Albspirit

Media/News/Publishing

T’i shkruash letër dikujt që nuk e njeh

Nuk jemi takuar asnjëherë. Jetojmë në dy kontinente të ndryshme. Kurrë nuk kemi folur. Ama, je i imi, pra rraca ime. Sa rëndë tingëllonka… rraca. Je shqiptarë si edhe unë. Flet shqip sikurse dhe unë. Kemi ecur bashkarisht rrugët e Tiranës, kryeqytetit tonë. Jemi kredhur të dy njëlloj në të emblin ujë të Ohrit… e lista s’ka fund. Ti (ma lejo këtë formë afrimiteti) as e ke idenë që unë egzistoj, ja që jam, jetoj. Mos prania imja në jetën tënde s’më ka penguar gjithësesi që unë të t’njoh ty. Aq sa mundem. Si është e mundur vallë?

Teknologjia na ka bërë të mundur ta kemi Shqipërinë brenda një kutie TV dhe këndej në fund të botës ku jetoj. E kështu ndodhi që para disa vitesh isha ulur duke pirë kafe me time më. Një ulërimë shndritëse nga televizori na shastisi të dyjave dhe kafja u ftoh. Ulërimë shndritëse? Po, po! Një buçko tullac, të cilin e shihja për herë të parë, dritat i shndrinin mbi saçmen e kokës teksa ulëriste se burrninë do ta tregonte duke ia numëruar me patllake të birit nëse do t’i thoshte “O ba, jam gay!” Mamit iu fikën dritat thonë tironsit (që nënkupton se e humbi toruan) nga guximi i këtij bu(r)madhi alla shqiptarë, i cili merrte jetë sikur të ishin manaferra. Mbas kësaj skene dramatike u shfaqe ti.

I bukur, i ëmbël, i edukuar dhe goxha i qetë. Përpiqeshe të arsyetoje me një person tek i cili nuk shihej asnjë grimë llogjike. Shpresoj ta kishte nga nervat e momentit sepse përndryshe keq puna. U tregove fisnik dhe kur të kërcënoi me jetën. Nuk është se ti mbajte një fjalim marramendës, nuk është se the ndonjë gjë mahnitëse, por sjellja jote civile depërtoi në shpirtin tim, edhe ato momente ndjeva vetëm se doja të t’përqafoja. Mirësia që ti le si amanet tek mendja ime bëri që unë të t’kërkoja në Facebook dhe të mësoja më shumë për ty. E në fakt mësova shumë.

Mësova se je një aktivist i devotshëm për të drejtat e komunitetit LGBT. Mësova si rrallë në Shqipëri je nga të paktët që jeton si open gay në një vend ku dashuria jote nuk njihet. Mësova se je trim, sepse jeta që ti bën në një shoqëri minimaliste si Shqipëria do shumë kurajo. Mësova se di të dashurosh, edhe fort madje, përderisa për hir të dashurisë ke bërë të tilla sakrifica. Mësova se je mjaft i angazhuar për probleme të ndryshme sociale nga fëmitë jetim, tek të drejtat e romëve, apo barazia gjinore për femrat shqiptare. Mësova se për problemet sociale shkruan rregullisht tek “Historia Ime.” Mësova se sa bashkombas tanë gjejnë kurajon idiote të të sulmojnë, ofendojnë, cënojnë lirinë. Mësova se ti përpiqesh, e përpiqesh, përpiqesh… ama nuk ndalesh. Mësova se ti jeton bukur, sepse ti fal dashuri, fal miqësi, fal kujdes, fal përkushtim, fal buzqeshje pafund. Mësova se ti je një bir i devotshëm i një nëneje po aq kurajoze sa dhe ti.

Tek kjo dashuri ndaj nënës tënde zë fill dhe kjo letra ime për ty.

Nëna jote mendjehapur u largua nga kjo botë dhe unë dhembjen tënde e ndjeva në çdo shkronjë të atij shkrimi që ti i kishe dedikuar asaj dhe që unë e lexova tek “Historia Ime.” Mendova me vete se atëhere kur të pash në TV nuk arrita të t’përqafoja dot. Për 1001 ose 0 arsye nuk arrita kurrë të ta thoja se të vlerësoja. Këtë gabim nuk mund ta bëj kurrësesi prap. Nuk po qëndroj e heshtur dhe ja ku jam duke të të dërguar një përqafim vëllazëror me këtë letër. Eja në krahët e mi sepse e ndjej dhimbjen tënde. Kjo është një letër e pastër ashtu siç je dhe ti. Shpresoj të gjesh ngushëllim në këto rreshta. Shpirtin dhe mendimet e saj vetëm ti i njihje dhe jo bota. Dëgjo zemrën tënde sepse aty është e vërteta. Lëre botën se pasnesër do kenë dikë tjetër në gojë. Avaz i vjetër. Ti vazhdo e bëje krenare. Lutem për nënën tënde të mirë të prehet në paqe.

E pra Kristi Pinderi po e mbyll tani këtu këtë letër. Forca!
Me dashuri,
Marsida T. Najdeni

Please follow and like us: