Albspirit

Media/News/Publishing

LIBRI – KY ARMIK I SHTETIT

Kliton Nesturi

Përkundër propagandës dhe publicitetit, sot, libri në Shqipëri, ndodhet në krizë. Në më të thellën si asnjëherë deri më sot. Një treg thuajse i paralizuar plotësisht. Ndryshe nga mjaft vende të botës, në Shqipëri nuk ka ende një “klasë” me lexues të rregullt. Shifrat që dalin në fund të çdo Panairi Libri rezultojnë të jenë më shumë shifra vizitorësh se sa lexuesish të mirëfilltë. Po kështu, sërish ndryshe si në mjaft vende të botës së qytetëruar ende nuk ka infrastrukturë të rregullt të tregtimit të librit. Mbi gjithçka mungojnë libraritë. Në të gjithë vendin kemi vetëm tre librari me sipërfaqe të mëdha, disa me sipërfaqe mesatare dhe pjesa tjetër të vogla ndoshta edhe më të vogla se një kafene apo dyqan i zakonshëm lagjeje. Në këto kushte, shpërndarja normale e librave nga shtëpitë botuese në librari është e pamundur të ndodhë. Në rradhë të parë, janë vet librashitësit të cilët për arsye hapësire, por edhe mungese të vëmendjes së lexuesit nuk pranojnë të marrin çdo lloj vepre për t’a tregëtuar. Kështu, poezia thuajse nuk tërhiqet fare prej tyre dhe shtëpive botuese nuk u mbetet gjë tjetër veç se kopjet e shtypura t’ia lënë vet autorit në dorë. Fat disi më të mirë se poezia ka tregimi, por vetëm kaq. Kryesisht, nisur edhe nga preferencat e tyre librarët preferojnë të tregtojnë romane, apo edhe ndonjë libër publicistik për të cilin bëhet shumë zhurmë në media. Në këtë drejtim, vet botuesit mbeten të pafuqishëm për t’iu imponuar librarëve.

Nga të gjithë botuesit pranohet se fuqia blerëse ka ardhur në rënie. Këtë vit ajo është më e madhja që ka ndodhur ndonjëherë. Natyrisht, kriza ekonomike e tejzgjatur ka bërë të vetën. Përpara të ardhurave të pakta ekonomike, ushqimit të përditshëm dh përballimit të mjaft streseve të tjera, të mendosh për librin është një luks i tepruar. Por këtë vit, tregu i librit është frenuar edhe nga diçka tjetër. Reforma ekonomike për taksimin e mallrave direkt nga prodhuesi që ndërmori qeveria, e fut librin në një rang me produktet industriale dhe ushqimore. Thënë më ndryshe, libri tashmë vlerësohet njësoj si një kilogram domate, djath, bukë, apo diçka tjetër. Më konkretisht; ndryshe nga një vit më parë, kur një botues shpërndante një vepër të caktuar tek një librar, marrëdhëniet e tyre ishin sa bashkëpunimi aq edhe mirëbesimi. Kopjet e veprës dorëzoheshin me faturë dhe nëse nuk likujdoheshin në çast, kjo ndodhte kur vepra shitej, sipas përqindjes së caktuar ndërmjet tyre. Nëse nuk shitej, plotësisht, kopjet pas një periudhe të caktuar i ktheheshin botuesit. Në këtë mënyrë, të dyja palët vendosnin një bashkëpunim harmonik, ku librari, përballë humbjeve, gjithnjë ishte më i mbrojtur se sa botuesi. Tashmë, çdo kopje të cilin botuesi ia shpërndan botuesit, ai duhet t’a blejë paraprakisht me faturë tatimore. Në këtë mënyrë, prej botuesit vepra quhet zyrtarisht e shitur, ndërsa për një librar, është thjesht një humbje e cila nuk dihet se kur do t’a nxjerrë vlerën e saj, pasi libri nuk është një mall konsumi që lëviz me shpejtësi. Pra nuk është vezë, kos, qumësht, bukë, etj, etj, çka ka bërë që librari të furnizohet me një apo dy kopje, apo të mendohet mirë e mirë, për një vepër nëse do t’a tregëtojë apo jo. Këtu, stopohet tregtimi i librit, pasi askush, me librarët në krye, nuk preferon të humbasë më shumë në kohë krize.

Fakti është se tashmë botuesit po e deklarojnë krizën. Mjaft prej tyre janë prag falimentimi. Mjaft shtypshkronja të cilat merren me librin artistik në më të shumtën e rasteve nuk punojnë se sa punojnë. Më të fituarat në këtë kohë krize janë shtëpitë botuese dhe shtypshkronjat që merren me librin shkollor.

Nuk dua të merrem me reformën ekonomike. Në thelb e mbështes atë. Por a mund t’a trajtojmë librin, si një mall konsumi, diçka që hahet, pihet e vishet? Apo si një mall luksi? Në qeveri ndoshta nuk e kanë parë me vëmendje këtë specifikë. Kjo nuk ëhtë diçka e rastit. Për gjatë gjithë kësaj periudhe tranzicioni, tashmë mbi çerek shekullore nuk kemi parë asnjë politikë të qartë dhe largpamëse ndaj librit. Ai është parë më shumë si mall se sa si vlerë.

Asnjë reformë nuk është e lehtë, por dëmet prej kostos së saj duhet të jenë sa më të vogla, ndryshe nuk ka kuptim. Për vet tregun dhe specifikat e tij, është koha që libri të shihet ndryshe duke u lehtësuar prej shumë barrave, duke mos u parë me syrin e një “armiku që kërkon t’ia hedhë shtetit”. Ndryshe do të vazhdojmë të zhytemi edhe më thellë në krizë duke gjeneruar krizë në këtë kohë krizash.

www.klitonnesturi.blogspot.al

Please follow and like us: