Albspirit

Media/News/Publishing

Kemalizmi: Ndërprerje apo vazhdimësi zhvillimi për Turqinë?

puci-ne-turqi_1469473207-1805486Nga Blendi Lami

Grushti i dështuar i shtetit në Turqi ka rikthyer sërish në diskutim debatet mbi fuqinë e ideologjisë kemaliste apo asaj radikale laiciste, e cila përdor çdo mjet sado jo legjitim për të sunduar. Lami sjell një shpjegim të gjerë të këtyre zhvillimeve dhe sidomos të orientimit gjeopolitik të AKP-së.

  1. Një grusht shteti i mbetur në tentativë

Grushtet e shtetit vlerësohen nga një kriter i vetëm: arritja e qëllimit të tyre. Në Turqi, kësaj here, ndryshe nga katër herët e tjera që prej vitit jo aq të largët 1960, grushti mbeti në tentativë. Gjithsesi, ka pasoja për të dyja palët, si për ata që mbetën në pushtet, ashtu – sigurisht – edhe për humbësit. Çka duhet theksuar më fort është fakti se grushti i shtetit në Turqi nuk pati sukses për shkak të dy komponentëve të rëndësishëm. Së pari, organizatorët e grushtit nuk patën mbështetje popullore, pavarësisht se këtë gjë mund ta kishin parashikuar; një pjesë e mirë e popullsisë doli në rrugë, në mbështetje të Erdoganit, e gatshme për luftë. Dhe së dyti, një grusht shteti, që të ketë sukses, ka nevojë që pjesën më të madhe të forcave të sigurisë t’i ketë në anën e vet, në mbështetje të kauzës së saj – gjë që nuk u arrit.

Por çfarë e bën më shumë domethënës për Turqinë këtë grusht shteti (pavarësisht se ishte katërorësh apo mbeti në tentativë)? Siç u theksua më sipër, i mungoi mbështetja popullore dhe një ushtri e unifikuar. Mbështetja popullore ishte në anën e Erdoganit, i cili qartazi mbron një frymë islamike që nuk është në harmoni me atë kemaliste, ndonëse duhet theksuar se shteti turk vazhdon të ketë si themele të tij parimet kemaliste, që janë: republikanizmi, populizmi, nacionalizmi, etatizmi, laicizmi dhe revolucionarizmi. Shpjegimi i kësaj ideologjie i jep kuptim orientimit politik kemalist. Këto gjashtë parime përbëjnë ideologjinë politike, ku u mbështet zhvillimi i Turqisë moderne.

Me një ushtri të fortë, me një ideologji kemaliste laike që mbante në këmbë pushtetin dhe me një politikë të brishtë, ushtria e pasqyronte vetveten si një institucion i konsoliduar, i cili do të garantonte demokracinë. Sigurisht që në vitet në vijim, ushtria do të demonstronte karakteristika të ndryshme në varësi edhe të kushteve politike, por, me katër grushte shteti dhe kërcënim të vazhdueshëm të organeve shtetërore, ushtria për gati tetëdhjetë vjet mbeti institucioni garantues i shuarjes së konflikteve dhe i zbatimit të parimeve kemaliste.

Edhe organizatorët e grushtit të shtetit synonin të ruanin këto parime, ashtu siç patën arritur grushtet e mëparshme. Por, me sa duket, humbja e peshës kemaliste dhe rënia e rolit të ushtrisë si gardiane e këtyre parimeve shënojnë një pikë kthese për Turqinë. Për më tepër, e gjithë situata legjitimon Thellësinë Strategjike të Ahmet Davutogusë. Thellësia Strategjike argumenton se vlera e një vendi në politikën botërore lidhet rrënjësisht me vendndodhjen e saj gjeostrategjike dhe thellësinë historike. Sipas teorisë së Davutoglusë, Turqia zotëron si zonat gjeopolitike të influencës, ashtu edhe trashëgiminë e saj historike, si pasuese e Perandorisë Osmane. Kështu, Turqia shfaqet si trashëgimtare natyrore e Perandorisë Osmane, që dikur mbante të bashkuar botën myslimane dhe për këtë arsye ka potencial që të bëhet “superfuqi”.

Për shkak se këto zhvillime kanë sjellë një mendësi të re te shumica dërrmuese e turqve, mbështetës të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim dhe ushtria nuk po vazhdon të jetë gardiane e kemalizmit, ky grusht shteti dështoi.

  1. Ushtria si gardiane e kemalizmit për gati tetëdhjetë vjet dhe zbehja e rolit të saj

Në një vend që e kishte të vështirë të gëlltiste laicitetin dhe të pranonte reformat perëndimore, nevojitej forca e ushtrisë. Prandaj, ushtria turke e konsideronte vetveten si gardiane të ideologjisë kemaliste, që ishte ideologjia zyrtare shtetërore. Ajo përpiqej për të ruajtur kryesisht aspektet laike të kemalizmit. Kjo u pa qartë pas grushtit të shtetit të 1960-s, kur Komiteti i Unitetit Kombëtar dekretoi Ligjin për Shërbimin e Brendshëm për Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë, për të legjitimuar ndërhyrjet ushtarake në politikë.

Në grushtet pasuese të shtetit, anëtarët e këtij Komiteti tentuan të demonstronin arsyet për të justifikuar aktivitetet politike, duke u bazuar kryesisht në nenin 35 të këtij ligji. Në këtë kuadër, ushtria e konsoliduar fuqizohet edhe më tej për të kryer misionin e saj. Sipas nenit 35, “forcat e sigurisë kanë autoritetin e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes”, që në fakt duhej ta kishin autoritetet civile politike. Kështu, ato e kishin të hapur rrugën apo, më saktë, kishin autoritetin për të realizuar një grusht shteti në rrethana të caktuara.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar (Milli Güvenlik Kurulu) u formua pas grushtit ushtarak të shtetit më 1960 dhe përbëhej nga presidenti (kryetari i KKS), kryeministri, ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Jashtme dhe ministri i Brendshëm – civilët dhe nga shefi i shtabit të përgjithshëm, komandantët e ushtrisë, flotës, forcave ajrore dhe xhandarmërisë –ushtarakët (më të shumtë këta të fundit). Përbërja dhe detyrat e saj u përcaktuan në Kushtetutën e vitit 1961. Funksioni i  KKS ishte ruajtja e pozicionit të ushtrisë si gardiane e parimeve të kemalizmit brenda institucioneve shtetërore.

Ushtria ka ndërhyrë në politikë duke rrëzuar nga pushteti katër qeveri të zgjedhura nga populli. Ajo kreu grushtin e parë të shtetit më 1960 (Grushti i 27 majit), më 1971 (Grushti i 12 marsit), më 1980 (Grushti i 12 shtatorit) dhe më 1997 (Procesi i 28 shkurtit).

Duke interpretuar Kushtetutën e vitit 1961, akademiku turk Cizre (1997) e përcakton shtetin turk si “një sistem politik me dy koka:  këshilli civil i ministrave bashkëjetonte me këshillin e sigurisë kombëtare – në nivel ekzekutiv, dhe sistemi ushtarak i drejtësisë vazhdonte të operonte në mënyrë të pavarur së bashku me sistemin gjyqësor civil”. Roli i KSK-së u fuqizua më tepër nga Kushtetuta e vitit 1982, e miratuar nga junta ushtarake pas grushtit të shtetit të vitit 1980; ushtarakët morën edhe më tepër autoritet në raport me civilët. Gjithë këtë panoramë e përcakton qartë më 1992 shefi i shtabit të ushtrisë turke, gjeneral Doğan Güreş kur pohoi se “Turqia është një shtet ushtarak”.

Me futjen e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në arenën politike që më 2001 dhe fitimin e zgjedhjeve në vitin 2002, në Turqi ka ndryshuar tërësisht rikonfigurimi politik. Që me ardhjen në pushtet, Erdogani deklaroi se prioriteti i tij kryesor do të ishte stabiliteti ekonomik dhe hyrja në BE” (Raport i Komisionit Europian, 2003), duke lënë mënjanë çështjet sociale që përbënin thelbin e një axhende islamike. Sigurisht që projekti europian u mbështet gjerësisht. Vënia e theksit te demokracia dhe zbatimi i të drejtave të njeriut “paralizoi” deri në njëfarë mase ndikimin politik të ushtrisë – gardianes së strukturës kemaliste. Në këtë spektër, duhet të përmenden reformat që u ndërmorën në tetor 2001, ku përfshihet edhe amendamenti kushtetues që ndryshoi përbërjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë (Raport i Komisionit Europian, 2003). Kjo u bë për të ulur ndikimin e KKS në politikë.

Në vijim, me qëllim që të përmbusheshin kërkesat politike të BE-së (kriteret e Kopenhagenit) për fillimin e negociatave për anëtarësim, Turqia miratoi një numër reformash që synonin forcimin e kontrollit civil mbi ushtrinë. Këto reforma u fokusuan kryesisht në KKS – detyrat, funksionimin dhe përbërjen e tij. Në korrik 2003, parlamenti turk miratoi reforma që kufizonin rolin e ushtrisë, gjë që pati një jehonë të madhe. Në “Financial Times” (2003), këto ndryshime madje u quajtën pjesë e “një revolucioni të qetë”.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve institucionale, raporti i Komisionit Europian të vitit 2004 del në konkluzionin: “Megjithëse procesi i harmonizimit të marrëdhënieve civile-ushtare brenda praktikës së BE është duke u kryer, forcat e armatosura ushtrojnë akoma një influencë të madhe duke shpallur deklarata publike mbi zhvillimet politike dhe politikat qeveritare” (Raport i Komisionit Europian, 2005).

E lehtësuar pra nga “barra ushtarake”, riorientimi i AKP-së përkundrejt Europës kontribuoi në rikonfigurimin e politikës turke. Me konsolidimin e AKP-së në pushtet, u ndërmorën veprime kundër aktiviteteve të dyshuara të ushtrisë. Në korrik 2008, mbi njëqind persona, përfshirë disa gjeneralë, u arrestuan apo u morën në pyetje, në lidhje me organizatën “Ergenekon”, një organizatë ultra-nacionaliste, me lidhje në forcat e ushtrisë dhe sigurisë. Kjo ishte kthesa e dytë për zbehjen e rolit të ushtrisë. Më pas, në shkurt 2010, u ndërmor një tjetër “goditje” ndaj establishmentit ushtarak, ku më shumë se 40 oficerë u arrestuan dhe u paditën për synime për përmbysjen e qeverisë. Sipas organit të akuzës, këta oficerë kishin thurur në vitin 2003 komplotin e quajtur “Çekani”. Ndër këta oficerë përfshiheshin katër admiralë, një gjeneral dhe dy kolonelë.

Demarshi i fundit në procesin e reduktimit të rolit të ushtrisë ndodhi më 2011 kur në prag të takimit të Këshillit Ushtarak Suprem, shefi i shtabit, së bashku me komandantët e ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore kërkuan dorëheqjen. Zëvendësimi i menjëhershëm i tyre qe një indikacion i kontrollit të qeverisë në caktimin e komandantëve. Në raportin vjetor të vitit 2011, të hartuar nga Komisioni Europian për progresin e Turqisë, thuhej se “… duhet të kryhen reforma të mëtejshme për përbërjen dhe autoritetin e Këshillit Ushtarak Suprem” (Turkey 2011 Progress Report, p. 14).

Nëse është apo jo paradoksale në rrethanat e sotme, siç shprehen Tuysuz dhe Tarvernise (2011) në “New York Times”, kjo mbetet për t’u diskutuar, por, në bazë të sondazheve, mbështetja popullore për ushtrinë ka rënë nga 90% në vitin 2002 në 60% në vitin 2011. Kjo do të thotë që ushtria, që dikur ishte një forcë e rëndësishme në Perëndimorizimin e Turqisë, sot përbën një pengesë për aspiratat e vendit për t’u futur në Bashkimin Europian.

Shumë analistë e konsiderojnë rrugën e re të Turqisë si shkëputje nga tradita laike kemaliste. Në fakt, ajo çka ka rrjedhur historikisht, ka ndodhur bazuar në rrethana të caktuara politike, kulturore, ekonomike dhe ushtarake. Por thelbi i këtij konkluzioni ka të bëjë me rolin e ushtrisë si një institucion demokratik. Për këtë arsye, studiues të shumtë apo edhe një publik i gjerë e quajnë atë çka ka ndodhur në Turqi “modeli turk i marrëdhënieve politikë-ushtri”. Çdo gjë mund të shndërrohet në model, por gjithsesi një model vjen si rezultat i ngjarjeve konkrete. Dhe i ashtuquajturi model filloi të rikonturohej, kur ushtarakët do të fillonin të humbnin terren ndaj civilëve.

  1. Kemalizëm vs. Neo-otamanizëm 

Është folur shumë për ideologjinë kemaliste, e cila e futi Turqinë (atë çka mbeti nga Perandoria Osmane) në një rrugë të ndryshme. Ka studiues që e vlerësojnë frymën ataturke, të tjerë e kritikojnë. Turqia e sotme, duke iu afruar 100-vjetorit të Republikës, është ngritur mbi bazat e kësaj ideologjie. Gjithsesi, në Turqi ekziston aktualisht një frymë që trumbeton se kemalizmi qe një injektim i imponuar në shoqërinë turke. Për këtë arsye lindin natyrshëm pyetjet: Ishte kemalizmi ndërprerje apo vazhdimësi zhvillimi? Ishte reformim apo revolucion?

Nëse marrim në konsideratë qasje të ndryshme që analizojnë kemalizmin, vëmë re një kontradiktë. Disa analistë theksojnë se kemalizmi është një “ndërprerje” që solli ndarjen e plotë të Turqisë nga e kaluara otomane. Për ta, reformat e Ataturkut modernizuan vendin dhe kemalizmi përbën suksesin më të madh të arritur gjatë afërsisht një shekulli të shtetit modern turk. “Partia Popullore Republikane,” thuhet në historikun e Partisë në fjalë, “nën drejtimin e themeluesit të saj, Mustafa Kemal Ataturk, fitoi luftën për çlirim kombëtar, shfuqizoi sulltanatin dhe kalifatin, themeloi Republikën Turke dhe konsolidoi unitetin kombëtar . . . Qëllimet kryesore që përfshihen në programin e Partisë janë vlera universale të demokracisë sociale bashkëkohore, posaçërisht liria, barazia, solidariteti, të drejtat e punëtorëve dhe demokracia.”

Mirëpo, zëra të tjerë theksojnë “vazhdimësinë” me të kaluarën otomane dhe kufijtë e kemalizmit. Nënvizohet fakti se reformat kemaliste u kufizuan kryesisht në qytetet e mëdha dhe në një rreth të kufizuar elitar; për pasojë, efekti i tyre në hapësirat e Anadollit është i kufizuar. Për t’iu kundërvënë popullaritetit të kultit të Ataturkut, kjo linjë e të menduarit nënvizon se partia e drejtuar nga Ataturku, Partia Popullore Republikane, nuk ka qenë në gjendje për të fitojë një zgjedhje të vetme, kur janë bërë zgjedhje të lira pasi u vendos sistemi shumëpartiak.

Nga ana tjetër, kemalistët pretendojnë se kanë ndryshuar rrjedhën e historisë së Turqisë, duke krijuar një shtet-komb nga hiri i një perandorie të shkërmoqur. Ata vunë në jetë shumë reforma në një kohë të shkurtër dhe me mjaft efikasitet, duke u shkëputur vullnetarisht nga qëndrimet imperialiste otomane. Kemalistët besojnë gjithashtu se krijuan udhën e duhur për një rifillim të ri, duke lënë pas të shkuarën. Në këtë drejtim, Traktati i Lozanës konsiderohet si hapja e kapitullit të ri për sa i përket marrëdhënieve të Turqisë me Perëndimin. Sipas interpretimit të kemalistëve, Traktati i Lozanës është edhe marrëveshja themelore mes Perëndimit dhe Turqisë. Gjithsesi, këtu përballemi me një dozë retorike politike, pasi është e pamundur të perceptosh një të ardhme të re, duke shuar krejtësisht sfondin historik. (Traktati i Lozanës, 24 qershor 1923, u nënshkrua në Lozanë të Zvicrës dhe përcaktoi kufijtë e Anadollit dhe të Trakës Lindore, duke vulosur kështu ndarjen përfundimtare të Perandorisë Otomane.) Por kjo është ajo çka mendojnë kemalistët. Në të kundërt, studiues të tjerë, përkrahës së linjës islamike, e konsiderojë këtë situatë “një përqafim naiv me modernizmin”, në një Turqi që nuk ishte e gatshme për t’u përfshirën në rrymën perëndimore.

 

Sidoqoftë, që në fillim të zbatimit të kësaj ideologjie, kemalistët qenë konfidentë se reformat e zbatuara do të transformonin rrënjësisht vendin, për ta çuar në nivelet europiane ose për të arritur standardet e vendeve “të civilizuara” perëndimore. Kemalizmi u përpoq të çrrënjoste plotësisht aspektet “negative” të së kaluarës osmane, reforma që do të vlerësoheshin nga Perëndimi. Rrjedhimisht, kemalistët besonin se Turqia do të vendoste marrëdhënie me vendet europiane, pa mbartur bagazhin e urrejtjeve dhe armiqësive të vjetra. Motoja e Ataturkut “Paqe në vend, paqe në botë” u bë guri i themelit i politikës së jashtme, në kuptimin që Turqia u përpoq të shmangej sa më shumë nga konfliktet për të kontribuar në një paqe rajonale dhe globale, duke krijuar në këtë mënyrë një dimension të pëlqyeshëm për aleatët e rinj europianë.

Në kontekstet aktuale, përkrahësit e AKP-së janë të mendimit se kemalizmi nuk ishte “ndërprerje”, por “vazhdimësi” – pavarësisht dallimeve. Sipas tyre, “… nëse do të kishte ndërprerje, do të nënkuptonin sikur perandoria otomane të mos kishte ekzistuar”. Pra, me këtë, nënkuptohet se Republika është produkt i perandorisë. Po transformimet rrënjësore kemaliste duhet të konsiderohen “ndërprerje” apo forma “vazhdimësie”? Në këtë kuadër, edhe mënyra e perceptimit të “thellësisë strategjike” vazhdon të jetë një debat për “ndërprerje” apo “vazhdimësi”.

*Pedagog, UET

Please follow and like us: