Albspirit

Media/News/Publishing

Leka Bungo: Zhdukja e dramës shqipe nga Teatri Kombëtar, vepra e vetme e Kumbaros

 

Me skenar dhe regji nga Leka Bungo premierë në ekranin e RTSH pritet të shfaqet filmi me tre seri “Rrokullisja”. Për këtë film regjisori Bungo ka angazhuar një kastë aktorësh të njohur, të cilët sipas tij jetësojnë personazhet e filmit që merr shkas nga ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri. Në intervistën e tij regjisori tregon për realizimin e filmit, që sipas tij do të vijë për publikun përmes një historie tragji-komike. Ndërsa flet për projektin e tij më të fundit në kinematografi, Leka Bungo më herët në skenën teatrit solli dhe një premierë, e cila gjithashtu mori vlerësime. Por sot kur flitet për teatrin, regjisori Leka Bungo shikon se ndër problemet më të mëdha është dhe mungesa e dramës shqipe në teatër. Sipas tij, një Teatër Kombëtar nuk quhet i tillë nëse nuk ka drama shqiptare. Përgjegjëse për situatën që po kalon sot teatri, regjisori Leka Bungo bën Ministrinë e Kulturës. Sipas tij, politikat që ka ndjekur ministria deri tani nuk kanë qenë të favor të dramës shqipe në skenë.

Projekti juaj i radhë është në fushën e filmit. Çfarë përcjell këtë herë ky film në bashkëpunim me RTSH?

Projekti im është produksion i RTSH, i cili u bë mbështetësi kryesor dhe njëkohësisht dhe producent për realizimin e tij. Duhet veçuar këtu Martin Leka dhe drejtori i përgjithshëm Thoma Gëllçi, që ishin dhe vazhdojnë të mbeten mbështetësit e këtij projekti. Janë tre seri në filmin që vjen me titullin “Rrokullisja”. Ngjarjet në film janë në vitet 1996-’97 atëherë kur sipas mendimit tim popullit shqiptar i ndodhi një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e ekzistencë së tij, sepse sipas gjykimit tim ajo situatë, periudhë, ishte një rrezik serioz dhe konkret që e solli popullin në prag të një lufte civile, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në historinë e këtij vendi. Mendoj që pas shumë ngjarjeve kjo ishte një prej tyre, që kërkonte dhe një aksent në historinë e popullit. Duke e pasur këtë mendim dhe duke qenë se e kam jetuar realisht atë periudhë në Shqipëri, duke parë rreth e rrotull njerëzit, të afërmit, shokët dhe miqtë se çfarë pasojash patën nga ajo histori e trishtë e rrokullisjes së fajdeve, mu duk e arsyeshme që të merresha me këtë temë dhe fillova të projektoj skenarin e filmit, i cili e merr temën pikërisht nga paratë me fajde. Dhe filmi rrok një periudhë në dy etapat e saj. Në pjesën e parë është lulëzimi i piramidave dhe faza e dytë rrokullisja e piramidave, dhe bashkë me të edhe të njerëzve që humbën të gjitha të ardhurat dhe kursimet në këtë rrokullisje. Është një film i ndërtuar i konceptuar si grotesk. E kam pasur që në fillesat e projektit, që kjo do të ishte një temë që duhej trajtuar në mënyrë tragji-komike, sepse ashtu ka qenë dhe në realitet.

Për këtë projekt ju keni angazhuar emra aktorësh të njohur. Çfarë mund të na thoni mbi këtë përzgjedhje?

Personazhet në këtë skenar veprojnë në situata të tilla, që janë dhe tragjike dhe komike. I gjithë kasti i aktorëve që janë angazhuar në filmin tim janë më të mëdhenjtë që ka teatri dhe kinemaja shqiptare. Përmend këtu në role janë Robert Ndrenika, Viktor Zhusti, Bujar Asqeriu, Marjana Kondi, Xhevahir Zeneli, Karafil Shena, etj. Janë aktorë që nuk më zhgënjyen, përkundrazi më ndihmuan mua dhe filmin që të tingëllojë ashtu si unë shpresoj. Unë shpresoj që të pëlqehet nga publiku, këta aktorë kontribuuan që të realizohet ëndrra ime, për të cilën unë jam në ankth deri në ditën kur të jepet premiera e filmit. Personazhet e skenarit janë shndërruar në figura artistike shumë jetësore. Në radhë të parë edhe nga mjeshtëria e lartë e interpretimit të aktorëve. Ajo që bie në sy në film është sepse të gjithë personazhet janë karaktere më vete të veçanta, dhe asnjëri nuk përsërit veten. Në rastin konkret janë aktorë brilantë, duke filluar që nga Robert Ndrenika dhe për të vijuar me të tjerët. Në film vërtetë janë skena artistike, por ato janë pothuajse 95 përqind realiteti i atyre ditëve në Shqipëri. Vetëm se ndryshon figura, zëri dhe teksti, por filozofia dhe situatat janë të njëjta.

Kur pritet të jetë premiera e filmit “Rrokullisja” për publikun?

Premiera pritet të jetë në muajin tetor.

Pse zgjodhët qytetin e Beratit për xhirime?

Dua të theksoj se në rastin e filmit tonë vendi i xhirimeve, që është Berati merr një rëndësi të veçantë kur ka një mikpritje të tillë siç kishte ajo për ne. Në asnjë qytet nuk ma do mendja, që grupi ynë do të gjente një dashamirësi si atje. Kur vajta atje për filmin, Beratin e pashë se ishte një nga qytetet më magjikë që ka Shqipëria, sepse unë e kam eksploruar dhe me syrin e kameras, por ajo që ishte grepi që më tërhoqi, motivi kryesor për ti përqendruar xhirimet atje, është sepse ai qytet në pjesën më të madhe të tij nuk ka ndryshuar dhe më çon te vitet ’97-’98 pa më demaskuar, ndërkohë që në qytete të tjera është e vështirë të gjesh një gjeografi të tillë. Arsye tjetër ishte se peizazhi i Beratit ishte i mrekullueshëm. Në këtë film besoj se njerëzit do të kenë mundësi të shikojnë dhe bukuritë e mahnitshme të Beratit. Mendoj se ia vlejti gjithë kjo punë, këtë e justifikuan dashamirësia dhe mikpritja e institucioneve, duke filluar që nga prefekti, kryetari i Bashkisë së Beratit, shefi i policisë, kudo që kemi vajtur ne na kanë mirëpritur.

A keni të tjera projekte për të realizuar në film?

Padiskutim që kam dhe të tjera projekte. Kam projekt për dy filma artistikë. Njërin prej tyre besoj që në muajin shtator do ta paraqes në QKK. E kam punuar për shumë kohë të gjatë, sepse krahas punës për veprat skenike unë kam punuar dhe për filmin. Pra kam dy skenarë të mbaruar, por po më ngacmon dhe një tjetër projekt. Ndërkohë që po punoj për montazhin e filmit “Rrokullisja”, po punoj me skenarin e një tjetër filmi, që mendoj se do ta çoj në 30 seri.

 Në një vështrim të përgjithshëm, si e shikoni zhvillimin e kinemasë shqiptare?

Sipas gjykimit tim, kinemaja shqiptare në radhë të parë vuan nga kualiteti i prodhimeve të saj. Në radhë të dytë, janë financimet e pakta që shteti bën për kinematografinë, sipas meje nuk është gjetur një mekanizëm i tillë që shteti të financojë më tepër në fushën e krijimtarisë kinematografike. Por ka dhe një problem, që janë të ndërsjellta marrëdhëniet, nëse shteti nuk jep shumë para dhe filmi që bëhet pa kualitet nuk sjell të ardhura. Jemi në të dy krahët me minus. Pra tregu jonë është shumë i vogël, një treg kinemaje që është i papërfillshëm. Fakti që në gjithë vendin kemi pak kinema, kjo tregon se çfarë distribucioni mund të ketë filmi ynë, dhe cilat mund të jenë të ardhurat e tij. Pastaj ka një pikësynim tjetër, pak megallomanesk i disa kolegëve, të cilët i bëjnë filmat për festivalet në botë, nuk mendojnë shumë për publikun shqiptar. Janë filma që i mbajnë dhe nuk i shfaqin për publikun shqiptar pa i prezantuar më parë në festival. Përveç kësaj shteti nuk ka zgjidhur dhe një nga problemet kyçe, që mund të ndikojë në mbarëvajtjen e financimit të filmit, çështjen e sponsorizimit. Nëse shteti do ti kushtojë një ditë punë me juristët dhe ekonomistët e tij do të gjejë rrugë që një x biznesi ti krijojë mundësinë që të mos paguajë taksa, ndërkohë që ai sponsorizon një film. Kjo është një zgjidhje që në shumë vende të botës është gjetur, ndërsa tek ne jo. Ka shumë vështirësi realizimi i filmit sot, dhe është e vështirë për të dalë nga kjo situatë.

Keni qenë shumë kritik ndaj Teatrit Kombëtar?

Vazhdoj të jem ende shumë kritik ndaj Teatrit Kombëtar.

Por gjithsesi në skenën e Teatrit Kombëtar ka pasur dhe shfaqje të suksesshme?

Po ka pasur, por mungojnë vepra shqiptare në sezonin e tij artistik. Kjo është dramë për dramën shqipe. Jam në dijeni dhe të asaj se çfarë ka publikuar teatri për sezonin artistik në vijim, por është e pafalshme ajo që shihet. Që këtu them stop.

Por janë dhe vendime të bordit artistik të teatrit?

Unë nëse do të isha ministër Kulture do ti thosha stop. Je teatër kombëtar apo ndërkombëtar. Nëse është teatër kombëtar, më thuaj një vepër kombëtare. Kjo hyn në humor më pas, shkakton humor tek njerëzit. Në Teatrin Kombëtar shqiptar nuk ka drama shqiptare? Por kur presin ta vënë dramën shqiptare në skenë? Ka një motiv që nuk vihen veprat shqiptare në skenë.

Sipas jush, pse nuk vihen në skenë?

Këtu luhet një lojë. Thonë nuk ka dramë shqiptare, sepse duan të vënë në skenë drama të huaja, pasi kanë idenë që dramat e huaja e kanë suksesin të garantuar nga niveli dramaturgjik, që janë vepra të Molierit, Shekspirit, etj, dhe nuk vënë drama shqiptare në skenë, sepse nuk kanë të garantuar suksesin dramaturgjik. Kjo është arsyeja e parë, që ka bazë profesionale. Arsyeja e dytë, që regjisorët e kanë më të kollajtë, sepse këto shfaqje të huaja i shikojnë të gatshme. Kjo ka ndodhur. Vihen në skenë vepra të huaja dhe në Shqipëri nuk vihet asnjë vepër shqiptare, që tregon dhe korrupsionin që ka kapur për fyti popullin. Nuk dua të flas më shumë, por shikoj që kanë përjashtuar regjisorët shqiptarë. Pa regjisorë nuk bëhet teatri. E para është drama dhe i dyti regjisori, janë në një lidhje të pandashëm. Por në TK më thoni ka vënë pjesë Gëzim Kame, Albert Minga, Pëllumb Kulla, Mihal Luarasi, etj? Nuk kanë vënë. Atëherë çfarë janë këta emra regjisorësh që shikoj në afishe? Për mua regjisori duhet ta ketë emrin minimumi Ali, që të jetë regjisor, pra duhet të jetë i vjetër.

Përballë këtyre problemeve, si e shikoni Ministrinë e Kulturës?

Një ministri Kulture inekzistente. Me sa kam dëgjuar dhe lexuar, ajo që shoh është vepra e saj që është shumë e dukshme. E dini ju cila është vepra e Mirela Kumbaros? Vepra e saj është që Teatri Kombëtar nuk vë drama shqiptare në skenë. Ministria është përgjegjëse për këtë. Ka një bord artistik, që është inekzistent dhe një drejtor që vendos. Është si puna e “vetingut”, Mirela Kumbaro është komisioni i huaj në këtë rast. Dhe nëpërmjet saj duhet të kalojnë këto, më pas le ti zgjedhë drejtori dhe bordi. Por duhet të kalojë më parë këtu, duhet të jetë shqiptare ajo që do kalojë te ministria dhe të japë gjykimin. Nëse do të vërë pesë vepra, 3 apo 2 të jenë shqiptare në skenë. Mungesa e dramës shqipe në skenë është skandal. Nuk ka shtet në botë, që në teatrin kombëtar të mos ketë vepra kombëtare. Nuk bëhet teatri kombëtar pa vepër kombëtare. Për mua përgjegjëse kryesore për gjendjen e teatrit sot është ministrja e Kulturës, apo ministria e cila është “vetingu” i kësaj çështje. Nëse nuk ngulin këmbë që Teatri Kombëtar të vërë në skenë pjesë kombëtare, atëherë nuk kemi gjë në terezi.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

Please follow and like us: