diplomatë. Ky personalitet i lartë do të ndjehej një qytetar shumë i nderuar në Durrës i rrethuar nga miqtë e kolegët e për më tepër nga bashkëqytetarët durrsakë që do t’i kujtonte tërë jetën me nostalgji dhe mirënjohje. Por edhe Durrësi e ruan në historinë e vet ashtu siç do të jetonte e jeton akoma në kujtimet dhe zemrat e durrsakëve. Kjo ishte arsyeja që Durrësi i ngre bashkëqytetarit të tij të nderuar një bust ku është skalitur imazhi i pavdekshëm i shqiptarit të madh Fan Noli. Studiuesi i historisë Albert Koni tha se edhe në rrafshin historik Noli ka një kontribut shumë të madh. Pas ceremonisë pranë Kishës Ortodokse është zhvilluar edhe një simpozium i organizuar nga klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit. Në këtë simpozium është dorëzuar edhe titulli “Qytetar Nderi i Durrësit” për këtë figurë të shquar me motivacionin: “Personalitet i shquar kombëtar, mitropolit i Durrësit dhe një ndër kontribuesit më kryesorë në drejtim të ringjalljes dhe ringritjes kishtare në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë, meshtar, predikues dhe lider shpirtëror që zgjodhi qytetin tonë për mbajtur meshën e parë në gjuhën amtare.” Fan Noli, një nga personalitetet më të shquar të kombit shqiptar, ka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur në Durrës ku ai mbajti edhe meshën e parë në gjuhën shqipe. Lëvizja “Foleja Kombëtare” drejtohet  nga zonja Elida Jorgoni, pinjolle e një prej familjeve më patriotike të Rilindjes Kombëtare shqiptare. Kjo shoqatë çoi në vend amanetin e poetit, publiçistit e përkthyesit të ndjerit Perikli Jorgoni, duke sponsorizuar një bust të Mitropolitit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fortlumturisë së tij Theofan Nolit. Busti i Fan Nolit është një vepër e çmuar e skulptorit të njohur Idriz Balani. Një krijim mjeshtëror ku autori falë njohjes dhe studimit të thellë të figurës ka arritur të kapë dhe të mishërojë jo vetëm veçoritë fizike të Nolit, por mbi të gjitha karakterin, personalitetin kompleks, njeriun dhe udhëheqësin, mendimtarin dhe artistin, shqiptarin dhe qytetarin e botës. Portreti i Nolit i derdhur në bronz duke pasur për sfond shtëpinë e tij shpirtërore do të mbetet sa dëshmi historike aq edhe një vepër artistike e goditur që zbukuron qytetin e lashtë të Durrësit. {Durres.lajm-E dergoi per Diellin bashkepunetori i Diellit nga Shqiperia-Shefqet Kercelli}.

Please follow and like us: