Albspirit

Media/News/Publishing

Evis Nasto: Me syrin e një turisti

Evis Nasto

Riviera ne jug të Shqipërisë është një ngadestinacionet më të frekuentuara të pushimeve verore. Kjo prej natyrës së mrekullueshme të bregdetit, kaltërsisë së ujit të pastër, gjireve të pafundme që të bëjnë të duket se sa herë që shkon zbulon nga një vend të ri, historisë dhe misticizmit që përcjellin kishat dhe kështjellat mesjetare, gërshetuar me ritmin e muzikës në  clube-t verore, të frekuentuara nga të rinjtë, qoftë edhe për një check in në rrjetet sociale, pavarësisht shtrenjtësisë së shërbimeve. Po sikur të ishte vetëm çështje kostosh … Të shkruash objektivisht për atë çka ofrohet nga operatorët turistikë lokalë në Shqipëri në mes të sezonit mund të tingëllojë si e papërshtatshme, sepse bilancet zakonisht bëhen në fund, sepse tashmë mjaftojnë artikujt në mediat ndërkombëtare që e rendisin Shqipërinë në 10 destinacionet të cilat nuk duhen humbur, ndaj dikush mund ta konsiderojë edhe si një akt anti-patriotik. Por përpos kakofonisë që na shoqëron dhe tymnajës që jemi mësuar të na hedhin syve edhe kur bëhet fjalë për të vlerësuar se ku duhet të kalojmë pushimet, unë zgjedh t’i besoj përvojës sime vetjake, diçka që fare thjesht mund ta bëj secili prej jush me syrin e një turisti.

Ashtu si ajo pjesë e shqiptarëve që mund t’i lejojnë vetes të bëjnë pushime, rivierën e jugut e kisha piketuar si një alternativë të pushimeve të mia, edhe pse kujtimi i një viti më parë, me dhoma afër plazhit që kushtonin minimalisht 50 mijë lekë, ku nuk përfshihej asnjë vakt, bezdisë për vonesat e shërbimit gati arrogant të kamariereve në restorante, çmimeve të hiperbolizuara duke nisur nga një shishe uji 3 mijë e 500 lekë, e për të vijuar me 2 shezllona dhe një çadër që nuk i gjeje poshtë 7 mijë lekëve, ishin ende të freskëta në memorien time. Por isha e gatshme ta zgjidhja sërish, sepse natyra e jugut mbetej në thelb mbresëlënëse. Ajo çka më ndryshoi mendim ishte nje mike e imja, e cila kishte provuar një vit më parë një paketë turistike në ishullin e Korfuzit. Nga përshkrimi i saj mu krijua përshtypja se ishte kënaqur dhe ç’ishte më e rëndësishmja kishte lëne pas çdo kokëçarje për shpenzimet, duke kryer një pagesë të vetme në të cilën përfshihej gjithçka që i nevojitej për të shijuar pushimet e saj. Idea dukej e mirë dhe me siguri që janë të shumtë ata që e kanë provuar, pasi këtë verë ofertat për pushime në resorte turistike jasht vendit ishin më joshëse, veçanërisht në Turqi, diktuar nga pasiguria prej sulmeve eventuale terroriste. Por në rastin e Greqisë dhe bregdetit jonian ndjesia që të falte natyra ishte si një déjà vu me bregdetin shqiptar ku dallimi i vetëm qëndronte pikërisht tek vendosja e shërbimeve në funksion të turistit. Investimet private të hotelierisë nuk kufizoheshin në ofrimin vetëm të një shtrati, por të jepnin mundësinë ndër të tjera edhe të informacionit mbi atraksionet turistike të zonës dhe mundësitë për të mbërritur tek to. Udhëtimet me anije ishin të zakonshme dhe organizoheshin në ditë të ndryshme drejt destinacioneve të ndryshme, duke të krijuar mundësinë që të vizitojë disa plazhe, ndërsa në anije mund të shijoje edhe drekën. Po ashtu lundrimet me anije përdoreshin edhe për të shkuar në qëndër të qytetit në rast se do të doje të shmangie transportin publik, trafikun, ose shqetësimin e parkimit nëse do të doje të merrje makinën. Mbrëmjet nuk ishin asnjëherë të paqta, por netë të vërteta vere që zbardhin nën tingujt e muzikës tradicionale të ndërthurur me atë bashkëkohore. E gjitha të linte në fund përshtypjen e një organizimi të përsosur në funksion të kënaqësisë së turistit, duke të ushqyer kështu ndjesinë e rikthimit.

Kur njihesh më pas me pushues të tjerë shqiptarë dhe të huaj, të cilët tregojnë se e frekuentojnë vendin fqinj prej 4-5 vitesh duke shfrytëzuar edhe ofertat më ekonomike për muajt qershor-shtator, ndjen keqardhje për faktin se këto standarde mund t’i ofronte edhe Shqipëria duke qenë se “punën më të madhe” ia ka bërë natyra. Çfarë i mungon vallë operatorëve turistike shqiptare që ende nuk kanë arritur të plotësojnë standarde të tilla? Përvoja? Nuk besoj se pas 25 vitesh ende nuk kemi parë mjaftueshëm “botë” për të kuptuar sesi duhen bërë gjërat. Mundësi ekonomike? Besoj se investimet që janë kryer gjatë këtyre viteve janë të konsiderueshme për të thënë që mungon likuiditeti. Lehtësi fiskale? Për këtë pritet të shihet se çfarë efekti do të sjellin për operatoret turistikë, vënia në zbatim e paketës së masave lehtësuese fiskale të paralajmëruar nga qeveria për bizneset. Teksa me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për turizmin edhe pse ka kaluar thuajse një vit, ende nuk dihet se çfarë është bërë për klasifikimin e strukturave akomoduese të cilat përdorin në shumicën e rasteve shenja dalluese (yje), por që nuk përputhen me standardet reale të tregut apo me nivelin e shërbimit që ofrojnë. Në kohën kur u diskutua projektligji, u fol edhe për kontraktimin e një kompanie të huaj që do të asistonte në procesin e klasifikimit të hoteleve, por nuk dihet se çfarë është bërë më tej. Përpos kësaj, hartimi i një kuadri rregullator dhe ç’është më e rëndësishmja zbatimi i tij nuk përbën gjithçka për sektorin e turizmit. Duke qenë se nuk bëhet fjalë për një industri që matet me gjuhën bardh e zi të shifrave ku suksesi matet me raportin e prodhimit dhe shitjes së produktit, ky sektor matet kryesisht me ndjesitë dhe perceptimet që krijohen tek pushuesi. Pikërisht nisur nga perceptimi është me rëndësi t’i kujtohet operatorëve turistikë lokalë, edhe pse ata kanë në dispozicion vetëm 3 muaj për të nxjerrë fitimet e një viti, se pushuesit nuk janë disa naïve që zgjedhin jugun ngaqë nuk dinë ku të shkojnë tjetër, dhe as subjekt abuzimi me çmimet që tejkalojnë imagjinatën, por janë disa njerëz, qofshin shqiptarë apo shtetas të huaj, të cilët kërkojnë të vizitojë plazhet shqiptare, sepse dashurojnë natyrën e bukur, sepse kanë dëgjuar sugjerimin e ndonjë miku, apo thjesht sepse u pëlqejnë aventurat në një vend ekzotik. Pikërisht për këtë arsye duhet që këta turistë të ndihen mirë për t’i qëndruar besnikë Shqipërisë, si destinacionin e ardhshëm të pushimeve të tyre.

Please follow and like us: