Albspirit

Media/News/Publishing

Fani Zguro merr trofeun e Muslim Mulliqit

Ekspozita Ndërkombëtare këtë vit bëri bashkë në Prishtinë 27 artistë nga vënde të ndryshme nën kurimin e Artan Shabanit

KulturaFani Zguro është fituesi i edicionit të 11 –të të Ekspozitës Ndërkombëtare “Muslim Mulliqi” e cila prej më shumë se një dekade organizohet nga Galeria Kombëtare e Arteve në Kosovë. Nën moton “Talking about” këtë vit kjo ekspozitë u kurua nga drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Artan Shabani. “Këtë vit çmimi fokusohet në nevojat që ka brezi i ri i artistëve që sot ndodhen përballë një sfide të vështirë. Pas entuziazmit shpërthyes pas viteve 1990, të cilat zgjatën deri vonë, sot ndeshemi me problemesh të reja. Nëse do të marrim vitet 1960 artistët do të linin qytetet për tu bërë pjesë reale e sistemit të artit, dhe për këtë nuk kishin shumë alternative (Paris, Londër, Nju York, Berlin) sot ky fenomen nuk ekziston më”, shprehet në konceptin e kësaj ekspozite kuratori Shabani. Sipas tij, jo vetëm nëpër kryeqytete e metropole, por për ironi, si dhe për fatin e të gjithë atyre që duan të jenë pjesë e sistemit të artit bashkëkohor sot kemi muze e qendra për artin kudo, deri në provincat më të izoluara. “Kjo është një dinamikë zhvillimore dhe një politikë e cila padyshim ndihmon. Por a ndodh e njëjta gjë me atë produkt artistik që po prodhon kjo gjeneratë artistësh? A ka ai të njëjtin vizibilitet? Sot kemi padyshim një super aktivizim nga të gjithë artistët, por mekanizmat me të cilat luhet për uljen dhe ngritjen e një produkti artistik janë gjithmonë e më shumë në të njëjtat parametra”, thotë Shabani. Sipas tij, ekspozita e këtij edicioni ka për qëllim të vejë në pikëpyetje disa aspekte të artit bashkëkohor duke nxitur debate e diskutim në vend që të paraqesë një qëndrim përfundimtar. “Konceptualisht ekspozita trajton vështirësitë praktike për të “hyrë” sot në botën e artit, nga zona të “prapavijës”, si dhe rolin e sistemit të artit për të vendosur si arbitër”, thotë Shabani. Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë u përpoqën ti jepnin përgjigje pyetjes së njohur të Liam Gilick se “cili është imazhi i bashkëkohores sot?”

Njëzet e shtatë artistë shtjelluan me veprat e tyre idenë e paraqitur nga Shabani, duke sjellë këtë vit një dimension tjetër të kësaj ekspozite. Fidan Bejtullahu, Luca Bolognesi, Erik Bunger, Kajsa Dahlberg, Marco Fantini, Regina Jose Galindo, Dora Garcia, Khaled Hafez, Driton Hajredini, Pablo Helguera, Eliza Hoxha, Ardian Isufi, Ilir Kaso, Luljeta Leci, Ilir Lluka, Edson Luli, Ra di Martino, Bruno Muzzolini, Alkan Nallbani, Ferhat Ozgur, Steve Piccolo, Helona Ruli, Helidon Xhixha, Shingo Yoshida, Kushtrim Zeqiri, Fani Zguro dhe Ergyz Zhabjaku sollën veprat e tyre në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Por juria e përbërë nga Krenar Zejno, Boris Brolo dhe Eqrem Basha vendosi tia jap ccmimin e madh artistit Fani Zguro me punën: ”Vepra të hershme”. “Të gjitha këto vepra kanë një frymarrje që lëvizin në të njëjtin oksigjen, nuk krijojnë një tension njëra me tjetrën dhe nuk ka kërcitje, hapësira është e kuruar dhe është e mbajtur në mënyrë delikate ku mund të them se kjo ekspozitë mund të shijohet shumë këndshëm”, tha kryetari i jurisë Brolo.

“Fituese është vepra, që në fakt, edhe pse i ka prezantuar Fani Zguro dy vepra, unanimisht ishte njëra prej tyre më e preferuara, që ishte “Vepra të hershme” edhe pse të dyja ecin në binarë, sepse elementin e kujtesës e ka më të shprehur video, ndërsa tek triptiku, ashtu siç thuhet edhe në fjalët e autorit Fani Zguro, është një thirrje e fëmijërisë përmes vizatimeve dikur të humbura e të gjetura duke u shoqëruar përveç imazhit edhe me fjalën”, u shpreh artisti Krenar Zejno. Fani Zguro është një emër aktiv në skenën e artit bashkëkohor. Pjesëmarrës në disa ekspozita ndërkombëtare, punët e tij janë ekspozuar në galeri të ndryshme.

Please follow and like us: