Albspirit

Media/News/Publishing

Kush e filloi luftën civile në Shqipëri?

 

Nga Ekrem Bardha

Drejtuar patriotit dhe shkrimtarit, zotit Naum Prifti.

 

Duke lexuar gazetën “Illyria”, të datës 13 Maj 2016, u ndala tek shkrimi i zotit Naum Prifti me temë “Kush e filloi luftën civile në Shqipëri? Partia Komuniste apo Balli Kombëtar?”

Dëshiroj të ndalem tek ngjarjet politike që z. Naum Prifti ka komentuar duke arritur në konkluzion, që lufën civile në Shqipëri, e ka filluar Balli Kombëtar.
Me këtë shkrim, dua të argumentoj që lufta civile nuk u fillua nga ballistët, por nga komunistët.

Qëllimi i komentit tim, nuk është replika që dëshiroj të bëj me shkrimtarin për ngjarjet në fjalë, mbasi çdo njeri ka të drejtën, që të komentojë ngjarjet sipas njohurive dhe perceptimeve të tij. Por në vitet për të cilat komenton z Naum, personalisht kam jetuar në Shqipëri dhe konkretisht në zonat ku zhvillohen ngjarjet lidhur me këtë teme. Qëllimi im mbetet, të tregoj një ngjarje të shëmtuar, të dhimbshme që ka ndodhur në Gërmenj, nga vendi i Themistokli Gërmenjit, ku kam qenë personalisht i pranishëm në këtë histori, së bashku me dy vëllezërit e mi më të mëdhenj, Samiun e Niaziun, dhe ishte pikërisht kjo ngjarje, kjo vrasje makabër, që ndezi luftën civile:

Xhevdet Ramolli, djali i Dervish Hajdar Ramollit, nga Tri-Urat e Leskovikut, një student 25 vjeçar, që vazhdonte studimet në Liceun e Korçës, që rridhte nga familje nacionalist ballistësh, po udhëtonte nga Teqeja për në Korçë.
Komunistët e batalionit “Hakmarrja”, të urdhëruar nga komandant Petrit Dume dhe komisar Josif Pashko, ndaluan veturën e tij dhe e urdhëruan të zbriste duke e ekzekutuan dhe lënë Xhevdetin të mbytur në gjak. Pamja më e rëndë ishte sepse e kishin masakruar me thikë, duke i prerë veshët dhe gishtërinjtë. Ishte viti 1941.

Lajmi shumë shpejt arriti në fshatin tonë, sepse ishte vetëm 4 kilometra nga ngjarja dhe vëllezërit me pyetën nëse doja të shkoja me ta. Unë pranova dhe kështu morëm rrugën në këmbë drejt vendit të ngjarjes dhe e mbaj mend që ecnim me shpejtësi që të arrinim sa më parë. Aty e pamë me sytë tanë trupin e shtrirë të Xhevdetit, të pa lëvizur akoma nga vendi, Dhe sot e kësaj dite, kur e kujtoj atë pamje, më dridhet mishi.

Njerëzit u tronditën dhe u trembën nga ky krim i shëmtuar i komunistëve. Ishte hera e pare që kishin ndodhur një vrasje e tillë. Të nesërmen e ngjarjes një grumbull i madh njerëzit, erdhën të merrnin pjese ne varrim dhe une si pjesmarres ne varrim nuk mund ta harroj ate skene, kur njerezit e indinjuar nga kjo vrasje filluan te therrisnin: “Hakmarrje! Hakmarrje!”

Por, babai i Xhevdetit, Dervish Hajdar Ramolli tha, ”Mos zini në goje hakmarrje. Djalin ia kam falur Shqipërisë. E pati këtë fat im bir, por nuk dua të vriten të rinj të tjerë për shkak të tij”. Ky deklarim fisnik, tolerant, patriotik i tij, nuk ka nevojë për koment.

Komunistët hapën fjalë se Xhevdetin e ekzekutuan, mbasi ai ishte fashist, ku në të vërtetë Xhevdeti nuk kishte pranuar ta vishte këmishën e zezë dhe ky veprim i tij njihej nga të gjithë njerëzit përreth zonës.

Duke lexuar artikullin e shkrimtarit z. Naum, i cili arrin në përfundimin se luftën civile e filluan ballistët në vitin 1942, ateherë më vijnë në mëndje disa pyetje.

A ka mundësi të pranojmë akuzën e komunistëve, që Mit’hat Frasheri, i biri i Abdyl Frashërit, të jëtë tradhëtar dhe ti ketë shërbyer fashizmit, kur njihen idetë e tij patriotike?

Si shpjegohet fakti që në demonstratën e parë antifashiste në Korçë, të organizuar nga Abaz Ermenji, Safet Butka dhe Enver Hoxha, menjëherë mbas përfundimit të saj, dy përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji dhe Safet Butka arrestohen dhe internohen në Itali, ndërsa Enver Hoxha mbetet i paprekur nga fashistët?

A ka mundësi të besohet që Hysni Lepenica, u akuzua nga komunistët si fashist, kur ai e kundërshtoi pushtimin fashist dhe u ekzekutua nga fashistët?

Po në fshatin Pode, si argumentohet që partizanët vranë pa asnjë shpjegim në mes të fshatit një djalë të ri, vetëm sepse ai rridhte nga një familje nacionaliste?

Si këto raste ka edhe shumë të tjerë, por është për të ardhur keq sepse ngjarjet dhe historitë e ndodhura në vendin tonë janë shkruar dhe komentuar sipas një politikë të caktuar ose sipas regjimit që dikur ishte në fuqi.
Duke u bazuar nga ngjarjet e ndodhura, mendoj se lufta civile filloi pikërisht në Gërmenj, në vitin 1941, e nxitur dhe e filluar nga vetë komunistët. Por po në ato vite, mbas krimeve të filluara nga komunistët, edhe ballistët, ku kishte njerëz të pandërgjegjshëm në radhët e tyre, filluan krime kundër partizanëve.

Unë e kuptoj komentin e ngjarjeve gjatë periudhës komuniste, që dhe vetë historianët ishin të detyruar të mos tregonin të vërtetën e ngjarjeve të ndodhura, por mendoj se tashmë ka ardhur momenti që shqiptarët të njohin historinë e vërtetë, ashtu si ajo ka ndodhur, pa futur politikën dhe interesat në mes.
Fatkeqësisht dihet që historia është shkruar në interes të regjimit në fuqi dhe sidomos regjimit nën diktaturën e Enver Hoxhës, kështu ajo do të shtrembohej dhe kjo është e papranueshme.

Z. Naum, është në fisnikërinë e një kombi dhe të një populli, që të rishkruhet historia në bazë të ngjarjeve dhe të fakteve ashtu si ato kanë ndodhur.
Prandaj duhet të reflektojmë dhe të tregojmë vetëm të vërtetën, edhe pse shpesh ajo është e hidhur, por në fund të fundit e vërteta në tregimin e ngjarjeve i shërben trashëgimisë që do ju leme brezave që do të vijnë.

* kjo ngjare është illustruar në librin tim, “Larg dhe pranë Shqipërisë”, hartuar nga Naum Prifi, në faqen 33, botuar në vitin 2002.

EB

Please follow and like us: